Shqipëria mbetet një nga shoqëritë me pro-europiane në rajon edhe integrimi në BE një nga objektivat kolektive më gjerësisht të mbështetura. Por entuziazmi i gjerë për anëtarësimin në Bashkimi Europian shpesh nuk shoqërohet me një kuptim të plotë te asaj që BE-ja realisht përfaqëson si një projekt politik, ekonomik dhe institucional që është. Mund të jenë shumë të pakët ata shqiptarë që janë euroskeptikë, që nuk e mbështesin anëtarësimin në BE apo që shprehin dyshime të hapura ndaj ti. Gjithashtu, debati publik mbi anëtarësimin e shqipërise në BE mbetet shumë i cekët në aspektet që ai mbulon, duke qenë kryesisht i orientuar drejt rezultateve dhe i fokusuar te përfitimet. E gjitha kjo ka krijuar një konfuzjon të gjerë, i cili rrallëherë artikulohet apo diskutohet hapur.
Tashmë Shqipëria është brenda procesit të anëtarësimit dhe, normalisht, debati publik dhe mediat sillen kryesisht rreth kapitujve, negociatave, afateve dhe progresit, por pa shpjeguar se cfarë këto nënkuptojne realisht, apo rëndësinë që ato kanë. Integrimi trajtohet shpesh si një listë teknike objektivash për t’u arritur edhe si një proces linear, duke anashkaluar natyrën politike të vendimmarjes në BE, menyrën se si Bashkimi Europian është i organizuar dhe funksionon në brendësi, si edhe arsyet pse këto timeline janë kaq të paparashikueshme. Ky boshllëk informacioni krijon pritshmëri të paarrithshme dhe, rrjedhimisht, zhgënjim në momentin kur bëhet e qartë se këto pritshmëri nuk po përmbushen. Për të kuptuar këtë mospërputhje mes pritshmërive dhe realitetit, është e nevojshme të ndalemi fillimisht te disa prej keqkuptimeve më të zakonshme rreth Bashkimit Europian, të cilat vazhdojnë të formësojnë pritshmëritë publike në Shqipëri.
Në diskursin publik shqiptar, integrimi është bërë sinonim i lëvizjes së lirë dhe emigrimit, i mundësive më të mira për punësim dhe aksesit në tregjet e punës së vëndeve të tjera. Deri diku, mund të themi se integrimi europian personalizohet, jo institucionalizohet. Nuk mund të themi se ky mendim është i gabuar por është padyshim i paplotë. Pyetjet që shqiptarët ngrenë shpesh janë ‘kur do hapen kufinjtë?’; ‘A do ikin të rinjtë shumë?’; ‘A do e ndal integrimi në BE korrupsionin në vëndin tonë?’. Këto shqetësime janë tërësisht të kuptueshme duke marr parasysh pasigurine ekonomike në vend, diferencën drastike të pagave, historinë e emigrimit që na karakterizon si popull, si dhe lodhjen nga ky tranzicion i gjatë. Për rrjedhojë, këto elemente dominojnë imagjinatën publike, duke e reduktuar integrimin europian në përfitim individual, e jo në transformimin sistemik që ai synon të jetë.
Një shembull konkret i këtij keqkuptimi është mënyra se si tregu i Bashkimit Europian shihet shpesh si një hapësirë që hapet vetvetiu, e jo si një sistem që kërkon përshtatje dhe konkurrueshmëri. Ekziston bindja se, në momentin që Shqipëria bëhet pjesë e BE-së, ekonomia jonë do të hyjë automatikisht në tregun europian dhe do të përfitojë prej tij. Megjithatë, rrallëherë shtrohen pyetje thelbësore, si nëse bizneset shqiptare janë realisht të përgatitura për këtë nivel konkurrencë apo nëse produktet vendase janë konkurruese në një treg shumë më të gjerë. Po ashtu, mungon diskutimi mbi faktin nëse ekonomia shqiptare është në gjendje të përballojë presionin e tregut të përbashkët me 27 shtete të tjera. Pothuajse nuk diskutohet nëse bizneset vendase do të mbijetojnë, çfarë duhet të ndryshojnë për t’u përshtatur, apo cilët sektorë pritet të humbasin dhe cilët të përfitojnë. Kjo mënyrë të menduari, që mbizotëron në diskursin publik në Shqipëri, e thjeshton integrimin ekonomik në një proces thuajse automatik.
Një tjetër perceptim i përhapur lidhet me mënyrën se si vetë procesi i integrimit kuptohet në debatin publik. Kapitujt shihen si një listë detyrash dhe kriteresh për t’u përmbushur, ndërsa reformat trajtohen si ushtrime teknike apo kërkesa “nga jashtë”, që realizohen shpesh sa për sy e faqe. Në tërësi, integrimi shihet dhe shpesh edhe paraqitet nga mediat si një proces linear, me një fund të parashikueshëm. Ideja kryesore që mbizotëron është se, nëse reformat realizohen, anëtarësimi duhet të vijë automatikisht. Pikërisht këtu qëndron thelbi i këtij keqkuptimi. Burimi kryesor i informacionit për publikun shqiptar mbi procesin e anëtarësimit mbeten mediat dhe rrjetet sociale, të cilat, për shkak të natyrës së tyre, fokusohen kryesisht në raportimin mbi hapjen e kapitujve, komentimin e progresit, krahasime artificiale me vende të tjera dhe theksimin e afateve. Si rrjedhojë, edhe pritshmëritë publike artikulohen shpesh përmes pyetjeve si “pse po vonohemi?” apo “çfarë po bëjmë gabim?”. Rrallëherë diskutohet politika e brendshme e BE-së, interesat e shteteve anëtare ndaj zgjerimit, apo roli i konsensusit dhe i vetos në vendimmarrje. Po aq rrallë kuptohet qartë se si funksionon realisht procesi i integrimit dhe vetë Bashkimi Eropian, si merren vendimet, si shpërndahet fuqia dhe pse ky proces është njëkohësisht politik dhe institucional.
Një element thelbësor që shpesh anashkalohet në këtë debat lidhet me mënyrën se si informacioni mbi integrimin europian i transmetohet publikut. Megjithëse procesi i anëtarësimit shoqërohet formalisht me transparencë dhe publikim dokumentesh, kjo nuk përkthehet domosdoshmërisht në informim real dhe të kuptueshëm për qytetarët. Dokumentet, raportet dhe komunikimet zyrtare mbi integrimin janë shpesh teknike, të fragmentuara dhe të vështira për t’u lexuar jashtë rrethit të specialistëve. Si rrjedhojë, ekziston një hendek i qartë mes qasjes formale në informacion dhe aftësisë së publikut për ta kuptuar atë në mënyrë kritike. Mediat luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces, por për shkak të ritmit të shpejtë të raportimit dhe fokusit te ngjarjet apo afatet, shpesh mungon konteksti shpjegues. Në këtë boshllëk, roli i shoqërisë civile bëhet thelbësor, si ndërmjetës mes institucioneve dhe qytetarëve, si aktor që përkthen informacionin teknik në gjuhë të aksesueshme dhe si faktor që nxit debat të informuar publik. Pa këtë ndërmjetësim, transparenca rrezikon të mbetet formale, duke prodhuar më shumë konfuzion sesa kuptim.
Përtej perceptimeve publike, Bashkimi Europian nuk është një destinacion apo shpërblim, siç shpesh paraqitet nga politikanët, por një sistem i ndërtuar mbi rregulla të përbashkëta, kompromise politike dhe ndarje sovraniteti. Kur BE-ja shihet si shpërblim, humbet thelbi i saj. Ky sistem funksionon përmes institucioneve të përbashkëta dhe një procesi vendimmarrjeje ku interesat kombëtare harmonizohen përmes kompromisit. Si rrjedhojë, anëtarësimi nënkupton përshtatje të vazhdueshme dhe marrje përgjegjësish, jo vetëm akses në përfitime. Reformat nuk përfundojnë me anëtarësimin, por vazhdojnë edhe përtej tij, si për shtetet kandidate ashtu edhe për vetë shtetet anëtare. Pikërisht kjo natyrë e Bashkimit Europian shpjegon pse procesi i integrimit është kaq multidimensional, kompleks dhe i ngadalshëm, gjë që shpesh keqkuptohet në debatin publik.
Një shembull konkret ku vlen të ndalemi për të kuptuar thelbin e integrimit ekonomik është tregu i përbashkët i Bashkimit Europian. BE-ja nisi fillimisht si një bashkëpunim ekonomik dhe sot përfaqëson një formë bashkëpunimi sui generis, të bazuar në qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe personave. Ky treg nuk përbën një përfitim automatik për shtetet që anëtarësohen, por një hapësirë që funksionon mbi rregulla të përbashkëta dhe konkurrencë reale. Aksesi në tregun e BE-së nënkupton përshtatje me standarde shumë më të larta, zbatimin e rregullave të reja dhe mbikëqyrje të vazhdueshme të veprimtarisë ekonomike. Për bizneset e vogla shqiptare, si një byrektore në cep të lagjes për shembull, që deri më sot mund të ketë funksionuar me kosto të ulëta, kontrolle minimale mbi cilësinë apo pa formalizim të plotë fiskal, ky treg sjell një presion real për përshtatje. Kjo nënkupton standarde më të larta, kontrolle më të rrepta dhe tatim mbi çdo transaksion. Përveç ndikimit praktik mbi mënyrën e
punës, ky proces sjell edhe një ndryshim kulturor mbi mënyrën se si bëhet tregtia brenda Bashkimit Europian. Kjo nuk do të thotë se bizneset e vogla duhet të tremben, por se ato duhet të përgatiten gradualisht për një mjedis më konkurrues dhe më të rregulluar. E njëjta logjikë vlen edhe për sektorë të tjerë si bujqësia, blegtoria apo përpunimi ushqimor, duke treguar se integrimi ekonomik nuk është vetëm sfidë e sektorit privat, por kërkon reforma dhe mbështetje të gjerë institucionale. Po aq sac kërkon edhe nga sektori publik.
Në anketa dhe studime mbi integrimin europian, shqiptarët shpesh shprehen se, në momentin e hapjes së kufijve, një pjesë dërrmuese synon të shpërngulet drejt një vendi tjetër të Bashkimit Europian. Ata e mbështesin gjerësisht integrimin, por njëkohësisht synojnë të largohen, çka tregon se besimi tek institucionet shqiptare dhe tek përmirësimi i situatës në vend mbetet i ulët. Në thelb, integrimi europian duhet të ishte një mënyrë për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe për të ngritur standardet brenda vendit, e jo thjesht një çelës që hap dyert për ta braktisur atë. Nëse shumica dërrmuese synon të largohet drejt një Europe që tashmë po përballet me një krizë emigrimi edhe pa Shqipërinë, atëherë lind pyetja thelbësore: për kë po e ndërtojmë këtë vend? Ashtu siç janë të paktë ata që nuk e mbështesin integrimin europian, po aq të paktë janë edhe ata që shohin një të ardhme në Shqipëri edhe pas anëtarësimit. Prizmi i emigrimit ka funksionuar historikisht në Shqipëri si një strategji mbijetese dhe përmirësimi individual; për dekada me radhë, largimi nga vendi ka qenë një nga mënyrat e pakta për të siguruar stabilitet ekonomik, punësim dhe perspektivë për të ardhmen. Integrimi europian nuk duhet të shihet si një proces që e lehtëson atë që shqiptarët kanë bërë gjithmonë, pra largimin nga vendi, por si një mundësi për transformimin e tij, në mënyrë që njerëzit të mos kenë më nevojë të marrin rrugët, por të gjejnë brenda vendit atë që sot kërkojnë jashtë tij. Një siguri ekonomike, dinjitet, perspektivë por ndryshe nga emigrimi, kjo jetë do të mundësohet pranë familjeve dhe miqve të tyre, ne mjedisin dhe klimen mesdhetare me të cilën shqipëria është bekuar. Për një popull që e ka përjetuar emigrimin si plagë shoqërore, nuk mund të jetë thjesht mungesa e dëshirës ajo që e shtyn drejt largimit, por mungesa e informacionit, e besimit dhe e një kuptimi real të integrimit si proces që duhet të prodhojë mirëqenie brenda vendit, e jo vetëm jashtë tij.
Përtej këtyre, duhet kuptuar se edhe nëse Shqipëria do të përmbushte të gjitha kriteret që nesër, integrimi në Bashkimin Europian nuk do të ishte i garantuar automatikisht. Vendimmarrja brenda Bashkimit Europian mbetet në duart e shteteve anëtare, dhe BE-ja nuk funksionon si një organizatë teknike, por si një bashkim politik. Zgjerimi kërkon konsensus politik dhe miratimin e çdo shteti anëtar, të cilët, në mënyrë të natyrshme, vendosin interesat e tyre kombëtare në qendër të vendimmarrjes. Përtej reformave dhe përafrimit me rregullat e BE- së, procesi i integrimit mbetet një proces politik dhe nuk përfundon thjesht me plotësimin e kushteve teknike të vendosura nga BE-ja. Ky realitet shpesh krijon një hendek të mëtejshëm mes pritshmërive publike dhe realitetit të procesit të zgjerimit europian.
Këto janë vetëm disa nga perceptimet e gabuara që formësojnë pritshmëritë e shqiptarëve në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe nuk mbeten vetëm në nivel perceptimi, por kanë pasoja konkrete për mënyrën se si shoqëria i qaset procesit të integrimit. Si rrjedhojë, fokusi zhvendoset shpesh te afatet dhe krahasimet me vendet e tjera, duke lënë në hije përgatitjen reale që kërkon integrimi. Ai nuk duhet të jetë vetëm përmbushje formale reformash, por edhe investim serioz në informimin publik të strukturuar dhe të kuptueshëm mbi procesin e integrimit. Në këtë drejtim, shoqëria civile, mediat analitike dhe aktorët e pavarur kanë një rol kyç në ndërmjetësimin e informacionit dhe në krijimin e një debati publik më realist dhe më të përgjegjshëm.
Shqipëria e pret me padurim anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe, pa dyshim, ka dhe meriton një vend në të. Megjithatë, informimi publik mbi procesin e integrimit mbetet gjerësisht i kufizuar dhe i paplotë ndërkohë qe edhe kurioziteti për të kuptuar thelbin e këtij procesi rrallëherë artikulohet hapur. Kjo mungesë informimi dhe transparence ka deformuar debatin publik, duke rritur rrezikun e zhgënjimeve të mëdha dhe duke dobësuar përgatitjen reale të shoqërisë për integrim. Për këtë arsye, debati publik duhet të zhvendosë fokusin e tij nga pyetja “kur” drejt pyetjes “si”, dhe nga përfitimet individuale që anëtarësimi mund të sjellë, drejt transformimit shoqëror dhe institucional që ai nënkupton. Përtej institucioneve, një rol thelbësor në këtë proces luan shoqëria civile, pasi pa informim real dhe të kuptueshëm, integrimi rrezikon të mbetet një projekt i keqkuptuar.
Eridjola Biba, prill 2026
*Eridjola Biba është studente e nivelit master në Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare të Bashkimit Europian, me formim akademik në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Interesat e saj përfshijnë integrimin europian, zgjerimin e Bashkimit Europian dhe rolin e shoqërisë civile në proceset demokratike.




.png)




.jpg)
























