Korrupsioni fillon aty ku mungon integriteti: Parandalimi përmes edukimit ligjor

Korrupsioni fillon aty ku mungon integriteti: Parandalimi përmes edukimit ligjor

Korrupsioni është një nga fenomenet që prek drejtpërdrejt funksionimin e shtetit të së drejtës, besimin e qytetarëve dhe cilësinë e institucioneve publike. Në qasjen tradicionale, lufta kundër tij lidhet kryesisht me zbulimin e veprave korruptive, hetimin, ndjekjen penale dhe vendosjen e sanksioneve. Këto mekanizma janë të domosdoshëm për funksionimin e një sistemi juridik, por vetë ekzistenca e tyre nuk e përjashton nevojën për masa që synojnë të parandalojnë korrupsionin përpara se ai të ndodhë. Pikërisht këtu merr rëndësi koncepti i integritetit. Një sistem juridik nuk mund të mbështetet vetëm te frika nga ndëshkimi. Ai ka nevojë edhe për individë që i kuptojnë përgjegjësitë e tyre dhe që janë në gjendje të dallojnë konfliktin e interesit, abuzimin me detyrën, favorizimin, ndikimin e papërshtatshëm apo forma të tjera të sjelljes që mund të krijojnë terren për korrupsion.

Në këtë këndvështrim, edukimi ligjor nuk duhet kuptuar vetëm si proces përmes të cilit studenti mëson dispozitat e ligjit. Për një student të drejtësisë, njohja e ligjit duhet të shoqërohet me kuptimin e qëllimit të tij, të përgjegjësisë që sjell ushtrimi i një profesioni juridik dhe të pasojave që mund të ketë cenimi i integritetit. Pikërisht për këtë arsye, mendoj se pyetja nuk duhet të jetë vetëm se si dënohet korrupsioni, por edhe se si formohen profesionistët dhe qytetarët që janë më të aftë ta parandalojnë atë. Kjo qasje gjen mbështetje edhe në politikat aktuale shqiptare. Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024–2030 e ndërton luftën kundër korrupsionit mbi tri qasje të lidhura me njëra-tjetrën: parandalimin, ndëshkimin dhe edukimin e ndërgjegjësimin. Kjo tregon se edukimi nuk duhet parë si një element dytësor i politikës antikorrupsion, por si pjesë e saj.

Integriteti si pikënisje e parandalimit

Integriteti është një koncept që shkon përtej respektimit formal të ligjit. Një person mund të jetë në dijeni të një norme juridike dhe përsëri të kërkojë mënyra për ta anashkaluar atë. Për këtë arsye, lufta kundër korrupsionit kërkon jo vetëm norma ndaluese dhe sanksione, por edhe një kulturë profesionale ku respektimi i ligjit lidhet me përgjegjësinë personale dhe institucionale. Legjislacioni shqiptar e ka ndërtuar tashmë një pjesë të rëndësishme të kësaj arkitekture. Ligji nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, e lidh parandalimin e konfliktit të interesave me vendimmarrjen e paanshme dhe transparente, në interes të publikut dhe të besimit të tij ndaj institucioneve. Ligji parashikon rregulla për identifikimin, deklarimin, regjistrimin, trajtimin dhe zgjidhjen e rasteve të konfliktit të interesave.[1] Kjo është e rëndësishme sepse konflikti i interesit nuk përbën domosdoshmërisht në vetvete një vepër penale. Megjithatë, mosidentifikimi ose mosmenaxhimi i tij mund të krijojë një situatë në të cilën interesi privat ndikon në ushtrimin e funksionit publik. Prandaj, njohja e rregullave mbi konfliktin e interesit duhet të jetë pjesë e formimit profesional të personave që do të ushtrojnë funksione publike ose profesione juridike.

E njëjta logjikë vërehet edhe në rregullat për etikën në administratën publike, deklarimin e pasurive dhe përgjegjësinë profesionale. Kuadri shqiptar i parandalimit përfshin ligjin për rregullat e etikës në administratën publike, ligjin për deklarimin dhe kontrollin e pasurive dhe ligjin për parandalimin e konfliktit të interesave.[2] Këto instrumente nuk synojnë vetëm të reagojnë ndaj korrupsionit pasi ai është kryer, por vendosin mekanizma që synojnë të zvogëlojnë mundësinë e shfaqjes së tij. Në këtë pikë lind një lidhje e drejtpërdrejtë midis integritetit dhe edukimit. Një rregull juridik ka vlerë reale vetëm nëse personat të cilëve u drejtohet e njohin, e kuptojnë dhe janë në gjendje ta zbatojnë. Për këtë arsye, edukimi juridik duhet të shihet si një prej mekanizmave që e kthen normën nga një tekst i shkruar në një standard të sjelljes profesionale.

Edukimi ligjor: Na njohja e normës te kultura e integritetit

Në formimin universitar juridik, një pjesë e konsiderueshme e procesit të të nxënit lidhet me njohjen dhe interpretimin e normave. Megjithatë, nëse edukimi juridik kufizohet vetëm në këtë aspekt, ai rrezikon të mos përgatisë mjaftueshëm studentin për dilemat konkrete që mund të hasë në jetën profesionale. Një jurist i ardhshëm mund të dijë se çfarë është konflikti i interesit, por pyetja më e rëndësishme është nëse ai do të jetë në gjendje ta identifikojë një konflikt interesi në një situatë konkrete. Mund të dijë ekzistencën e rregullave të etikës, por duhet gjithashtu të kuptojë se përse një sjellje e caktuar cenon besimin në profesionin juridik. Mund të njohë sanksionet për korrupsionin, por duhet të kuptojë edhe dëmin që korrupsioni i shkakton interesit publik. Pikërisht këtu edukimi ligjor merr një dimension parandalues. Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit e lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë parandalimin e korrupsionit me ndërgjegjësimin publik dhe programet edukative. Neni 13 i Konventës parashikon masa për pjesëmarrjen e shoqërisë në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe përmend shprehimisht programet e edukimit publik, përfshirë kurrikulat shkollore dhe universitare.[3]

Ky standard është veçanërisht domethënës për studentët e Drejtësisë. Nëse synojmë një brez të ri profesionistësh që do të punojnë në gjykata, prokurori, administratë publike, avokati, institucione të pavarura apo organizata ndërkombëtare, atëherë edukimi mbi integritetin duhet të nisë përpara hyrjes në profesion. Kjo nuk do të thotë që universiteti duhet të zëvendësojë institucionet përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit. Përkundrazi, roli i tij është të krijojë bazën e njohurive dhe të qëndrimeve profesionale mbi të cilat ndërtohet më pas përgjegjësia juridike.

Në këtë drejtim, një edukim më praktik mund të jetë më efektiv sesa një trajtim thjesht teorik. Studentët mund të analizojnë raste hipotetike të konfliktit të interesit, të diskutojnë dilema etike, të analizojnë vendime gjyqësore, të zhvillojnë debate mbi përgjegjësinë profesionale ose të simulohen në situata ku duhet të zgjedhin midis një interesi personal dhe detyrimit profesional. Një metodë e tillë e zhvendos edukimin nga pyetja “Çfarë parashikon ligji?” drejt pyetjes “Si duhet të veproj kur ligji më vendos përballë një situate konkrete?” Për mendimin tim, ky është pikërisht ndryshimi që mund ta bëjë edukimin ligjor një instrument real të parandalimit të korrupsionit.

Shqipëria dhe standardet europiane: Edukimi si pjesë e integritetit institucional

Rëndësia e integritetit dhe ndërgjegjësimit nuk është vetëm një çështje e politikës së brendshme shqiptare. Ajo është pjesë edhe e standardeve europiane për parandalimin e korrupsionit. GRECO, në kuadër të ciklit të pestë të vlerësimit, e ka vendosur parandalimin e korrupsionit dhe promovimin e integritetit në qendër të analizës së funksioneve të larta ekzekutive dhe agjencive ligjzbatuese. Ndër temat e shqyrtuara përfshihen parimet etike, rregullat e sjelljes, konflikti i interesit, deklarimi i pasurive dhe interesave, zbatimi i rregullave dhe ndërgjegjësimi.[4] Në rastin e Shqipërisë, GRECO ka vijuar të monitorojë zbatimin e rekomandimeve të tij dhe raporti i dytë i përputhshmërisë për Shqipërinë është bërë publik në vitin 2025.[5] Nga kjo pikëpamje, integriteti nuk mund të konsiderohet vetëm si një cilësi individuale. Ai është edhe një kërkesë institucionale. Një institucion me rregulla të mira, por me kulturë të dobët integriteti, mund të përballet me vështirësi në zbatimin e tyre. Prandaj, krahas forcimit të mekanizmave të kontrollit, duhet të investohet në formimin e personave që do t'i zbatojnë këto rregulla.

Kjo qasje është e pranishme edhe në dokumentet strategjike shqiptare. Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë 2024–2030 synon konsolidimin e reformës në drejtësi në përputhje me standardet europiane dhe e lidh forcimin e sistemit të drejtësisë me pavarësinë, transparencën, llogaridhënien dhe integritetin profesional.[6] Ndërkohë, Raporti i Komisionit Europian për Shtetin e së Drejtës për vitin 2025 vëren se kuadri ligjor shqiptar kundër korrupsionit është gjerësisht i vendosur, ndërsa identifikon nevojën për përmirësime të mëtejshme në parandalimin e korrupsionit dhe në ndikimin e mekanizmave institucionalë të parandalimit.[7] Këto vlerësime tregojnë se ekzistenca e kuadrit ligjor është vetëm një pjesë e zgjidhjes. Zbatimi, kapacitetet, ndërgjegjësimi dhe kultura institucionale janë po aq të rëndësishme.

Pse duhet të fillojmë me studentët e drejtësisë?

Nëse korrupsioni trajtohet vetëm pasi është kryer, sistemi juridik gjithmonë vepron në mënyrë reaguese. Parandalimi kërkon që ndërhyrja të fillojë më herët. Studentët e Drejtësisë përbëjnë një grup veçanërisht të rëndësishëm në këtë proces, sepse një pjesë e tyre do të jenë nesër pjesë e institucioneve që interpretojnë, zbatojnë ose kontrollojnë ligjin. Për këtë arsye, edukimi i tyre nuk duhet të kufizohet në përgatitjen për provimet universitare apo në aftësinë për të argumentuar një çështje juridike. Duhet të përfshijë edhe pyetje të tilla si: Çfarë është një konflikt interesi? Kur një favor i vogël shndërrohet në cenim të integritetit? Si duhet të reagojë një profesionist kur përballet me një shkelje? Çfarë përgjegjësie ka një jurist kur sheh një praktikë të paligjshme? Cili është kufiri midis interesit personal dhe interesit publik? Këto pyetje nuk kanë gjithmonë përgjigje që mund të mësohen përmendësh nga një nen i vetëm. Ato kërkojnë interpretim, arsyetim dhe formim profesional. Edhe Këshilli i Europës, në një nismë të zhvilluar në Shqipëri në vitin 2026 për edukimin e qytetarisë demokratike, e ka lidhur edukimin me integritetin dhe rolin e të rinjve në ndërtimin e një kulture më transparente. Nisma synon gjithashtu integrimin e integritetit dhe kulturës demokratike në kurrikulat kombëtare.[8] Në këtë kuptim, edukimi ligjor nuk duhet të prodhojë vetëm njohës të ligjit, por profesionistë që e konsiderojnë integritetin pjesë të profesionit të tyre.

Nga edukimi teorik te edukimi praktik

Një nga sfidat kryesore është që edukimi mbi korrupsionin të mos mbetet vetëm në nivelin e leksioneve dhe përkufizimeve. Për shembull, studentëve mund t'u paraqitet një rast hipotetik ku një zyrtar publik duhet të marrë një vendim që prek një kompani në pronësi të një familjari të tij. Në vend që studenti të pyetet vetëm për përkufizimin e konfliktit të interesit, ai mund të duhet të identifikojë problemin, të përcaktojë normat e zbatueshme, të argumentojë rrezikun dhe të propozojë mënyrën e duhur të veprimit. Në një rast tjetër, mund të simulohet një situatë ku një jurist merr dijeni për një shkelje të rëndë brenda institucionit ku punon. Studenti do të duhet të analizojë jo vetëm ekzistencën e shkeljes, por edhe mekanizmat ligjorë të raportimit, mbrojtjen e sinjalizuesit dhe përgjegjësinë profesionale. Kjo qasje është veçanërisht e rëndësishme në kushtet kur kuadri shqiptar për parandalimin e korrupsionit është duke u zhvilluar dhe përshtatur me standardet europiane. Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024–2030 përfshin ndër të tjera vlerësimin e rreziqeve të korrupsionit në sektorë me ekspozim të lartë dhe e vendos edukimin e ndërgjegjësimin krahas parandalimit dhe ndëshkimit.[9] Prandaj, një model i mundshëm edukimi juridik do të ishte ai që lidh normën juridike, rastin praktik dhe reflektimin etik. Ky proces nuk garanton se korrupsioni do të zhduket. Asnjë sistem edukimi nuk mund ta japë një garanci të tillë. Por ai mund të ndikojë në mënyrën se si profesionistët e së ardhmes e perceptojnë përgjegjësinë e tyre dhe në gatishmërinë e tyre për të respektuar e mbrojtur standardet juridike.

Përfundime dhe Rekomandime

Korrupsioni nuk është vetëm një problem i mungesës së normave juridike. Në shumë raste, ai lidhet me mënyrën se si normat kuptohen, zbatohen dhe respektohen nga individët që ushtrojnë funksione publike ose profesione me përgjegjësi juridike. Për këtë arsye, lufta kundër korrupsionit duhet të ketë një dimension parandalues që plotëson mekanizmat e ndëshkimit. Analiza e kuadrit shqiptar dhe standardeve europiane tregon se integriteti, etika, konflikti i interesit, transparenca dhe ndërgjegjësimi janë pjesë të rëndësishme të politikave moderne antikorrupsion. Në Shqipëri, vetë Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024–2030 e përfshin edukimin dhe ndërgjegjësimin si një prej tri qasjeve themelore të luftës kundër korrupsionit. Në nivel ndërkombëtar, Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit e lidh parandalimin me edukimin publik dhe universitar, ndërsa GRECO e përfshin ndërgjegjësimin në standardet e promovimit të integritetit.

Në këto kushte, edukimi ligjor duhet të zhvillohet nga një model i përqendruar vetëm te njohja e normës drejt një modeli që përfshin edhe zbatimin praktik, dilemat etike dhe përgjegjësinë profesionale. Për këtë arsye, do të ishte e dobishme që në programet e edukimit juridik të forcoheshin modulet dhe aktivitetet që lidhen me etikën profesionale, konfliktin e interesit dhe parandalimin e korrupsionit; të përdoren më shumë raste praktike dhe simulime; të zhvillohen debate akademike me studentët; dhe të krijohen më shumë mundësi për bashkëpunim midis universiteteve dhe institucioneve që veprojnë në fushën e drejtësisë dhe antikorrupsionit.

Në fund, edukimi ligjor nuk mund ta zëvendësojë ndëshkimin e korrupsionit, por mund të ndihmojë që nevoja për ndëshkim të mos jetë pika e parë ku sistemi reagon. Një sistem drejtësie i qëndrueshëm ka nevojë për ligje të mira, institucione të forta dhe mekanizma efektivë kontrolli, por ka po aq nevojë për njerëz që i shohin integritetin dhe përgjegjësinë si pjesë të vetë profesionit juridik. Në këtë kuptim, titulli i këtij artikulli nuk duhet kuptuar si pohim se çdo rast korrupsioni buron nga mungesa e integritetit individual. Korrupsioni është fenomen kompleks dhe lidhet edhe me faktorë institucionalë, ekonomikë, administrativë dhe shoqërorë. Por pikërisht sepse shkaqet janë të shumëfishta, edukimi për integritetin duhet të jetë një prej hallkave të hershme të parandalimit.



[1] Republika e Shqipërisë, Ligji nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, neni 1 dhe dispozitat për identifikimin, deklarimin dhe trajtimin e konfliktit të interesave.
[2] Shih, ndër të tjera, Ligjin nr. 9131, datë 8.9.2003, “Për rregullat e etikës në administratën publike”; Ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar; dhe Ligjin nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar. Këto akte përbëjnë pjesë të kuadrit shqiptar të parandalimit të konfliktit të interesave, deklarimit të pasurive dhe etikës në administratën publike.
[3] United Nations Office on Drugs and Crime (UNODC), United Nations Convention against Corruption, neni 13, “Participation of society”. Neni parashikon, ndër të tjera, programe të edukimit publik, përfshirë kurrikulat shkollore dhe universitare, si pjesë të masave për parandalimin e korrupsionit.
[4] Council of Europe, Group of States against Corruption (GRECO), Fifth Evaluation Round – Preventing corruption and promoting integrity in central governments and law enforcement agencies.
[5] GRECO, Albania – Fifth Evaluation Round, Second Compliance Report, 2025. Faqja zyrtare e GRECO-s evidenton raportin e dytë të përputhshmërisë për Shqipërinë dhe vijimin e monitorimit të masave për parandalimin e korrupsionit dhe promovimin e integritetit.
[6] Ministria e Drejtësisë, Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë 2024–2030, miratuar me VKM nr. 787, datë 18.12.2024. Dokumenti e lidh konsolidimin e reformës në drejtësi me standardet europiane, pavarësinë, llogaridhënien, transparencën dhe integritetin profesional
[7] European Commission, 2025 Rule of Law Report – Country Chapter Albania, 8 July 2025. Raporti vlerëson se kuadri ligjor kundër korrupsionit në Shqipëri është gjerësisht i vendosur, ndërsa identifikon nevoja të mëtejshme për përmirësimin e parandalimit dhe efektivitetit të mekanizmave institucionalë.
[8] Council of Europe, Celebrating Integrity and Youth Creativity in Albania, 15 April 2026. Nisma e zhvilluar në Shqipëri e lidh edukimin e të rinjve me integritetin, qytetarinë demokratike dhe parandalimin e korrupsionit.
 [9] Republika e Shqipërisë, Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024–2030 dhe Plani i Veprimit 2024–2026. Dokumenti e ndërton qasjen antikorrupsion mbi tri shtylla: parandalimin, ndëshkimin dhe edukimin e ndërgjegjësimin.

*Arsela Cenalia, tetor 2026

*Arsela Cenalia është studente, viti i pestë në Programin e Integruar në Drejtësi, Universiteti "Aleksandër Moisiu" Durrës, e interesuar veçanërisht në fushën e së drejtës civile, administrative dhe në çështjet që lidhen me forcimin e shtetit të së drejtës dhe integritetin  institucional. Gjatë formimit të saj akademik, ka marrë pjesë në konferenca shkencore, trajnime, shkolla verore dhe programe ndërkombëtare, duke pasuruar njohuritë e saj juridike dhe duke zhvilluar aftësi në kërkimin, analizimin dhe argumentimin ligjor. Interesi i saj për çështjet e korrupsionit lidhet ngushtë me bindjen se parandalimi i tij nuk duhet të  fokusohet vetëm në mekanizmat ndëshkues, por edhe në krijimin e një kulture të integritetit dhe përgjegjshmërisë. 


**Ky artikull është përzgjedhur në kuadër të konkursit për artikuj juridikë në EuroSpeak shpallur nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), si pjesë e projektit “Justice NextGen: Fuqizimi i të Rinjve në Luftën kundër Korrupsionit përmes Edukimit Ligjor dhe Debatit Akademik”, financuar nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC). Përmbajtja e tij është përgjegjësi e autorit, opinion i shprehur në të nuk është domosdoshmërisht opinion i AMSHC-së.







1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
24Abonues
European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk