Politikat dhe strategjitë e zgjerimit të Bashkimit Europian, perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Partneritetit Lindor

Politikat dhe strategjitë e zgjerimit të Bashkimit Europian, perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Partneritetit Lindor

Zgjerimi i Bashkimit Europian është një mjet i fuqishëm për të promovuar demokracinë, shtetin e së drejtës  dhe respektimin e të drejtave themelore, një perspektivë e besueshme dhe e bazuar në merita duke u bërë kështu shtytësi kryesor i transformimit dhe duke rritur sigurinë  kolektive dhe socio-ekonomike. Zgjerimi është një forcë shtytëse për stabilitet afatgjatë, paqe dhe prosperitet në të gjithë kontinentin tonë. Anëtarësimi në BE është një investim gjeostrategjik për një Europë të fortë, të qëndrueshme, të bashkuar dhe të bazuar në vlera të përbashkëta. Të gjitha vendet e zgjerimit tani kanë një dritare historike mundësish për të lidhur fuqimisht të ardhmen e tyre me Bashkimin Europian. Komisioni ka treguar gatishmëri në përshpejtimin e proceseve të tyre përkatëse të anëtarësimit duke u siguruar që zgjerimi  të jetë një katalizator për përparim. Anëtarësimi është dhe do të mbetet një proces i bazuar në merita, plotësisht i varur nga progresi objektiv i arritur nga secili vend.

 

Për të përmbushur kriteret e anëtarësimit të vendosura mirë dhe në interesin e tyre, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të zbatojnë reforma gjithëpërfshirëse në fushat më vendimtare.  Shteti i së drejtës , të drejtat themelore, funksionimi i institucioneve demokratike, reforma e administratës publike dhe kriteret ekonomike përbëjnë thelbin e asaj që njihet si 'bazat' e procesit të anëtarësimit në BE.[1] Cilësia e institucioneve dhe e qeverisjes është bazë për rritjen e konkurrencës, prosperitetit dhe mirëqenies shoqërore. Reformat e besueshme dhe të pakthyeshme janë thelbësore për vendet e zgjerimit, për të siguruar përparim në rrugët e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE.

 

Reformat në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe reforma në administratën publike duhet të japin rezultate reale dhe të përmirësohet seriozisht funksionimi i institucioneve demokratike. Reformat ekonomike duhet të ndiqen me vrull dhe të adresohen dobësitë strukturore, konkurrueshmëria e ulët dhe papunësia e lartë. Të gjitha vendet do të duhet të angazhohen pa mëdyshje, si në premtime ashtu edhe në vepra, për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës, duke zgjidhur çështjet e hapura shumë përpara fillimit të përpjekjeve të tyre për t’u anëtarësuar në BE, veçanërisht mosmarrëveshjet kufitare. Vendeve u duhet të veprojnë me vendosmëri të fortë, të zbatojnë reformat e nevojshme dhe të bëjnë një përparim të prekshëm dhe të pakthyeshëm, në mënyrë që të shfrytëzojnë plotësisht mundësinë e dhënë.

 

Bashkimi Europian ka rritur ndjeshëm mbështetjen e tij për procesin e transformimit në Ballkanin Perëndimor. Komisioni gjithashtu ka parashikuar një Plan Veprimi në Mbështetje të Transformimit të Ballkanit Perëndimor, në të cilin  përfshihen gjashtë nisma kryesore që synojnë fusha specifike të interesit si për BE-në ashtu edhe për vetë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë një sërë masash të reja në fusha me interes të fortë reciprok.

 

Komisioni Europian miratoi së fundmi edhe një Plan të ri Rritjeje për Ballkanin Perëndimor, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të përshpejtuar konvergjencën mëse të nevojshme socio-ekonomike. Ky i fundit parashikohet si një Plan gjithëpërfshirës i masave reciproke përforcuese dhe përfitimi, si për vendet e BE-së ashtu edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Qëllimi kryesor i Planit është të sjellë disa nga përfitimet e anëtarësimit në rajon përpara anëtarësimit, duke nxitur rritjen ekonomike dhe përshpejtimin e konvergjencës socio-ekonomike me standardet e BE-së (dhe tregun e saj të vetëm) nëpërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal. Zhvillimi i një Tregu të Përbashkët Rajonal është thelbësor për të zhbllokuar potencialin ekonomik të rajonit, për të krijuar mundësi për biznesin dhe punëtorët dhe për ta bërë Ballkanin Perëndimor një vend më tërheqës për investitorët europianë, kështu bazuar në miratimin dhe zbatimin e standardeve të BE-së, do të jetë një hap drejt Tregut Unik të BE-së.[2] Objektivi duhet t'u mundësojë partnerëve të rrisin reformat dhe investimet për të përshpejtuar ndjeshëm shpejtësinë e procesit të zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të tyre.

 

Në këtë drejtim, Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor do të përfaqësojë një mundësi për të rritur më tej vizibilitetin dhe ndërgjegjësimin e mbështetjes së BE-së për rajonin, duke forcuar angazhimin me audiencën vendase. Konvergjenca ekonomike është një element thelbësor për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në. Prandaj, ekziston nevoja për të nxitur përgatitjet e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, duke sjellë përpara disa nga përfitimet e tij, veçanërisht në mënyra që mund të ndihen drejtpërdrejt nga qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 

Anëtarësimi në BE është një zgjedhje strategjike, përgjatë së cilës partnerët duhet të përqafojnë dhe promovojnë vlerat e BE-së në mënyrë të vendosur dhe pa mëdyshje. Përafrimi me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së është një sinjal më domethënës se kurrë i vlerave të përbashkëta dhe orientimit strategjik në kontekstin e ri gjeopolitik.

 

Zgjerimi i BE-së mori një vrull të ri me zbatimin e Axhendës së Zgjerimit në qershor 2022, kur Këshilli Europian miratoi rekomandimet e Komisionit, duke njohur perspektivën europiane të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë dhe duke i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendit kandidat. Kjo pasoi aplikimet për anëtarësim në BE të dorëzuara nga të tre vendet në pranverën e vitit 2022.

 

Përgjigjja e BE-së ndaj luftës së agresionit të Rusisë ishte e paprecedentë, e bashkuar, e vendosur dhe e menjëhershme. 27 shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët e tyre në mbarë botën dënuan luftën e paprovokuar dhe të pajustifikuar të agresionit. Ata vepruan me shpejtësi, duke e izoluar Rusinë politikisht dhe ekonomikisht, duke dënuar shkeljet e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe duke mbështetur hapat për të siguruar përgjegjësi të plotë për krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të kryera në lidhje me luftën e agresionit të Rusisë. BE-ja ka miratuar deri më tani 11 paketa sanksionesh të gjera kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. Duke demonstruar mbështetjen e saj të palëkundur për Ukrainën, BE-ja vazhdon të ofrojë mbështetje të gjerë humanitare, financiare, ekonomike dhe ushtarake për vendin.

 

Lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës ka ndikuar vendet e zgjerimit, në veçanti Ukrainën si viktimë të agresionit, dhe shtetet anëtare të BE-së, me sfida të mëdha ekonomike dhe sociale. Përballë paqëndrueshmërisë së huaj në rritje, konkurrencës strategjike dhe kërcënimeve të sigurisë, është ndjerë detyrimi për të marrë më shumë përgjegjësi ndërkombëtare duke ndërmarrë kështu hapa të mëtejshëm vendimtarë drejt reduktimit të varësive dhe ndërtimit të një baze më të fuqishme ekonomike. Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia gjithashtu vazhdojnë të kenë një pjesëmarrje aktive në Partneritetin Lindor. Bashkëpunimi territorial u mundëson vendeve në zgjerim të punojnë së bashku edhe me shtetet fqinje anëtare të BE-së në sektorët kyç si ai social dhe ekonomik. Më konkretisht, programet e bashkëpunimit ndërkufitar krijojnë mundësi për dialog dhe bashkëpunim në nivel të qeverisjes vendore, me përfshirjen e komuniteteve, sektorit privat dhe organizatave të shoqërisë civile. Strategjia e BE-së për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit dhe Strategjia e BE-së për Rajonin e Danubit kanë vazhduar të kontribuojnë në bashkëpunimin ndërmjet shteteve anëtare dhe vendeve kandidate, duke nxitur kapacitetet administrative për politika të ndryshme të BE-së, duke përfshirë politikën e kohezionit dhe duke ofruar një platformë për bashkëpunim.

 

Perspektiva europiane ka përforcuar vendosmërinë e vendeve për të kryer reformat e nevojshme të kërkuara nga procesi i anëtarësimit në BE, në veçanti prioritetet e përmendura në Opinionet e Komisionit. Komisioni deri tani raporton mbi përmbushjen e këtyre hapave si pjesë e paketës së tij të zgjerimit, në të cilën janë përfshirë edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia.

 

Zgjerimi mbetet një politikë kyçe e Bashkimit Europian dhe në veçanti anëtarësimi i plotë në BE për Ballkanin Perëndimor është në interesat politike, të sigurisë dhe ekonomisë të Bashkimit Europian. Lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës ilustron edhe një herë nevojën për një investim të vendosur gjeostrategjik në një Europë të qëndrueshme, të fortë dhe të bashkuar. Lufta ka pasur një ndikim të rëndësishëm tek partnerët e Ballkanit Perëndimor, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi ekonomitë dhe shoqëritë e tyre dhe duke krijuar rreziqe për stabilitetin e tyre. Nevoja për t'i afruar ato me BE-në dhe për të përshpejtuar procesin e tyre të anëtarësimit, bazuar në reformat e BE-së në këto vende, nuk ka qenë kurrë më e qartë se sa është sot.

 

Elefteria Komino, qershor 2024

 

 

*Elefteria Komino është diplomuar në nivelin Bachelor në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës në vitin 2021,  dhe  Master Shkencor në të Drejtën Civile në vitin 2023, dhe aktualisht është studente pranë Shkollës Shqiptare tëAvokatisë. Si studente ekselente është përzgjedhur për të pasur fillimisht një përvojë tre mujore si praktikante pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe që prej janarit 2024 punon pranë Drejtorisë së Integrimit dhe Negociatave në të njëjtën ministri.

 

 

 

      Referenca

 

2023 Communication new Growth Plan for the Western Balkans. Retrieved from https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/2023-communication-new-growth-plan-western-balkans_en

 

2023 Communication on EU Enlargement Policy. Retrieved from https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/document/download/cc71d42b-6c07-4deb-9069-5ca2082d166d_en?filename=COM_2023_690%20Communication%20on%20EU%20Enlargement%20Policy_and_Annex.pdf

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk