Rinia dixhitale dhe integrimi europian: kapitali njerëzor dhe social si kornizë analitike

Rinia dixhitale dhe integrimi europian: kapitali njerëzor dhe social si kornizë analitike

Rinia përbën një kategori të rëndësishme sociale, por me zhvillimin e teknologjisë, është shfaqur koncepti i rinisë dixhitale, i cili i referohet të rinjve që janë rritur në një mjedis të dominuar nga teknologjitë dixhitale dhe që i përdorin ato në mënyrë të vazhdueshme në jetën e tyre të përditshme Megjithatë, ky koncept mbetet ende pak i trajtuar në literaturën shkencore, çka e bën të rëndësishëm studimin e tij në kontekstin e zhvillimeve bashkëkohore sociale dhe teknologjike. Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës kanë trajtuar gjerësisht kushtet socio-ekonomike dhe ndikimin e tyre mbi rininë, duke i konsideruar të rinjtë si qytetarë aktivë të së ardhmes dhe aktorë ekonomikë (European Parliament, 2023).

Përvetësimi i aftësive dixhitale nga të rinjtë konsiderohet një faktor kyç për zhvillimin e tyre profesional, personal dhe shoqëror. Në këtë kuadër, aftësitë dixhitale janë të domosdoshme jo vetëm për realizimin e detyrave të përditshme dhe profesionale, por edhe për ndërveprimin social dhe përfshirjen në proceset publike. Prandaj, modelet bashkëkohore të të nxënit theksojnë rëndësinë e mësimit aktiv, bashkëpunues dhe të mbështetur në teknologji, duke zhvendosur fokusin nga transmetimi i njohurive drejt zhvillimit të kompetencave (Ilomaki, Paavola, & Lakala, 2022).

Në vendet e Bashkimit Europian, ku kapitali social është më i zhvilluar, njerëzit bashkëpunojnë më lehtë, kanë më shumë besim te njëri-tjetri dhe mbështeten në norma reciprociteti të ndërtuara ndër vite. Kjo krijon një mjedis më të qëndrueshëm dhe forcon njëkohësisht kohezionin social (Fuchs, 2022).

Paralelisht më këtë, ransformimi dixhital ka ndryshuar ndjeshëm kërkesat e tregut, duke rritur nevojën për aftësi të reja dhe për përshtatshmëri të vazhdueshme. Në këtë kontekst, të rinjtë përballen me sfida të reja, por njëkohësisht edhe me mundësi të reja për zhvillim profesional. Për rrjedhojë, koncepti i të nxënit gjatë gjithë jetës merr një rëndësi të veçantë, dhe arsimi nuk shihet më si një fazë e kufizuar në jetën e individit, por si një proces i vazhdueshëm që e shoqëron atë gjatë gjithë jetës (European Commission, 2021).

Bazat konceptuale dhe teoritë bashkëkohore mbi zhvillimin e aftësive në epokën dixhitale

Sipas Bashkimit Europian, kapitali njerëzor përkufizohet si përvetësimi i njohurive dhe aftësive nga qytetarët Europianë përmes pjesëmarrjes në programe arsimore dhe trajnimi gjatë gjithë jetës së tyre. Në plan afatgjatë, kapitali njerëzor mund të kontribuojë në nxitjen e rritjes ekonomike të Europës dhe në lehtësimin e punëdhënësve në gjetjen e fuqisë së përshtatshme punëtore (OECD, 2021).

Në mënyrë paralele, kapitali social lidhet me marrëdhëniet që individët ndërtojnë brenda shoqërisë dhe me mënyrën se si këto marrëdhënie ndikojnë në bashkëpunim, besim dhe solidaritet. Në kontekstin modern, kapitali social nuk kufizohet më në ndërveprimet tradicionale, por shtrihet edhe në hapësirat dixhitale, ku individët krijojnë dhe zhvillojnë rrjete të reja komunikimi dhe bashkëpunimi. Megjithëse janë formuluar shumë teori mbi kapitalin social, ende nuk ka mbizotëruar një teori zyrtare, sepse çdo teori e kapitalit social paraqet një karakter dinamik, pasi  ndikohet nga faktorë ekonomikë, politikë, historikë, kulturorë dhe socialë. 

Teoria e kapitalit njerëzor, e zhvilluar fillimisht në kuadër të ekonomisë neoklasike, thekson se investimi në arsim dhe trajnim përbën një faktor kyç për rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin ekonomik. Në këtë perspektivë, individi shihet si bartës i aftësive dhe njohurive që mund të zhvillohen dhe përmirësohen përmes edukimit formal dhe joformal. Zhvillimet e fundit e kanë zgjeruar këtë qasje duke përfshirë edhe aftësitë dixhitale si një komponent thelbësor të kapitalit njerëzor, veçanërisht në një ekonomi të bazuar në njohuri dhe teknologji (Becker, 2020).

Në të njëjtën kohë, teoria e kapitalit social ofron një këndvështrim më të gjerë mbi rolin e marrëdhënieve shoqërore në zhvillimin individual dhe kolektiv. Në këtë kuadër, kapitali social nuk shihet vetëm si një atribut individual, por si një fenomen që lind nga ndërveprimi midis individëve dhe strukturave shoqërore (Ilomaki, Paavola, & Lakala, 2022). Në epokën dixhitale, këto marrëdhënie marrin forma të reja, duke u zhvilluar përmes platformave virtuale ku individët krijojnë lidhje që shpesh tejkalojnë kufijtë gjeografikë.

Një element i rëndësishëm është ndërthurja e këtyre dy teorive me konceptin e alfabetizimit dixhital. Ndërsa kapitali njerëzor fokusohet në aftësitë dhe njohuritë e individit dhe kapitali social në rrjetet dhe marrëdhëniet shoqërore, alfabetizimi dixhital vepron si një urë lidhëse mes këtyre dy dimensioneve. Ai u mundëson individëve jo vetëm zhvillimin e aftësive teknike, por edhe ndërveprimin efektiv në mjedise dixhitale. (OECD, 2023).

Sipas Gjykatës Europiane të Auditimit, kompetenca dixhitale nënkupton përdorimin e përgjegjshëm të teknologjive dixhitale për mësim, punë dhe pjesëmarrje shoqërore, duke përfshirë informacionin, komunikimin, krijimin e përmbajtjes, sigurinë, të drejtat e autorit dhe mendimin kritik. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian synon të krijojë qytetarë të aftë dhe të përshtatur dixhitalisht, me qëllim forcimin e pozitës së tij globale. Për këtë arsye janë ndërmarrë iniciativa si Axhenda dixhitale për Europën, DigComp dhe strategji për tregun e vetëm dixhital (European Commission, 2021).

Në analizën teorike përfshihet edhe dimensioni i politikave publike, duke theksuar se zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe social nuk është vetëm rezultat i veprimeve individuale, por edhe i politikave dhe institucioneve që krijojnë kushte për zhvillim. Politikat Europiane për arsimin, trajnimin dhe rininë synojnë të krijojnë një mjedis që mbështet zhvillimin e aftësive dhe përfshirjen sociale, duke e konsideruar alfabetizimin dixhital si një kompetencë kyçe për qytetarët modern.

Qasja Europiane ndaj arsimit, teknologjisë dhe përfshirjes sociale

Politikat Europiane në këtë fushë nuk janë të fragmentuara, por përbëjnë një sistem të ndërlidhur iniciativash dhe instrumentesh që synojnë përgatitjen e qytetarëve, veçanërisht të rinjve, për sfidat e një ekonomie dhe shoqërie gjithnjë e më të dixhitalizuar (European Commission, 2021). Në themel të këtyre politikave qëndron ideja se zhvillimi i aftësive përbën një nga shtyllat kryesore të konkurrueshmërisë ekonomike dhe kohezionit social. Në këtë kuadër, Bashkimi Europian ka zhvilluar një sërë strategjish që lidhen drejtpërdrejt me arsimin, trajnimin dhe punësimin, duke i konsideruar këto fusha si të pandashme nga procesi i integrimit Europian. Rëndësia e aftësive dixhitale është theksuar veçanërisht në dokumentet strategjike, ku ato përkufizohen si kompetenca bazë për qytetarët e shekullit XXI.

Një nga drejtimet kryesore është përfshirja sociale dhe barazia e mundësive. Në një shoqëri të dixhitalizuar, ekziston rreziku i pabarazive të reja, të lidhura me aksesin në teknologji dhe nivelin e aftësive dixhitale. Për këtë arsye, politikat synojnë sigurimin e aksesit të barabartë në arsim dhe burime dixhitale, si dhe mbështetjen e grupeve të pafavorizuara. Gjithashtu, politikat Europiane synojnë krijimin e një hapësire dixhitale të sigurt, ku qytetarët mund të përdorin teknologjinë me besim dhe përgjegjësi. Kjo përfshin mbrojtjen e të dhënave personale, luftën kundër dezinformimit dhe promovimin e kulturës dixhitale etike (UNESCO, 2023). 

Mund të përmendim, Strategjinë e re për Rininë 2019–2027 e cila fokusohet në tre shtylla kryesore: aktivizimi, rrjetëzimi dhe fuqizimi i të rinjve. Ajo thekson pjesëmarrjen demokratike, bashkëpunimin dhe zhvillimin personal, si dhe rëndësinë e edukimit dixhital dhe përdorimit me përgjegjshmëri të teknologjisë. Në këtë kuadër u zhvilluan edhe platforma dhe projekte dixhitale si “Voices”, “Make it Work” dhe “EurHope”, që u mundësojnë të rinjve të shprehin opinionet e tyre mbi çështje sociale dhe politike. Po kështu, një zhvillim tjetër i rëndësishëm është Identiteti dixhital Europian, i cili lehtëson aksesin në shërbime publike dhe lëvizjen e qytetarëve brenda BE-së (European Parliament, 2023).

Roli i alfabetizimit dixhital në zhvillimin e kapitalit social

Zhvillimi i kapitalit social në kontekstin dixhital lidhet ngushtë me aftësinë e individëve për të përdorur teknologjinë në mënyrë efektive dhe të përgjegjshme. Rrjetet sociale, platformat e komunikimit dhe komunitetet online krijojnë mundësi të reja për ndërtimin e marrëdhënieve dhe për shkëmbimin e informacionit, duke e zgjeruar ndjeshëm hapësirën e ndërveprimit social (UNESCO, 2023). Në këtë kuadër, alfabetizimi dixhital luan një rol kyç, pasi u mundëson individëve të përfshihen në mënyrë aktive në këto rrjete dhe të përfitojnë nga potenciali i tyre.

Një aspekt i rëndësishëm është pjesëmarrja sociale dhe qytetare e të rinjve nëpërmjet mjeteve dixhitale. Teknologjia u ofron të rinjve mundësi të reja për të shprehur mendimet e tyre, për të marrë pjesë në debate publike dhe për t’u angazhuar në çështje që kanë rëndësi për ta. Kjo formë e pjesëmarrjes dixhitale kontribuon në forcimin e demokracisë dhe në zhvillimin e një qytetarie aktive, duke e bërë kapitalin social një faktor të rëndësishëm në funksionimin e shoqërisë.

Megjithatë, përdorimi i teknologjisë përballet edhe me sfida të rëndësishme që lidhen me sigurinë dhe besimin në mjedisin dixhital. Rreziqe të tilla si shkelja e privatësisë, dezinformimi dhe abuzimi online mund të ndikojnë negativisht në mënyrën se si individët ndërveprojnë dhe në nivelin e besimit që ata kanë ndaj teknologjisë (UNESCO, 2023). Për këtë arsye, zhvillimi i alfabetizimit dixhital duhet të përfshijë edhe dimensionin e sigurisë, duke i pajisur individët me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të mbrojtur veten dhe për të përdorur teknologjinë në mënyrë të sigurt.

Një dimension tjetër i rëndësishëm është roli i besimit në ndërtimin e kapitalit social në mjedisin dixhital. Besimi nuk lidhet vetëm me marrëdhëniet ndërpersonale, por edhe me institucionet dhe platformat që përdoren për komunikim dhe ndërveprim. Politikat dhe rregulloret që synojnë mbrojtjen e të dhënave dhe sigurimin e transparencës janë thelbësore për ndërtimin e këtij besimi.

Përfundime

Kapitali njerëzor, kapitali social dhe alfabetizimit dixhital në kontekstin e rinisë dixhitale dhe të politikave Europiane janë tre dimensione që nuk funksionojnë në mënyrë të pavarur, por ndërveprojnë në mënyrë të vazhdueshme, duke krijuar një sistem të integruar që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin individual dhe shoqëror.

Politikat Europiane për rininë dhe aftësitë dixhitale përbëjnë një element thelbësor për zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe social. Përmes një qasjeje të integruar që lidh arsimin, punësimin dhe pjesëmarrjen sociale, Bashkimi Europian synon të krijojë një mjedis që mbështet zhvillimin e rinisë dixhitale dhe integrimin e saj në një shoqëri të bazuar në njohuri dhe inovacion.

Strategjitë dhe iniciativat e Bashkimit Europian kanë krijuar një kuadër të favorshëm për zhvillimin e aftësive dixhitale dhe për përfshirjen e të rinjve në jetën ekonomike dhe sociale. Megjithatë, analiza tregon se ekzistojnë ende sfida të rëndësishme, të cilat lidhen kryesisht me pabarazitë në aksesin ndaj teknologjisë dhe në nivelin e aftësive midis grupeve të ndryshme sociale.

Rekomandime

Së pari, është e nevojshme të forcohet integrimi i aftësive dixhitale në sistemin arsimor, duke siguruar që të gjithë të rinjtë të kenë mundësi të zhvillojnë kompetencat e nevojshme. Së dyti, duhet të promovohet të nxënit gjatë gjithë jetës, si një mjet për përshtatjen me ndryshimet e vazhdueshme teknologjike. Së treti, është e rëndësishme të krijohen politika që mbështesin përfshirjen sociale dhe që adresojnë pabarazitë në aksesin ndaj teknologjisë.

Një rekomandim tjetër lidhet me nevojën për të forcuar dimensionin e sigurisë dhe të besimit në mjedisin dixhital. Kjo përfshin zhvillimin e programeve edukative që fokusohen në përdorimin e sigurt të teknologjisë, si dhe përmirësimin e kuadrit rregullator për mbrojtjen e të dhënave dhe për garantimin e transparencës.


Eranda Zorba, qershor 2026

*Eranda Zorba është pedagoge e jashtme në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Humane, Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë, në lëndët: politikat sociale ndërkombëtare, politikat sociale të BE-së dhe analiza krahasuese e politikave sociale. Ajo është diplomuar në Shkenca Politike (BA) dhe Studime Rajonale Politike (MSc), Universiteti i Tiranës. Interesat akademike përfshijnë analizën krahasuese të modeleve të mirëqenies sociale dhe studimin e dinamikave institucionale të procesit të integrimit europian të vendeve në tranzicion.



Bibliografia

Becker, G. S. (2020). Human capital: A theoretical and empirical analysis, with special reference to education (3rd ed.). University of Chicago Press.

OECD. (2021). Human capital and skills development in the digital age. OECD Publishing. https://www.oecd.org/en/publications/international-migration-outlook_1999124x.html 

Ilomaki, L. Paavola, S. & Lakala, M. (2022). Digital competence in education: From theory to practice. Springer. 

Fuchs, C. (2022). Digital capitalism and the digital labour society. Routledge.

European Commission. (2021). Digital education action plan 2021–2027. https://education.ec.europa.eu 

European Parliament. (2023). Digital transformation and youth employment in the EU. https://www.europarl.europa.eu 

UNESCO. (2023). Global education monitoring report: Technology in education. UNESCO Publishing.

OECD. (2023). Skills outlook 2023: Skills for a resilient digital future. OECD Publishing.



1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
24Abonues
European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk