Arkitektura politike e Bashkimit Europian në tranzicion: A qëndron ende e bashkuar Europa?

Arkitektura politike e Bashkimit Europian në tranzicion: A qëndron ende e bashkuar Europa?

Prej dekadash, Europa ka ndërtuar një projekt unik në histori, ku kombet me kultura, gjuhë, histori dhe tradita të ndryshme janë përpjekur të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët mbi themelet e paqes, demokracisë dhe solidaritetit. Por a qëndron ende e bashkuar kjo Europë sot?

Në pamje të parë, struktura e BE-së është më e integruar se kurrë më parë: një treg i përbashkët, një monedhë e përbashkët për shumicën e shteteve, lëvizja e lirë e qytetarëve dhe një platformë e përbashkët politike për vendimmarrje. Bashkimi Europian është ndoshta projekti më ambicioz politik në historinë moderne që synon të harmonizojë diversitetin kombëtar brenda një kuadri institucional të përbashkët. Megjithatë, sfidat e viteve të fundit – Brexit, kriza e migracionit, ngjitja e forcave nacionaliste, pandemia dhe lufta në Ukrainë – kanë vënë në provë kohezionin europian.


Pavarësisht dallimeve të thella kulturore apo politike mes vendeve, Europa ka treguar deri tani një lloj qëndrueshmërie. Kjo ndodh sepse, përtej identiteteve të ndryshme, ka një bërthamë të vlerave të përbashkëta që i mban bashkë shtetet anëtare: respekti për të drejtat e njeriut, shteti ligjor, demokracia, liria e fjalës dhe çështjet e barazisë.

Pyetjet rreth Bashkimit Europian nuk janë thjesht mbi çështje institucionale. Ato lidhen kryesisht me identitetin e qytetarëve. Të rinjtë sot ndihen vetëm italianë, francezë apo edhe europianë?

Megjithatë, rreziku i përçarjes ekziston nëse nuk ruhet ekuilibri midis identitetit kombëtar dhe solidaritetit europian, në të kundërt projekti europian mund të përballet me krizë legjitimiteti.


Krizat bashkëkohore si katalizatorë për ristrukturim politik


Bashkimi Europian ka evoluar nga një komunitet ekonomik drejt një ndërtese politike me kompetenca gjithnjë e më të zgjeruara. Traktati i Mastrihtit (1992) përfaqëson një pikë kulmore në këtë tranzicion, duke institucionalizuar Bashkimin Ekonomik dhe Monetar dhe krijuar elementë të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Megjithatë, mungesa e një "demosi" të unifikuar europian ka mbetur një pengesë thelbësore për një sovranitet të përbashkët (Habermas, 2012).

Ndërsa integrimi europian ka njohur suksese të padiskutueshme në fushën ekonomike dhe ligjore, sfidat politike të dekadës së fundit kanë vënë në pikëpyetje stabilitetin dhe efektshmërinë e arkitekturës institucionale të Bashkimit Europian. Siç theksojnë Zielonka (2006) dhe Schimmelfennig (2018), krizat e përsëritura kanë zbuluar tensionin midis universalizmit europian dhe partikularizmit kombëtar. Kësisoj rritja e partive euroskeptike rrit tensionin mes demokracisë kombëtare dhe integrimit supranacional, çka u bë veçanërisht e dukshme me referendumin për Brexit.


Nga ana tjetër dobësimi i marrëdhënieve Euro-Atlantike me rikthimin e Presidentit Trump në krye të SHBA-së, kërkon një ridimensionim të strukturave dhe zhvillimeve të mundshme. Tërheqja e Donald Trump-it nga Europa e parë gjeopolitikisht mund t'i atribuohet disa faktorëve të ndërlidhur, duke përfshirë një ndryshim në prioritetet e politikës së jashtme, një fokus në çështjet e brendshme dhe një dëshirë për të riformuar aleancat ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë Europa mund të shohë një intensifikim të sfidave të brendshme duke qënë se deri më tani ka qenë e varur nga SHBA-ja kryesisht sa i takon çështjeve të sigurisë.

A është Bashkimi Europian i aftë, a ka vullnetin dhe mjetet e nevojshme për t'iu përgjigjur çrregullimeve aktuale botërore?

Europa ka nevojë për një “kushtetutë të re sociale” që të lidhë qytetarët dhe institucionet përmes një kontrate të re politike. Diskursi për një “Europë me më shumë shpejtësi” (multi-speed Europe) apo “Europë me bërthama të shumta” (polycentric Europe) reflekton përpjekjet për të krijuar fleksibilitet institucional pa shkatërruar bazën e solidaritetit european.

Nëse Europa dëshiron të mbijetojë si një aktor politik unik, ajo duhet të kalojë nga një strukturë burokratike në një hapësirë demokratike transnacionale që respekton, por edhe tejkalon, kufijtë kombëtarë.


Arkitektura politike e BE-së po transformohet përballë populizmit, krizave ekonomike, migracioni masiv dhe dinamikave të reja gjeopolitike, ndaj dhe ndiehet nje tension i vazhdueshëm midis ruajtjes së identiteteve kombëtare dhe konsolidimit të një hapësire politike transnacionale.

Pra, a qëndron ende e bashkuar Europa? Përgjigjja është: po, por me sfida të mëdha përpara. Bashkimi Europian nuk është një bashkim perfekt, por është ndoshta përpjekja më e guximshme për të bashkuar identitete të ndryshme mbi një vizion të përbashkët. Nëse kjo përpjekje do të triumfojë, varet nga gatishmëria për dialog, kompromis dhe besimi në vlerat bashkojnë.


Siç citon edhe Tim Marshall (2019) tek “Të burgosur nga gjeografia”: “Për ata që nuk e kanë jetuar llogoren e luftrave dhe që sidomos tani në kohë krize pyesin se ç’përfitime sjell uniteti i Europës, përgjigjja pavarësisht periudhës apo vështirësive, është Paqja.”



Sindi Beqiri, maj 2025

*Sindi Beqiri ka përfunduar studimet e larta në Shkenca Politike pranë Universitetit të Tiranës dhe Master Shkencor në Studime Rajonale Politike po aty. Ajo operon si pedagoge e jashtme pranë Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës kryesisht e fokusuar në kurset e gjeopolitikës. Paralelisht angazhohet në projekte të shoqërisë civile me fokus çështjet e të rinjve dhe barazive gjinore. Fushat e saj të interesit janë politika e jashtme, teoria politike dhe çështjet e rajonit. 



Referencat


Schimmelfennig, Frank. (2018). European integration (theory) in times of crisis. A comparison of the euro and Schengen crises. Journal of European Public Policy. 25. 969-989. 10.1080/13501763.2017.1421252. 

Zielonka, J. (2006). Europe as Empire: The Nature of the Enlarged European Union. Oxford University Press.

Habermas, J. (2012). The crisis of the European Union: A response. Policy Press.

Marshall, T. (2019). Të burgosur nga gjeografia: Dhjetë harta që ju tregojnë gjithçka duhet të dini për politikën globale, fq-132.



1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk