Zgjedhjet parlamentare të BE-së dhe ndikimi në rritjen e populizmit

Zgjedhjet parlamentare të BE-së dhe ndikimi në rritjen e populizmit

Zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Europian kanë luajtur gjithmonë një rol vendimtar në formësimin e peisazhit politik, duke reflektuar preferencat e shteteve të ndryshme anëtare të tij. Rritja e populizmit vitet e fundit, ka qenë një ndodhi e dukshme, duke sfiduar rendin e vendosur politik. Teksa i afrohemi zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të BE-së, të cilat do të zhvillohen më 6-9 Qershor 2024, është e domosdoshme të shqyrtohet se si këto zgjedhje mund të ndikojnë në rritjen e populizmit dhe nëse partitë populiste do të fitojnë më shumë terren në politikat e BE-së.

Zgjedhjet parlamentare të BE dhe pse kanë rëndësi

Zgjedhjet parlamentare europiane që kurse janë zhvilluar për herë të parë në vitin 1979, mbahen çdo pesë vjet për të zgjedhur përfaqësuesit në Parlamentin Europian, dhe janë zgjedhjet më të mëdha transnacionale në botë, e gjithashtu e vetmja asamble transnacionale e zgjedhur drejtpërdrejtë. Këto zgjedhje u japin mundësi qytetarëve të BE-së të përzgjidhin përfaqësuesit që do të mbrojnë interesat e tyre në pesë vitet e ardhshme. Në vitin 2024 do të zgjidhen 720 anëtarë të Parlamentit Europian. Përfaqësuesit pasqyrojnë interesat e qytetarëve, kanë të drejtën të formojnë dhe të vendosin mbi legjislacionin e ri të BE-së, votojnë për marrëveshjet e reja tregtare, gjithashtu shqyrtojnë institucionet e BE-së dhe mënyrën se si shpenzohen paratë e taksapaguesve.

Në zgjedhjet më të fundit të mbajtura më maj 2019, pati një rritje të dukshme të pjesëmarrjes, duke kaluar mesatarisht 50% në të gjithë BE-në. Parlamenti zhvilloi një fushatë informimi, duke inkurajuar qytetarët europian të votonin.  

Thënë më thjeshtë, në zgjedhjet parlamentare të BE-së është e rëndësishme të ketë pjesëmarrje, sepse janë thelbësore për ruajtjen e parimeve demokratike, ndikimin në vendimet legjislative, sigurimin e llogaridhënies, formimin e politikave të BE-së, përcaktimin e lidershipit dhe promovimin e ndjenjës së unitetit midis shteteve të ndryshme anëtare.[1]

 

Quo vadis, rritja e populizmit në Europë?

Termi populizëm vjen nga fjala e vjetër latine "populus", që do të thotë "popull". Në ditët e sotme, populizmi nënkupton një stil të caktuar të politikës. Populizëm është kur liderët ose partitë politike pretendojnë se flasin për "njerëzit e thjeshtë" kundër një elite ose grupi të krijuar, shpesh duke premtuar zgjidhje të thjeshta dhe të shpejta për çështje komplekse. Megjithatë, termi është i gjerë dhe nuk ka një përkufizim të saktë ose uniform. Lëvizjet populiste mund të marrin forma të shumëllojshme dhe të fokusohen në çështje të ndryshme në varësi të kontekstit. Në rastin e populizmit të krahut të djathtë, reflekton ideologji të tjera shtesë, si nacionalizmin radikal dhe ksenofobinë.
Populistët i referohen "popullit" duke e konsideruar popullsinë si një njësi të vetme që nuk ka dallime brenda shoqërisë. Sipas këndvështrimit të tyre, ata e konsiderojnë veten si avokatët e vetëm të aftë për të adresuar nevojat e qytetarëve.

Populistët e portretizojnë qeverinë dhe median si të korruptuar dhe që nuk i kuptojnë njerëzit e rregullt. Ata flasin edhe për çështje delikate për të shtuar panik tek qytetarët duke shprehur mendime se grupe të caktuara njerëzish si ata me prejardhje të ndryshme, feministët, persona të komunitetit LGBTQIA+ ose emigrantë, janë një rrezik për të ardhmen e vendit. Madje ata pretendojnë se partitë politike dhe aktivistët e të drejtave të njeriut nuk janë besnikë ndaj vendit dhe janë kërcënim për kulturën kombëtare.
Gjatë viteve të fundit, rritja e populizmit në Bashkimin Europian mund t'i atribuohet një sërë faktorësh. Pasiguritë ekonomike të nxitura nga globalizimi dhe krizat financiare, kanë qenë ndër faktorët kryesore, gjithashtu kanë lënë shumicën e popullsisë të ndihen të lënë pas. Çështjet që lidhen me emigracionin dhe identitetin kombëtar janë bërë të spikatura, dhe u kanë dhënë mundësi liderëve populistë të kapitalizojnë mbi shqetësimet rreth integrimit kulturor dhe sovranitetit kombëtar.  

 

Konteksti historik i rasteve të mëparshme të populizmit në politikën e BE-së

Edhe pse populizmi nisi të shfaqej në Europë në mes të shekullit të 19-të, ai u bë i rëndësishëm vetëm gjatë shekullit 21. Sot, partitë populiste janë të pranishme në të 27 vendet anëtare të BE-së. Megjithëse, suksesi i tyre nuk është i njëjtë në të gjitha vendet, ato përsëri kanë një ndikim të rëndësishëm në disa parlamente kombëtare dhe në Parlamentin Europian.

Në vitin 2015, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar David Cameron, premtoi se do të rinegociote rolin e Mbretërisë së Bashkuar në BE dhe të linte shtetasit të votonin nëse donin të dilnin ose jo nga BE-ja. Gjatë fushatës së referendumit të Brexit, Partia e Pavarësisë kishte objektiv të ngjallte frikë dhe ndërtonte ndjenja negative për emigracionin dhe përgjithësisht fushata u fokusua më shumë në anët negative të anëtarësimit në BE dhe në faktin se elitat e BE-së po merrnin të gjitha vendimet. Në fund fushata populiste doli e sukseshme dhe njerëzit votuan të dilnin nga Bashkimi Europian.[2]

Hungaria nga ana tjetër, e udhëhequr nga partia populiste e krahut të djathtë Fidesz, nën kryeministrin Viktor Orban, ilustron një transformim të rëndësishëm nën sundimin populist brenda Bashkimit Europian.  Politikat e kësaj partie populiste dhe liderit karizmatik, fokusohet në euroskepticizëm, nxitjen e ksenofobisë dhe nxitjen e frikës ndaj emigracionit. Orban ka ristrukturuar shtetin për të penguar opozitën dhe ka dobësuar shtypin e lirë, ndërkohë që ka ngritur aleatët në pozicione kyçe të medias. Kjo ka çuar në një përkeqësim të parimeve themelore demokratike, duke e vendosur demokracinë hungareze në një gjendje kritike. [3]

Gjithashtu, zgjedhjet e fundit politike në Itali dhe Holandë kanë pasur suksese të jashtëzakonshme për partitë populiste të krahut të djathtë, duke theksuar fuqinë në rritje që këto parti kanë shfaqur në Europë vitet e fundit.

Për më tepër, pakënaqësia dhe natyra burokratike e institucioneve të BE-së ka kontribuar në rritjen e lëvizjeve populiste, pasi ato shpesh premtojnë të sfidojnë status quo-në dhe t'ia kthejnë pushtetin njerëzve. Rritja e mediave sociale ka luajtur gjithashtu një rol, duke ofruar një platformë për mesazhet populiste për të arritur një audiencë më të gjerë dhe duke lehtësuar mobilizimin e individëve me të njëjtin mendim. Ndërveprimi kompleks i faktorëve ekonomikë, socialë dhe politikë ka krijuar terren të përshtatshëm për ngritjen e lëvizjeve populiste brenda BE-së, duke sfiduar normat e vendosura politike dhe duke riformuar peizazhin politik.

 

Si do të ndikoj rritja e populizmit në zgjedhjet e Parlamentit Europian 2024?

Në zgjedhjet e Parlamentit Europian 2024, pritet që shumë parti të djathëta radikale populiste të fitojnë vota në të gjithë BE-në, dhe partitë e qendrës së majtë dhe të gjelbra të humbasin vota dhe vende në parlament. Brenda Parlamentit Europian, për herë të parë mund të fitoj me një shumicë koalicioni i djathtë populist i kristian-demokratëve, konservatorëve dhe deputetëve të së djathtës radikale.

Sipas artikullit të shkruar nga Kevin Cunningham, Susie Dennison, Simon Hix dhe Imogen Learmonth, kjo 'kthesë e mprehtë djathtas' ka mundësi të ketë pasoja të rëndësishme për politikat e nivelit europian.

Gjatë gjithë 2023, e djathta ekstremiste sidoqoftë luajti një rol të madh në formimin e politikave, rezultatet e zgjedhjeve të partisë së Geert Wilders, apo mbështetja për projekt-ligjin e imigracionit të Francës në dhjetor.

Sipas artikullit dhe sondazhit, është parashikuar se si zgjedhjet e këtij viti mund shkojnë. Rezultatet tregojnë se dy partitë kryesore politike në Parlamentin Europian, Partia Popullore Europiane (EPP) dhe Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) do të vazhdojnë të humbasin vota siç ka ndodhur dhe me dy zgjedhjet e fundit. Kjo pasqyron rënien afatgjatë të mbështetjes për partitë kryesore dhe mbështetjen në rritje për partitë ekstremiste dhe më të vogla në të gjithë Europën, e cila po rezulton në një fragmentim në rritje të sistemeve partiake europiane.[4]

Sondazhi sugjeron fitime të mëdha për fraksionin e ekstremit të djathtë Identiteti dhe Demokracia, i cili mund të fitojë 40 vende për një total prej 98, duke u bërë grupi i tretë më i madh i Parlamentit Evropian. Grupi i krahut të djathtë të Konservatorëve dhe Reformistëve Europianë (ECR) pritet gjithashtu të ketë këto rezultate. Pavarësisht këtyre parashikimeve, sondazhi sugjeron që forcat aktuale pro-europiane të Partisë Popullore Europiane (EPP), Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) dhe partia Renew Europe mund të krijojnë ende një shumicë.

Një rritje e krahut të djathtë në Parlamentin Europian mund të pengojë politikat e gjelbra, të ndikojë në punët e jashtme dhe të rrisë përfaqësimin pro-rus.

 

Parashikimet e zgjedhjeve parlamentare 2024

Në Parlamentin Europian ka 705 vende dhe EPP dhe S&D janë aktualisht grupet më të mëdha politike. Sondazhet e zhvilluara së fundi në prill 2024, lënë të kuptohet për një kthesë të qartë nga të djathtët. Të dhënat e fundit nga sondazhet e bëra kanë parashikuar që fitoret kryesore në zgjedhjet e vitit 2024 do të arrihen nga grupet e djathta populiste dhe euroskeptike, grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR) dhe Identiteti dhe Demokracia (I&D). Gjithashtu nga statistikat e POLITICO-s,[5] Partia Popullore Europiane, e udhëhequr nga presidentja aktuale e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pritet të mbetet partia më e madhe në parlament, megjithëse me një rënie në numrin e vendeve të fituara në krahasim me vitin 2019. Partitë e tjera të cilat priten që do të humbasin vende përfshijnë grupin e qendrës së majtë socialistë dhe demokratë (S&D), grupin liberal-centrist Renew Europe dhe grupin e majtë mjedisor.

Fitorja kryesore në zgjedhjet e vitit 2024 parashikohet të vijë nga grupet e djathta populiste dhe euroskeptike, grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR) dhe Identiteti dhe Demokracia (I&D). Dy grupet parashikohet të fitojnë 184 nga 720 të parlamentit, megjithëse kjo mund të nënvlerësojë bllokun e krahut të djathtë në parlament. Si ECR ashtu edhe I&D janë vendosur të përfitojnë nga pakënaqësia me qeveritë anembanë kontinentit, pasi shumë vende europiane kanë luftuar me krizat e kostos së jetesës të shkaktuar nga rritja e inflacionit fill pas pandemisë dhe pushtimit rus të Ukrainës. Partitë në këto grupe kanë fajësuar politikat migratore, mjedisore dhe të jashtme të BE-së dhe qeverive të shteteve anëtare për rënien e standardeve të jetesës së shumë europianëve.

Grupet populiste dhe euroskeptike parashikohet të shohin fitime të konsiderueshme në zgjedhjet e 2024, veçanërisht në shtete të mëdha si Gjermania, Franca, Italia dhe Polonia, megjithëse ekzistojnë përjashtime si Spanja dhe Rumania, ku grupet e krahut të djathtë pritet të marrin më pak vende. Vendet më të vogla si Çekia gjithashtu parashikohet të devijojnë nga kjo prirje.

 

Si përfundim, me afrimin e zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare europiane, shfaqja e një rritjeje të populizmit në Parlament paraqet sfida të shumëanshme me pasoja të mëdha. Përveç ndikimit në politikat e gjelbra, të cilat mund të përballen me pengesa ose kthim prapa në ecurinë e tyre, ndikimi shtrihet dhe në sferën e punëve të jashtme. Një prani e shtuar e krahut të djathtë mund të riformësojë prioritetet dhe rreshtimet diplomatike, duke ndryshuar potencialisht dinamikën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Për më tepër, rritja e populizmit mund të kontribuojë në një rritje të përfaqësimit pro-rus, duke sjellë një ndryshim të nuancuar në qëndrimet gjeopolitike. Teksa, këto forca të krahut të djathtë fitojnë rëndësi, bëhet e domosdoshme të monitorohet nga afër ndikimi i tyre në aspekte të ndryshme të qeverisjes dhe politikëbërjes, duke njohur ndërveprimin e ndërlikuar të dinamikave të brendshme dhe globale.                                                                                            

Ana Çoba, qershor 2024 


*Ana Çoba ka përfunduar studimet e nivelit Bachelor në Shkenca Politike pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës. Aktualisht ajo po kyen studimet në nivelin Master në Universitetin Europian të Tiranës për degën Shkenca Politike me profil në Menaxhim dhe Vlerësim Projektesh. Ana ka kryer dy praktika pune në Mane TCI dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ana është e pajisur me çertifikata për Bazat e Marketingut Dixhital nga Google Digital Garage, dhe zotëron certifikatë për leadershipin, komunikimin në publik dhe ndryshimin nga Albanian University. Ajo flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe ka njohuri të gjuhës frënge.

 

 

Referenca

Cunningham, Kevin; Susi DennisonSimon Hix & Imogen Learmonth. (2024). A sharp right turn: A forecast for the 2024 European Parliament elections. European Council on Foreign Elections. https://ecfr.eu/publication/a-sharp-right-turn-a-forecast-for-the-2024-european-parliament-elections/

Iakhnis, E., Rathbun, B., Reifler, J., & Scotto, T. J. (2018). Populist referendum: Was ‘Brexit’ an expression of nativist and anti-elitist sentiment? Research & Politics, 5(2). https://doi.org/10.1177/2053168018773964

Mackenzie, Lucia and Giovanna Coi. (January 26, 2024). Your guide to the 2024 European election in 9 charts. Politico. https://www.politico.eu/article/guide-june-2024-european-union-parliament-meps-poll-of-polls-election-9-charts/

Otto, Franziska. (May 20, 2022). What is populism: definition, characteristics, examples. Civil Liberties Union for Europe. Retrieved from https://www.liberties.eu/en/stories/populism/44261

 

Faqe Interneti

https://www.europarl.europa.eu/at-your-service/en/be-heard/elections

https://elections.europa.eu/en/easy-to-read/   

https://elections.europa.eu/en/how-elections-work/

https://parlgov.org/about/

https://popu-list.org/

https://www.pewresearch.org/short-reads/2022/10/06/populists-in-europe-especially-those-on-the-right-have-increased-their-vote-shares-in-recent-elections/

https://www.politico.eu/article/rise-of-the-far-right-keeps-eu-lawmakers-up-at-night/

 

 



[2]Iakhnis, E., Rathbun, B., Reifler, J., & Scotto, T. J. (2018). Populist referendum: Was ‘Brexit’ an expression of nativist and anti-elitist sentiment? Research & Politics, 5(2). https://doi.org/10.1177/2053168018773964

[3]Otto, Franziska. (May 20, 2022). What is populism: definition, characteristics, examples. Civil Liberties Union for Europe. Retrieved from https://www.liberties.eu/en/stories/populism/44261

[4]Cunningham, Kevin;Susi DennisonSimon Hix & Imogen Learmonth. (2024). A sharp right turn: A forecast for the 2024 European Parliament elections. European Council on Foreign Elections. https://ecfr.eu/publication/a-sharp-right-turn-a-forecast-for-the-2024-european-parliament-elections/

[5]Mackenzie, Lucia and Giovanna Coi. (January 26, 2024). Your guide to the 2024 European election in 9 charts. Politico. https://www.politico.eu/article/guide-june-2024-european-union-parliament-meps-poll-of-polls-election-9-charts/

 



1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk