Marrëdhënia europiano-amerikane në fillim të presidencës së dytë të Donald Trump

Marrëdhënia europiano-amerikane në fillim të presidencës së dytë të Donald Trump

Me zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me fitoren e Donald Trump-it (si presidenti i 47-të i SHBA-së) vërehet një strategji e re që cënon marrëdhëniet e SHBA-së me Europën. Në fakt marrëdhënia europiano-amerikane është shumë e domosdoshme dhe themelore për stabilitet dhe paqe. Për këtë qëllim ka lindur dhe është rritur Europa. Presidenti Amerikan i shpreh hapur qëndrimet e tij për europën. Këto dhe qëndrime të tjera kanë zgjuar, tensioinuar e frikësuar botën dhe të ardhmen e europës. Por pyetjet kryesore janë: “Si do të jetë marrëdhënia e SHBA-së dhe BE-së? A do të forcohet apo do të zbehet? Çfarë efektesh pozitive dhe negative do të sjellin ato?

Nisur nga këto faktorë kuptohet se marrëdhënia europiano-amerikane ndikohet nga strategjia e administratës së Trump-it, e cila synon ta bëjë Amerikën të madhe duke rritur fuqinë ekonomike, ushtarake dhe duke zgjeruar territorin. Në këtë mënyrë Presidenti amerikan synon t’ia ruajë hegjemonitetin Amerikës nëpërmjet strategjisë së tij. Marrëdhënia europiano-amerikane nuk përmirësohet nëse BE-ja nuk i përshtatet politikës amerikane ose e kundërta. Pasoja negative do të jetë mungesa e bahkëpunimit (dobësimi i Europës dhe tensionimi i botës). Gjithashtu vështirësi për të ruajtur paqen në botë. Kjo përshtatje është e vështirë që të ndodhi. Forcimi i këtyre marrëdhënieve varet nga faktori politik, ekonomik dhe territorial.    

 

Ndasitë e Presidencës së Trump-it me Europën   

                  

Së pari, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024, liderët e BE-së shpresonin në fitoren e demokrates Kamala Harris. Natyrisht, krisja e marrëdhënieve europiano- amerikane vjen si pasojë e llojit dhe qasjes së lidershipit. Sipas Yascha Mounk:Donald J. Trump është një populist autoritar. Karakteristika kryesore e populizmit qëndron në besimin se vetëm ai lider i përfaqëson me të vërtetë njerëzit” (Mounk, 2021). Ato premtojnë korrigjimin e shtypjes ekonomike dhe politike të popullit. Lidhjet shtetërore tek liderët populist janë të tensionuara, të paqëndrueshme dhe kanë tendencën të shkëputen shpejt. Për nga mënyra se si udhëheq, merr vendimet dhe politikat, Trump konsiderohet si autoritar. Liderët populist ofrojnë zgjidhje të shpejta në të cilën jetëgjatësia nuk sigurohet. Si shembull mund të kujtojmë një premtim të tij. Referuar Mazoe Frod: “Donald Trump tha se do t'i jepte fund luftës në Ukrainë brenda një dite” (Frod, 2025). Kjo gjë nuk ndodhi. Ndërsa tani po zhvillon bisedimet për armëpushim me Rusinë pa përfaqësimin e Ukrainës (sikur të ishte një “plaçkë”).

Ndërsa liderët europianë janë më demokratikë dhe synojnë që të veprojnë të gjithë bashkë për të vendosur paqen, priren nga natyra demokratike dhe liberale. Kështu, liderët si Emanuel Macron, Olaf Scholz, Ursula von Der Leyen, etj, konsiderohen më liberalë dhe bazohen tek teoria e paqes demokratike. Liderët autoritarë ndërmarrin veprime në arenën ndërkombëtare me qëllim vetëm përfitimin e shtetit të tyre. Ndërsa liderët liberalë, përveç përfitimit të madh kombëtar, i referohen edhe përfitimeve ndërshtetërore, normalisht të bazuar në interesa të përbashkëta. Presidenti amerikan synon largimin e pakicave kombëtare, kundërshtimin e komunitetit LGBTQ+, etj, ndërsa Europa i mbështet. BE-ja ka në fokus bashkëpunimin dhe paqen e përbashkët nëpërmjet stilit demokratik dhe jo autoritar, ndërsa Presidenti amerikan ka në fokus fuqizimin e shtetit (duke zbehur fuqinë kineze dhe ruse) pa krijuar varësi nga partnerët ndërkombëtar. Europa mbron demokracinë, të drejtat e njeriut, ndërsa Trump e promovon demokracinë të mishëruar me forcën. Trump duke qenë autoritar ka një qasje realiste dhe kurrsesi nuk do ta pranonte metodën e politikbërjes europiane për paqen. Nuk do ta pranonte një Amerikë të nënshtruar ose anarkinë globale. Kështu që, qasja realiste dhe ajo liberale e demokratike vështirë se mund të krijojnë marrëdhënie të shëndetshme bashkëpunimi.


Së dyti, fuqia e SHBA-së është sfiduar, kur Trump-i erdhi në pushtet, dollari e kishte humbur vlerën. Administrata e Trump-it synon të rrisi GDP-në, identitetin dhe potencialin e SHBA-së kundrejtë fuqisë kineze dhe ruse. Në këtë rast, ajo rrit rëndësinë e saj (si vendi i vetëm që mund të shpëtojë botën nga lufta). Automatikisht fuqia ekonomike përkthehet në fuqi ushtarake, teknologjike, etj. Por kjo fuqi nuk rritet nëse vazhdojnë ndihmat për Europën, Ballkanin Perëndimor dhe kontributet në shumë organizata. Meqenëse nuk ka një marrëveshjeje, BE-ja mund të përfshihet nga tarifat e SHBA-së. Si pasojë përveç  pasigurisë tregtare të Trump-it, do të ngadalësohet edherritja ekonomike e BE-së (Bertoldi & Buti, 2025). Në këtë mënyrë me shpërndarjen e fuqisë ekonomike në Europë e Ballkan, ajo nuk mundet që të ruajë hegjemoninë kundrejt konkurrencës kineze e ruse. E kundërta është e nevojshme për Bashkimin Europian. Ajo ka nevojë për mbështetje financiare dhe partneriteti, sidomos nga SHBA-ja. Nisur nga Swati Dhingra dhe Nikhil Datta: “Ekonomitë e BE-së dhe SHBA-së  janë dy ekonomitë më të mëdha në botë. BE-ja është partneri më i madh tregtar i SHBA-së, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë partneri më i madh i tregtisë së jashtme të BE-së (në mallra dhe shërbime)” (Dhingra & Datta, 2017). Pra, rivaliteti i Amerikës me Kinën dhe Rusinë kërkon një fuqi të madhe ekonomike, ushtarake dhe politike.

Së treti, marrëdhënia europiane-amerikane u tensionua për shkak të tarifave dhe pretendimit amerikan për marrjen e Grenlandës. Kjo politikë kundërshtohet me forcë nga BE-ja. Liderët e saj e kundërshtuan me forcë këtë qëndrim amerikan. Një veprim tjetër që ka distancuar marrëdhënien europiano-amerikane është marrëveshja e klimës. SHBA ka dalë nga marrëveshja e klimës. Gjithsesi edhe me këtë qëndrim Europa mbetet e hapur për të bashkëpunuar me SHBA-në. (Reuters, 2025)

Administrata e Trump-it nuk i kushton vëmendje Europës, njësoj si ish-administrata e Joe Biden-it. Me këto veprime administrata e Trump-it ka zbehur marrëdhënien me partnerët e saj europianë duke u përqëndruar në Lindjen e Mesme. Referuar Ian Bond, Elisabetta Cornago, Zselyke Csaky, Zach Meyers, Luigi Scazzieri and Sander Tordoir: “Politikat e Trump-it zgjerojnë fuqishëm ekonominëamerikane dhe dëmtojnë rritjet e ekonomive  eksportuese si: eurozona dhe Kina. (Bond, Cornago, Csaky, Meyers, Scazzieri and Tordoir, 2024, fq 3-6). Gjithashtu, përjashtimi i BE-së nga tryezat diplomatike të SHBA-së zbeh marrëdhëniet e tyre.

 

Rritja e tarifave për europianët do të sillte një rritje të inflacionit. Politika amerikane rrit ekonominë dhe identitetin me strategjinë e saj, por dëmton marrëdhëniet midis aleatëve. Krahastarifave dhe politikës së kundërt, një shqetësim për marrëdhënien europiano-amerikane është emigracioni. Ai kundërshtohet nga Trump, jo vetëm ndaj Europës, por edhe ndaj vendeve të tjera si Kanadaja dhe Kina. Gjatë dhjetë vjeçarit të fundit, BE-ja e ka ndryshuar qasjen e saj. Europa është bërë më këmbëngulëse gjatë mandatit të parë të administratës Trump. Drejtori i politikës së jashtme Ian Bond theksonte se ndikimi më i madh i presidencës Trump për europën ishte humbja e besueshmërisë së Amerikës si aleat” (Tidey, 2021). E përbashkëta midis SHBA-së dhe Europës është se të dyja vendet synojnë të eleminojnë konfliktet dhe tensionet në botë, pavarësisht se kanë qasje të ndryshme.

 

Si përfundim, marrëdhënia europiano-amerikane ndikohet si pasojë e politikës së kundërt midis vendeve. Marrëdhënia nuk është prishur, thjesht është tensionuar, zbehur. Ka ndyshuar politika dhe qasja e SHBA-së ndaj rendit global dhe aleatëve të saj. Është rritur roli dhe identiteti i Amerikës në botë, ndërsa Europa e ka zbehur rolin e saj. Vlen të theksohet se BE-ja ka treguar maturi për bashkëpunim me Amerikën. Nëse tarifat dhe politika amerikane do të marr kundërpërgjigje nga Europa, marrëdhënia mes tyre do të zbehet. Kështu Amerika do të zbehi besueshmërinë dhe bashkëpunimin tek aleatët e saj. Në fakt, në këto kushte që ndodhet rendi ndërkombëtar (i sfiduar), Amerikës i nevojitet një qeverisje me natyrë të fortë, por jo të zbehi partneritetin me Europën. Amerika ka shpallur luftë ekonomike duke sfiduar aleatët dhe kundërshtarët e saj. Në bazë të historisë dhe rrethanave, marrëdhënia europiano-amerikane mund të ketë potencial për përmirësim, por jo në nivelet e bashkëpunimit si me administratën e Biden-it. Një bashkëpunim i tillë mund të vijë nëse në Europë fitojnë zgjedhjet partitë që mbështesin Trump-in. Europa dhe Amerika do të bashkëveprojnë, por sërish do të shfaqet pavarësia e BE-së nga Amerika. Kjo marrëdhënie e ftohtë mund ta bëjë Europën më të fortë ose mund ta dobësojë atë. Duket sikur rolin e politikës bashkëpunuese me aleatët që ka pasur Amerika po e merr Kina. Gjithsesi një kombinim i fuqisë amerikano-europiane me strategjinë e administratës së Trump dhe me natyrën demokratike të Europës do të ishte një gurë themeli për të ruajtur hegjemonitetin (ndaj Kinës, Rusisë) dhe paqen në botë. Normalisht, nusja (Europa) dhe dhëndri (Amerika) duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët, nëse kjo ndodh Europa qëndron e fortë dhe e patrembur nga fundi i saj.

 

Fetah Salliu, mars 2025

*Fetah Salliu ka përfunduar studimet Bachelor në degën “Shkenca Politike” në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës dhe studimet në nivelin e dytë, Master Shkencor për “Studime Rajonale Politike” në të njëjtin fakultet. Fetahu ka zhvilluar praktikën pranë Kuvendit të Shqipërisë. Ka marrë pjesë në disa çështje që lidhen me aktivizmin në kujdesjen e disa organizatave. Gjithashtu është autor i dy artikujve - “Financimi dhe ndërveprimi i qeverisjes vendore” në Buletinin Shkencor dhe “Financimi e Partive Politike në Shqipëri 2017-2021 (Kuadri ligjor & Realiteti)”. Ai ka marrë pjesë në trajnime për politikën dhe integrimin europian, siç është shkolla dimërore me temë “Financimi i Partive Politike”. Për një periudhë të shkurtër kohore ka punuar tek INSTAT-i si mbikëqyrës në një zonë të Njësisë Administrative Nr. 4, Tiranë, në kuadër të zhvillimit të Cens 2023. Tani ndjek edicionin e dytë të Akademisë për Shtetin e së Drejtës, organizuar nga Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN).

 

 

Referencat

 

ü  Bertoldi. M & Buti. M (2025)America under Trump: Domestic and European implications, CEPR, Paris / France, https://cepr.org/voxeu/columns/america-under-trump-domestic-and-european-implications

ü  Bond. I, Cornago. E, Csaky. Z, Meyers. Z, Scazzieri. L and Tordoir. S, (2024) Can Europe navigate Trump 2? Centre for European Reform, https://www.cer.eu/sites/default/files/insight_navigate_Trump_8.11.24.pdf

ü  Frod. M, (2025) Donald Trump said he'd end the Ukraine war in a day. This is why it's not that easy, ABC NEWS / Australian, https://www.abc.net.au/news/2025-01-29/what-trump-presidency-could-mean-for-ukraine-war-putin-zelenskyy/104822998

ü  Mounk. Y, (2021) After Trump, Is American Democracy Doomed by Populism?, Council on Foreign Relations, https://www.cfr.org/in-brief/after-trump-american-democracy-doomed-populism

ü  Reuters, 2025, World reacts to Trump withdrawing US from Paris climate pact, https://www.reuters.com/business/environment/world-reacts-trumps-plan-withdraw-us-paris-climate-pact-2025-01-20/

ü  Swati Dhingra & Nikhil Datta, (2017) What next for US-Europe trade policy?, CERP, Paris / France, https://cepr.org/voxeu/columns/what-next-us-europe-trade-policy

ü  Tidey. A, (2021) Si ka ndikuar politika e Trump gjatë 4-viteve në Europë? ABC News / Albania, https://abcnews.al/si-ka-ndikuar-politika-e-trump-gjate-4-viteve-ne-europe/

 

 

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk