Në këtë punim ndalemi tek reforma në drejtësi dhe efikasiteti i saj për të parandaluar korrupsionin brenda institucioneve që u ndërtuan për ta luftuar atë. Tema zhvillohet në kuadër të tematikës “Korrupsioni fillon aty ku përfundon integriteti”; ku ndalemi me studimin kritik të disa masave antikorrupsion, risi e reformës në drejtësi, përkatësisht kriteret e kualifikimit të kandidatëve të BKH, apo kreut të BKH, me fokus të veçantë tek kriteri i parashikuar në nenet 34, pika 2, shkronja “gj” dhe 38, pika 2, shkronja “e”, të ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”; dhe tek masat parandaluese të parashikuara ndaj prokurorëve apo personelit administrativ të SPAK, gjyqtarëve apo nëpunësve civil të GJKKO dhe hetuesve dhe drejtorit të BKH të parashikuar nga neni 6 pika 1, shkronja “b” dhe “c”, të ligjit nr. 95/2016. Argumenti kundër këtyre kushteve të pranimit apo të vijueshmërisë së punësimit në këto institucione, do të ndalet tek disa çeshtje që hapin diskutime të rëndësishme juridike dhe parimore. Ndonëse Gjykata Kushtetuese është shprehur pro këtyre masave parandaluese, në arsyetimet gjatë vendimeve të tjera, Gjykata Kushtetuese nuk konsideron res judicata, vendimet ku nuk shprehet papajtueshmëria kushtetuese e normës, ose kur ngrihen shkaqe të reja të antikushtetushmërisë.
Konkretisht në Vendimin nr. 78 datë 12.12.2017 Gjykata Kushtetuese shprehet:
“23. …Gjykata në praktikën e saj ka pranuar edhe rishqyrtimin e kërkesës së të njëjtit subjekt, me të njëjtin objekt, kur përmes një kërkese tjetër, brenda afatit ligjor të parashikuar nga ligji i saj organik, janë ngritur shkaqe të reja për antikushtetutshmërinë e aktit të kundërshtuar…”
Për këtë arsye, ndër të tjera do sjellim disa argumente kundër, që tregojnë se këto kritere janë eksesive, jo efikase për të garantuar parandalimin e korrupsionit të këtyre funksionarëve dhe janë në kundërshtim me parime të rëndësishme ligjore.
Poligrafi, një pajisje teknike që shkel parimin e ekonomicitetit dhe efikasitetit
Poligrafi është një mjet teknik me një bazë shkencore të lëkundur që përdoret si pajisje me natyrë objektive në vlerësimin e kandidatëve të BKH dhe drejtuesit të BKH. Mjafton tu referohemi studimeve të vendeve perëndimore, ku në SH.B.A. National Academies of Sciences, Engineering, and Medicine (2003, f. 212) zbuloi se:
“Saktësia e poligrafit: Pothuajse një shekull kërkimesh në psikologjinë dhe fiziologjinë shkencore ofron pak baza për të pritur që një test poligrafi të ketë saktësi jashtëzakonisht të lartë…”
Nëse përdorimi i këtij instrumenti nuk ka fuqi provuese atëherë përse duhet të përdoret gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve? Në Vendimin nr. 20 datë 20.04.2021 të Gjykatës Kushtetuese ka arsyetuar se rezultati i poligrafit në vetvete nuk përbën shkak të skualifikimit të kandidatëve të cilët kanë kaluar me sukses verifikimin e pastërtisë së figurës dhe pasurisë. Pra, nëse një kandidat që i plotëson të gjitha kriteret e tjera, por nuk kalon me sukses poligrafin dhe për këtë arsye skualifikohet, atëherë do të kishim një vendim skualifikimi antikushtetues. Ndërsa anasjelltas në rast se i njëjti kandidat në të njëjtat kushte, përzgjidhet në strukturat e BKH, pavarësisht moskalimit me sukses të poligrafit, sic orienton dhe Gjykata Kushtetuese se mund të ndodhë, do të kishim shkelje të parimit të ekonomicitetit dhe efikasitetit në funksionimin e këtij institucioni, që rekruton kandidatë duke përdorur metoda që në përfundim të procesit nuk merren parasysh.
Edhe pse Komiteti Shqiptar i Helsinkit në kërkesën e saj tek Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr.20 kërkonte shfuqizimin e neneve 34, pika 2, shkronja “gj” dhe 38, pika 2, shkronja “e”, të ligjit nr. 95/2016 me argumentimin se nga ushtrimi i testit të poligrafit:
“Është cenuar dinjiteti i njeriut, i garantuar nga Preambula dhe nga neni 3 i Kushtetutës …“
Gjykata Kushtetuese arsyetoi në disa pika se përdorimi i poligrafit dhe të drejtat që mund të kufizohen ose cenohen nga përdorimi i tij, si cenimi i dinjitetit të njeriut, apo e drejta e jetës private, duhen vlerësuar në kuadër të kufizimeve që lejohen si rrjedhojë e zbatimit të nenit 17 të Kushtetutës pika 1,
“Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve…”
Pra Gjykata Kushtetuese argumenton se për shkak se lufta kundër korrupsionit është me interes të lartë publik dhe për shkak se këto procedura pranimi të kanditatëve rrisin besimin e publikut, përdorimi i poligrafit të konsiderohet kushtetues. Por duke vijuar me këtë vijë logjike duhet të citojmë se National Academies of Sciences, Engineering, and Medicine (2003, f. 212) thotë se:
“... reagimet e matura nga poligrafi nuk pasqyrojnë të gjitha një proces të vetëm themelor: një sërë procesesh psikologjike dhe fiziologjike, përfshirë disa që mund të kontrollohen me vetëdije, mund të ndikojnë te matjet e poligrafit dhe te testi.”
Ndërsa vetë Gjykata Kushtetuese po në atë Vendim nr.20 datë 20.04.2021 duke cituar Employee Polygraph Protection Act (1988), pranon se,
“Shumë faktorë fizikë dhe psikologjikë bëjnë të mundur që një individ të mposhtë poligrafin duke shmangur zbulimin e së vërtetës nga ana e aparaturës.”
Kjo do të thotë se persona të trajnuar për të kaluar testin e poligrafit kanë mundësi që të manipulojnë rezultatin i cili, duhet të merret parasysh krahas të tjerave në vlerësimin e kandidatit. Por nëse marrim shembullin hipotetik kur një person i tillë, është i gatshëm të përdorë çdo metodë të mundshme për tu infiltruar në institucionin e BKH; i aftë për të manipuluar rezultatin e poligrafit që e ndihmon për të qenë një hap më pranë punësimit tek BKH, a nuk është atëherë poligrafi një mjet që e humb besimin e qytetarëve, mbi të gjithë procesin e pranimit?
Kur ekziston dhe mundësia më e vogël që poligrafi shkon në favor të një personi të tillë të korruptuar moralisht, duke e afruar sadopak me këtë institucion, është një hap i madh prapa, në drejtim të kundërt me qëllimin që kjo “makinë e së vërtetës” synon të ketë. Mundet edhe të argumentohet se potenciali sado i vogël i rekrutimit të një personi të tillë shkon sigurisht, në kundërshtim me interesin publik.
Kontrolli i telekomunikacioneve të funksionarëve dhe familjarëve të tyre, një cenim i jetës private dhe dinjitetit të njeriut
Ligji parashikon kontrollin e vazhdueshëm mbi funksionarët e institucioneve të BKH, SPAK dhe GJKKO dhe familjarëve të tyre si një metodë parandalimi kundër korrupsionit.
Ndonëse deri tani nuk ka asnjë rast të korruptimit të ndonjë prej këtyre funksionarëve, nuk mund të lidhim kazualitetin e pasojës pozitive, me faktin e monitorimit të tyre të vazhdueshëm si shkak parandalimi. Më së pari duhet të pranojmë që kontrolli i figurave të tyre, që në fillim ka qenë e saktë dhe se qëllimi i tyre për të luftuar korrupsionin është i vërtetë dhe konkret. Po ashtu mund të argumentojmë, se mjaftojnë kontrollet periodike të pasurive si një metodë efektive kontrolli. Dhe mund të argumentohet se pagat më të larta në krahasim me magjistratët apo funksionarët e tjerë gjyqësorë të juridiksonit të përgjithshëm, shërben si shkak parandalues të ndikimit monetar në sistemin e drejtësisë të posaçme. Por korrupsioni mund të vijë edhe në formën ndikimit të paligjshëm si rrjedhojë e shantazhit apo kërcënimit, e pikërisht këtu mund të argumentojmë se fakti që lejohet kjo mbikqyrje e vazhdueshme e funksionarëve sjell ndikim në vendimmarrjen e tyre për shkaqe të ndryshme. Ky monitorim ndikon në vendimmarrjen që i duhet të bëjnë edhe ndaj funksionarëve të niveleve të larta qeveritare apo administrative, duke përfshirë edhe ndaj funksionarëve të institucioneve të tjera të sigurisë, përfshirë këtu edhe vetë SPAK, GJKKO dhe BKH. Ky monitorim mund të krijojë situata të presionit të brendshëm institucional, nga të dhënat që mund të mësohen prej monitorimit të komunikimeve të kolegëve dhe familjarëve të tyre.
Po ashtu, qëndrimi nën një monitorim të vazhdueshëm së bashku me anëtarët e familjes shërben si një shkelje e parimit të prezumimit të pafajësisë dhe individualitetit të përgjegjësisë penale. Duke qenë se familjarët e funksionarëve në fjalë nuk kanë as detyrimin për të dëshmuar në lidhje me veprën penale po t’i referohemi Kodit i Procedurës Penale neni 158 që thotë:
“Nuk janë të detyruar të dëshmojnë:
a) gjinia ose krushqia e afërt e të pandehurit, …
b) bashkëshorti …
c) bashkëshorti i ndarë nga i pandehuri …
ç) ai që … bashkëjeton ose ka bashkëjetuar me të;
d) ai që është i lidhur me të pandehurin me marrëdhënie birësimi.”
E madje personat e afërm nuk kanë as përgjegjësi penale për moskallzimin e krimit po t’i referohemi Kodit Penal neni 300 paragrafi i dytë që thotë:
“... Përjashtohen nga detyrimi për kallëzim të paralindurit dhe të paslindurit, vëllezërit dhe motrat, bashkëshorti, adoptuesi dhe të adoptuarit ...”
Pra, nuk bën sens të monitorohen persona të familjes të cilët edhe nëse vërtetohet vepra penale e funksionarit që ka lidhje me to, ligjvënësi nuk i ka vendosur detyrim ligjor për të dëshmuar dhe as nuk ka parashikuar përgjegjësi penale në rast të moskallëzimit të krimit. Pra detyrimi ligjor për të monitoruar edhe familjarët, në mënyrë që të mos vijë pasoja e veprimit të mundëshëm të kundraligjshëm të funksionarit, shihet si një transformim i përgjegjësisë penale individuale, në përgjegjësi kolektive ndaj një veprimi të kundraligjshëm, që mund të realizohet nga ana subjektive vetëm prej funksionarit në fjalë.
Ligjvënësi i ka vendosur këto garanci ligjore ndaj personave të pandehur dhe të afërmve të tyre, për t’i mos i cenuar lidhjet familjare midis tyre. Garanci këto që ligjvënësi nga ana tjetër nepërmjet ligjit 95/2016, nuk ia ofron një funksionari të BKH, SPAK dhe GJKKO dhe as familjarëve të tyre. Madje ligji nuk u ofron atyre as benefitin e prezumimit të pafajësisë, benefit i cili, kur vjen puna tek përgjimet e komunikimeve, duhet shtrirë të paktën deri në momentin ku ka dyshim të arsyeshëm për të nisur hetimet.
Përkundrazi, funksionarët që u shërbejnë drejtësisë trajtohen si persona të predispozuar për të kryer vepra penale, duke treguar një pabarazi ligjore kundrejt një të pandehuri dhe një funksionari të drejtësisë, ku ky i fundit ka më pak garanci ligjore se një i pandehur.
Së fundmi, argumenti i dhënies së pëlqimit prej funksionarëve nuk mund të justifikojë shkeljen e privatësisë sidomos kur incentiva e vetme që ligji i ofron këtyre funksionarëve kundrejt kësaj shkelje është pagesa e lartë dhe benefite të tjera të cilat mund të barazohen në fuqi pagese.
Pyetje që mund të shtrohet është: A garantohet rekrutimi i figurave më të pastra në këto institucione të drejtësisë, nëse ata janë të gatshëm të shkëmbejnë privatësinë dhe të drejtat e tyre dhe familjarëve të tyre vetëm për shkak të këtyre incentivave monetare të ofruara? Mund të argumentohet që sakrificia e lartë tregon për shkallën e integritetit moral dhe dëshirës për të vendosur drejtësi, por sa kohë që ngrihet edhe dyshimi për dëshirën e pasurimit të shpejtë, përbën lëkundje të besimit të publikut kundrejt institucioneve dhe funksionarëve të tyre.
Përfundime
Ka një hendek të dukshëm midis mënyrës si është ndërtuar drejtësia e re dhe një arsyetimi logjik sa i përket masave për parandalimin e kriminalitetit në rangjet e drejtësisë së posaçme sic parashikohet nga ligji 95/2016. Poligrafi duke qenë një metodë pa bazë shkencore dhe jo objektive, në mënyrën që përdoret dhe rëndësinë që i jepet në vendin tonë, përbën një praktikë dhe realitet e cila nëse nuk është antikushtetuese në tërësinë e saj, vazhdon së paku të mbetet një realitet dhe praktikë jo efektive dhe jo ekonomike për sa i përket rekrutimit në BKH e që nuk i shërben interesit të publikut. Për këtë arsye ky punim sygjeron që testimi me poligraf, të mos ishte pjesë kushteve të rekrutimit.
Sa i përket masave që janë parashikuar për parandalimin e kriminalitetit nga funksionarët e drejtësisë së posaçme me anë të monitorimit të vazhdueshëm po ashtu argumentojmë se nuk janë efikase, nuk janë ekonomike dhe as respektojnë garanci ligjore që ligjvënësi ka parashikuar për të gjithë qytetarët e tjerë. Duke qenë se kohëzgjatja relativisht e shkurtër e këtyre reformave nuk tregon ende nëse do të shërbejnë me sukses në parandalimin që synojnë të arrijnë, prandaj është më e arsyeshme të ndalohet praktika e monitorimit të vazhdueshëm që tani, duke u shfuqizuar nenet që parashikojnë këtë procedurë. Kjo për faktin e vetëm pasi stresi, ankthi dhe ndrydhja e lirisë së shprehjes që ka një funksionar i drejtësisë së re apo familjarët e tyre, nuk përbën parandalim të krimit, por shërben si ndëshkim i një krimi të mundshëm që nuk mund të ndodhë kurrë. Ndërsa në rastin kur mund të ndodhë krimi i supozuar, monitorimi i komunikimeve sërish nuk është garant i zbulimit të tij, sidomos në ditët e sotme kur metodat e komunikimit janë të shumta, janë të enkriptuara dhe përtej mjeteve konvencionale si telefoni celular, fiks apo emaili. Duhet pranuar vetëm fakti që kriteret dhe masat e tjera të kontrollit të figurës, përgatitjes profesionale dhe pasurisë, janë të mjaftueshme për të siguruar që individë me integritet të lartë të bëhen pjesë e institucioneve më me rëndësi në drejtësinë e vendit tonë.
Bibliografia
Gjykata Kushtetuese Vendim nr. 20 datë 20.04.2021 (V-20/21)
Gjykata Kushtetuese Vendim nr. 78 datë 12.12.2017 (V-78/17)
Ligj 8417, datë 21.10.1998 Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
Ligj Nr.7895, datë 27.1.1995 Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë
Ligj Nr.7905, datë 21.3.1995 Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë
Ligj Nr.95/2016 Për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve për të Luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
National Academies of Sciences, Engineering, and Medicine. (2003). The polygraph and lie detection. The National Academies Press. https://doi.org/10.17226/10420.
Euglen Xhaferi, tetor 2026
*Euglen Xhaferi ka përfunduar studimet Bachelor në Drejtësi pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe aktualisht po ndjek studimet në programin Master Shkencor “E Drejta Penale” në po të njëjtin universitet. Interesat e tij studimore përfshijnë analiza të thelluara mbi juridiksionet ndërkombëtare dhe efikasitetin dhe pajtueshmërinë kushtetuese të reformës në drejtësi në Shqipëri.
**Ky artikull është përzgjedhur si fitues i konkursit për artikuj juridikë në EuroSpeak shpallur nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në kuadër të projektit “Justice NextGen: Fuqizimi i të Rinjve në Luftën kundër Korrupsionit përmes Edukimit Ligjor dhe Debatit Akademik”, financuar nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC). Përmbajtja e tij është përgjegjësi e autorit, opinion i shprehur në të nuk është domosdoshmërisht opinion i AMSHC-së.




.png)


.jpg)
























