Dekada e fundit në Bashkimin Europian dhe ndikimi i saj në stanjacionin e Procesit Të Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor

Dekada e fundit në Bashkimin Europian dhe ndikimi i saj në stanjacionin e Procesit Të Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor

Gjatë Samitit të Selanikut BE-Ballkan Perëndimor në vitin 2003 mesazhi ishte i qartë “E ardhmja e Ballkanit është brenda Bashkimit Europian”, nga ku dhe u afirmua për herë të parë perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit në BE. Kanë kaluar 20 vjet dhe kjo deklaratë e cila ende mbart rëndësi për rajonin është kthyer në një refren të tëhuajtur. Në këtë dekadë që po lëmë pas, procesi i zgjerimit qe në stanjacion të plotë, kryesisht për shkak të ngadalësisë së reformave e demokratizimit të vendeve të Ballkanit dhe jo vetëm. Anëtarësimi i fundit, ai i Kroacisë në 2013 tashmë duket shumë i largët. Dalja për herë të parë e një vendi anëtar nga BE, Brexit, rriti dhe më shumë dyshimet mbi formën dhe jetëgjatësinë e projektit europian. Zhvillimet e këtij 10-vjeçari qenë të mbushura me kriza të njëpasnjëshme, të cilat ndikuan edhe më tej në ftohjen e procesit.

Le të ndalemi fillimisht tek largimi i Britanisë nga BE-ja, efektet që solli sa i takon procesit të zgjerimit dhe prezenca e skenarit të nacionalizmave

Vëmendja e institucioneve europiane menjëherë pas Brexit, u rrit ndjeshëm duke qenë se ekzistonte frika e një “efekti domino” i cili mund të nxiste shtete të tjera të ndërmarrin të njëjtin drejtim, si pasojë e rritjes së partive euroskeptike, të inkurajuara nga dalja e Britanisë së Madhe.

Britania e Madhe duke qenë një nga mbështetëset më të forta sa i takon antarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, pavarësisht se shpesh herë është treguar strikte lidhur me plotësimin e kushteve të vendosura nga Komisioni Europian, ndikimi i largimit të saj nga Bashkimi Europian vuri në tension Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën duke qenë se po humbisnin një partner dhe aleat të rëndësishëm, Bosnje Hercegovina i trembej kërcënimit të mundshëm për forcën paqeruajtëse në Bosnje-Hercegovinë (operacioni EUFOR/Althea), ndërsa Shqipëria i trembej ndryshimeve të mundshme sa i takonte përkrahjes financiare dhe suportit drejt rrugës për në BE.[1]

Situata brenda vetë BE-së ka qenë e mbarsur me kriza të vazhdueshme të cilat kanë marrë vëmendjen dhe energjinë kryesore të vendeve anëtare. Pasojat e krizës financiare nisur që në vitin 2008, kanë vazhduar të ndihen në formën e krizave institucionale dhe reformave të lëna në mes për shkak të mosgjetjes së ekuilibrit të duhur midis interesave kombëtare dhe atyre europiane. Ajo që vihet re në këtë pikë është rritja e partive euroskepetike. Rritja e shtuar e vëmendjes për zgjedhjet që zhvillohen në vendet e BE-së për të kuptuar se ku janë formacionet e reja politike në raport me shtyllat e BE-së, është një tregues. Rasti i fundit ishte Italia, ku me kryesimin e partisë “Vëllezërit e Italisë” me në krye Giorgia Meloni,  pati diskutime të shumta lidhur me qëndrimet e Kryeministres së re kundrejt BE-së, duke marrë në konsideratë bindjet e saj të orientuara ndjeshëm në të djathtë të boshtit ideologjik. Ndryshime të tilla padyshim që fillojnë të shpluhërosin idenë e nacionalitetit në Europë.

Edhe po t’i kthehemi Ballkanit të gjysmës së parë të shekullit të XIX, në gjurmët e para të nacionalizmit, mund të themi se u gjet terren në një moment dobësimi të Perandorisë Osmane, thënë kjo mund të heqim paralelen se vala e nacionalizmit për të cilën po flitet gjerësisht edhe vitet e fundit, ka të ngjarë të lidhet me njëfarë dobësie të idesë së një Europe të njëzëshme.

Zgjerimi i BE-së shpesh duket sikur ka kaluar në plan të dytë dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor po humbasin fuqinë e forcës transformuese të procesit të integrimit. Nga ana tjetër karshi këtyre zhvillimeve, nacionalizmi në Ballkan ka qenë përherë i dobët dhe i vonuar dhe kryesisht i kufizuar vetëm tek elita, intelektualët, arsimtarët apo edhe shtresa e mesme. Shumica e popullatës nuk kishin interesa që mund të shpreheshin përmes ideve nacionaliste, madje një pjesë e madhe e konsideronin shtetin e tyre si të huaj.

Një tjetër moment që duhet marrë në konsideratë sa i takon zhvillimeve të kësaj dekade ishte padyshimkriza e emigrantëve 2015-2019 si një kambanë për euroskepticizmin

Në 2015 BE-ja përjetoi një fluks të paprecedentë refugjatësh. Më shumë se 1 milion njerëz mbërritën në Bashkimin Europian, shumica e tyre ishin të larguar nga lufta dhe terrori në Siri dhe vende të tjera. Po në këtë vit vendet ballkanike u gjenden në vijën e parë të krizës së refugjatëve. Në këtë kuadër, Bashkimi Europian ka koordinuar përpjekjet kombëtare të rajonit për të menaxhuar krizën. Pjesa më e madhe e vendeve të Ballkanit përshtatën legjislacionin përkatës në mënyrë që të përballonin pritjen dhe menaxhimin e refugjatëve në përputhje me Acquis.[2] Shtetet e Ballkanit Perëndimor, që vetë kërkojnë azil, u treguan të gatshme për të menaxhuar situatën. Dhe pikërisht këtu vjen zhgënjimi i radhës. Në përgjithësi, shtetet e Ballkanit u munduan të ndjekin standardet ndërkombëtare dhe të BE-së duke bërë rishikime dhe ndryshime të ligjeve ekzistuese ndër vite, gjë që tregon një përkushtim të rajonit për të adresuar emergjencat humanitare duke plotësuar mangësitë ligjore. Megjithëse pati edhe boshllëqe në strukturat dhe kapacitetet institucionale për të gjitha vendet e rajonit, si dhe zbatim joefikas dhe jokonsistent të legjislacionit.

Me emigrimin  e shumë qytetarëve  nga rajoni, ndikimet e krizës në Ballkanin Perëndimor vazhdojnë të ndihen. Lëvizja e qindra mijëra njerëzve rizgjoi tensionet midis dhe brenda vendeve të veçanta të Ballkanit, ndërsa përkeqësoi tensionet midis Ballkanit dhe Bashkimit Europian. Përgjigjet ndaj krizës gjithashtu mbajnë mësime të rëndësishme për zhvillimin ende të pabarabartë të institucioneve demokratike në rajon, si dhe për menaxhimin e migracionit në Europë më gjerësisht. Pritshmëritë e rajonit qenë të pranishme në këtë moment, sepse e ndjeu veten të përfshirë në mënyrë direkte dhe në fund të së tërës nuk mori dritën jeshile që priste. Kjo situatë mund të themi se rindezi ndjesinë e lodhjes dhe euroskepticizmit në vendet e rajonit, e ku ka euroskepticizëm ka edhe hapësira për aktorë të tjerë. Rusia është padyshim ‘tjetri’ që nuk humbet rast. Për ta parë edhe më qartë prezencën e saj të shtuar na vjen në ndihmë momenti i tretë.

Lufta në Ukrainë, aktori tjetër në rajonin e Ballkanit dhe pika e kthesës për qasjen e BE-së ndaj BP-së

Historikisht Ballkani ka qenë objektiv i Rusisë për të shtrirë sferën e influencës. Lufta në Ukrainë i ka hapur më shumë rrugë  Moskës për të shtuar dhe forcuar ndikimin në Ballkan duke shfrytëzuar varësinë ekonomike dhe lidhjet e rëndësishme historike, kulturore dhe fetare.Propaganda ruse ka gjetur strehë në Serbi. Serbia dhe Republika Srpska (entitet serb në Bosnje e Hercegovinë) janë më të rrezikuarat në rajon nga ndikimi rus, pasi në këto entitete ekziston mundësia e rritjes së sentimentit të nacionalizmit ekstrem. Përveç Ukrainës, Ballkani Perëndimor është një pikë e ndjeshme në arkitekturën e sigurisë europiane.Lufta në Ukrainë e ka ridimensionuar identitetin e procesit të zgjerimit ku me anë të statusit të vendit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë, perceptimi i finalitetit politik të Europës, në njëfarë mënyre është zhvendosur nga Ballkani tek vendet e Partneritetit Lindor. Lufta në Ukrainë e gjeti rajonin e Ballkanit Perëndimor me një rëndësi të shtuar gjeopolitike për BE-në. Drejtuesit e BE-së duhet të mendojnë për një zgjerim të ri, me fokus krijimin e një hapësirë të madhe me një treg të vetëm, pa pengesa ndërmjet shteteve për një Europë më të fortë.

***Njëkohësisht, një rrugë më e qetë është krijuar për aktorët e tretë në rajon - Kina, Rusia dhe Turqia, një rrugë që vjen pa kushte për reforma. Këta aktorë ndikojnë në rajon duke derdhur investime në sektorë të ndryshëm në këmbim të pretendimeve politike. +

Kriteret e zgjerimit kundrejt interesit gjeopolitik: cili duhet të mbizotërojë?

Nevoja që BE-ja të favorizojë interesin e saj gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor mbi kushtëzimin e zgjerimit shtron një pyetje normative që ka të bëjë me vetë ekzistencën e Bashkimit Europian: A duhet që BE-ja të bëhet ai lloj aktori gjeopolitik që favorizon interesin e tij gjeopolitik ndaj vlerave thelbësore të BE-së? Kthehemi në debatin e vjetër mbi rrënjët e integrimit në BE dhe gjithashtu lidhet në mënyrë të pandashme me shtetin e së drejtës dhe vlerat demokratike që qëndrojnë në thelb të Unionit. Për aq kohë sa Bashkimi Europian mund të ruajë legjitimitetin e tij në arenën globale, duke i imponuar vlerat e tij thelbësore vendeve kandidate, mënyra më e mirë për t'iu afruar Ballkanit Perëndimor do të ishte kushtëzimi i tyre për reforma duke i mbajtur ato në sferën e ndikimit të BE-së. Por a do të funksionojë kjo në planin afatgjatë? A do të kryejnë reforma vendet e Ballkanit Perëndimor, a do të eliminojnë korrupsionin, krimin e organizuar dhe a do të forcojnë sistemet e tyre gjyqësore nëse do të lihen për shumë gjatë në "dhomën e pritjes" të BE-së?[3]

Në 2018 Macron hodhi idenë që BE-ja t’i futet një procesi reformash, një ‘projekti të ri’ përpara se të angazhohet për zgjerim të mëtejshëm. Argumenti është se vetëm reformimi do të bënte të mundur që BE-ja të sprapste rritjen e autoritarizmit nacionalist në vendet anëtare si Hungaria dhe Polonia dhe rritjen e së djathtës ekstreme në Itali, Gjermani, Hollandë dhe Francë të cilat ushqehen nga ndjenjat anti-BE. Mirëpo kostoja e nisjes së këtij procesi do të ishte pezullimi i procesit të zgjerimit deri në një njoftim të ri, çka do t’i shuante shpresat e rajonit të Ballkanit për anëtarësim.

“Nëse këtyre vendeve, në këtë rajon jashtëzakonisht të ndërlikuar, madje tragjik do të thoja, ua heqim perspektivën europiane kemi për të përjetuar edhe njëherë ato që kaluam në vitet 1990…Unë nuk e dua kthimin e luftërave në Ballkanin Perëndimor.” është përgjigjur ish presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, për deklaratën e Macron.

Nuk është për t’u çuditur që Juncker ia kthen me hiperbolë pasi reformimi i BE-së mbart një rrezik ekzistencial për vetë BE-në dhe rreziqe serioze për destabilizim në rang kontinental. Ndërsa mosreformimi do të vazhdojë të ushqejë nacionalizmat dhe autoritarizmat brenda shteteve të unionit, por edhe të vendeve kandidate. Një alternativë ideale nuk ka, por BE-ja duhet ta bëjë një zgjedhje.[4]

Në këtë panoramë të përgjithshme, e cila tenton të shohë përtej rajonit të Ballkanit për të shpjeguar disi ngërçin disavjeçar, në fund duhet thënë se Bashkimi Europian mbetet boshti i orientimit për vendet e rajonit të Ballkanit. Edhe pse Serbia dhe Bosnje-Hercegovina mbeten disi euroskeptike, më shumë kryesisht për shkak të natyrës nacionaliste dhe kundërshtimit të parimeve të demokracisë liberale, sesa si një vendim i qëllimshëm strategjik për të qenë anti-Europianë. Më së shumti euroskepticizmi i këtyre vendeve lidhet me mungesën e bashkëpunimit me gjykatën për krimet e luftës dhe arrestimin e individëve të akuzuar për krime lufte, sesa si kundërshtim i objektivit për t’u anëtarësuar në BE. Edhe për vendet si Bullgaria dhe Rumania, të cilat përballen me një trashëgimi të së kaluarës, kishin një proces europianizimi të ngadaltë lidhur me kushtet e BE-së. Ndërsa në anën tjetër, Shqipëria qëndron e palëkundur në pikëpamjen e saj  për t’u integruar në Bashkimin Europian. Edhe pse me shumë punë për t’u bërë përpara, pavarësisht vullnetit formal mungojnë ende rezultatet konkrete.

Sindi Beqiri, shkurt 2024

*Sindi Beqiri ka përfunduar studimet e larta pranë Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës për Shkenca Politike dhe masterin për Studime Rajonale Politike po aty. Kryesisht është marrë me projekte të ndryshme politike si data entry, gazetari web-i etj. Fushat e saj të interesit janë teoria politike, filozofia dhe çështjet e rajonit. 



[1]Jakub Grygiel, The return of Europe’s nation-state 2016- Ever-farther union, page 95

[2]The EU and the migration crisis. European Commission. July 2017- https://op.europa.eu/en/publication-detail/-/publication/e9465e4f-b2e4-11e7-837e-01aa75ed71a1

[3] The War in Ukraine: Europe’s Geopolitical Momentum. Will the Western Balkans Take Advantage of It? European University Institute - https://cadmus.eui.eu/handle/1814/75524

[4] Vincent W.J.van Gerven Oei , “Rënia e së ardhmes” 2023, faqe 303-307

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk