Shqipëria është një vend për të cilin historia ka treguar se ndryshimet më kryesore që kanë pasur ndikim të rëndësishëm në politikëbërjen apo mirëqeverisjen e vendit kanë ardhur nga rinia e bashkuar dhe e motivuar. E kundërta po ndodh sot, ndoshta për faktin e papunësisë dhe migrimi në vendet e ndryshme të Bashkimit Europian ka bërë të mundur reduktimin e numrit të të rinjve në vendin tonë, dhe ndër të tjera uljen e nivelit të pjesëmarrjes politike. Politika kryesore për formësimin dhe integrimin e rinisë është kontributi, investimi në arsim sipas modeleve bashkëkohore europiane. Pra, rrjedhimisht duke arritur përgatitjen e kësaj rinie në nivel qytetarie europiane dhe më e rëndësishme shërbim cilësor ndaj kombit e shoqërisë shqiptare. Lidhur me pjesëmarrjen politike në nivel lokal, sipas një raporti të kryer nga Youth Balkan Hub mbi pjesëmarrjen politike, sociale dhe ekonomike të të rinjve në Shqipëri, numri i të rinjve në pozicionet drejtuese është i ulët.1
Prandaj, vetëm duke integruar të rinjtë si prioritet në fusha të ndryshme të politikave, mund të sigurohet që të merren parasysh nevojat ose efektet specifike për të rinjtë në politikat ose programet e parashikuara. Për më tepër, integrimi i të rinjve mund të jetë efektiv vetëm kur garanton gjithashtu një fjalë për të rinjtë në të gjitha fushat e mundshme të politikave që i prekin ata, ashut siç përcaktohet në Strategjinë e Bashkimit Europian për Rininë 2019-2027.2Në këtë kontekst, politikat europiane luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e rinisë shqiptare dhe në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Një nga politikat europiane që ka ndikim në jetën e të rinjve shqiptarë është politika e rinisë së Bashkimit Europian, që synon të mbështesë rininë në zhvillimin e tyre personal dhe profesional, si dhe të promovojë pjesëmarrjen e tyre në shoqëri.
Strategjia e BE-së për Rininë
Rinia europiane përbën një pjesë të rëndësishme të popullsisë së kontinentit tonë. Ata përfaqësojnë të ardhmen e Europës dhe roli i tyre në zhvillimin e shoqërisë është vendimtar. Krahasuar me rininë shqiptare, rinia europiane ndër të tjera ka akses në teknologji të reja që mund t’i ndihmojnë të zhvillojnë ide dhe projekte inovative. Qeveritë dhe institucionet e këtyre vendeve janë munduar të sigurojnë mundësi të barabarta për të gjithë, pavarësisht prejardhjes ose situatës ekonomike. Këtë e kanë arritur përmes programeve të edukimit dhe trajnimit, si dhe përmes sipërmarrjes dhe inovacionit.
Strategjia e BE-së për të rinjtë 2019-2027 është një plan veprim që synon të mbështesë dhe të fuqizojë të rinjtë në Europë. Kjo strategji përfshin një sërë masash dhe iniciativash që kanë për qëllim të përmirësojnë jetën e të rinjve dhe të promovojnë pjesëmarrjen e tyre në shoqëri. Më konkretisht mbështet pjesëmarrjen e të rinjve në jetën demokratike dhe synon të sigurojë që të gjithë të rinjtë të marrin pjesë në shoqëri. Dialogu i të rinjve në BE është mjeti qendror në këto përpjekje.3Objektivat rinore janë rezultat i procesit të Dialogut Rinor dhe përfaqësojnë pikëpamjet e të rinjve nga e gjithë Europa edhe janë pjesë e Strategjisë Rinore të BE-së, të cilat përfshijnë: lidhjen e BE-së me rininë; barazinë gjinore; shoqëritë gjithëpërfshirëse; informacion dhe dialog konstruktiv; shëndeti dhe mirëqenia mendore; punësim cilësor për të gjithë; mësim cilësor; hapësirë dhe pjesëmarrje për të gjithë; Europa e gjelbër dhe qëndrueshme; organizatat rinore dhe programet europiane.
Gjithashtu “Strategjia e BE-së për Rininë” përqendrohet në tri fusha thelbësore të veprimit të cilat bazohen në tri fjalë kyçe: angazhim, ndërlidhje, fuqizim ndërkohë që punohet në zbatimin e përbashkët nëpër sektorë të ndryshëm.4
Krahas kësaj e rëndësishme është informimi i të rinjve. Në këtë kuadër është miratuar “Karta europiane e informacionit për të rinjtë” në Cascais, Portugali, më 27 prill 2018 nga Asambleja e Përgjithshme e 29-të e Agjencisë Europiane të Informacionit dhe Këshillimit për Rininë (ERYICA). Puna informuese për të rinjtë shkon përtej thjeshtë informimit, duke përfshirë këshillimin, mbështetjen, trajnimet dhe rrjetëzimin, me qëllim fuqizimin e tyre për të marrë vendime të informuara dhe për t’u angazhuar aktivisht në shoqëri. Këto shërbime, të ofruara nga qendrat rinore apo struktura të tjera, janë kyçe për zhvillimin personal dhe social të të rinjve, duke i lidhur me mundësi dhe mbështetje të specializuara.5
Kuadri ligjor kombëtar
Sipas studimeve që janë bërë, të rinjtë shqiptarë kanë një preceptim pozitiv kundrejt Bashkimit Europian dhe besojnë se anëtarësimi do të sjellë përfitime ekonomike dhe politike. Megjithatë, ka dhe mendime jo pozitive që kanë të bëjnë kryesisht me shqetësimin kryesor për humbjen e identitetit kulturor dhe ndikimin e politikave europiane në vendimmarrjen e vendit.
Gjithsesi, shteti shqiptar ka ndërmarrë nisma të caktuara ligjore si për shembull miratimin e ligjit nr. 75/2019 “Për Rininë”, objektivi i të cilit është: “mbrojtja e të drejtave të të rinjve në mënyrë gjithëpërfshirëse, krijimi i kushteve të nevojshme për aktivizimin, pjesëmarrjen dhe mbështetjen e të rinjve, përcaktimi i funksioneve dhe kompetencave të institucioneve në nivel qendror dhe vendor, si dhe bashkëpunimi me organizatat që ushtrojnë veprimtari në fushën e rinisë”.6
Krahas ndryshimeve ligjore janë hartuar dhe politika dhe strategji në nivel kombëtar për rininë. Pëkatësisht “Strategjia Kombëtare e Rinisë dhe Plani i Veprimit 2022-2029”, ku politika përpjekjet programuese përqendrohen në sigurimin e barazisë së mundësive dhe të drejtave, mbështetjes dhe angazhimit për të rejat dhe të rinjtë që janë më të prekshëm, të margjinalizuar dhe më të goditur nga mungesat e shumta, të tilla si varfëria, dhuna, keqtrajtimi paaftësia dhe përjashtimi social.7
Pavarësisht kësaj, problemet aktuale janë të theksuara për sa i përket mungesës së mundësive të tregut të punës dhe kalimi nga diplomimi në treg ka shumë pengesa edhe mos funksionim të duhur të zyrave të karrierës për këshillim apo orientim të të rinjve. Problem i cili ka të bëjë dhe me zhvillimin jo të duhur të klimës së biznesit po ashtu dhe nga mungesa e rakordimit të nevojave të tregut me arsimimin në nivel kombëtar. Gjithashtu, shumica e të rinjve gjithnjë e në rritje po zgjedhin të migrojnë në shtete të ndryshme. Kështu që investimi në kapitalin rinor është faktor i rëndësishëm për të garantuar suksesin e nismave ndër-rajonale dhe politikave të kohezionit.
Çfarë veprimesh duhen ndërmarrë për të adresuar këto problematika apo për t’i dhënë zgjidhje?
Adresimi i problematikave të të rinjve shqiptarë është një çështje shumë e rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë. Për të adresuar këto problematika, është e nevojshme të zhvillohen politika dhe programe që mbështesin rininë shqiptare. Referuar broshurës informative “Lëvizshmëria e të rinjve në Europë” citohet që “format e lëvizshmërisë të cilat janë të natyrave të ndryshme, si për shembull vullnetarizmi, pjesëmarrja në trajnime, seminare, shkëmbime eksperiencash si student ose praktikant etj, ku në varësi të interesit, kohës gjithsecili të bëjë zgjidhjen oportune dhe të bëhet pjesë e network-ut që dëshiron.”9 Prandaj, konsiderohet me vlerë që rinia shqiptare të marrë pjesë aktivisht, jo thjesht tokenizëm, në proceset vendimmarrëse dhe në zhvillimin e politikave që ndikojnë tek ata. Përfshirë pjesëmarrjen në organizatat e shoqërisë civile e organizata rinore, dhe në iniciativat që promovojnë të drejtat dhe interesat e tyre. Për rrjedhojë, duhen zhvilluar dialogje dhe konsultime të rregullta me të rinjtë shqiptarë për të kuptuar nevojat dhe aspiratat e tyre. Megjithatë, shumë të rinj shqiptarë nuk kanë mundësi të gjejnë punë ose janë të detyruar të punojnë në kushte të vështira dhe me paga të ulëta. Kështu që është e nevojshme të zhvillohen politika që mbështesin krijimin e vendeve të punës dhe nxitin sipërmarrjen tek të rinjtë.
Arrijmë në përfundimin se të rinjtë shqiptarë dhe ata europianë ndajnë dëshirën e përbashkët për të sjellë ndryshime pozitive në shoqëri. Megjithatë, ekzistojnë dallime të rëndësishme midis tyre. Rinia shqiptare përballet me sfida specifike, si papunësia, migrimi dhe mungesa e mundësive ekonomike, që e kufizojnë pjesëmarrjen e tyre aktive. Ndërkohë, të rinjtë europianë kanë më shumë mundësi për të udhëtuar, studiuar dhe punuar jashtë vendit, duke i bërë më të integruar në arenën ndërkombëtare. Sidoqoftë, këto dallime nuk pengojnë një shkëmbim të vlefshëm: rinia shqiptare mund të përfitojë nga përvoja dhe mundësitë që kanë bashkëmoshatarët europianë, ndërsa rinia europiane mund të frymëzohet nga pasioni dhe vendosmëria e rinisë shqiptare.
Hate Laçi, maj 2025
*Hate Laçi ka mbaruar studimet e nivelit Bachelor për Drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, me rezultate të shkëlqyera dhe më pas ciklin e dytë të studimeve Master i Shkencave në të Drejtë Penale, me medalje argjendi si studente e shkëlqyer, në po të njëjtin fakultet. Gjithashtu gëzon titullin “Avokate”, ku në këtë kuadër ka punuar si juriste e departamentit ligjor në një kompani private ndërtimi. Më herët, ka qenë e punësuar në dy studio ligjore të ndryshme si asistente avokate, duke përfshirë deyra të ndryshme ligjore në shërbim të avokatëve dhe klientëve, punë e cila i ka shërbyer të prek nga afër jurisprudencën dhe praktikën se si funksionon ligji në shoqërinë tonë. Gjatë studimeve ka marrë pjesë në shumë trajnime kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe organizata të ndryshme, lidhur me fushën e së drejtës dhe diplomacinë nga ku ka marrë disa certifikime.
1Siç citohet në Peci, Dafina. Dokument Pune “Sfidat dhe mundësitë për rritjen e angazhimit të të rinjve në procesin e integrimit në BE në Shqipëri”, Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, qershor 2019. https://www.connectwitheu.al/wp-content/uploads/bsk-pdf-manager/2020/05/Sfidat-dhe-mund%C3%ABsit%C3%AB-p%C3%ABr-rritjen-e-angazhimit-t%C3%AB-t%C3%AB-rinjve-n%C3%AB-procesin-e-integrimit-n%C3%AB-BE-n%C3%AB-Shqip%C3%ABri_2019.pdf
2Për më tepër shih https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=OJ:C:2018:456:FULL.
3https://www.eeas.europa.eu/eeas/fillon-viti-evropian-i-rinis%C3%AB_sq
4 https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=legissum:4617911
5https://static1.squarespace.com/static/63e63a0eebdc006803f20644/t/640a3140262b8e22863c1c04/1678389570380/A4_EYIC_Albanian.pdf
6Ligji nr. 75/2019 “Për Rininë” i ndryshuar. https://riniafemijet.gov.al/wp-content/uploads/2022/07/Ligji-Nr.75.Date-4.11.2019-Per-Rinine.pdf
7Strategjia Kombëtare e Rinisë dhe Plani i Veprimit 2022-2029. https://riniafemijet.gov.al/wp-content/uploads/2023/03/Strategjia-Kombetare-e-Rinise-2022-2029-1.pdf
8https://ata.gov.al/2022/12/10/perfshirja-e-te-rinjve-ne-programet-evropiane/
9Për më tepër shih: https://em-al.org/ëp-content/uploads/2015/12/Te-rinjte-ne-europe-3Broshura.pdf.