Një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe me ndikim të Bashkimit Europian është, padyshim, rotacioni për presidencën e Këshillit të BE-së. Që nga 1 janari 2025, Polonia ka marrë stafetën nga Hungaria, duke u bërë pjesë e një trioje të re që përfshin Poloninë, Danimarkën dhe Qipron.[1] Ky është mandati i dytë i Polonisë si kryesuese e Këshillit, pas vitit 2011,[2] duke tërhequr kështu vëmendjen e gjithë Europës. Rotacioni i presidencës, që zhvillohet çdo gjashtë muaj, ofron një mundësi të veçantë për çdo shtet anëtar të BE-së për të forcuar pozitat e tij dhe për të kontribuar në dinamizmin e vendimmarrjes së Bashkimit Europian.
Duke marrë parasysh pozicionin strategjik gjeografik të këtij shteti lindor, në zemër të Europës, ai ka luajtur një rol kyç në situatat aktuale në Europë. Këtu, duhet vlerësuar gatishmëria dhe solidariteti i jashtëzakonshëm që Polonia ka treguar ndaj Ukrainës, në mbështjetje të saj për liri dhe sovranitet, ku që nga shkurti 2022 deri më sot, mbi 7.57 milionë refugjatë nga Ukraina kanë kaluar kufirin polak,[3] ku shumica dërrmuese e tyre janë stabilizuar falë ligjit special[4] për legalizimin e qëndrimit të tyre, dhe që u jep atyre automatikisht, ndryshe nga refugjatët e tjerë, të drejtën për të jetuar, punuar dhe akses në shërbime.[5]Ndër të tjera, fjalët e kryeministrit polak, Donald Tusk, i rikthyer në pushtet me zgjedhjet parlamentare të 15 tetorit 2023,[6] pasqyrojnë një shëmbëlltyrë të plotë të këtij qëndrimi: “Nëse Europa është e pafuqishme, ajo nuk do të mbijetojë. Le të bëjmë gjithçka që Europa dhe Polonia të mos paguajnë çmimin më të lartë për lirinë, për forcën, për sovranitetin. Le të bëjmë gjithçka për ta bërë Europën përsëri të fortë.”[7] Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se situata në të cilën Polonia e gjen Europën sot, nuk është aspak e favorshme. Përveç agresionit rus në Ukrainë dhe pasojave të tij të rënda në politikën e sigurisë të rajonit, ky konflikt ka shkaktuar gjithashtu ndërprerjen e furnizimit të Europës me gazin rus, duke rënduar sektorin e energjisë. Po ashtu, rritja e partive të ekstremit të djathtë, dobësimi i kohezionit midis dy shteteve më të fuqishme të Bashkimit Europian, Gjermanisë dhe Francës, si dhe shfaqja dhe theksimi i çështjeve të tjera prioritare, si konkurrueshmëria, politikat e gjelbra dhe ato dixhitale, e bëjnë misionin e Polonisë në këtë mandat edhe më të vështirë. Kjo situatë e ndërlikuar kërkon një angazhim të jashtëzakonshëm dhe një qasje të mençur për të balancuar interesat dhe sfidat që po paraqiten në nivel europian, të cilat duhet të adresohen në programin e kësaj presidence.
Një nga këto sfida u shfaq në të njëjtën ditë kur Polonia mori presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian si për “ironi fati”, ku një grup fermerësh organizuan protesta në rrugët e Varshavës kundër marrëveshjes tregtare Mercosur.[8] Sipas tyre, kjo marrëveshje mund të dëmtojë bujqësinë dhe blegtorinë europiane, duke sjellë konkurrencë të padrejtë dhe rreziqe për sektorin. Sidoqoftë, qeveria polake, e cila ka shprehur hapur kundërshtimin e saj ndaj marrëveshjes, ka parashikuar në programin e saj prioritete që mbështesin bujqësinë europiane. Një nga objektivat kryesore është forcimi i Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP), duke siguruar mbështetje për fermerët në të gjithë Europën. Po ashtu, qeveria polake thekson rëndësinë e rritjes së pozicionit të fermerëve në zinxhirët e vlerave dhe do të punojë për të rritur ndikimin e tyre në zhvillimin e politikave të bujqësisë në nivel europian.
Siguria si raison d’état i programit
Siguria është një nga shtyllat kryesore të programit polak, jo vetëm në aspektin e jashtëm, por edhe në atë të brendshëm, si lajtmotivi i vetëm i këtij programi. Ky angazhim i sigurisë shtrihet në të gjitha fushat, duke përfshirë: mbrojtjen ushtarake, mbrojtjen e kufijve, rezistencën ndaj informimit të rremë nga ndërhyrjet e huaja, sigurinë dhe lirinë e biznesit, sigurinë e furnizimit me energji në Bashkimin Europian, si dhe sigurinë shëndetësore.[9] Përqendrimi në këtë fushë ka qenë gjithmonë një prioritet i qeverisë polake që prej agresionit rus në Ukrainë, ku nën udhëheqjen e ish-kryeministrit Mateusz Morawiecki, i zgjedhur së fundi si presidenti i partisë Konservatorët dhe Reformistët Europianë të krahut të djathtë (ECR), dedikoi fonde të konsiderueshme për forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, duke i dhënë përparësi modernizimit të ushtrisë, krijimit të Forcave të Mbrojtjes Territoriale, si dhe miratimin e Aktit të Mbrojtjes së Atdheut në vitin 2022. Ky akt ka sjellë jo vetëm një rregullim të sistemit ligjor, dikur të fragmentuar, por gjithashtu ka ofruar një bazë solide për zhvillimin afatgjatë të Forcave të Armatosura Polake, duke garantuar forcimin e kapaciteteve të sigurisë kombëtare.[10]
Në këtë këndvështrim, nëpërmjet programit të presidencës, Polonia synon të luajë një rol udhëheqës për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të BE-së, duke e konsideruar këtë një çështje me rëndësi strategjike për të ardhmen e Bashkimit Europian. Një nga qëllimet kryesore të presidencës polake është të promovojë një rritje të financimit për mbrojtjen në BE dhe kërkon të sigurojë që shtetet anëtare të investojnë më shumë në fushën e mbrojtjes, duke ndihmuar në forcimin e industrisë së mbrojtjes dhe modernizimin e forcave të armatosura.[11] Në të njëjtin drejtim, Polonia ka ambicien të fillojë dhe të mbylli negociatat me Parlamentin Europian mbi Programin e Industrisë së Mbrojtjes Europiane, që do të mbyllë hendekun me 1.5 miliardë euro për të fuqizuar konkurrueshmërinë e kësaj industrie dhe të ofrojë furnizimin me produke të mbrojtjes, i cili është pjesë e Strategjisë Industriale të Mbrojtjes Europiane (EDIS), si strategjia e parë për të rritur këtë industri e për ta bërë “më të mirë, të përbashkët dhe Europiane”, miratuar më 5 mars 2024.[12]
Për sa i përket të përfolurit Bashkimi Europian i Mbrojtjes (European Defence Union) si një “bllok ndërtimi” në gjithë këtë industri, Polonia i ka ushtruar vazhdimisht “presion Komisionit Europian për të alokuar më shumë burime për mbrojtjen”.[13]Por gjithë ky bashkëpunim do të ndërmerret nga Komisioni për hir të “modus operandi-t” të tij, dhe jo nga vetë shtetet anëtare, të cilat kanë ‘zvarritur’ prej kohësh angazhimet e tyre të përsëritura për një bashkim në këtë aspekt, dhe për përdorim efikas të buxheteve të tyre të politikës së mbrojtjes.[14] Ndaj mbetet për tu parë çfarë qëndrimi do të mbajë Polonia gjatë presidencës dhe se si do të pozicionohet, duke u përpjekur të ruajë një ekuilibër pragmatik mes interesave të brendshme dhe presioneve ndërkombëtare.
Mure dhe gardhe si mburoja për migracionin?
Kur flasim për migracionin, padyshim që Polonia do të jetë një nga shtetet që na vjen menjëherë në mendje, për shkak të veprimeve të saj të vazhdueshme dhe të drejtpërdrejta për të parandaluar migracionin e parregullt, veçanërisht gjatë krizës humanitare të vitit 2021-2022, kur kufiri Poloni-Bjellorusi, si një nga kufijtë e jashtëm të BE-së, u bë një pikë tensioni me ardhjen e një numri të paprecedentë individësh, kryesisht nga Lindja e Mesme, që kërkonin të kalonin në territorin e Bashkimit Europian. Autoritetet bjelloruse u akuzuan për lehtësimin e kalimit të këtyre personave, si një akt hakmarrjeje për masat kufizuese të vendosura nga BE-ja pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në Bjellorusi.[15] Për t’u përballur me këtë fluks, qeveria polake ndërtoi një barrierë të fortë dhe të rrethuar për të kontrolluar hyrjen e migrantëve, duke u shndërruar, kështu, në një llavë të nxehtë krize.[16] Në këtë kuadër, qeveria polake krijoi një diskurs të fuqishëm, që e kriminalizon ndihmën humanitare për hir të "sigurisë kombëtare", duke i detyruar autoritetet të kthejnë pas migrantët, shumë prej të cilëve mbetën të bllokuar në pyll, duke u quajtur rrjedhimisht “njerëzit e pyllit”.[17]
Kjo situatë është një pasqyrë e ashpër e ndikimit të politikave të sigurisë, ku detyra për të mbajtur kufijtë nën kontroll ka krijuar një realitet të ri, të mbushur me dilema etike. Ndaj, kjo çështje nuk kishte si të mungonte në programin e presidencës polake, ku përsëri migracioni konsiderohet si një kërcënim hibrid për sigurinë dhe stabilitetin e Bashkimit Europian, ndaj ajo ka theksuar se do të punojnë për të reduktuar migracionin e parregullt dhe për të forcuar efektivitetin e politikës së kthimit. Disa nga mënyrat që mund të përdorin për të arritur këtë objektiv janë forcimi i kontrollit të kufijve dhe mbrojtjes së kufijve, duke kërkuar nga shtetet anëtare të forcojnë kontrollin e rrugëve migratore, si dhe bashkëpunimi me vendet e origjinës, duke rritur investimet në zhvillimin ekonomik dhe social të këtyre vendeve për të krijuar mundësi punësimi dhe për të stimuluar risocializimin.[18] Më 17 janar 2025, Kryeministri polak Donald Tusk e përshkroi “mbrojtjen e fortë” të kufijve si një “detyrë të shenjtë” dhe gjatë fjalimit në Parlamentin Europian u shpreh se rregullimi i migracionit të parregullt duhet të bazohet në vlerat demokratike dhe respektimin e të drejtave të njeriut,[19] gjë që dyshohet të ndodhë, pasi është po ky vend që së fundmi ka krijuar atë që quhet Mburoja Lindore (East Shield),[20] një iniciativë kombëtare për përmirësimin e gatishmërisë ushtarake dhe sigurinë e kufirit, përmes një kombinimi të sistemeve moderne mbikëqyrëse, barrierave fizike dhe zhvillimit të infrastrukturës, për të ruajtur kufijtë e saj lindorë me Bjellorusinë dhe Kaliningradin. Gjatë kësaj presidence, dhe ndoshta edhe pas saj, ajo që pritet është një rritje e "mburojave të hekurta, mureve dhe gardheve fizike", që do të shërbejnë për të ndarë "njerëzit e pyllit" nga qytetarët e zakonshëm.
Po procesi i integrimit për Ballkanin Perëndimor është lënë në harresë?
Në përfundim të Presidencës së saj, Hungaria arriti të ndërmjetësojë në Këshillin Europian për hapjen e dy grupkapitujve në negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, dhe mbylljen e disa kapitujve në negociatat e Malit të Zi për anëtarësim në BE.[21] Ndaj, dhe roli që Polonia do të luajë është po aq i rëndësishëm, për rrugëtimin jo vetëm të Shqipërisë në BE, por edhe të shteteve të tjera aspiruese. Polonia ka shprehur gjithmonë mbështetje të fortë për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor të bazuar në merita dhe është e angazhuar të ofrojë mbështetje për integrimin e tyre në Bashkimin Europian. Ajo e sheh këtë zgjerim si një mundësi për të përhapur stabilitet, siguri dhe rritje në të gjithë kontinentin, duke forcuar kështu unitetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar mes shtetesh të ndryshme. Serbia dhe Shqipëria janë shumë entuziaste për marrjen e Presidencës nga Polonia,pasi Ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski,[22] ishte në muajin dhjetor në një vizitë zyrtare në Shqipëri dhe theksoi që presidenca polake e ka në fokus procesin e integrimit të shteteve nga Ballkani Perëndimor në BE, por dhe besojnë se Polonia, me përvojën e saj të suksesshme, mund të ofrojë një udhëzues të rëndësishëm për procesin e integrimit. Polonia është një shembull konkret i një shteti që ka kaluar me sukses fazat e integrimit dhe ka ndihmuar për të transformuar sistemin e saj ekonomik dhe politik, prandaj ajo mund të konsiderohet një model për vendet e Ballkanit, të cilat ndajnë po ashtu një periudhë të errët gjatë regjimit diktatorial totalitar.
A mund të ndikojë fitorja e Trump në Presidencën e Polonisë?
Ka një propabilitet që fitorja e Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA mund të jetë, nga perspektiva e Polonisë, një çështje paksa kritike. Politika e SHBA-së nën drejtimin e Trump lidhur me NATO-n dhe fakti që Trump ka qenë më pro-Rusisë dhe shumë kritik ndaj ndihmave ushtarake për Ukrainën, përbëjnë shqetësime për Poloninë, e cila ka qenë gjithmonë në krah të Ukrainës. Megjithatë, Polonia gjithashtu ka pasur një konsideratë të madhe për SHBA-në, dhe kjo do të tentojë të mbajë marrëdhënie diplomatike të mira[23], edhe pas largimit të ish-kryeministrit Mateusz Morawiecki. Dhe pse Tusk ka bërë të qartë për liderët e tjerë europianë mendimin e tij për Trump, duke e cilësuar atë si shumë "kërkues", ai ka theksuar se priten ndryshime të mëdha në krahasim me presidencën e Joe Biden-it. Ndryshimi ideologjik që ka ndodhur në Poloni jo më larg se para një viti, ku në krye të zgjedhjeve doli Donald Tusk, një politikan me angazhim për ruajtjen e unitetit të Bashkimit Europian dhe ish-president i Këshillit Europian 2014-2019, ai pritet të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në politikën polake, duke forcuar marrëdhëniet e Polonisë me BE-në dhe duke u distancuar nga politikat më euroskeptike që ishin promovuar më herët.
Në përmbyllje, Polonia gjatë presidencëes duhet të mbajë një peshë më të madhe në ruajtjen e vlerave të Bashkimit Europian. Megjithatë, ky angazhim, ndonëse i dukshëm, ngre disa pikëpyetje mbi realizimin dhe qëndrueshmërinë e tij afatgjatë. Prioritetet e saj, të fokusuara në promovimin e stabilitetit rajonal dhe nxitjen e reformave thelbësore, janë të nevojshme për zhvillimin e rajonit, por nuk është e qartë nëse këto synime do të realizohen pa pengesa. Përpjekjet e Polonisë për të ndihmuar në krijimin e një mjedisi më të qëndrueshëm mund të kenë efekte pozitive, por gjithashtu mund të përballen me sfida të mëdha për shkak të ndryshimeve gjeopolitike.
Martina Gllavaj, janar 2025
*Martina është një studente aktualisht në vitin e tretë të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Martina është e angazhuar në organizata të ndryshme, që kanë fokus të veçantë kauzat sociale. Si një studente e apasionuar e ligjit, ajo është angazhuar që në vitin e parë të studimeve në Shoqatën Europiane të Studenteve të Drejtësisë (ELSA), në rolin e Drejtueses së Marketingut dhe duke e vazhduar angazhimin si Thesarmbajtëse. Dhe më pas, ka qenë pjesë në grupe pune për shumë aktivitete të tjera si Kongresi Studentor 3, dhe ka përfaqësuar organizata të ndryshme në aktivitete jashtë vendit, siç është rasti i Regional Student Station në Shkup. Martina ka një përkushtim të veçantë për të Drejtat e Njeriut, të Drejtën Penale dhe të Drejtën e BE-së, pasi për të drejtesia, barazia, respektimi dhe sigurimi i ruajtjes së dinjitetit njerëzor janë shtyllat aspiruese prej nga frymëzohet.
[1]Për më shumë informacion, lexoni në https://www.consilium.europa.eu/en/council-eu/presidency-council-eu/
[2]Poland’s Presidency of the Council of the EU in 2025: Ministry of Foreign Affairs’ priorities and activities. Website of the Republic of Poland, 13.12.2024, available at https://www.gov.pl/web/diplomacy/polands-presidency-of-the-council-of-the-eu-in-2025-ministry-of-foreign-affairs-priorities-and-activities2 (accessed on 23 January 2025)
[3]https://www.statista.com/statistics/1293564/ukrainian-refugees-in-poland/#:~:text=Number%20of%20Ukrainian%20refugees%20in,2024%2C%20by%20date%20of%20report&text=Since%20January%202024%2C%20over%207.57,have%20crossed%20the%20Polish%20border
[4]Amendment to the law on assistance to Ukrainian citizens in connection with the armed conflict on the territory of the country, Website of the Republic of Poland, 28.03.2022, available at
https://www.gov.pl/web/udsc-en/the-law-on-assistance-to-ukrainian-citizens-in-connection-with-the-armed-conflict-on-the-territory-of-the-country-has-entered-into-force (accessed on 23 January 2025)
[5] Toth, Katie (5 March 2024) After two years in Poland, Ukrainian refugees ask when – and if – they will go home, The New Humanitarian. https://www.thenewhumanitarian.org/news-feature/2024/03/05/poland-ukrainian-refugees-ask-when-they-will-go-home (accessed on 23 January 2025)
[6] Chiappa, Claudia (December 11, 2023) Donald Tusk wins parliament’s backing to be new Polish PM, Politico. https://www.politico.eu/article/donald-tusk-parliament-backing-poland-government-vote/ (accessed on 23 January 2025)
[7]Tetova Sot, Polonia merr presidencën e BE-së me fokus sigurinë, 4 janar 2025. https://www.tetovasot.com/2025/01/polonia-merr-presidencen-e-be-se-me-fokus-sigurine/ (aksesuar më 23 Janar 2025)
[8]OraNews, Polonia merr presidencën e Këshillit të BE, fermerët protestojnë në rrugët e Varshavës, 3 janar 2025. https://www.oranews.tv/bota/polonia-merr-presidencen-e-keshillit-te-be-fermeret-protestojne-ne-rruget-e-i1210441 (aksesuar më 23 Janar 2025)
[9]Programme of the Polish Presidecny of the Council of the European Union, January 1 – June 30, 2025. https://polish-presidency.consilium.europa.eu/media/zkcno325/programme-of-the-polish-presidency-of-the-council-of-the-european-union.pdf
[10]Prime Minister Mateusz Morawiecki: Poland is becoming increasingly secure, Website of the Republic of Poland, 25.06.2023, available at
https://www.gov.pl/web/primeminister/prime-minister-mateusz-morawiecki-poland-is-becoming-increasingly-secure (accessed on 23 January 2025)
[11]Programme of the Polish Presidency of the Council of the European Union, January 1 – June 30, 2025. https://polish-presidency.consilium.europa.eu/media/zkcno325/programme-of-the-polish-presidency-of-the-council-of-the-european-union.pdf
[12]Grand, Camille. (7 March 2024) Opening shots: What to make of the European Defence Industrial Strategy. European Council on Foreign Relations. https://ecfr.eu/article/commissioning-defence-how-to-build-a-european-defence-union/ (accessed on 23 January 2025)
[13] Quis, Helena. (December 9, 2024), Poland’s EU Council Presidency: Just in Time? New Perspectives on Global and & European Dynamics. https://globaleurope.eu/europes-future/polands-eu-council-presidency-just-in-time/ (accessed on 23 January 2025)
[14]Grand, Camille. (7 March 2024) Opening shots: What to make of the European Defence Industrial Strategy. European Council on Foreign Relations. https://ecfr.eu/article/commissioning-defence-how-to-build-a-european-defence-union/ (accessed on 23 January 2025)
[15] Laurent, C., & Elodie Thevenin. Discursive Approaches to the Reception of Non-EU Migrants in Polish Official Political Discourse. Central and Eastern European Migration Review. Vol. 13, No. 1, 2024, pp. 69–88 doi: 10.54667/ceemr.2024.03. http://ceemr.uw.edu.pl/sites/default/files/Laurent_Thevenin_2024.pdf
[16]Foundation for European Progressive Studies. Migration in Poland: Transtion, Problems and Opportunities. Policy Brief, November 2023. https://feps-europe.eu/wp-content/uploads/2023/11/FEPS-POLICY-BRIEF-POLAND.pdf
[17]Pietrusińska, Marta Jadwiga. “People From the Forest”: Discourse About Migrants in the Narratives of NGO Workers and Activists Involved in the Humanitarian Crisis at the Polish-Belarusian Border. Sprawy Narodowościowe: Seria nowa, 2022(54), Article 2803. https://journals.ispan.edu.pl/index.php/sn/article/view/sn.2803/7805
[18]Programme of the Polish Presidecny of the Council of the European Union, January 1 – June 30, 2025. https://polish-presidency.consilium.europa.eu/media/zkcno325/programme-of-the-polish-presidency-of-the-council-of-the-european-union.pdf
[19]European Council of Refugees and Exiles. EU EASTERN BORDERS: Major increase in crossings in 2024 ― Polish presidency to focus on border security ― Polish government adopts controversial draft laws on migration and asylum ― Finland planning to extend controversial border law ― Slovak PM threatens to cut aid to Ukrainian refugees, 23 January 2025. https://ecre.org/eu-eastern-borders-major-increase-in-crossings-in-2024-%E2%80%95-polish-presidency-to-focus-on-on-border-security-%E2%80%95-polish-government-adopts-controversial-draft-laws-on-migration-and-asy/
[20] National Deterrence and Defence Programme – East Shield. Website of the Republic of Poland, 18.05.2024. https://www.gov.pl/web/primeminister/East-Shield (accessed on 23 January 2025)
[21] Panorama. Polonia synon avancimin e procesit te zgjerimit gjate kryesimit te BE, 1 janar 2025. https://www.panorama.com.al/polonia-synon-avancimin-e-procesit-te-zgjerimit-gjate-kryesimit-te-be-se/ (aksesuar më 23 janar 2025)
[22] Tirana Diplomat. Sikorski: Polonia, mbështetëse e vendosur e integrimit të Shqipërisë, 19.12.2024. https://www.tiranadiplomat.com/2024/12/19/sikorski-polonia-mbeshtetese-e-vendosur-e-integrimit-te-shqiperise/(aksesuar më 23 janar 2025)
[23] Olech, Aleksander (2024). Trump wins: what this means for Poland, NATO, and the world. Defence24.com. https://defence24.com/geopolitics/trump-wins-what-this-means-for-poland-nato-and-the-world (accessed on 23 January 2025)