Presidenca Franceze e Këshillit të BE-së - një pikënisje e re

Presidenca Franceze e Këshillit të BE-së - një pikënisje e re

Nocioni i rotacionit në detyrë e gjen fillesën në demokracinë e parë të njohur, atë Athinase, ku për herë të parë nivelet e ndryshme të posteve drejtuese iu nënshtuan rotacionit si një premisë e ndërtimit të një shteti demokratik (Galpin, 1993). Institucionet e BE-së ashtu si shumica e vendeve që punojnë drejt një shteti të së drejtës, nuk i kanë lenë pas nocione të tilla që datojnë kohë më parë. Këshilli i BE-së si një organ thelbësor vendimmarrës me funksione legjislative, zbaton një rotacion ndërmjet vendeve të BE-së çdo 6 muaj, ku qeveritë e shteteve anëtare marrin Presidencën e Këshillit.


Me qëllimin e mirë të bashkërendimit të punës së presidencave të vazhdueshme, në vitin 2009 në Traktatin e Lisbonës u prezantua një sistem i ri, ku shtetet anëtare që mbajnë presidencën punojnë ngushtë së bashku në grupe prej tre shtetesh, të cilësuara si 'treshe' (Kaczyński, 2020). Treshja vendos një axhendë të përbashkët si dhe përzgjedh çështjet kryesore që do të trajtohen nga Këshilli për një periudhë 18-mujore. Më pas, secili nga të tre vendet paraqet një program të detajuar për periudhën 6 mujore që mban kryesimin, duke evidentuar prioritetet dhe qendrën e fokusit që presidenca do të ketë. Aktualisht, treshja përbëhet nga presidenca e Francës, e Republikës Çeke dhe Suedisë (Council of the EU, 2022). 


Prioritetet e Presidencës Franceze  

Ky fillimvit shënoi marrjen e Presidencës Franceze të Këshillit të Bashkimit Europian. Për një periudhë gjashtë mujore deri më 30 qershor 2022, Franca do të udhëheqë organizimin dhe kryesimin e mbledhjeve të Këshillit, përcaktimin e axhendës si dhe do të shërbejë si urë lidhëse mes institucioneve të BE-së. Qeveria franceze merr presidencën pas 13 vitesh, një periudhë e cila mes të tjerash, përkon me një kohë sfiduese të luftës kundër pandemisë COVID-19. Kjo pasqyrohet vazhdimisht dhe në pikat e programit 6 mujor. Prioritetet e kryesimit dëshmohen në moton e Presidencës Franceze"Rimëkëmbje, forcë dhe ndjenjë përkatësie":

  1. Rimëkëmbje - lehtësimi i tranzicionit të gjelbër dhe dixhital për Europën; 

  2. Forcë -  mbrojtja dhe promovimi i vlerave europiane; 

  3. Ndenjë përkatesie - zhvillimi i një vizioni të përbashkët europian përmes kulturës, vlerave dhe historisë së përbashkët (Council of the EU, 2022).

Këto prioritete janë vazhdimësi e arritjeve të presidencës së kaluar, asaj sllovene, si dhe janë në përputhje me programin më të gjerë të treshes së kryesimit. Nëpërmjet konsultimeve të vazhdueshme u arrit që këto prioritete të jenë të bazuara në programin e punës së Komisionit Europian  për vitin 2022 dhe janë të bashkërenduara me institucionet e tjera të BE-së. 


Tre synimet ambicioze të Presidencës Franceze që gjenden të parashtruara dhe në program, vijojnë si më poshtë:


  1. Një europë më sovrane - Dukshëm një vazhdimësi e të ashtëquajturës “axhendë sovraniteti” e prezantuar po nga Macron në 2017 gjatë fjalimit të Sorbonës. Ky parashtrim i tillë i referohet aftësisë së Europës për të mbrojtur vlerat dhe interesat e saj në rang global. Këtu, parashikohet forcimi i zonës Shengen, mbrojtja e kufijve europianë si dhe kontrolli i migrimit dhe përmirësimi i politikave të azilit, si pika referimi. Një Europë sovrane, sipas programit të paraqitur përkthehet në ndërtimin e një Europe më kompetente në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërmarrja e veprimeve për zhvillimin dhe stabilitetin e fqinjëve, atë të Ballkanit Perëndimor dhe marrëdhëniet me Afrikën si dhe dhënia e zgjidhjeve ndaj sfidave globale. 


  1. Një model i ri europian për rritje -  Ashtu siç janë dhe emërtuar ‘ambicie’, qartësisht është i mirëmerituar. Në këtë pikë, presidenca synon ta bëjë Europën një territor prodhimi, krijimi të vendeve të punës, inovacioni dhe përsosjeje të teknologjisë. Nismat që do të ndërmerren në sajë të zhvillimit ekonomik do të jenë në përputhje me zhvillimet klimatike. Ky model i ri europian do të mbeshtësë inovacionin, si dhe rritjen e lojtarëve dixhitalë europianë duke vendosur rregulla në botën dixhitale. Së fundmi, modeli synon ofrimin e punëve të cilësisë së lartë dhe të paguara mirë. 


  1. Një Europë më njerëzore -  Në mars 2019, Macron prezantoi “Konferencën për të ardhmen e Europës”, dhe natyrshëm kjo konferencë është një ndër pikat qëndrore të kësaj presidence. Franca përfytyron një Europë më njerëzore që dëgjon shqetësimet e qytetarëve të saj nëpërmjet rrugëve të komunikimit të krijuara si rezultat i po kësaj konference. Me tej, mbrojtja dhe ruajtja e vlerave të shtetit të së drejtës paraqiten si të panegociueshme dhe baza e një shteti demokratik europian. Programi synon të krijojë kushtet e përshtshme për një Europë që krenohet me kulturën e saj që beson në shkencë dhe dije, dhe e përkushtuar në luftën ndaj diskriminimit dhe sigurimit të një të ardhmeje më të mirë (French Presidency website, 2022). 


Ku qëndron Ballkani Perëndimor dhe procesi i zgjerimit?

Pasiguria e hapësirës që do të zërë rajoni i Ballkanit Perëndimor në axhendën europiane nisi që me prioritetet e paraqitura nga kryesitë e mëparshme të Këshillit, atë të Portugalisë dhe Sllovenisë ku dukshëm procesi i zgjerimit ishte poshtë në axhendë. Kjo pasiguri u përforcua akoma më shumë me largimin nga posti i kancelares gjermane Angela Merkel, si nismëtare dhe vizionare e procesit të Berlinit.

Por mesa duket plogështia që kaplon ndonjëherë procesin dinamik të zgjerimit të BE-së deri diku është adresuar nga Franca. Gjatë prezantimit të Presidencës Franceze të Këshillit të Bashkimit Europian në Pallatin Élysée më 9 dhjetor 2021, Macron e cilësoi Ballkanin Perëndimor si “në zemër të Europës” dhe i bëri thirrje BE-së të ndjekë një politikë riangazhimi si dhe investimi duke marrë përsipër përgjegjësinë e veçantë që BE-ja ka ndaj këtij rajoni. Në deklaratën e tij Macon theksoi “Unë besoj se kjo punë politike dhe ekonomike ndaj Ballkanit Perëndimor është një axhendë e vërtetë sovraniteti për Europën tonë, sepse ne nuk mund të ndërtojmë një Europë paqësore në 50 vitet e ardhshme nëse e lëmë Ballkanin Perëndimor në situatën aktuale. Kjo do të thotë që duhet qartësuar perspektiva europiane, riinvestimi në rajon dhe unitetin e tij dhe të ketë një ambicie të përbashkët për dekadat në vijim.” Megjithatë mbetet për t’u parë nëse kjo qasje do të përkthehet në vendime dhe nisma substanciale si rezultat i programit të parashikuar (European Western Balkans, 2021). 


Programi i Presidencës Franceze shprehet që do të sigurojë vazhdimin e negociatave me vendet kandidate në përputhshmëri të plotë me Metodologjinë e re të Zgjerimit. Kryesia do të mbështesë punën e BE-së në rajon dhe do të nxisë promovimin e reformave kyçe që synojnë të transformojnë Ballkanin, si forcimi i shtetit të së drejtës, institucionet demokratike, lirinë e shtypit si dhe reformat ekonomike. Këto reforma më pas do të lehtësonin përafrimin e legjislacionit të vendeve të Ballkanit me acquis communautaire, duke siguruar që perspektiva europiane e rajonit të mos humbasë. Pritet që Presidenca Franceze të organizojë një konferencë mbi Ballkanin Perëndimor në qershor 2022, muaji i fundit i presidencës franceze. Konferenca ka si qëllim thellimin e projekteve konkrete të bashkëpunimit në rajon duke pasur në fokus veçanërisht nxitjen e bashkëpunimit dhe stabilitetin rajonal (French Presidency Website, 2022). 


Ngjarjet që priten të ndodhin së shpejti
Programi ambicioz ka gjasa të kalojë në ujëra të turbullt me afrimin e zgjedhjeve presidenciale në Francë dhe raundin e parë të zgjedhjeve që pritet të mbahen më 10 prill 2022. Kjo paraqet një mundësi të lartë që sa më afër zgjedhjeve aq më shumë qeveria do të fokusohet në fushatën e brendshme. Zyrtarët francezë gjatë periudhës zgjedhore ngarkohen dhe me detyrimin e "neutralitetit elektoral", i cili për disa javë para zgjedhjeve kufizon paraqitjet e tyre publike si në Francë ashtu edhe jashtë saj. Prandaj, gjatë periudhës së kryesisë franceze, programi i parashtruar mund të këtë kohë më të shkurtër për t’u zbatuar. Për më tepër, krizat aktuale qe po kalon Europa si dhe dinamizmi që i pason, e vështirëson akoma më shumë punën e presidencës.

Pavarësisht sfidave, kjo presidencë duket që është dhe ambicie personale e presidentit Macron dhe në program shihet dukshëm qëllimi për të avancuar nisma dhe një vizion të vazhdueshëm të Francës, për ta shtyrë dhe mbrojtur të ardhmen europiane. Kjo është ilustruar më së miri në fjalimin e mbajtur nga Macron në Sobornë në vitin 2017, ku u shpreh, “Kam ardhur të flas me ju për Europën. Disa do të thonë 'përsëri'. Ata do të duhet të mësohen me të, sepse unë do të vazhdoj. Dhe kjo për shkak se lufta jonë është vërtet aty, është historia jonë, identiteti ynë, horizonti ynë, ajo që na mbron dhe na jep një të ardhme” (Morcos & Ruy, 2022). Ky fjalim mbetet aktual dhe një përfaqësues i denjë i programit të paraqitur. Rrugëtimi francez sapo ka filluar dhe pak por e sigurt, paraqet një pikënisje dhe një përspektivë të re europiane. 

Gladiola Lleshi, staf i EuroSpeak, janar 2022

Referencat:


  1. Galpin, T. J. (1983). The Democratic Roots of Athenian Imperialism in the Fifth Century B.C. The Classical Journal, 79(2), 100–109. http://www.jstor.org/stable/3297244

  2. Kaczyński, P. (2020). What is Left for the Rotating Council Presidency under the Lisbon Rules? https://institutdelors.eu/wp-content/uploads/2018/01/tgae20118akaczynski.pdf.

  3. Council of the EU. (2022) The presidency of the Council of the EU. Consilium.europa.eu. https://www.consilium.europa.eu/en/council-eu/presidency-council-eu/.

  4. French Presidency website. (2022). Programme for the French Presidency of the Council of the European Union. https://presidence-francaise.consilium.europa.eu/media/qh4cg0qq/en_programme-pfue-v1-2.pdf

  5. European Western Balkans. (2021). Macron urges for "clarifying" EU perspective of the WB, announces conference in June.  https://europeanwesternbalkans.com/2021/12/10/macron-urges-for-clarifying-eu-perspective-of-the-wb-announces-conference-in-june/

  6. Morcos, P., & Ruy, D. (2022). Macron’s European Moment. Csis.org. https://www.csis.org/analysis/macrons-european-moment.





1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk