Kontribuo në ES


LLOJET E ARTIKUJVE

Revista “EuroSpeak” do të botojë në gjuhën shqipe artikuj analitikë të cilët trajtojnë një sërë zhvillimesh dhe çështjesh të lidhura me politikat e BE-së, procesin e zgjerimit dhe zhvillimet në BE dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Artikujt do të përfshihen në njërën nga fushat tematike të EuroSpeak:

  1. Në Fokus – analizim i zhvillimeve më të fundit nga BE dhe vendet Anëtare
  2. Në pritje të zgjerimit- artikuj mbi rajonin dhe procesin e integrimit europian;
  3. Profil- zhvillim intervistash dhe realizim të profileve të aktorëve kyç shqiptarë dhe europianë;
  4. Sociale dhe Ekonomia – çështje dhe zhvillime në BE apo rajon të fushave sociale si punësimi, papunësia, edukimi, të rinjtë, migracioni, barazia gjinor, klima dhe mjedisi, rritja ekonomike, etj.;
  5. Speciale – analiza të ngjarjeve më të diskutuara dhe më të rëndësishme që formësojnë Europën dhe përcaktojnë të ardhmen ;
  6. Opinion dhe Intervista – Op-Ed dhe intervista me aktorë dhe ekspertë shqiptarë dhe europianë mbi integrimin, zgjerimin, negociatat etj.

Autorëve u këshillohet që të përshtatin artikullin e tyre me një nga kategoritë e mësipërme. Një artikull mund të mbulojë dy ose më shumë fusha, në këto raste Kryeredaktorja do të vendosë se në cilën shtyllë të revistës do të botohet artikulli.

KRITERET QË DUHET TË PËRMBUSHIN AUTORËT

EuroSpeak synon tu ofrojë mundësinë të gjithëve të marrin pjesë e të kontribuojnë me artikuj dhe analizat e tyre. Ndaj nuk ka kërkesa të rrepta për autorët, për aq kohë sa përmbushen kërkesat e cilësisë së Artikujve. Secili autor/e që paraqet një artikull duhet të dërgojë një biografi të shkurtër në gjuhën shqipe prej 150-200 fjalësh që përshkruan formimin e tij/saj akademik dhe profesional.

PËRGJEGJËSIA E AUTORËVE

Autorët mbajnë përgjegjësi për artikujt që paraqiten prej tyre. Në mënyrë të veçantë është përgjegjësi e Autorit/es për të siguruar dhe garantuar që:

  • Punimi i dorëzuar është origjinal
  • Artikulli i paraqitur nuk përmban informacion ofendues apo denigrues, nuk shkel të drejtën e autorit apo të drejta të tjera, nuk shkel të drejtën e privatësisë apo është i paligjshëm në ndonjë mënyrë tjetër.
  • Në rast se ka më shumë se një autor/e, duhet të përmendet emri i tyre dhe autori/ja që dorëzon artikullin duhet të marrë leje për botim.
  • Artikulli nuk është botuar më parë në një media online apo të shkruar.
KËRKESAT E CILËSISË

Çdo artikull do të shqyrtohet nga Kryeredaktorja dhe Bordi i Redaktorëve, të cilët kanë vendimin përfundimtar për miratimin e artikujve të dorëzuar.

ORIGJINALITETI

Nuk do të pranohet asnjë artikull nëse nuk është punim origjinal i autorit/es, nëse është botuar më parë ose është aktualisht duke u shqyrtuar për botim diku tjetër.

KRITERET PËR SHKRIMIN E ARTIKULLIT

  • Gjatësia - Artikujt duhet të përmbajnë nga 500 - 2 000 fjalë
  • Gjuha - Artikujt do të publikohen vetëm në gjuhën shqipe. Gjuha e përdorur duhet të jetë gjuha shqipe standarde.
  • Struktura - Artikujt duhet të përmbajnë së paku paragrafët e mëposhtëm: Titulli i cili duhet të jetë konciz dhe informativ dhe nuk duhet të përmbajë ndonjë shkurtim; Abstrakti, maks. 100 fjalë që përshkruan qartë temën; Hyrja; Pjesa analitike që përmban analizën e temës; Përfundimet dhe rekomandimet.
  • Referencat dhe Shënimet - Referencat dhe shënimet duhet të vendosen në formën e një futnote në fund të secilës faqe sipas formatit të citimit APA.
PËRDORIMI I INTELIGJENCËS ARTIFICIALE (IA)

Përdorimi i mjeteve të Inteligjencës Artificiale (IA) (p.sh. për përmirësim gjuhësor, përkthim apo mbështetje paraprake kërkimore) lejohet.

Megjithatë, autorët duhet të sigurojnë që:

  • IA duhet të përdoret vetëm si instrument mbështetës dhe jo si zëvendësim i analizës origjinale, mendimit kritik apo autorësisë. Artikujt që janë kryesisht ose plotësisht të gjeneruar nga AI nuk do të merren në konsideratë.
  • Çdo përdorim i mjeteve IA duhet të deklarohet qartë në publikim (p.sh. në një shënim në fund të faqes ose në seksionin e falenderimeve), duke specifikuar qëllimin e përdorimit të tyre.
  • Autorët/et mbajnë përgjegjësi të plotë për saktësinë, origjinalitetin dhe integritetin e përmbajtjes, përfshirë çdo tekst të prodhuar ose të asistuar nga IA.
  • Të gjitha burimet, përfshirë ato të identifikuara apo të sugjeruara përmes IA, duhet të verifikohen dhe citohen në përputhje me standardet e referencave të revistës.

Mosrespektimi i këtyre parimeve mund të çojë në refuzimin e artikullit.

PROCEDURA E PËRZGJEDHJES

Procedura e përzgjedhjes së Artikujve udhëhiqet nga parimet e cilësisë, paanshmërisë, risisë dhe shqyrtimit të thelluar. Artikujt e paraqitur do të kalojnë dy faza shqyrtimi. Faza e parë është shqyrtimi paraprak i Kryeredaktores dhe faza e dytë është shqyrtimi përfundimtar nga Bordi i Redaktorëve, i cili do të japë miratimin për botimin.

!Artikujt që nuk konsiderohen origjinalë, kanë gabime serioze, kanë gramatikë ose gjuhë të dobët ose janë jashtë tematikave dhe fushave të revistës, do të refuzohen në fazën paraprake, nëpërmjet një njoftimi me shkrim të dërguar me e-mail tek autori i dorëzimit.!

Artikujt që plotësojnë kriteret minimale i kalojnë Bordit të Redaktorëve për shqyrtimin përfundimtar. Kryeredaktorja mund t'i kërkojë autorëve të shqyrtojnë dhe të redaktojnë artikujt e tyre.

E DREJTA E AUTORIT

utori duhet të jetë pronar i së drejtës së autorit. Me nënshkrimin e një Marrëveshjeje, autori do të transferojë dhe caktojë të drejtat e autorit në Revistën Online EuroSpeak. Kjo i jep Revistës Online EuroSpeak të drejtën dhe përgjegjësinë e vetme për të botuar Artikullin, duke përfshirë të drejtat e shpërndarjes së Artikullit në formë të shtypur, në internet, në CD-ROM ose në formate të tjera mediatike.

Transferimi i së drejtës së autorit në Revistën Online EuroSpeak nuk do të thotë se Autori/ja i humb këto të drejta. Autori/ja gjithashtu do të mbajë të drejtat e tij / saj dhe në veçanti të drejtat e mëposhtme:

  • Të drejtat e patentave dhe markave tregtare
  • E drejta për t'u identifikuar si Autori/ja
  • E drejta për të përfshirë përmbajtjen e Artikullit në veprat e tjera të Autorit/es.
TARIFAT

Artikujt e botuar në Revistën Online EuroSpeak do të jenë pa pagesë për autorët dhe do të jenë të aksesueshme për publikun në faqen online të Revistës EuroSpeak: www.eurospeak.al.

SHPËRBLIMI

Revista Online EuroSpeak do t'u sigurojë autorëve një shpërblim financiar për artikujt e miratuar që do të botohen. Shpërblimi financiar do të vlerësohet në përputhje me cilësinë e artikullit dhe ekspertizën profesionale të Autorit.

DËRGIMI I ARTIKUJVE

Autorët e interesuar duhet të dërgojnë draftin elektronik të artikujve të tyre në adresën e e-mailit të revistës: info@em-al.org

Të gjitha komunikimet midis autorëve dhe redaksisë së revistës në lidhje me artikullin, ndryshimet, rishikimet etj., do të bëhen me shkrim përmes e-mailit.

UDHËZUESI I AUTORËVE PËR KONTRIBUT ME ARTIKUJ NË REVISTËN ONLINE EUROSPEAK

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues
European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk