Paketa e Zgjerimit 2023 – Një analizë krahasimore e (progres) raporteve për Shtetet e Ballkanit Perëndimor

Paketa e Zgjerimit 2023 – Një analizë krahasimore e (progres) raporteve për Shtetet e Ballkanit Perëndimor

Në këtë artikull analizohet ecuria e tre nga gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe konkretisht: Shqipëria, e cila ka mbajtur Konferencën e Parë Ndër-Qeveritare më 19 Korrik 2022 edhe aktualisht është në hapat e parë të Procesit të Negociatave dhe ka përfunduar shqyrtimin e Acquis së BE (në nëntor 2023) (Acquis Screening); Maqedonia e Veriut që gjithashtu ka mbajtur Konferencën e Parë Ndër-Qeveritare në korrik 2022 dhe ka përfunduar fazën e shqyrtimit të Acquis të BE-së, si edhe Serbia, shtet i cili ka hapur Negociatat për Anëtarësim në BE në janar 2014 dhe aktualisht ka hapur 22 nga 35 Kapituj Negociues (edhe pse 2 nga këto Kapituj janë mbyllur përkohësisht). Në një analizë krahasimore mes Raporteve vihet re se sfidat dhe problematikat me të cilat këto tre shtete po përballen janë sa të ngjashme aq edhe specifike. Duke u fokusuar tek 5(pesë) nga fushat e monitorimit, subjekt i Raporteve, në këtë shkrim do të përmblidhen problematikat e tre shteteve për secilën fushë, si edhe ecuria e bërë në krahasim me raportet paraardhëse.


Sa i takon Kriterit Politik në të tre vendet vihet re një polarizim mes faktorëve politikë dhe konkretisht:

Për Shqipërinë theksohet ndarja në fraksione e partisë kryesore opozitare dhe pjesëmarrje e ulët në zgjedhjet e fundit lokale të 14 majit 2023 ku u paraqitën në votime vetëm 38.2% e popullsisë. Gjithashtu theksohet se kontrolli dhe mbikëqyrja e Parlamentit mbi Ekzekutivin mbetet e kufizuar. Politizimi vihet re edhe tek zgjedhja nga Parlamenti e Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, procese të cilat kanë hasur në pengesa dhe vonesa.[1]

Për Maqedoninë e Veriut theksohet sfida që po has ky vend sa i takon sundimit të ligjit dhe moszbatimi i rekomandimeve të bëra nga OSBE-ODIHR dhe nga Komisioni i Venecias, rekomandime të cilat lidhen me rregullimin dhe përmirësimin e Kodit Zgjedhor. Polarizimi politik është thelluar duke sjellë kështu vonesa në miratimin e ligjeve dhe emërimeve në institucione shtetërore të rëndësishme 

Në Serbi, polarizimi politik është thelluar veçanërisht pas ngjarjeve tragjike të majit 2023 ku mbetën të vrarë 16 persona, si dhe mbi 14 të tjerë të plagosur (dy episode të të shtënave masive), ngjarje të cilat u pasuan nga një seri protestash të mbështetura edhe nga partitë opozitare. Debatet ne Parlament mes koalicionit qeverisës dhe opozitës janë të vazhdueshme, kjo si pasojë edhe e mungesës së një axhende vjetore të punës së Parlamentit. Serbia, njësoj si Maqedonia e Veriut, nuk ka implementuar rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe Këshillit të Europës mbi Ligjin Elektoral dhe Kodin Zgjedhor.

 

Sa i takon Administratës Publike dhe reformave të ndërmarra në këtë sektor, të tre vendet e marra në analizë konsiderohen si pjesërisht/mesatarisht të përgatitura nga Raportet e vitit 2023. Konkretisht:

Shqipëria ende nuk ka përgatitur një strategji të re mbi reformimin dhe funksionimin e administratës publike si dhe për menaxhimin e financave publike. Janë bërë përpjekje për të dixhitalizuar shërbimet publike ,por duhet përmirësuar mbrojtja e të dhënave personale sidomos pas sulmeve kibernetike të vitit 2022. Pranimet në shërbimin civil jo gjithmonë bazohen tek meritokracia, fenomen që ndodh veçanërisht tek nivelet e larta drejtuese.

Maqedonia e Veriut ka pasur një përparim të kufizuar si pasojë e miratimit të një strategjie mbi Administratën Publike dhe të planit shoqërues të kësaj strategjie në korrik të 2023. Fenomene si politizimi i administratës, nepotizmi apo pranimi në administratë jo në bazë të meritokracisë janë gjithashtu të hasura. Në legjislacion nuk janë përfshirë ende rekomandimet e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, por vihen re përpjekje për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe biznesit.

Serbia gjithashtu ka pasur një përparim të kufizuar si pasojë e rritjes së shërbimeve të marra në rrugë elektronike dhe trajnimit të punonjësve të administratës publike. Sa i takon menaxhimit të financave publike duhet të zbatohen rekomandimet mbi krijimin e një mekanizmi që i jep prioritet investimeve pavarësisht llojit dhe burimeve të financimit.

 

Mbi Funksionimin e Gjyqësorit dhe përparimeve në këtë sektor, Komisioni Europian në raportet për këto tre vende vlerëson se:

Shqipëria konsiderohet si pjesërisht/mesatarisht e përgatitur sa i takon drejtësisë. Reforma në drejtësi nuk është përfunduar ende, por vihet re një progres domethënës. Sa i takon Gjykatës Kushtetuese, ky organ është funksional dhe 9 gjyqtarët kushtetues janë aktualisht në detyrë (8 prej të cilëve me një mandat të plotë 9-vjeçar). Ndër problematikat që po has sistemi gjyqësor përmenden periudha e gjatë e procedurave administrative, si dhe ngarkesa e madhe apo numri i lartë i çështjeve në Gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Apelit. Sa i takon procesit të vettingut deri në 6 tetor të 2023, 57% e subjekteve që i janë nënshtruar këtij procesi janë shkarkuar nga detyra, kanë dhënë dorëheqjen ose u është ndërprerë mandati.

Edhe Serbia ka të njëjtin status me Shqipërinë për Sistemin Gjyqësor duke u vlerësuar si mesatarisht e përgatitur. Në këtë vend është bërë progres në forcimin e pavarësisë dhe llogaridhënies së gjyqësorit, sidomos pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2022.

Maqedonia e Veriut nuk ka shfaqur progres gjatë periudhës që raporti mbulon. Në raport rekomandohet që Këshilli Gjyqësor duhet të rrisë përpjekjet për të mbrojtur integritetin dhe pavarësinë e gjyqtarëve, si dhe të institucioneve të drejtësisë. Shkarkimi nga detyra i Presidentit të Këshillit Gjyqësor tregoi që klasa politike ende ndikon në sistemin e drejtësisë. Miratimi i një strategjie të re sa i takon këtij sektori gjithashtu ka hasur në vonesa dhe pengesa.[2]

Në lidhje me Luftën kundër Korrupsionit për të tre shtetet fenomeni i korrupsionit konsiderohet si tepër serioz. Konkretisht :

Në Shqipëri korrupsioni është i përhapur si në sektorin publik, ashtu dhe në atë privat. Masat parandaluese nuk kanë rezultuar efektive sidomos në segmentet më të predispozuara ndaj këtij fenomeni. Pavarësisht se SPAK ka kryer hetime tek zyrtarë të niveleve të larta dhe kanë ndodhur disa arrestime, përsëri kultura e mosndëshkimit është mbizotëruese. Shqetësim në këtë fushë mbeten edhe kapacitetet institucionale të organeve të drejtësisë.

Maqedonia e Veriut, sipas Raportit nuk ka bërë progres në këtë fushë. Korrupsioni mbizotëron në shumë sektorë dhe paraqet një shqetësim tepër serioz. Në disa raste të hetimit dhe gjykimit të funksionarëve të lartë shtetërorë, ka pasur vonesa dhe pengesa, të cilat kanë mundësuar edhe parashkrimin e veprave penale për të cilat po kryheshin hetimet. Ulja e dënimit maksimal për vepra të caktuara shihet gjithashtu si një problematikë shumë serioze.

Serbia ka marrë parasysh rekomandimet e Grupit të Shteteve kundër Korrupsionit në Këshillin e Europës (GRECO) sa i takon parandalimit të korrupsionit. Vlerësohet se ka bërë një përparim të kufizuar në këtë fushë dhe ka pasur një numër të shtuar të funksionarëvë të lartë të dënuar për vepra që lidhen më korrupsionin (por nuk ka pasur raste të konfiskimit të pasurive të këtyre funksionarëve). Pavarësisht masave të marra, korrupsioni përsëri mbetet një problem serioz.[3]

Për pjesën e Të drejtave dhe Lirive Themelore:

Shqipëria ka bërë progres vetëm sa i takon të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Problematikat e lidhura me pronën karakterizohen nga një mungesë transparence dhe respektimi i të drejtave të pakicave kombëtare mbetet problem, pasi miratimi i legjislacionit në mbrojtje të minoriteteve nuk ka përparuar. Raporti rekomandon shtimin e përpjekjeve në zbatimin e legjislacionit dhe politikave që synojnë mbrojtjen e shtresave të margjinalizuara.

Maqedonia e Veriut ka përafruar kuadrin ligjor për mbrojtjen e të drejtave themelore me legjislacionin dhe me standardet e BE-së në respektimin e të drejtave dhe lirive themelore. Kodi i ri Penal u miratua në shkurt të 2023 duke i dhënë prioritet ndëshkimit të krimeve me bazë gjinore. Parlamenti i Maqedonisë së Veriut duhet të emërojë funksionarë në organet e pavarura në bazë të meritokracisë dhe duhet të shtojë fondet për këto organe. Problematike ngelet situata e personave me aftësi të kufizuara të cilët përballen me diskriminim dhe përjashtim social.

Në Serbi, kuadri ligjor sa i takon respektimit të të drejtave dhe lirive themelore është mëse i pranueshëm. Avokati i Popullit u rizgjodh në prill 2023 pa konsensus ndër-partiak dhe mungojnë fondet për të mbuluar kompetencat e shtuara të këtij të fundit, të përcaktuara nga Ligji për Avokatin e Popullit i vitit 2021. Ka filluar zbatimi i planeve dhe strategjive të reja lidhur me barazinë gjinore, dënimin e diskriminimit edhe pse organet monitoruese të këtyre proceseve nuk ishin funksionale gjatë periudhës së zgjedhjeve dhe formimit të qeverisë së re. Këshillat për pakicat kombëtare u krijuan pas zgjedhjeve të mbajtura në nëntor 2022.


Përfundime & Rekomandime

Duke marrë parasysh që procesi i integrimit në thelb është një proces tepër kompleks dhe i shtrirë në kohë, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të angazhohen maksimalisht në implementimin e rekomandimeve të dala si rezultat i  Raporteve për secilin vend. Takime periodike mes shteteve që në fokus kanë shkëmbimin e praktikave ligjore dhe institucionale për fusha të ndryshme do të mundësonin që strategjitë e caktuara që kanë rezultuar efikase për një shtet të ndiqeshin edhe nga shtetet fqinje. Nëse analizojmë Valët e Zgjerimit të Bashkimit Europian, probabiliteti më i madh është që disa vende të rajonit të anëtarësohen njëkohësisht, thënë kjo, një bashkërendim i planeve dhe strategjive, si edhe i politikave të përbashkëta rajonale do të mundësonte progres më të shpejtë për secilin vend pavarësisht problematikave specifike të tyre. Integrimi në BE ka qenë edhe mbetet e vetmja alternativë për Shqipërinë dhe rajonin në tërësi, prandaj çështjet që lidhen me integrimin duhet të trajtohen me shumë seriozitet dhe të zënë një hapësirë të konsiderueshme në diskursin publik.


Kristi Prifti*, mars 2024

*Kristi Prifti, është student në vitin e dytë të studimeve Master në Shkenca Politike me një profil të specializuar në Menaxhim & Vlerësim Projektesh. Ai është vlerësuar me Certifikatë Ekselence në vitin 2019 për arritjet e tij të larta akademike, si dhe në vitin 2021. Kristi ka ndjekur trajnime dhe seminare të shumta që lidhen me procesin e antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Disa nga trajnimet kryesore të tij përfshijnë pjesëmarrjen në European Summer School - “My Europe, Albania Toward the EU Accession”, organizuar nga European Center në bashkëpunim me KAS Albania, si dhe "Akademia e Lidershipit të Integrimit Europian" organizuar nga EU Policy Hub. Kristi gjithashtu ka qenë pjesë e një projekti të mbështetur nga programi Erasmus + në Rumani, ku ka përfaqësuar Shqipërinë.




[2] Commision Staff Working Document North Macedonia 2023 Report. (2023 November 8). Directorate-General for Neighbourhood and Enlargement Negotiations. 3-6; 8-19

https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/north-macedonia-report-2023_en

 

[3] Commision Staff Working Document Serbia 2023 Report. (2023 November 8). Directorate-General for Neighbourhood and Enlargement Negotiations. 3-5; 11-23

https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/serbia-report-2023_en

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk