Identitete të ndryshme, vlera të përbashkëta: A qëndron ende e bashkuar Europa?

Identitete të ndryshme, vlera të përbashkëta: A qëndron ende e bashkuar Europa?

Nëse ka një pyetje që sot duhet të na shqetësojë të gjithëve, është: a janë vlerat e shpallura të Europës ende të përbashkëta, apo thjesht të përmendura? Në një kontinent që lëvron identitete të shumta, histori të përgjakshme, bashkëjetesa të brishta dhe ndarje të padukshme, ideja e një Europe të bashkuar nuk mund të merret si e mirëqenë. Kjo pyetje nuk ka të bëjë vetëm me integrimin ekonomik, lëvizjen e lirë apo sistemin e përbashkët të vlerave liberale; ka të bëjë me besueshmërinë morale të Europës si një aktor global dhe me konsistencën e saj brenda vetes.

Në prill të vitit 2025, në një ndërhyrje që mori jehonë të menjëhershme në opinionin publik, eurodeputetja spanjolle Irene Montero ngriti zërin e saj në Parlamentin Europian për të kërkuar llogari nga Kaja Kallas, përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Europian. Ajo shprehu me guxim pyetjet që shumë qytetarë europianë ndiejnë, por rrallëherë i shohin të përfaqësuara në sallat e politikës:

“A janë bombardimet e shkollave, spitaleve dhe ambulancave në Gaza, pasqyrim i vlerave europiane? A përfaqëson Europa vlerat që justifikojnë vrasjen e mbi 50,000 palestinezëve, shpërnguljen e miliona të tjerëve dhe bllokimin e një popullsie pa ushqim, pa ujë, pa energji elektrike? Ka ardhur koha për llogaridhënie. Nuk ka imunitet për bashkëfajësi.”

Kjo ndërhyrje tronditi jo vetëm sallën e Parlamentit, por edhe imazhin që Europa projekton për veten: një mbrojtëse e të drejtave të njeriut, një zë i paqes dhe solidaritetit ndërkombëtar. Sepse përballë realiteteve si këto, nuk është më e mjaftueshme të flasësh për vlera në mënyrë abstrakte, duhet të shohësh nëse ato vlera veprojnë në praktikë, në politikë, në diplomaci, në qëndrime konkrete ndaj dhunës dhe padrejtësisë.

Pyetja që duhet shtruar është pikërisht: Europa nuk mund të thotë se është bashkuar mbi vlera të përbashkëta nëse toleron hipokrizinë e standardeve të dyfishta. A mund të ketë paqe e mirëkuptim brenda kufijve të saj, kur jashtë tyre qëndron e heshtur përballë mizorive që nuk i përshtaten narrativës së saj gjeopolitike?

A janë vlerat e shpallura nga BE thjesht retorikë, apo edhe standarde të dyfishta që zbatohen në

mënyrë selektive?

Në një Europë ku çdo vend e çdo popull vjen me një histori, një kujtesë kolektive dhe një rrëfim të veçantë, koncepti i “bashkimit” është më kompleks sesa duket. Nuk është thjesht një marrëveshje teknike mbi ligje të përbashkëta apo tregje të lira, por një akt i vazhdueshëm mirëbesimi kulturor e moral, që rikonfirmohet çdo herë që sfidat globale e vendosin në provë.

Ballkani, si nyje gjeografike dhe historike e Europës, ka qenë shpesh pika ku idealet e Europës janë testuar më ashpër. Shqipëria, e cila për dekada qëndroi në izolim totalitar dhe më pas kaloi në një tranzicion të lodhshëm demokratik, sot është një vend që aspiron me vendosmëri integrimin europian, por njëkohësisht sheh me sy kritik hipokrizitë e “familjes së madhe europiane”.

A mund të flasim për “vlera të përbashkëta” kur dhjetëra mijëra të rinj shqiptarë largohen çdo vit drejt një Europe që shpesh i sheh si fuqi punëtore të përkohshme, jo si qytetarë të barabartë? Kur të rinjtë nga Ballkani përballen me burokraci poshtëruese për të marrë një vizë ndërkohë që Europa flet për “hapje” dhe “integrim”?

Nga ana tjetër, pavarësisht këtyre pengesave, është vetë liria dixhitale dhe hapësira virtualeajo që po bashkon më fort të rinjtë nga vende të ndryshme. Sot, një student nga Tirana, një aktiviste nga Prishtina dhe një artist nga Sarajeva mund të krijojnë një platformë të përbashkët për të sfiduar narrativat e vjetra nacionaliste. Rrjetet sociale, projektet ndërkulturore, platformat online të bashkëpunimit, janë bërë mjeti për të ndërtuar atë që politikat shpesh dështojnë: një ndjesi përkatësie ndaj një hapësire të përbashkët europiane.

Por as kjo nuk vjen pa rrezik. Në të njëjtën hapësirë dixhitale ku lulëzojnë bashkëpunimi dhe liria e shprehjes, po shpërndahen gjithashtu teori konspirative, urrejtje, propagandë, manipulim emocional.Europa digjitale është një terren i lirë por i papastruar, dhe aty ku nuk ka edukim, media të përgjegjshme dhe politikë mbrojtëse, rreziku i polarizimit rritet.

A është vërtet Europa e bashkuar? Në dokumente, po. Në realitet, jo gjithmonë. Sepse bashkimi nuk është status, por proces. Ai kërkon që çdo krizë, nga pandemia, te lufta në Ukrainë, e deri te drama humanitare në Gaza, të mos mbyllet me heshtje politike apo deklarata formale, por me veprime të guximshme dhe të njëjta për të gjithë, pavarësisht kush janë viktimat.

Ashtu siç Irene Montero vuri gishtin mbi plagën në sallën e Parlamentit Europian, edhe ne – qytetarët, të rinjtë, intelektualët, gazetarët, duhet të pyesim:

Nëse vlerat e Europës vlejnë për të gjithë, pse ka kaq shumë përjashtime?

Nëse e duam bashkimin, a e kemi përfshirë vërtet edhe zërat që kritikojnë drejtësinë selektive të këtij bashkimi?


Një Europë me identitete të ndryshme mund të jetë e bashkuar vetëm nëse vlerat e saj nuk janë privilegj për disa dhe peshë për të tjerët. Shqipëria, Ballkani dhe shumë rajone të tjera janë gati për t’u bërë pjesë e kësaj Europe, por vetëm nëse kjo nuk është një dhomë ku ftohja morale maskohet si pragmatizëm politik. Sepse nuk mund të ketë një Europë të përbashkët mbi themelet e dy standardeve. Dhe ndoshta tani është momenti për ta rishkruar narrativën e bashkimit, jo si një mrekulli që ndodhi në 1957, por si një proces që ne, brezi i ri, duhet ta rifillojmë çdo ditë.

Mjafton të shikojmë reagimet selektive ndaj konflikteve botërore, heshtjen e pajustifikueshme përballë krizave humanitare si ajo në Gaza, apo mënyrën se si trajtohen refugjatët dhe migrantët në kufijtë jugorë të Europës. Një Europë që e quan veten "shtëpi të lirive" nuk mund të mbajë dyer të blinduara përballë atyre që ikin nga luftra që shpesh janë nënshkruar edhe me votën e përfaqësuesve të saj. Bashkimi nuk mund të jetë zgjedhje estetike, ai duhet të jetë zgjedhje morale.

Në këtë sfond, pyetja “A qëndron ende e bashkuar Europa?” nuk është vetëm retorike. Është një thirrje për reflektim dhe veprim. Sepse një bashkim që përjashton, që përzgjedh kujt t’i dhurojë vlera dhe kujt t’ia mohojë, është një bashkim që rrezikon të shembet nga brenda.

Dhe nëse BE-ja dëshiron të mbetet relevante për brezin e ri, atëherë nuk mjafton më të predikojë vlera në samite diplomatike, por duhet t’i praktikojë ato në mënyrë të qëndrueshme dhe pa hipokrizi. Të mos harrojmë: brezi që sot shkruan artikuj si ky, nesër do të jetë brezi që voton, që drejton institucione, që vendos për të ardhmen e kontinentit. Dhe ky brez ka një pyetje shumë të qartë për Europën: A është e gatshme Europa të mbajë përgjegjësi për mosveprimet e saj po aq sa për veprimet? Apo do të vazhdojë të strehohet pas retorikës së “vlerave”, ndërkohë që bota digjet e fëmijët digjen në kampet e refugjatëve?

Nëse nuk përballemi tani me këto pyetje, atëherë “bashkimi” do të mbetet një fjalë e bukur pa përmbajtje dhe identiteti europian një përkufizim gjithnjë e më i ngushtë, që përjashton ata që nuk kanë lindur në vendin e duhur apo me pasaportën e duhur. Sepse nuk ka Europa të përbashkët pa drejtësi për të gjithë. Dhe nuk ka paqe pa të vërtetën. 

Sidomos kur kjo Europë aspiron të jetë më shumë se një bashkim ekonomik apo një projekt paqeje: dëshiron të jetë një fuqi morale, një aktor global që përhap “vlerat europiane” përtej kufijve të saj. Por si mund të pretendosh të jesh eksportues i vlerave kur në shtëpinë tënde ato aplikohen me standarde të dyfishta? Si mund të ndihmosh të tjerët të ndërtojnë demokraci, kur në emër të interesave, mbyll sytë përballë dhunës, pushtimeve, zhvendosjeve masive e shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut?

Europa ka mbajtur shpesh veten si dritare shprese për pjesën tjetër të botës, si model për shoqëri të hapura, tolerante dhe të ndërtuara mbi dinjitetin njerëzor. Por vlerat nuk janë monedhë për

diplomaci selektive. Janë për t’u mbrojtur, pa dallim, edhe kur kjo përplaset me interesin ekonomik apo me aleancat gjeopolitike.

Nëse Europa do të mbajë veten si model për të tjerët, atëherë së pari duhet të përballet me kontradiktat e veta. Sepse bota nuk dëgjon vetëm atë që Europa thotë, e shikon edhe atë për të cilën ajo hesht. Dhe kjo heshtje, në disa raste, zhurmon më shumë se çdo fjalim festiv mbi vlerat e përbashkëta. Është pikërisht në momentet më të vështira që vlerat testohen, jo në konferenca ndërkombëtare, jo në broshurat zyrtare, por në reagimet ndaj padrejtësive reale që ndodhin përpara syve tanë. E ndërsa Europës i pëlqen të pozicionohet si kampione e të drejtave të njeriut, si mbrojtëse e rendit ndërkombëtar dhe si një aktore që udhëheq përmes shembullit moral, ajo shpesh dështon të qëndrojë në përputhje me fjalët e saj. Përballë tragjedive si ajo në Gaza, Europa është ndarë mes një zëri që dënon dhunën në letër dhe një vullneti politik që ngurron të veprojë. Në emër të aleancave strategjike, të qëndrueshmërisë ekonomike apo thjesht për shkak të frikës nga diskomforti diplomatik, ajo zgjedh të heshtë. Por çmimi i kësaj heshtjeje është i lartë: kredibiliteti i saj në botë, dhe besimi i qytetarëve të saj brenda.

Nëse Europa dëshiron të jetë një aktore globale, një eksportuese e vlerave të saj, atëherë nuk mund të lejojë që këto vlera të jenë të dyfishta. Nuk mund të ketë liri për ca dhe heshtje për të tjerët. Nuk mund të ketë drejtësi për brenda dhe asnjë përgjegjësi për jashtë. Sepse kur drejtësia bëhet selektive, ajo pushon së qeni drejtësi. Kur solidariteti varet nga gjeopolitika, ai humbet thelbin e tij moral.

Europa nuk mund të kërkojë të ndikojë botën përmes “fuqisë së butë” ndërkohë që shmang përgjegjësinë për bashkëpunimin ose tolerimin e padrejtësive flagrante. Çdo fjalim për të drejtat e njeriut, çdo strategji për integrim apo kohezion social, është i zbrazët nëse nuk shoqërohet me një vullnet të vërtetë për të përballuar edhe realitetet më të dhimbshme, brenda dhe jashtë kufijve të saj.

Për t’u bashkuar në vlera, duhet më shumë se një flamur blu me yje. Duhet guxim. Duhet sinqeritet. Duhet që Europa të përballet me veten.

Si mund të flasësh për vlera të përbashkëta në një kontinent ku disa vuajtje marrin jehonë ndërkombëtare dhe të tjera mbeten statistikë pa zë? Si mund të pretendosh të ndërtosh një identitet europian gjithëpërfshirës kur solidariteti nuk është universal, por selektiv? Këto nuk janë pyetje ideologjike, janë pyetje ekzistenciale për të ardhmen e vetë projektit europian.

Europa nuk do të mbetet e bashkuar nga tregtia apo nga burokracia. Ajo do të qëndrojë vetëm nëse qytetarët e saj besojnë se ajo përfaqëson drejtësinë, barazinë dhe dinjitetin për të gjithë, jo vetëm për disa. Nëse ajo dëshiron të ruajë rolin e saj si udhëheqëse morale në një botë gjithnjë e më të polarizuar, ajo duhet të jetë e gatshme të përballet me standardet e saj. Të flasë kur është më e vështira. Të mos jetë vetëm spektatore në tragjeditë e njerëzimit. Sepse vlerat nuk mbrohen vetëm duke i deklaruar, por duke i jetuar. Dhe është pikërisht përballë këtyre sprovave që vlerat e Europës nuk mund të jenë vetëm fjalë të stampuara në traktate apo slogane të samiteve, ato duhet të jenë të dukshme në çdo politikë të jashtme, në çdo qëndrim ndaj refugjatëve, në çdo reagim ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut, kudo që ndodhin. Të gjithë ne, brezi i ri, ne që ndiejmë më shumë peshën e padrejtësive globale dhe kontradiktave të brendshme të BE-së, nuk mund të jemi më spektatorë pasivë. Ne nuk kemi vetëm të drejtën të pyesim, por edhe detyrimin moral për të sfiduar narrativat zyrtare, për të kërkuar llogaridhënie, për të ripërkufizuar atë çka duhet të jetë një bashkim i vërtetë.



Sindi Hotaj, maj 2025


*Sindi Hotaj është në përfundim të studimeve për Marrëdhënie Ndërkombëtare, me një fokus të theksuar në të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të drejtat e njeriut. Ka ndjekur kursin "Introduction to International Humanitarian Law" nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit tëKuq (ICRC), dhe është certifikuar nga Qendra për të Drejtën e Refugjatëve dhe Migracionit në Fakultetin Juridik të Shkupit, në bashkëpunim me UNHCR dhe Institutin Ndërkombëtar të Sanremos, Itali. Po ashtu, ka marrë pjesë në shkollën verore "Law and Gender" në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit dhe është certifikuar për kursin e të Drejtës Ndërkombëtare nga European Institute of Leadership & Management në Dublin, Irlandë. Pjesëmarrëse aktive në konferenca ndërkombëtare, si "The EU and Western Balkans–Enlargement: Ambitions vs. Realities?", organizuar nga Bridge Forum Dialogue, është gjithashtu e pasionuar për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve sociale dhe ekonomike në Shqipëri dhe më gjerë. Flet rrjedhshëm anglisht, serbisht dhe frëngjisht, dhe aktualisht është duke mësuar gjermanisht.




Referencat


Borrell, J. (2024). EU admits it has hypocritical 'double standards' on Israel, Ukraine, Iraq. Geopolitical Economy. https://geopoliticaleconomy.com/2024/07/18/eu-borrell-hypocrisy-double-standards-israel-ukraine-iraq/ 


European Parliament. (2025). Verbatim report of proceedings. https://www.europarl.europa.eu/doceo/document/CRE-10-2025-04-01_EN.html


Montero, I. (2024). Stop Helping Israel Commit Genocide – Spanish Official to the EU Parliament. Palestine Chronicle.https://www.palestinechronicle.com/stop-helping-israel-commit-genocide-spanish-official-to-the-eu-parliament/

The Guardian. (2024). Europe's Gaza betrayal has broken the trust of millions of

people in the global south. https://www.theguardian.com/commentisfree/2024/apr/10/europe-gaza-betrayal-broken-trust-global-south-israel






1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk