Ndërlidhja e politikës së zgjerimit me rimëkëmbjen

Ndërlidhja e politikës së zgjerimit me rimëkëmbjen

Zgjerimi i Bashkimit Europian në kontinent është kthyer në një nga tiparet përcaktuese të procesit të integrimit europian në tërësi. Ama, pavarësisht rëndësisë dhe qendërsisë së tij në zhvillimin e projektit europian, zgjerimi nuk ka qënë kurrë i lehtë dhe rrallëherë është arrirë pa vënë nën kontroll fillimisht hezitimin e strukturave të brendshme.

Në rrafsh ideologjik, rationale i përpjekjeve të zgjerimit qëndron në integrimin dhe konsolidimin politik, socio-ekonomik dhe territorial të Bashkimit Europian, duke sjellë kësisoj përparimin e idesë dhe projektit të Europës. Ndërsa, në një qasje më praktike, politikat e zgjerimit janë dobiprurëse në stabilizimin e rajonit dhe garantimin e sigurisë së Europës. Ndërmjet këtyre dy qasjeve, ky shkrim përqëndrohet në marrëdhënien midis Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor në kornizën e politikave të integrimit dhe qëllimisht nuk hulumton dimensionin e sigurisë në kontekstin gjeostrategjik. Për rrjedhojë, nuk shtjellohet çështja e ndikimeve të jashtëme në rajon, sidomos gjatë periudhës së reagimit ndaj pandemisë globale Covid-19, dhe interesi i Bashkimit Europian për t’i zbrapsur ato.

Në perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, rrugëtimi drejt integrimit në Bashkimin Europian përfaqëson një proces shtetformimi dhe një model zhvillimi e modernizimi. Në kontekst historik dhe në shpjegim të ndjenjës së përkatësisë së Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, mund të përmblidhet se për vendet e Ballkanit që trokasin në derën e saj, Europa politike ka përfaqësuar shpresën për liri, paqe dhe prosperitet nga e cila historia i përjashtoi në mënyrë arbitrare. Për ta, atyre u detyrohen diçka në këmbim, që do të ishte egoiste t’ua refuzonin (Beaune, 2020). Por anëtarësimi në Bashkimin Europian është një proces i ndërlikuar, i pazakontë dhe rraskapitës, i cili në thelb kërkon ngritjen e institucioneve të nevojshme ligjore dhe politike për të lehtësuar dhe mundësuar anëtarësimin eventual të vendit kandidat (Copenhagen Criteria).

Së fundmi vërehet se politika e zgjerimit, siç është hartuar dhe po zbatohet aktualisht, nuk është më e aftë të nxisë konsolidimin e demokracisë dhe të sjellë zhvillim mbarëshoqëror të Ballkanit Perëndimor. Rajoni duket se po përjeton një regres socio-ekonomik të tejzgjatur, duke sjellë për rrjedhojë dështimin e politikave të qeverisjes dhe mosfunksionimin e politikave transformuese të Bashkimit Europian. Ndërsa në dinamikat e brendshme të Bashkimit Europian mungon dakordësia mbi ritmet dhe mënyrën e integrimit të vendeve të rajonit. Ky konfigurim ka pasqyruar nevojën për reformim të politikës së zgjerimit, ndaj të cilës Komisioni Europian u përgjigj duke publikuar metodologjinë e re te zgjerimit (KE, 2020), mbështetur nga propozimi paraprirës i Francës, e cila efektivisht kishte paralizuar procesin e bisedimeve me vendet anëtare në pritje të reformimit të procesit.

Metodologjia e re jo domosdoshmërisht ka revolucionarizuar procesin e integrimit por ka njohur çështjet e shtetit ligjor si komponentë kyç të parimit të kushtëzimit të Bashkimit Europian (conditionality). Zgjatimi institucional politik i Unionit, Këshilli i Bashkimit Europian, kishte zhvilluar tashmë një mosbesim ndaj mekanizmit raportues të Komisionit Europian, i cili duke theksuar shpeshherë "nevojën për konsensus dhe stabilitet", përcillte idenë se procesi reformues i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk duhet t'i nënshtrohet një shqyrtimi tepër kritik. Për pasojë, metodologjia e re ka institucionalizuar kushtëzimin politik të Këshillit, përkundrejt qasjes burokratike të “makinerisë së Brukselit”.

Përgjithësisht, treguesit dhe mjetet për të matur dhe gjykuar ecurinë e vendeve kandidatë në zbatimin e reformave dhe harmonizimin e acquis janë përmirësuar. Ama, dhënia e më tepër kompetence rrafshit politik të Bashkimit Europian rrezikon gjenerimin e ngërçeve gjatë procesit të integrimit, siç dëshmoi veto-ja e Bullgarisë ndaj miratimit të kornizës negociuese të procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut për shkaqe historike. Logjikisht, Republika e Çekisë dhe Sllovakisë rikujtuan se marrëdhëniet dypalëshe historike nuk përkasin në fushëveprimin e negociatave të anëtarësimit. Gjithsesi, ky rast përforcon nevojën për të konsideruar me përgjegjshmëri implementimin e votimit me shumicë të cilësuar në çështje që i përkasin politikës së zgjerimit, në mënyrë që të shmanget mbartja e mosmarrëveshjeve dypalëshe në tryezën e diskutimeve të integrimit.

Për shkak të përmasës dhe kompleksitetit të Bashkimit Europian, shpeshherë proceset vendimmarrëse janë të ngadalta dhe formati i ri i politikës së zgjerimit do duhet ta adresojë këtë duke i garantuar procesit parashikueshmëri dhe qartësi. Por përpara se metodologjia e re të jetëzohej dhe të ishte e mundur të kryheshin vlerësimet e para, Bashkimi Europian dhe Ballkani Perëndimor u diktuan të investonin vëmëndjen e tyre në menaxhimin e pandemisë globale Covid-19.

Rrethanat e pandemisë Covid-19 shërbyen si stress test për marrëdhënien tashmë të tendosur midis Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor. Vendet anëtare dhe institucionet e Bashkimit Europian ishin fillimisht të ngathët në mbështetjen dhe përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në masat e marra për adresimin e pandemisë. Diçka jo veçanërisht e zgjuar duke marrë në konsideratë faktin se në vendet e rajonit po shquheshin tregues të destabilizimit të garancive demokratike. Por në një moment të mëvonshëm kthjellësie, Bashkimi Europian u investua në mbështetjen e Ballkanit Perëndimor duke mobilizuar mbi 3.3 miliardë euro për trajtimin e krizës shëndetësore të Covid-19 dhe rimëkëmbjen socio-ekonomike pas pandemisë (KE, 2020).

Megjithëse ishte e qartë se përqëndrimi do ishte në përpjekjet e rimëkëmbjes dhe se politika e zgjerimit do vendosej në pritje, pa ndërhyrjen e Bashkimit Europian vendet e rajonit do dalin prej kësaj më të cënueshëm dhe më të pagatshëm të angazhohen në procesin e integrimit. Në një periudhë kur rimëkëmbja nga pasojat ekonomike zë tërësisht vëmendjen e qeverive të rajonit, këto të fundit vështirë se janë të prirura për t’u përfshirë në reforma të shtetit ligjor apo proceseve demokratike. Duke qenë të vetëdijshëm për këtë, Bashkimi Europian publikoi një plan ekonomik dhe investimesh për të mbështetur rimëkëmbjen dhe konvergjencën ekonomike të rajonit me të Bashkimit Europian (KE, 2020). Paçka se kjo sinjalizon vetëdijen e Bashkimit Europian se kushtëzimi politik duhet shoqëruar me plane konkrete për zhvillim ekonomik, për të shmangur periferizimin e rajonit nga “qendra”, nevojitet që Ballkani Perëndimor të përfshihet qënësisht në diskutimin për ndërtimin e rendit ekonomik post-Covid dhe “Marrëveshjen e Gjelbër”, përsa i përket tranzicionit të gjelbër dhe dixhital drejt qëndrueshmërisë.

Në nivel politik, ndaj presidencës së Republikës Federale të Gjermanisë në Këshillin e Bashkimit Europian përgjatë gjashtë mujorit të dytë të vitit të kaluar, pritshmëritë për të udhëhequr integrimin e Ballkanit Perëndimor ishin të larta, ndoshta dhe përtej të mundshmes. Që prej nisjes së procesit të Berlinit, Gjermania është investuar rregullisht në shtyrjen përpara të programit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Por mungesa e dakordësisë mbi hartimin dhe përcaktimin e kornizës negociuese të bisedimeve të integrimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut shënoi mosarritjen e qëllimeve të presidencës së Gjermanisë, përfaqësuesit e së cilës e konsideruan këtë mosdakordësi si dëm të Bashkimit Europian ndaj vetvetes. Kështuqë, disa hesape të pambyllura iu lanë pasuesve, qeverisë së Portugalisë (Bunguri 2020).

Në fillim të vitit presidenca e Këshillit të Bashkimit Europian i kaloi Portugalisë dhe konsensusi i përgjithshëm është se kjo presidencë nuk do ketë po aq shtysë të angazhohet në programin e zgjerimit sa paraardhësja e saj. Në platformën e Portugalisë, të përqendruar kryesisht në përpjekjet e Unionit për një rimëkëmbje të drejtë, jeshile dhe dixhitale nga pandemia globale Covid-19 (2021Portugal.EU), lehtësisht vërehet mospërfshirja gjëkundi e politikës së zgjerimit të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor në përparësitë e programit. Pavarësisht se qeveria portugeze është e përkushtuar fuqimisht në dimensionin social të Bashkimit Europian, duket se përpjekjet e rimëkëmbjes dhe strategjia e vaksinimit e kanë shteruar vëmendjen e tyre dhe se përgjatë kësaj periudhe nuk pritet të ketë përparime të qënësishme në politikën e zgjerimit të Bashkimit Europian.

Ama qartazi politika e rimëkëmbjes nga Covid-19 dhe e ardhmja e politikës së zgjerimit janë të ndërlidhura dhe mënyra sesi Bashkimi Europian do i qaset Ballkanit Perëndimor në strategjinë e vaksinimit dhe të mbështetjes ekonomike do përcaktojë dinamikën midis tyre në vazhdim. Bashkimit Europian do i duhet të trajtojë dhe adresojë ndjenjën e braktisjes të rajonit përsa i përket shpërndarjes së vaksinave dhe të gjallërojë sërish interesin e vendeve anëtare në zgjerimin në Ballkanin Perëndimor. Politika e zgjerimit tashmë është zbehur dhe i nevojitet më tepër kredibilitet në rajon, për të cilin anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet domosdoshmëri.

 

Daniel Prroni, mars 2021

 

* Daniel Prroni ka studiuar Drejtësi, në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, si dhe ka ndjekur studimet e nivelit Master pranë Katholieke Universiteit Leuven dhe Universität Zürich për të Drejtë Europiane dhe Ndërkombëtare. Në përfundim të periudhës së studimeve universitare, është përfshirë në programe të Prezencës së OSBE në Shqipëri mbi barazinë gjinore dhe ka kryer një program Fellowship pranë Center for Policy Innovation mbi inovacionin në sektorin publik, behavioural design dhe politikëbërjen e bazuar në evidencë. Danieli është aktualisht i angazhuar si Koordinator Projektesh pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit ku ndjek projekte lidhur me të drejtat e njeriut, proceset demokratike dhe ekstremizmin e dhunshëm.

 

 

Referenca:

  1. Matteo Bonomi, Albana Merja, Theresia Töglhofer, Dušan Reljic, Make-or-Break Moment: EU Enlargement in Southeast Europe in Pandemic Times, Friedrich Ebert Stiftung, Tetor 2020
  2. Theresia Töglhofer, No Time to Lose for the EU: Overcoming the Accession Stalemate in the Western Balkans, German Council on Foreign Relations, Dhjetor 2019
  3. Ermal Frashëri, Of Knights and Squires: European Union and the Modernization of Albania, Center for International Development at Harvard University, Mars 2016
  4. Nikolaos Tzifakis, The Western Balkans during the pandemic: Democracy and rule of law in quarantine?,  Wilfried Martens Centre for European Studies, 2020
  5. Beáta Huszka, Tania Lessenska, Viral vulnerability: How the pandemic is making democracy sick in the Western Balkans, European Council on Foreign Relations, Dhjetor 2020
  6. The Western Balkans in Times of the Global Pandemic,  The Balkans in Europe Policy Advisory Group, Prill 2020
  7. Sabina Niksic, Dusan Stojanovic, Balkans feel abandoned as vaccinations kick off in Europe, Associated Press, Janar 2021
1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk