Lufta kundër drogës përfaqëson një nga fushat më komplekse dhe ndërsektoriale të politikave publike në procesin e integrimit europian, pasi ndërthur drejtpërdrejt çështjet e sigurisë së brendshme, shëndetit publik, drejtësisë penale dhe zhvillimit social. Për vendet aspirante në Bashkimin Europian, përfshirë Shqipërinë, progresi në këtë fushë shihet jo vetëm si përmbushje teknike e acquis, por edhe tregues i besueshmërisë institucionale dhe aftësisë për të prodhuar rezultate konkrete në terren (Komisioni Europian, 2024; UNODC, 2024).Në kuadër të Kapitullit 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, politikat kundër drogës zënë një vend të veçantë për shkak të ndërlidhjes së tyre me krimin e organizuar, korrupsionin, pastrimin e parave dhe sigurinë kufitare. Raportet vjetore të Komisionit Europian për Shqipërinë kanë theksuar vazhdimisht se progresi në këtë kapitull kërkon jo vetëm ndryshime ligjore, por edhe rezultate konkrete në terren, të mbështetura nga struktura funksionale dhe koordinim efektiv ndërinstitucional. Në vitin 2025, përpjekjet u fokusuan drejt konsolidimit të reformave të ndërmarra, forcimit të kapaciteteve institucionale dhe zhvillimit të mekanizmave të koordinimit ndërsektorial. Analizat tregojnë se bashkëpunimi midis institucioneve kombëtare dhe partnerëve ndërkombëtarë ka rritur efikasitetin e monitorimit të tregjeve të drogës dhe identifikimin e kërcënimeve emergjente (EUDA, 2024).
Nëse do t’ i referohemi fillimisht kornizës europiane të politikave kundër drogës dhe më pas te implikimet që kanë për Shqipërinë, është e nevojshme të nënvizohet se tashmë Strategjia e Bashkimit Europian për Drogën 2021–2025 përfaqëson një evolucion të rëndësishëm në qasjen ndaj drogës, duke u larguar nga modele të fragmentuara dhe duke promovuar një kornizë të integruar, të bazuar në balancën ndërmjet reduktimit të ofertës, reduktimit të kërkesës dhe reduktimit të dëmeve. Kjo strategji reflekton një konsensus europian se fenomeni i drogës duhet trajtuar si çështje komplekse shoqërore, ku masat represive duhet të shoqërohen nga ndërhyrje parandaluese, shëndetësore dhe rehabilituese. Për Shqipërinë, kjo kornizë europiane përkthehet në nevojën për të ndërtuar politika gjithëpërfshirëse, të koordinuara dhe të monitorueshme. Raportet e Komisionit Europian kanë evidentuar se, pavarësisht progresit të bërë në fusha të caktuara, fragmentimi i politikave dhe mungesa e mekanizmave të qartë të koordinimit kanë kufizuar ndikimin e masave kundër drogës. Zhvillimet e vitit 2025 përfaqësojnë një përpjekje të rëndësishme për të adresuar këto mangësi, duke synuar një harmonizim më të fortë me qasjen e BE-së.
Gjithsesi, është me rëndësi të përmendet se një nga sfidat strukturore të politikave kundër drogës në Shqipëri ka qenë ekzistenca e një numri dokumentesh strategjike sektoriale, të cilat, ndonëse të rëndësishme, nuk kanë ofruar një vizion të unifikuar dhe mekanizma të qartë monitorimi. Raportet e Komisionit Europian kanë theksuar se mungesa e një dokumenti të vetëm strategjik ka vështirësuar vlerësimin e progresit dhe matjen e ndikimit të politikave. Hartimi i Strategjisë Kombëtare të Drogave synon të adresojë këtë problem përmes krijimit të një kuadri të integruar strategjik, i cili harmonizon objektivat kombëtare me prioritetet e BE-së. Ky dokument do të shërbejë si instrument kyç për planifikimin afatmesëm dhe afatgjatë, duke vendosur tregues të matshëm, afate kohore të qarta dhe përgjegjësi institucionale të përcaktuara. Ndërkohë, në nivelin e zbatimit të ligjit, të dhënat tregojnë përmirësim të dukshëm në hetimet proaktive dhe goditjen e rrjeteve kriminale të trafikut të drogës. Sistemi Kombëtar i Paralajmërimit të Hershëm, i ngritur me Urdhrin nr.127, datë 26.07.2024 dhe Urdhrin nr.233, datë 05.12.2024, ka forcuar shkëmbimin e informacionit me institucionet kombëtare dhe europiane, duke mundësuar ndërhyrje të shpejta në rastet e emergjencës (Komisioni Europian, 2025). Reforma ligjore në vend pritet të japë një ndikim të dukshëm. Projektligjet për përditësimin e ligjit nr. 8874 dhe ligjit nr. 7975 do të përmirësojnë kuadrin ligjor për kontrollin e lëndëve narkotike dhe psikotrope, duke harmonizuar mekanizmat e parandalimit me standardet ndërkombëtare. Rezultatet e para tregojnë një sistem më të kontrolluar të qarkullimit të lëndëve të ndjeshme dhe reduktim të përdorimit të tyre në veprimtari të paligjshme (MSHMS, 2025).
Për sa i përket kuadrit institucional, Observatori Kombëtar i Drogave (OKD), i ngritur me Urdhrin e Kryeministrit Nr. 102, datë 14.07.2025, ka filluar të centralizojë informacion mbi përdorimin e drogës, tregjet e paligjshme dhe ndikimet shëndetësore dhe sociale. Analizat e para tregojnë përmirësim në krahasueshmërinë e të dhënave dhe mbështetje më të strukturuar për raportimet e EUDA dhe UNODC. Integrimi me Sistemin Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm (SKPH) ka lehtësuar identifikimin e substancave të reja psikoaktive dhe reagimin më të shpejtë ndaj kërcënimeve emergjente (MSHMS, 2025). Funksionalizimi i Sistemit Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm (SKPH) për substancat e reja psikoaktive përfaqëson një tjetër arritje të rëndësishme institucionale. Ky sistem rrit aftësinë e autoriteteve për të identifikuar rreziqet emergjente dhe për të reaguar në mënyrë të koordinuar, duke kontribuar në mbrojtjen e shëndetit publik dhe sigurisë.
Nëse e sjellim sërish vëmendjen drejt praktikave europiane, një element thelbësor i politikave europiane kundër drogës është integrimi i dimensionit shëndetësor dhe social, duke e trajtuar përdorimin e drogës si çështje shëndetësore dhe jo vetëm si problem penal. Shqipëria ka ndërmarrë hapa drejt integrimit të shërbimeve të parandalimit, trajtimit dhe rehabilitimit, si në nivel kombëtar ashtu edhe vendor. Politikat kanë filluar të integrojnë më shumë trajtime dhe programe rehabilitimi, nga perspektiva shëndetësore dhe sociale, duke përmirësuar kështu qasjen ndaj përdoruesve vulnerabël dhe duke ulur dëmet shoqërore dhe shëndetësore. Kjo tregon një përparim në efektivitetin e politikave multidimensionale dhe një bazë të fortë për hartimin e Strategjisë së re Kombëtare për Drogat 2030 dhe Planin e Veprimit për zbatimin e saj. Këto dokumente synojnë të harmonizojnë tre shtyllat kryesore: reduktimin e ofertës përmes zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimit gjyqësor, reduktimin e kërkesës përmes parandalimit, trajtimit dhe rehabilitimit, dhe reduktimin e dëmeve përmes masave shëndetësore dhe sociale. Strategjia do të përfshijë gjithashtu kërkimin shkencor, inovacionin, koordinimin ndërinstitucional dhe integrimin e dimensionit shëndetësor dhe social në politikëbërje. Zbatimi i këtyre strategjive pritet të rrisë ndikimin e politikave në terren, të përmirësojë monitorimin e tregjeve dhe të reduktojë më tej përdorimin e paligjshëm të lëndëve narkotike. Megjithatë, në këtë aspekt, raportet e Komisionit Europian sugjerojnë nevojën për thellimin e hetimeve financiare dhe konfiskimin e pasurive me origjinë kriminale, forcimin e koordinimit ndërinstitucional, integrimin më të mirë të dimensionit shëndetësor dhe social në planifikimin strategjik, dhe gjithashtu përmirësimin e mbledhjes dhe analizës së të dhënave për vendimmarrje strategjike (Komisioni Europian, 2025).
Bashkëpunimi ndërkombëtar përbën një shtyllë themelore të luftës kundër drogës, veçanërisht në kontekstin e krimit të organizuar ndërkufitar. Shqipëria ka intensifikuar bashkëpunimin me strukturat europiane dhe ndërkombëtare, duke marrë pjesë aktive në iniciativat e EMPACT dhe në krijimin e Skuadrave të Përbashkëta Hetimore. Ky bashkëpunim ka kontribuar në rritjen e kapaciteteve operacionale dhe në përmirësimin e shkëmbimit të informacionit, duke e pozicionuar Shqipërinë si një partner më të besueshëm në arkitekturën europiane të sigurisë. Të dhënat e viteve të fundit tregojnë përmirësim të ndjeshëm edhe në hetimet proaktive dhe në goditjen e rrjeteve të trafikimit të drogës. Megjithatë, raportet e Komisionit Europian theksojnë se fokusi duhet të zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt hetimeve financiare dhe konfiskimit të pasurive me prejardhje kriminale, si instrumente kyçe për dobësimin afatgjatë të grupeve kriminale.
Në përfundim, zhvillimet e viteve të fundit tregojnë se Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm në konsolidimin e politikave kundër drogës në përputhje me standardet europiane. Rezultatet tregojnë forcim të institucioneve dhe kapaciteteve analitike, përmirësim të ndërveprimit ndërinstitucional dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ndikim pozitiv në uljen e tregjeve të paligjshme dhe përdorimit të drogës, dhe një bazë solide për integrimin e dimensionit social dhe shëndetësor në politikat e ardhshme. Këto rezultate e pozicionojne Shqipërinë si një partner të besueshëm dhe krijojnë mundësi për një qasje më koherente dhe të bazuar në prova. Sidoqoftë, për të garantuar qëndrueshmërinë e reformave dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit europian, nevojiten përpjekje të mëtejshme në drejtim të koordinimit ndërinstitucional, integrimit të dimensionit shëndetësor dhe forcimit të analizave strategjike.
Alma Përmeti & Gentiana Bektashi, maj 2026
*MSc Alma Përmeti është Drejtore në Drejtorinë e Integrimit dhe Planifikimit Strategjik, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Ajo zotëron një Master në Statistikë e Propabilitet dhe vazhdon studimet e doktoraturës. Alma ka eksperiencë prej 17 vitesh në nivel drejtues në Policinë e Shtetit Shqiptar dhe në çështjet e integrimit europian.
*Dr. Gentiana Bektashi është Përgjegjëse e Drejtorisë së Integrimit, Koordinimit, Marrëveshjeve dhe Asistencës pranë Ministrisë së Brendshme. Ajo zotëron titullin Doktore e Shkencave në Studime Europiane dhe ka18 vite përvojë në çështjet e integrimit europian.
Referenca
Council of the European Union. (2021). European Multidisciplinary Platform Against Criminal Threats (EMPACT): Policy Cycle 2022–2025. Brussels: Council of the European Union.
European Commission. (2021a). EU Drugs Strategy 2021–2025. Brussels: European Union.
European Commission. (2021b). EU Action Plan on Drugs 2021–2025. Brussels: European Union.
European Commission. (2024). Albania Report 2024. Brussels: European Union.
European Commission. (2025). Albania Report 2025. Brussels: European Union.
European Union Drugs Agency (EUDA). (2023). European Drug Report 2023: Trends and Developments. Lisbon: Publications Office of the European Union.
European Union Drugs Agency (EUDA). (2024). European Drug Report 2024: Trends and Developments. Lisbon: Publications Office of the European Union.
Europol. (2024). EU Serious and Organised Crime Threat Assessment. The Hague: Europol.
Ministria e Brendshme. Urdhri nr. 127, 26.07.2024; Urdhri nr. 233, 05.12.2024.
Ministria e Brendshme. Udhëzimi i Përbashkët nr. 2487, 15.05.2017; Udhëzimi nr. 46, 13.04.2023.
MSHMS. Plani i Veprimit për Parandalimin, Trajtimin dhe Reduktimin e Dëmeve nga Drogat 2023–2026. Tirana: MSHMS, 2023.
MSHMS. Raporti i brendshëm mbi grupin e punës, 2025.
MSHMS. Raporti i brendshëm i koordinimit me SKPH, 2025.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8874, datë 29.3.2002”. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, 2025.
Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 7975, datë 26.7.1995”. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, 2025.
Qeveria e Shqipërisë. Strategjia kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2021–2025. Tirana: Qeveria e Shqipërisë, 2021.
United Nations Office on Drugs and Crime (UNODC). (2024). World Drug Report 2024. Vienna: United Nations.
World Health Organization (WHO). (2023). Guidelines on Community-Based Treatment and Care for People with Drug Use Disorders. Geneva: World Health Organization.





.png)
.png)


.jpg)



























