E drejta e informimit publik konsiderohet një nga themelet e demokracisë dhe një mjet thelbësor për të garantuar transparencën dhe llogaridhënien e pushtetit. Në një shoqëri të hapur, qytetarët duhet të kenë mundësinë të kuptojnë se si shpenzohen paratë e tyre, si merren vendimet që prekin jetën e tyre dhe si funksionojnë institucionet që ata paguajnë. Në Shqipëri, kjo e drejtë është e sanksionuar me ligj prej më shumë se një dekade, por për qytetarët, gazetarët dhe shoqërinë civile, ajo vazhdon të mbetet shpesh një betejë e lodhshme dhe e pasigurt përballë institucioneve publike.
Mes një kornize ligjore që në letër premton transparencë sipas standardeve europiane dhe një praktike që prodhon shpesh refuzime, vonesa dhe heshtje, qasja në dokumente zyrtare mbetet një nga sfidat më të mëdha për funksionimin real të shtetit të së drejtës. Raportet e fundit ndërkombëtare, veçanërisht ato të GRECO-s (Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit), vënë në dukje një tendencë që kërkon ndërhyrje urgjente në nivel rregullator dhe institucional.
Korniza Ligjore dhe Institucionale: Ligji 119/2014 dhe muret e heshtjes
Miratimi i Ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” u konsiderua një hap i rëndësishëm drejt standardeve europiane. Ky ligj garanton se çdo person ka të drejtë të kërkojë dhe të marrë informacion nga autoritetet publike pa pasur nevojë të justifikojë interesin e tij. Ai detyron institucionet të ofrojnë qasje në dokumente publike dhe parashikon publikimin proaktiv të informacionit përmes "Programit të Transparencës".
Megjithatë, zbatimi praktik mbetet larg frymës së tij. Sipas të dhënave të fundit nga zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, gjatë vitit 2025 janë administruar 386 ankesa të reja për refuzim të informacionit (kur ankuesi është gazetar), ndërkohë që për vitin 2024 rezultojnë 365 ankesa. Kjo tregon se institucionet shpesh zgjedhin "heshtjen administrative", dhënien e informacionit të paplotë ose refuzimin si mjetin e parë të komunikimit me publikun. Nga 751 ankesa në dy vitet e fundit, 583 kërkesa u plotësuan vetëm pas ndërhyrjes së Komisionerit, një tregues i qartë se institucionet posedojnë informacionin, por e përdorin refuzimin si mjet parandalues deri sa të detyrohen nga një autoritet mbikëqyrës. Një pjesë e konsiderueshme e institucioneve publike vazhdojnë të mos përgjigjen brenda afateve ligjore ose ofrojnë përgjigje të pjesshme dhe formale që nuk përmbushin nevojat reale të interesit publik. Shpesh, kërkesat refuzohen me argumente të përgjithshme, pa kryer analizë të interesit publik dhe pa ofruar sqarime konkrete mbi arsyet pse një dokument nuk mund të bëhet publik. Ky model sjelljeje ka kthyer të drejtën e informimit nga një garanci ligjore në një proces të stërzgjatur administrativ që shpesh kërkon ankesa të mëtejshme, ndërhyrje të Komisionerit apo presion publik për të funksionuar. Një problem thelbësor lidhet me keqpërdorimin e kufizimeve ligjore. Ligji lejon refuzimin e informacionit për arsye të mbrojtjes së sekretit shtetëror, të dhënave personale apo sekretit tregtar, por në praktikë këto përjashtime shpesh përdoren si mburojë për të shmangur transparencën. Në vend që kufizimet të jenë përjashtim, ato janë kthyer në rregull, veçanërisht kur bëhet fjalë për kontrata publike, koncesione, shpenzime buxhetore dhe vendimmarrje administrative. Madje edhe publikimi proaktiv i informacionit, i cili do të duhej të ishte një nga mekanizmat kryesorë për të lehtësuar qasjen e qytetarëve në dokumente zyrtare, mbetet kryesisht formal dhe simbolik. Shumë institucione ofrojnë programe transparence të papërditësuara, dokumente të pjesshme ose të dhëna në formate që nuk mund të analizohen apo ripërdoren.
Megjithatë, kjo problematikë e vazhdueshme në lidhje me aksesin në informacion, dhe transparencën, duket se ka të bëjë më shumë me zbatimin e ligjit nga institucionet publike, se vetë përmbajtja e ligjit për informim. Një shqetësim të tillë ngriti Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, Konferenca VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, e titulluar "Agora e Transparencës në kohën e integrimit". Ai kritikoi institucionet duke thënë se shpesh përdorin justifikime të përgjithshme lidhur me “interesin publik” apo “konfidencialitetin” për të refuzuar kërkesat, pa respektuar parimin e proporcionalitetit dhe pa u dhënë qytetarëve arsyetime konkrete. Ky qëndrim mbështetet edhe nga organizatat e shoqërisë civile dhe mbrojtjes së lirisë së medias në vendin tone, ku theksohet se pavarësisht kuadrit ligjor ekzistues, zbatimi praktik mbetet shqetësim kryesor për aktorët mbikëqyrës.
Pengesat e përbashkëta në rrugën e transparencës
Në raportin mbi qasjen në informacion, GRECO thekson se qasja e hapur ndaj dokumenteve zyrtare është një instrument kyç për forcimin e llogaridhënies dhe për lehtësimin e mbikëqyrjes publike, duke kontribuar drejtpërdrejt në parandalimin e korrupsionit. Megjithatë, raporti identifikon disa pengesa të rëndësishme që hasen shpesh në funksionimin e qeverive qendrore. Së pari, vonesat në përpunimin e kërkesave për informacion ndikojnë negativisht, pasi informacioni që merret me vonesë shpesh humb vlerën e tij, sidomos për qëllime gazetarie ose për parandalimin efektiv të korrupsionit. Së dyti, mungesa e transparencës proaktive është një problem i dukshëm, pasi shumë autoritete nuk publikojnë të dhëna sistematike pa pasur nevojë për kërkesa individuale nga qytetarët ose organizatat. Së treti, përdorimi i tepruar i përjashtimeve ligjore, si ato për mbrojtjen e të dhënave personale apo sekretet shtetërore, shpesh shfrytëzohet si një mburojë për të shmangur transparencën dhe për të justifikuar refuzimet pa analizë të interesit publik. Së fundi, mungesa e burimeve të mjaftueshme dhe procedurat e ndërlikuara të ankimit e komplikuarsojnë më tej qasjen në informacion, duke bërë që proceset gjyqësore të zgjasin aq shumë sa informacioni i kërkuar të jetë i vjetruar ose jo i dobishëm për qytetarët dhe institucionet mbikëqyrëse.
Përparimi i Shqipërisë: Rekomandimet e zbatuara dhe ato në pritje
Sipas Raportit të Dytë të Pajtueshmërisë për Shqipërinë (mars 2025), vendi ka bërë përparim domethënës, duke zbatuar plotësisht ose në mënyrë të kënaqshme 18 nga 24 rekomandimet e lëna në raundin e pestë të vlerësimit.
Një nga arritjet kryesore është forcimi i procesit të konsultimit publik. Shqipëria ka arritur një indeks frekuence prej 97.4% për vitin 2024 për konsultimet publike të akteve ligjore. Platforma e Regjistrit Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike (RENJKP) është bërë dritarja kryesore për këtë proces, ku rreth 98% e akteve që kërkojnë konsultim janë publikuar aty. Kjo platformë ka pasur mbi 21,000 vizitorë, duke treguar një rritje të interesit publik për pjesëmarrje në vendimmarrje.
Gjithashtu, Shqipëria ka miratuar dhe zbatuar plane integriteti në të gjitha ministritë. Këto plane përfshijnë analiza të rreziqeve për ministrat dhe këshilltarët politikë, monitorohen nga koordinatorë integriteti dhe shoqërohen me trajnime të rregullta mbi etikën dhe anti-korrupsionin. Për herë të parë, janë botuar udhëzues praktikë për anëtarët e Këshillit të Ministrave mbi dhuratat, favoret dhe konfliktin e interesit.
Megjithatë, GRECO vëren se disa fusha kyçe të qeverisjes dhe transparencës mbeten vetëm pjesërisht të zbatuara ose të pazbatuara, duke krijuar boshllëqe në sistemin e llogaridhënies. Një prej tyre lidhet me rregullimin e lobimit, ku mungon ende një kornizë ligjore e plotë dhe një regjistër qendror që monitoron kontaktet e lobistëve me zyrtarët e lartë, duke e bërë të vështirë gjurmimin e ndikimit të interesave private në vendimmarrje. Një tjetër çështje ka të bëjë me përgjegjshmërinë e Kryeministrit; megjithëse mandati i Komisionit të Etikës është zgjeruar, ende nuk ekzistojnë dispozita specifike që të mundësojnë sanksionimin e Kryeministrit në rast shkeljeje të Kodit të Etikës, duke lënë një boshllëk në mekanizmat e kontrollit të sjelljes së ekzekutivit. Po ashtu, kufizimet pas punësimit të zyrtarëve të lartë mbeten të papërfunduara, pasi rregullat që ndalojnë kalimin e menjëhershëm të tyre në sektorin privat në fusha që kanë menaxhuar gjatë mandatit janë ende në proces hartimi, duke e lënë hapësirë për konflikt interesi dhe ndikim të pakontrolluar të përvojës publike në sektorin privat.
Modele ndërkombëtare të transparencës
E drejta për informim është një element themelor i shtetit të së drejtës dhe një nga standardet bazë që Bashkimi Europian kërkon nga vendet aspirante për anëtarësim. Në disa vende të Europës dhe rajonit, kjo e drejtë është institucionalizuar përmes mekanizmave të qartë që garantojnë akses të barabartë, në kohë dhe të plotë në informacionin publik, duke shërbyer si praktika të mira në fushën e transparencës që Shqipëria mund të marrë si udhëzime për përmirësimin e qeverisjes së hapur.
Në Estoni, e drejta e qytetarëve për t’u informuar mbështetet nga një sistem i avancuar digjital, ku çdo institucion publik detyrohet të publikojë online dokumentet e vendimmarrjes, kontratat dhe aktet administrative, duke e kthyer transparencën në një proces të automatizuar. Finlanda e garanton të drejtën për informim në Kushtetutë, duke e konsideruar aksesin në dokumentet publike si parim, ndërsa kufizimet mbeten përjashtime të përcaktuara ngushtë me ligj dhe të mbikëqyrura nga gjykatat. Ndërkohë, Zvicra ofron një model më të avancuar të komunikimit institucional, ku vendimet qeveritare u bëhen të ditura gazetarëve menjëherë pas mbledhjeve përmes konferencave për shtyp, njoftimeve të detajuara dhe aksesit të drejtpërdrejtë në dokumente zyrtare.
Praktika të mira ka edhe në vende pranë Shqipërisë, ku periudha e tranzicionit është më e përafërt siç është Kroacia dhe Sllovenia. Kjo e fundit, e trajton çështjen e transparencës të lidhur ngushtë me procesin legjislativ dhe vendimmarrjen ekzekutive, pasi projektligjet dhe materialet shoqëruese publikohen përpara mbledhjeve qeveritare, duke u dhënë mundësi medias, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve të informohen dhe të reagojnë në kohë. Ndërsa në Kroaci, vendi i fundit i anëtarësuar në BE, e drejta për informim zbatohet përmes një ligji të posaçëm dhe një Komisioneri të pavarur, i cili ka kompetenca reale për të detyruar institucionet të japin informacion dhe për të sanksionuar shkeljet, veçanërisht në fushat që lidhen me fondet publike, kontratat dhe vendimet qeveritare.
Transparenca si detyrim, jo favor
Këto praktika të mira tregojnë se respektimi i së drejtës për informim nuk kufizohet vetëm në ekzistencën e ligjeve, por kërkon vullnet politik, institucione mbikëqyrëse të pavarura dhe kulturë administrative që e trajton transparencën si detyrim ndaj qytetarëve, dhe jo si favor. Në rastin e Shqipërisë, situata e të drejtës për informim mbetet në një udhëkryq. Edhe pse ka përparime në kornizën ligjore dhe ne reforma, zbatimi i përditshëm në ministri dhe institucione qendrore mbetet i vështirë.
Nga ana tjetwr, transparenca dhe qasja në informacion janë pjesë e drejtpërdrejtë e Kapitullit 23 të negociatave me BE-në, që do të thotë se progresi i Shqipërisë drejt anëtarësimit varet nga sa e hapur do të jetë qeverisja ndaj qytetarëve të saj. Siç theksojnë raportet e fundit, informacioni duhet të jetë jo vetëm i aksesueshëm, por edhe i kuptueshëm dhe i ofruar në kohë, në mënyrë që qytetarët të jenë pjesëmarrës realë në demokracinë e vendit.
Pikërisht modele dhe praktika ndërkombëtare, si dhe adoptimi i tyre, do të ishte një hap konkret drejt përmbushjes së standardeve të BE-së, forcimit të llogaridhënies publike dhe ndërtimit të besimit të munguar mes institucioneve dhe qytetarëve.
Referenca
Council of Europe. (June 23, 23 qershor 2025). Access to information: Thematic paper (final for publication).https://rm.coe.int/access-to-information-thematic-paper-final-for-publication-en-230625/4880289dcb
Council of Europe, Group of States against Corruption (GRECO). (21 March 21, mars 2025). Fifth evaluation round: Preventing corruption and promoting integrity in central governments (top executive functions) and law enforcement agencies – Second compliance report Albania (GrecoRC5(2025)5).https://rm.coe.int/grecorc5-2025-5-final-eng-2nd-compliance-report-albania-public/1680b4daab
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. (2025). Regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve 2025.https://idp.al/regjistri-i-kerkesave-dhe-pergjigjeve-2025/
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. (16 dhjetor 2025 ). Konferenca e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit.https://idp.al/2025/12/16/konferenca-e-vii-kombetare-per-te-drejten-e-informimit/(aksesuar më 16 prill 2026)
Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV). (dhjetor 2025). SCiDEV ngre shqetësime për pabarazi në aksesin e gazetarëve dhe shoqërisë civile në informacion publik.https://scidevcenter.org/wp-content/uploads/2025/12/SCiDEV-ngre-shqetesime-per-pabarazi-ne-aksesin-e-gazetareve-dhe-shoqerise-civile-ne-informacion-publik.pdf




.png)
.png)



.jpg)



.png)























