Si mund të shërbejë Plani i Rritjes në një kontekst të ri marrëdhëniesh BE-Ballkan Perëndimor?

Si mund të shërbejë Plani i Rritjes në një kontekst të ri marrëdhëniesh BE-Ballkan Perëndimor?


Ndryshimi i kontekstit politik në Europë për shkak të ngjarjeve si pandemia e Covid-19 dhe lufta në Ukrainë ka motivuar Bashkimin Europian (BE) të reflektojë mbi perspektivën e zgjerimit ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP) duke rikonfirmuar angazhimin nëpërmjet një sërë iniciativash të reja. Ndër to së fundmi edhe Plani i Rritjes[1] për Ballkanin Perëndimor , i cili është një plan i ri investimesh nga BE të cilat synojnë rigjallërimin e procesit të integrimit të vendeve të rajonit duke dhënë stimuj të rinj në një kontekst të ri politik. Synimi i Planit të Rritjes bazohet në katër shtylla kryesore të cilat janë: a) përforcimi i integrimit ekonomik me tregun e përbashkët europian; b) nxitja e tregut të përbashkët midis vendeve të BP nëpërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal; c) Përshpejtimi i reformave thelbësore; dhe d) Rritja e asistencës financiare për të mbështetur reformat nëpërmjet një Kuadri Rritjeje dhe Reformimi për PB për periudhën 2024-2027, një instrument i cili sipas Komisionit parashikohet të jetë në vlerën 6 miliardë euro.

Plani i Rritjes mund të shërbejë si një katalizator i axhendës politike të viteve të fundit për të rigjallëruar një sërë axhendash nëpërmjet të cilave janë kanalizuar përpjekjet për përshpejtimin e procesi të integrimit në BE. Këtu kam parasysh kryesisht vijimesinë e Procesit të Berlinit i cili, qysh prej vitit 2014 ka synuar nxitjen e bashkëpunimit rajonal, krijimin e një tregu të përbashkët dhe advokuar e mbështetur financiarisht axhendën e konektivitetit e cila ka marrë një vëmendje të veçantë për shkak të pritshmërive dhe impaktit në zhvillimin ekonomik të rajonit. Nëpërmjet saj është synuar të reduktohen pengesat strukturore të ekonomive të rajonit si popullsia e vogël dhe relativisht më pak e kualifikuar në raport me BE, përmasat e tregut, aftësia për të përthithur investime të huaja, dhe lokalizimi i prodhimit.

Plani i Rritjes dhe nevoja për rikonceptim të axhendës së konektivitetit: Nga konektiviti “hard” te konektiviteti "soft "

Në një kontekst të ri marrëdhëniesh, ka nevojë për një rikonceptim të axhendës së konektivitetit për të krijuar sinergji me Planin e Rritjes. Përgjatë viteve të kaluar, axhenda e konektivitetit ka qenë motori kryesor i integritetit[ND1]  të rajonit, duke qenë një nga kryesoret e Procesit të Berliit. Axhenda e konektivitetit synon të integrojë infrastrukturat e vendeve të BP-së midis vendeve të rajonit dhe gjithashtu t'i integrojë ato në rrjetin pan-europian të transportit dhe energjisë. BE-ja ka ofruar asistencë teknike dhe financiare për të zbatuar këto projekte përmes institucioneve rajonale siç është Kuadri i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe nëpërmjet bashkëpunimit të institucioneve financiare siç është Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Ndërsa axhenda e konektivitetit ka qenë kryesisht e fokusuar në infrastrukturën "hard", pra në projekte infrastrukturore si autostrada, hekurudha dhe porte duke synuar transportin modal dhe lidhje e rajonit me rrjetin mbarë-europian të infrastrukturës (TEN-Network[2]). Plani i Rritjes mund të shërbejë për të adresuar aspektet alternative të konektivitetit midis vendeve të rajonit por edhe në raport me BE si integrimi ekonomik nëpërmjet zinxhirëve furnizues industrial, integrimin e Tregut të Përbashkët Dixhital apo Integrimin me Tregun e Energjisë dhe Axhendës së Gjelbër për BP. Kjo për shkak se dinamikat e zhvillimit ekonomik të suksesshëm integrojnë jo vetëm lidhjet infrastrukturore, por edhe ato sociale, institucionale dhe humane[3].

Plani i Rritjes dhe zinxhirët e furnizimit industrial

Lufta në Ukrainë solli ndikime të rëndësishme në ekonomitë e vendeve të BP6 duke krijuar ndërprerje të zinxhirit të furnizimeve kryesisht të lëndëve të para, inflacion dhe pasiguri ekonomike. Për shkak të varësisë të importeve dhe kapaciteteve të kufizuara të prodhimit, ekonomitë e vendeve të BP janë të varura kryesisht nga tregjet e huaja. Për të menaxhuar riskun e varësisë nga importet, qeveritë janë duke rishikuar marrëdhëniet tregtare me palët e treta. Në këtë kontekst, Plani i Rritjes, i cili ndër të tjera kërkon të intesifikojë marrëdhëniet e BE me BP6, është një mundësi për të adresuar çështje si ndërprerja e zinxhirëve furnizues për shkak të risqeve (gjeo)politike. Zgjedhje e furnizimit me vende më të afërta gjeografikisht (nearshoring) ose me vende mike (friendshoring) konsiderohen si dy nga strategjitë efektive për të zvogëluar risqet dhe për të pasur një marrëdhenie tregtare më të qëndrueshme dhe zinxhir furnizues elastik[4].

Ndër të tjera, Plani i Rritjes do të duhet të shihet si një mundësi për të integruar ekonomitë e vendeve të rajonit duke përdorur si instrument zinxhirin e vlerës. Në ketë drejtim BE ka sjellë një sërë rregullimesh të reja si Akti i Lendëve të Para Kritike (CMA) apo Mekanizimi i Karbonit të Kufirit (CBAM), ku pritet që edhe vendet e BP të kenë ndikim nga hyrja në fuqi e këtyre legjislacioneve. Një tjetër element me rëndësi i cili është pjesë në kuadër të integrimit të zinxhirëve të furnizimit i cili mund t’i shërbejë ekonomisë shqiptare është në sektorin e bujqësisë dhe agropërpunimit. Kalimi në një stad më të avancuar të zhvillimit të bujqësisë, të aftë për të tregtuar në mënyrë të qëndrueshme në tregjet europiane, lidhet me standardet e produkteve bujqësore dhe certifikimin.

Plani i Rritjes dhe Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor

Plani i Ri i Rritjes mund të sjellë një ndikim pozitiv edhe për Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor[5], e cila është pjesë e Planit Ekonomik të Investimeve për Ballkanin Perëndimor[6]. Axhenda e Gjelbër kërkon të krijojë sinergji me sektorët ekonomikë si energjia, riciklimi i mbetjeve, dhe njëkohësisht të përshpejtojë procesin e integrimit të vendeve të rajonit në BE. Në sektorin energjetik Shqipëria është në pozita më komode krahasismisht me vendet e tjera të BP. Kjo për shkak të burime hidrike të cilat sigurojnë rreth 90% të nevojës së brendshme për energji, ndërsa në vendet e tjera të rajonit kryesisht Kosova, Bosnja & Hercegovina dhe Serbia do t’u duhet të ndërmarrin politika më radikale për shkak të varësisë së tyre në prodhimin e energjisë nga impiantet e qymyrit[7]. Megjithatë, referuar pikës së parë të Planit të Rritjes dhe gjithashtu objektivit të qeverisë shqiptare për investimet në burimet e rinovueshme të energjisë, do të duhet ende të investojmë në panelet fotovoltaike dhe gjithashtu të vazhdojmë subvencionet e Ministrisë së Energjetikës për impiantet diellore për konsumin familjar.

Për më tepër, integrimi i Axhendës së Gjelbër është gjithashtu një domosdoshmëri e negocimit të kapitujve të integrimit. Praktikisht Grup-Kapitulli 4 në të cilën hyjnë Kapitulli 14 - Politikat e Transportit, Kapitulli 15 - Energjia, Kapitulli 21 - Rrjeti Pan-Europian i Transportit, dhe Kapitulli 27 - Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike. Avancimi i këtyre kapitujve do të duhet të shihet i integruar me iniciativat paralele të cilat mund të ndihmojnë në përgatitjen teknike dhe implementimin nëpërmjet ekspertizës dhe përvojave të vendeve anëtare të BE.

Integrimi dhe përmirësimi i infrastrukturës dixhitale

Plani i Ri i Rritjes i cili ndër të tjera synon dhe integrimin dhe fuqizimit e ekonomise dixhitale midis vendeve të BP dhe BE. Në 2018, në Samitin e Sofies në kuadër të Procesit të Berlinit BE prezantoi Axhendën Dixhitale[8]. Supozimi për kalimin prej një qasje “hard” të investimeve në infrastrukturë në një qasje “soft” duke  pasur parasysh infrastrukturën dixhitale , që do të shërbente për të krijuar premisa të një perspektive dhe botëkuptimi të përbashkët të qasjes ndaj Axhendës e Konektivitetit si promotor i zhvillimit ekonomik rajonal.

Integrimi me tregun e përbashkët dixhital të BE është një prej synimeve të Planit të Rritjes. Ky synim shkon paralel me ambicien për zhvillim e ekonomisë dixhitale, trajnimin dhe aftësimin për tregun e punës dhe punësimin të cilat janë konsideruar si mundësi zhvillimi dhe transformimi të kapitalit human në vendet e rajonit. Heqja e tarifave roaming midis vendeve të rajonit është një nga shembujt të cilët inkurajojnë konektivititetin dixhital.

Përtej aspekteve socio-ekonomike, nevoja për investime në infrastrukturën dixhitale është e lidhur ngushtësisht me aspekte të sigurisë dhe ndërtimin e rrjeteve të sigurta kibernetike. Qasja online e ofrimit të  shërbimeve publike nëpërmjet eGovernment kërkon një qasje të bashkërenduar me vendet e BE të cilat kanë eksperienca më të avancuara në lidhje me integrimin dhe aplikimin e shërbimeve dixhitiale në adminisitratën publike si dhe me sfidat që sjell kjo qasje inovative si p.sh siguria e të dhënave të cilat gjithashtu lidhen me kapitujt themelorë të negociatave.

Nevoja për avancimin e reformave ligjzbatuese

Rikonceptimi i axhendës së konektivitietit dhe krijimi i sinergjive me Planin e Rritjes do të duhet të shkojnë paralel me reformat ligjzbatuese të cilat synojnë forcimin e shtetit të së drejtës. Ecuria e këtyre reformave shkon gjithashtu paralel me klimën e biznesit dhe indikatorët matës si eficienca e administratës publike, pavarësia e sistemit gjyqësor etj,. Nevoja për avancimin e reformave thelbësore është një nga shtyllat e Planit të Rritjes e cila parashikon shtimin e asistencës financiare me asistimin, këshillimin dhe mbikëqyrjen e Komisionit përgjatë periudhës 2023-2027.

Në këtë kontekst një rol thelbësor do të duhet të luajnë edhe agjencitë qeveritare të cilat kanë marrë përsipër një sërë detyrash që lidhen me implementimin e reformave. Ato janë parë si organe teknokrate të cilat vijnë në ndihme të administratës publike për të implementuar reformat në mënyre më eficente. Reformat ligjzbatuese të cilat lidhen me grup-kapitullin themelor janë drejtpërdrejt të lidhura me qëndrueshmërinë e nën-axhendave si ajo e gjelbër apo dixhitale. Instrumentet dhe praktikat institucionale si prokurimet publike, respektimi i lirive ekonomike dhe sociale, depolitizimi i administratës publike janë parakusht për implementim të drejtë dhe funksional të reformave.

 

Perspektiva për të ardhmen

Krijimi i një konteksti të ri politik dhe rigjallërimi i raporteve me BE dhe BP nëpërmjet Planit të Rritjes dhe paketave të tjera kanë krijuar një kuadër të ri marrëdhëniesh. Ky kuadër do të duhet të krijojë sinergji dhe koherencë me politikat dhe qasjen e ndjekur deri më tani ndaj rajonit. Por krijimi i një konteksti të ri marrëdhëniesh, i cili përkon me një kontekst të ri politikash globale, kërkon qasje inovatore dhe narrative të reja, të cilat shtyjnë përpara procesin, motivojnë palët e interesuara dhe lënë menjanë dinamikat dhe ndjesitë negative të krijuara ndër vite si “lodhja nga zjgerimi” (enlargement fatigue).

Vendet e BP kanë nevojë të adresojnë investimet në kuadrin e Planit të Rritjes drejt zhvillimit ekonomik cilësor dhe të qëndrushëm. Përforcimi i reformave të grup-kapitujve themelorë, rikonceptimi i axhendës së konektivitetit, dhe krijimi i sinergjive me axhendat e tjera në kuadër të integrimit mund të kontribuojnë për të nxitur një frymë bashkëpunimi. Plani i Rritjes do të duhet të jetë në koherencë me përpjekjet dhe rezultatet e arritura përgjatë viteve të fundit dhe po ashtu të përkojë me nevojat e vendeve të BP për ti përkthyer reformat dhe politikat në zhvillime konkrete. Plani i Rritjes është një mundësi për të rritur koherencën midis axhendave politike në vendet anëtare të BE dhe vendeve të BP, të cilat përgjatë viteve të fundit janë bërë shpeshherë pengesë e avancimin me ritme më të shpejta të procesit të integrimit.

 

Djego Abedinaj, dhjetor 2023

*Djego Abedinaj është një studiues i ri në Institutin Kërkimor për Politikat e Qëndrueshme – (Research Institute for Sustainability), aktualisht duke punuar në integrimin e politikave tregtare dhe klimatike të Bashkimit Europian, duke u fokusuar veçanërisht në dimensionin e jashtëm, projekt i cili financohet nga Fondacioni Federal Gjerman për Mjedisin (DBU). Ai ka një diplomë Bachelor në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti Europian i Tiranës dhe një Diplomë Master në Studime Europiane nga Universiteti i Sienës, Itali. Interesat e tij kërkimore përfshijnë politikën e jashtme të BE-së, procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, tregtinë ndërkombëtare, politikën ndërkombëtare të klimës.

 


[1] European Commission (2023) Communication for the Parliament and the Council of New Growth Plan for the Western Balkans, available at: https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/news/commission-presents-new-growth-plan-western-balkans-including-eu6-billion-grants-and-loans-2023-11-08_en

[3]Hackaj, A. (2023) From Convergence of the Western Balkans to the EU: from enlargement to cohesion, OGfE Policy Brief 18, Vienna.

[4] Zeneli, V. (2023) Western Balkans, Atlantic Council.

[5] European Commission (2020) Guidelines for the Implementation of the Green Agenda for the Western Balkans, available at: https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/system/files/2020-10/green_agenda_for_the_western_balkans_en.pdf

[6] European Commission (2020) An Economic and Investment Plan for the Western Balkans, available at:

https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/system/files/2020-10/communication_on_wb_economic_and_investment_plan_october_2020_en.pdf

[7] Uvalic, M. (2022) Implementing the Green Agenda in the Western Balkans: Just transitions and political barriers pg.12-23, in Green Agenda for the Western Balkans, The roads towards effective and sustainable implementation, Aspen Institute Germany. Available at: https://www.aspeninstitute.de/wp-content/uploads/Green-Agenda-for-the-Western-Balkans_2023.pdf

[8] European Commission (2018) Communication, Digital Agenda for the Western Balkans, available at: https://ec.europa.eu/commission/presscorner/detail/es/IP_18_4242



1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk