Presidenca e Këshillit të Bashkimit Europian përfaqëson një instrument politik që siguron vazhdimësinë dhe koherencën institucionale dhe politike, duke i mundësuar çdo shteti anëtar drejtimin e agjendës dhe veprimtarisë së BE-së, të ndërmjetësojë interesat shpesh divergjente mes shteteve anëtare e të testojë aftësinë e tyre si aktorë konsensualë, edhe pse për një periudhë të shkurtër kohore. Në praktikë, ky rol materializohet përmes drejtimit të mbledhjeve të Këshillit, koordinimit të punës ndërinstitucionale dhe përgatitjes së procesit vendimmarrës. Megjithatë, pesha reale e presidencës varet më pak nga kompetencat formale dhe më shumë nga aftësia politike për të menaxhuar krizat, për të ndërtuar kompromise dhe për të ruajtur ekuilibrin mes interesave kombëtare dhe objektivave të përbashkëta të BE-së.Reformat e sjella nga Traktati i Lisbonës e kanë konsoliduar këtë logjikë, duke e zhvendosur presidencën nga një rol individual drejt një qasjeje më të koordinuar dhe afatmesme, përmes sistemit të presidencave të përbashkëta.Thënë këtë, grupimi aktual përfshin Poloninë, Danimarkën dhe Qipron, kjo e fundit e filloi veprimtarinë e saj më 1 janar 2026.[1]
Në këtë kuadër, ky artikull artikulli ndalet te presidenca aktuale e Qipros, duke shqyrtuar se në çfarë mase ajo mund të shfrytëzojë hapësirat institucionale për të ndikuar në agjendën e BE-së, në një periudhë të karakterizuar nga fragmentim politik dhe presione të shtuara gjeostrategjike.
Nga 2012 deri më 2026: Konsolidimi i pozitave të Qipros
Rrugëtimi i Republikës së Qipros drejt Bashkimit Europian ka qenë i gjatë, i ngjashëm në shumë aspekte me përvojën e shteteve kandidate të sotme. Megjithatë, bashkëpunimi i hershëm me BE (KEE para Traktatit të Maastricht-it 1993) dhe marrëveshjet e nënshkruara ndër vite, krijuan bazat për konsolidimin institucional dhe ekonomik të vendit. Anëtarësimi në BE në vitin 2004 dhe hyrja në Eurozonë në vitin 2008 shënuan një zhvendosje të Qipros drejt një roli më aktiv brenda rajonit..[2] Edhe pse një vend i vogël në pikëpamje demografike dhe territoriale, pozicioni strategjik që zotëron në Detin Mesdhe, e ka ndihmuar Qipron të rritet gradualisht e të konsolidojë pozitën e saj në arenën ndërkombëtare. Duke pasur parasysh të gjitha pikat e përmendura më sipër, këtij shteti të vogël ishullor nuk i mungon eksperienca e të qenurit në një funksion zyrtar. Kjo është reflektuar edhe në përvojën e saj institucionale brenda BE-së, veçanërisht gjatë presidencës së parë të Këshillit në vitin 2012. Ky mandat u zhvillua në një periudhë të tensionuar, të dominuar nga kriza e Eurozonës dhe sfida të ndjeshme politike, përfshirë marrëdhëniet me Turqinë dhe çështjen e pazgjidhur të ndarjes së ishullit. Ironikisht, presidenca u ushtrua në një moment kur vetë Qiproja po përballej me dobësi të thella strukturore në sektorin bankar, duke e vendosur vendin në një pozitë të dyfishtë: si menaxhuese e krizës europiane dhe njëkohësisht si subjekt i saj.
Për t’i dhënë një zgjidhje sa më të shpejtë krizës së Eurozonës e jo vetëm, në axhendën e presidencës së asaj kohe u vendosën 4 prioritete kryesore: një Europë më efikase dhe e qëndrueshme; një Europë me një ekonomi më konkurruese dhe të bazuar në rritje; një Europë më pranë qytetarëve të saj e bazuar në solidaritet dhe kohezion social; si dhe një Europë aktive në botë, më afër fqinjëve të saj.[3] Katërmbëdhjetë vjet më vonë, rikthimi i Qipros në presidencën e Këshillit ndodh në një kontekst ku krizat aktuale nuk janë më të izoluara apo kryesisht ekonomike, por të ndërthurura gjeopolitikisht, duke përfshirë konflikte të armatosura, pasiguri energjetike dhe sfida të thella ndaj kohezionit të brendshëm të Bashkimit Europian. Në këtë realitet të ri, presidenca e dytë e Qipros nuk mund të shihet si një përsëritje e mandatit të parë, por si një provë e aftësisë së saj për të pozicionuar veten si një aktor stabilizues.
Rikthimi: sfidat dhe prioritetet
Më 1 janar 2026, Republika e Qipros mori presidencën e radhës së Këshillit të Bashkimit Europian, që do ta mbajë deri më 30 qershor. Kjo presidencë zhvillohet në një klimë jo të favorshme gjeopolitike, e cila vjen si pasojë e vazhdimit të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, përsëritjes së krizave në Lindjen e Mesme, përshkallëzimit të mundshëm të luftës hibride dhe energjetike, si dhe presionit të vazhdueshëm për reformimin e brendshëm të BE-së për t’u përgatitur për një zgjerim të mundshëm në të ardhmen.[4] E bindur për situatën jo të favorshme që e pret, edhe këtë herë, presidenca e Qipros vjen me një program të detajuar, prezantuar edhe në diskursin zyrtar të presidentit Nicos Christodulides ku shprehet se: “Bashkimi Europian po përballet me tronditje gjeopolitike të theksuara dhe me një nivel të lartë paparashikueshmërie. Ky moment nuk është i paprecedentë pasi Europa ka kaluar edhe më parë kriza të ndërlikuara dhe ekzistenciale duke arritur t’i përgjigjet kërkesave të kohës përmes evoluimit dhe forcimit të mëtejshëm. Presidenca e Qipros do të veprojë si ndërmjetës i përgjegjshëm dhe i paanshëm, me synimin që sfidat të shndërrohen në mundësi, ndërsa ambicia të shoqërohet në veprime konkrete”.[5] Programi i presidencës strukturohet rreth pesë shtyllave kryesore të cilat pasqyrojnë një përpjekje për të balancuar nevojën për autonomi strategjike me ruajtjen e modelit social europian. Theksi i parë është autnomia nëpërmjet sigurisë dhe gatishmërisë që synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së, në një kontekst ku paqja dhe stabiliteti nuk mund të merren më si të mirëqena. Paralelisht, fokusi te konkurrueshmëria ekonomike synon ndërtimin e një ekonomie më të qëndrueshme, e aftë të përballojë goditjet e jashtme dhe të mbrojë mirëqenien e qytetarëve europianë.
Një dimension i veçantë i programit lidhet me forcimin e marrëdhënieve me fqinjët jugorë dhe vendet e Partneritetit Lindor, në një moment kur rendi ndërkombëtar po bëhet gjithnjë e më transaksional dhe i fragmentuar. Po ashtu, shtylla që thekson solidaritetin, barazinë dhe dinjitetin social synon të adresojë tensionet e brendshme që rrezikojnë kohezionin politik të Unionit, ndërsa debati mbi buxhetin afatgjatë dhe Kornizën Financiare Shumëvjeçare (MFF) vendos në qendër çështjen e qëndrueshmërisë fiskale dhe të prioriteteve strategjike afatgjata.
Përtej këtij kuadri, presidenca e Qipros pritet të përballet me sfida konkrete që kufizojnë hapësirën reale të veprimit të saj. Reforma e industrisë europiane të mbrojtjes, ruajtja e unitetit në sanksionet ndaj Rusisë dhe vazhdimësia e mbështetjes për Ukrainën përfaqësojnë fusha ku ambicia politike duhet të përkthehet në konsensus praktik mes shteteve anëtare. Në këtë sens, suksesi i presidencës qipriote nuk do të matet nga volumi i prioriteteve të shpallura, por nga aftësia për të ruajtur kohezionin e BE-së dhe për të menaxhuar tensionet strukturore që e shoqërojnë atë në këtë fazë kritike.
Zgjerimi
Ndryshe nga mandati i saj i parë si presidente e Këshillit të Bashkimit Europian ku dominonte euroskepticizmi dhe pjesa më e madhe e shteteve anëtare ishin kundër zgjerimit me shtete të tjera, sot mund të flasim pa frikë për një rritje të përqindjes së popullsisë së shteteve anëtare në favor të një zgjerimi të mundshëm në të ardhmen. Edhe numri i shteteve kandidate që janë ende në pritje është rritur jashtëzakonisht krahasuar me atë periudhë. Ashtu si dy presidencat paraardhëse të kësaj trioje, edhe Qipro i ka kushtuar një vend të rëndësishëm procesit të zgjerimit në axhendën e 6 muajve në vijim, duke e konsideruar si një domosdoshmëri gjeopolitike dhe një investim strategjik në autonominë e BE-së. Zgjerimi i mëtejshëm është elementi kryesor për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, si dhe për përmirësimin e kushteve ekonomike e sociale të të gjithë qytetarëve të kontinentit tonë e më gjerë. Shtetet kandidate duhet të angazhohen në mbrojtjen e vlerave themelore e në përmbushjen e të gjitha kushteve dhe detyrimeve me qëllim arritjen e anëtarësimit në BE.[6] Gjithashtu, në kuadër të këtij procesi vlen të përmendet edhe integrimi gradual, që i ndihmon shtetet kandidate të afrohen më shumë me BE-në nëpërmjet masave konkrete si programet e ndryshme të financimit, ulja e kostove të transfertave bankare, etj. Në funksion të procesit të zgjerimit, presidenca e Qipros duhet të vijojë me hapjen pa vonesë të grupkapitujve për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, si dhe të mbikëqyrë ecurinë e shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke ndjekur zbatimin e Planit të Rritjes, respektimin e të drejtave themelore dhe forcimin e shtetit të së drejtës, etj.[7]
Roli në arenën ndërkombëtare
Zhvillimet e fundit kanë sjellë ndryshime të shumta sa i takon marrëdhënieve të BE-së me aktorët e jashtëm, duke e vendosur politikën e jashtme të BE-së përballë një mjedisi gjithnjë e më të fragmentuar. Vendosja e tarifave të reja nga administrata e dytë e drejtuar nga Donald Trump epraktika të tjera proteksioniste , kërkojnë punë të vazhdueshme me qëllim kapërcimin e çdo pengese që mund të hasë në politikën e jashtme. Në programin e saj, presidenca e Qipros i kushton rëndësinë e duhur rritjes së mëtejshme të kapaciteteve të BE-së në rajone me kriza të vazhdueshme, të cilat kanë ndikim edhe në sigurinë europiane, thellimit të bashkëpunimit me SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar.Paralelisht, presidenca synon të forcojë politikën tregtare europiane dhe të mbështesë sistemin multilateral, përfshirë Organizatën Botërore të Tregtisë, në një moment kur rregullat globale po sfidohen gjithnjë e më shpesh nga interesat kombëtare.
Në program parashikohet gjithashtu, angazhimi për një bashkëpunim më të ngushtë me vendet e Gjirit Persik dhe organizatat e tyre rajonale. Si pasojë e agresionit të pandalshëm rus, Ukraina zë një vend të rëndësishëm sa i takon aspekteve të lidhura me arenën ndërkombëtare.[8] Në mbledhjen e Këshillit Europian të 18 dhjetorit të vitit të kaluar, u përforcua edhe një herë mbështetja për e mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetin e dhe Ukrainës U vendos gjithashtu, që Ukrainës t’i jepej një hua prej €90 miliardë për vitet 2026-2027, për të mbuluar të gjitha nevojat financiare të saj.[9] Pozita e favorshme që zotëron në Detin Mesdhe u reflektua edhe në zgjidhjen që po tentohet t’i jepet krizës midis Izraelit dhe Palestinës, e cila edhe pse është shoqëruar me armëpushime të shkurtëra, po zgjat prej më shumë se dy vjetësh tashmë. U vendos që Qipro të shërbejë si korridor detar dhe rrugë plotësuese për furnizimin e Rripit të Gazës me ndihma humanitare. Përveç krijimit të dy shteteve të parashikuar edhe në programin e Qipros, vendimet e 18 dhjetorit kërkojnë ruajtjen e stabilitetit në lindjen e Mesme, zbatimin e rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, krijimin e qeverisë së tranzicionit në Siri, etj.[10]
Përfundime
Presidenca e dytë e Qipros e gjen BE-në e jo vetëm përballë sfidave të mëdha të lidhura me agresionin rus në Ukrainë, krizat e vazhdueshme në Lindjen e Mesme, etj., të cilat presin zgjidhjen më të mirë të mundshme. Megjithatë, eksperienca e fituar nga të qenurit presidente e Këshillit të BE-së më 2012, e ka ndihmuar Qipron të parashtrojë një axhendë të qartë e të konsolidojë rolin e saj në arenën ndërkombëtare. Nën moton një bashkim autonom, i hapur ndaj botës, programi i presidencës së dytë bazohet në 5 shtylla kryesore dhe synon forcimin e mëtejshëm të BE-së. Për ta konfirmuar këtë, mjafton të përmendim faktin se zgjerimi i unionit në të ardhmen konsiderohet i domosdoshëm për mirëqenien e qytetarëve europianë, rritjen e fuqisë së BE-së në botë, ruajtjen e sigurisë, paqes dhe stabilitetit, si dhe mbrojtjen e kufijve të jashtëm. Përveç ndjekjes së ecurisë së shteteve të Ballkanit Perëndimor, prioritet është edhe hapja e grupkapitujve me Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Sa i takon arenës ndërkombëtare, vëmëndja përqëndrohet tek agresioni rus ndaj Ukrainës, mbrojtja e integritetit territorial të saj dhe dhënies së fondeve për periudhën 2026-2027, si dhe në Lindjen e Mesme, ku falë pozitës së favorshme që zotëron në Detin Mesdhe, Qipros i është dhënë e drejta të jetë korridor plotësues për kalimin e ndihmave humanitare në drejtim të Rripit të Gazës.
Vilson Hoxha, shkurt 2026
*Vilson Hoxha ka përfunduar studimet universitare Bachelor dhe Master në Histori pranë Fakultetit të Historisë e të Filologjisë, Universiteti i Tiranës. Dëshira për t’i thelluar më tej studimet, e nxiti për të vazhduar Bachelor dhe Master në Marrëdhenie Ndërkombëtare pranë Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë gjatë viteve 2020-2025. Studimi i këtyre dy degëve e ka ndihmuar të jetë aktiv në konferenca dhe trajnime që zhvillohen nga organizata apo institucione që funksionojnë brenda vendit, siç është pjesëmarrja në trajnimin për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacinë të zhvilluar pranë Institutit Shqiptar të Studimeve Strategjike dhe Trajnimeve (ISSAT) dhe në konferencën e parë shkencore studentore të zhvilluar në UMSH.
[1]The Presidency of the Council of the EU: A rotating Presidency, në: https://www.consilium.europa.eu/en/council-eu/presidency-council-eu/
[4]Council of the European Union, “The Cyprus presidency of the Council of the EU: 1 January - 30 June 2026”, në: https://www.consilium.europa.eu/en/council-eu/presidency-council-eu/.
[5]The programme, priorities and logo of the Cyprus Presidency of the Council of the EU 2026 unveiled, në: https://cyprus-presidency.consilium.europa.eu/en/news/the-programme-priorities-and-logo-of-the-cyprus-presidency-of-the-council-of-the-eu-2026-unveiled/
[6]Cyprus aims to make “solid progress” in the EU enlargement over the next six months - European Western Balkans, në: https://europeanwesternbalkans.com/2026/01/09/cyprus-aims-to-make-solid-progress-in-the-eu-enlargement-over-the-next-six-months/
[7]Reuters, Cyprus to prioritise Moldova's EU accession as it takes bloc's presidency, në: https://www.reuters.com/world/cyprus-prioritise-moldovas-eu-accession-it-takes-blocs-presidency-2025-12-12/
[8]European Council Consilium, 18 decembre 2026, në: https://www.consilium.europa.eu/en/meetings/european-council/2025/12/18/



.png)
.png)




.jpg)



.png)























