Përhapja e shpejtë e teknologjisë digjitale ka sjellë një transformim të thellë në praktikat demokratike gjatë viteve të fundit, duke riformësuar mënyrat përmes të cilave qytetarët marrin pjesë në sistemet politike. Epoka digjitale po ofron mundësi krejt të reja në përmirësimin e efektshmërisë së procedurave demokratike duke filluar nga votimi elektronik, pjesëmarrja e qytetarëve në platforma politike digjitale e deri te fushatat elektorale online. Megjithatë, ky transformim i ka vendosur institucionet shtetërore përballë sfidave po aq të reja, sidomos sa i takon sigurisë digjitale, rrezikut të dizinformimit, hackerimit dhe ndërhyrjeve në zgjedhje nga vende të huaja përmes sulmeve kibernetike. Këto problematika, në pamje të parë duket sikur na flasin më tepër për sfidat që paraqesin në shoqërinë tonë zhvillimi i teknologjisë dhe inovacionit në tërësi, por në të vërtetë ofrimi i mundësive në përdorimin e këtyre teknikave të reja dhe përfshirja e tyre brenda rregullave të demokracisë na tregon shumë më tepër mbi shkallën e konsolidimit të institucioneve sesa efekteve negative të digjitalizimit në vetvete. Sipas këtij kuptimi, në këtë shkrim do të trajtohet natyra e dyfishtë e konceptit të demokracisë digjitale – nga njëra anë si një mjet për rritjen e pjesëmarrjes, eficiencës dhe përshpejtimin e procesit demokratik dhe nga ana tjetër si një fushë virtuale që në raste të caktuara rrezikon t’i dëmtojë praktikat e demokracisë.
Një histori e shkurtër e aplikimit të demokracisë digjitale
Duke qenë se përdorimi i demokracisë digjitale është një shpikje ende e re, të dhënat empirike për të mbeten të pakta pasi ajo ende nuk ka nisur të aplikohet masivisht në rang shtetëror. Megjithatë, prova dhe sprova të realizuara në grupime politike të caktuara na ofron njëfarë perspektive mbi mënyrën se si ajo funksionon konkretisht. Ndër modelet e para të demokracisë digjitale është ajo që nga autorë të ndryshëm (shih për shembull Christian Blum dhe James Green-Armytage te “Liquid Democracy: Potentials, Problems and Perspectives”) është quajtur “Liquid Democracy” (Demokracia e Lëngët), të cilën mund ta identifikojmë në iniciativat që mundësojnë “përfshirjen e elektoratit në një vendimmarrje të përbashkët nëpërmjet pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë apo delegimit të votës në një platformë digjitale” (Behrens: 2014). Në këtë model vendimmarrjeje përdoren instrumenta nga demokracia e drejtpërdrejtë të ndërthurura me tipare të demokracisë përfaqësuese. Në demokracinë e lëngët, votuesit kanë të drejtën të japin votën për një politikë të caktuar, por në rastet kur e konsiderojnë të arsyeshme, ndoshta kur nuk kanë informacionin e mjaftueshëm mbi çështjen në fjalë, ata mund t’ia delegojnë votën një tjetër votuesi. Në këtë mënyrë, vota nuk shpërdorohet, procesi i numërimit është më i shpejtë, ndërsa përfaqësuesit politikë zgjidhen nga vota e pjesës më të informuar të elektoratit. Një ndër implementimet e para të modelit të demokracisë së lëngët u zbatua nga Partia e Piratëve në Gjermaninë e vitit 2011 përmes platformës së quajtur LiquidFeedback. Kjo platformë u mundësonte anëtarëve të partisë që të votonin për çdo politikë konkrete që ishte pjesë e programit të partisë, duke siguruar në këtë mënyrë një nivel të zgjeruar demokratizimi të brendshëm. Pavarësisht përçarjes së mëvonshme dhe disfatës elektorale në zgjedhje, Partia e Piratëve në Gjermani prezantoi një formë të re pjesëmarrjeje dhe llogaridhënieje në sistemin politik, duke shpërfaqur gjithashtu avantazhet por edhe mangësitë e këtij lloj modeli. Me kalimin e kohës, përhapja e këtyre platformave digjitale u zgjerua më tej në vende si Suedia, Spanja, Brazili, dhe Taivani, ku përdorimi i këtyre mjeteve digjitale e uli distancën midis të përfaqësuarve dhe përfaqësuesve duke përforcuar kështu demokracinë e drejtpërdrejtë, por edhe rritjen e përfaqësimit politik te grupet më pak të përfaqësuara të shoqërisë. Sa i takon zbatimit të demokracisë së drejtpërdrejtë, këto platforma të demokracisë digjitale kanë treguar se mund të jenë më efektive sesa modeli i referendumit. Nëse gjatë referendumeve votuesit priren të votojnë “pro” apo “kundër” një nisme të caktuar politike shpeshherë pa pasur informacionin e mjaftueshëm se për cilën alternativë të votojnë, platformat e lartpërmendura mundësojnë delegimin e votës, por edhe diversifikimin e logjikës binare të referendumeve. Kritikët e demokracisë së drejtpërdrejtë theksojnë se forma dualiste e të menduarit pro/kundër dhe mungesa e qëndrimit “të nuancuar” në rastin e referendumeve, priret të sjellë një informacion të deformuar te qytetarët nga ana e ligjërimeve populiste që mbështesin njërën alternativë ose tjetrën duke u bërë apel emocioneve të turmës më tepër sesa vullnetit politik të bashkësisë së qytetarëve. Kësisoj, ndërthurja e tipareve të demokracisë përfaqësuese me digjitalizimin e demokracisë së drejtpërdrejtë mund të garantojë votimin e njerëzve më të informuar mbi çështjen që shtrohet për vendimmarrje publike. Gjithsesi përdorimi i platformave të tilla është shumë pak i përhapur në shtetet post-diktatoriale të Europës. Pavarësisht ndikimit pozitiv në disa vende të Europës Perëndimore sa i përket lehtësimit të pjesëmarrjes politike dhe rritjes së përfshirjes ndër grupet më pak të përfaqësuara të shoqërisë, rasti i zgjedhjeve të fundit në Rumani treguan haptazi risqet me të cilat përballet demokracia digjitale, sidomos në rastin e digjitalizimit të fushatave elektorale dhe përhapjes së lajmeve të rreme.
Rasti i zgjedhjeve në Rumani dhe risqet në praktikat e demokracisë digjitale në Shqipëri
Përgjatë viteve të para kur nisi përdorimi masiv i rrjeteve sociale, pionierët e fushatave elektorale online argumentuan se kjo formë e re e komunikimit politik do të krijonte kushte më të favorshme për aksesin në institucionet qeverisëse të partive apo lëvizjeve të reja politike të cilat janë më pak të avantazhuara në nivel financimesh krahasimisht me partitë parlamentare. Në fakt, shumë autorë të shkencave politike e kanë shpjeguar suksesin e Podemosit në Spanjë apo Movimento 5 Stelle në Itali pikërisht në sajë rolit të mediave sociale në vitet 2010-2015, të cilat ndërtuan një konceptim të ri të fushatave elektorale jashtë binomit të dikurshëm pushtet politik-media tradicionale. Shkalla e lartë e mobilizimit që sollën këto parti të reja erdhi si rrjedhojë e një komunikimi politik më dinamik dhe të drejtpërdrejtë që mundësohej përmes rrjeteve sociale.
Megjithatë, kohët e fundit, impakti i praktikave të demokracisë digjitale duket se ka shkuar në kah të kundërt. Zgjedhjet presidenciale në Rumani në dhjetor të vitit të kaluar shkaktuan shumë pështjellim, jo vetëm në rang shtetëror, por edhe në nivel europian, në lidhje me ndërhyrjen e shteteve të huaja në fushatat elektorale në rrjetet sociale. Zgjedhjet u karakterizuan nga akuza të shumta për sulme kibernetike, shkelje të të dhënave dhe fushata dezinformuese, të cilat të gjitha së bashku gërryen besimin e opinionit publik në procesin zgjedhor. Një nga incidentet më shqetësuese ishte sulmi i koordinuar kibernetik në databazën e të dhënave qendrore zgjedhore të Rumanisë. Sulmi çaktivizoi përkohësisht aksesin në sistemet e regjistrimit të votuesve, duke shkaktuar vonesa dhe konfuzion në ditën e zgjedhjeve për raundin e dytë. Hetimet zbuluan se sulmi mendohet ta ketë origjinën nga aktorë të jashtëm që synonin të destabilizonin procesin demokratik. Platformat e mediave sociale u përmbytën me lajme të rreme, shumica e të cilave synonin diskreditimin e kandidatëve të veçantë dhe partive politike rivale kundrejt kandidatit të pavarur dhe përkrahës të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu. Videot e manipuluara dhe artikujt e fabrikuar që sulmonin liderët e opozitës u bënë virale, duke manipuluar perceptimet e publikut dhe duke ndikuar potencialisht në rezultatin e votimeve. Këto taktika nxjerrin në pah nevojën urgjente për rregulla më të rrepta në platformat e mediave sociale për të frenuar përhapjen e dezinformatave. Ndërkaq, Shërbimi Rumun i Inteligjencës deklaronte se Rusia ishte "shteti armik" i përfshirë në këto sulme hibride, duke përfshirë dhjetëra mijëra sulme kibernetike dhe sabotime të tjera. Presidenti në largim i Rumanisë Klaus Iohannis (i cili vijon të jetë në detyrë pas anullimit të zgjedhjeve të dhjetorit) deklasifikoi dokumentet e inteligjencës nga Këshilli Suprem për Mbrojtjen Kombëtare duke e bërë publike se pothuajse 800 llogari të Tiktok të krijuara nga një "shtet i huaj" në vitin 2016 u aktivizuan papritur një muaj përpara zgjedhjeve duke mbështetur kandidatin e pavarur Georgescu.
Në shkrimin e saj “Why Digital Electoral Campaigning needs urgent regulations”, studiuesja e Politikave të Krahasuara, Gabriela Borz, thekson se “Zgjedhjet presidenciale në Rumani i shfaqën haptazi rreziqet e fushatave elektorale digjitale”. Sipas saj, “Rasti i Rumanisë na tregoi se si fushata politike digjitale nuk ka të bëjë vetëm me reklamat me pagesë të promovuara gjatë periudhës zgjedhore”, por edhe me “përmbajtjen e papaguar të mediave sociale e cila mund të ndikojë një numër të madh qytetarësh që priren t'u japin një domethënie politike të caktuar postimeve të politikanëve”. Ana e errët e demokracisë digjitale thellohet edhe më tej nëse kujtojmë se në shumicën e vendeve të Europës kjo praktikë vijon të funksionojë në kushtet e një vakumi ligjor. Sipas të dhënave të mbledhura nga Borz, rezulton se nga njëzet e shtatë vende të BE, vetëm shtatëmbëdhjetë prej tyre i kanë të sanksionuara me ligj fushatat elektorale digjitale në nivel shtetëror. Për këtë arsye, dymbëdhjetë vende të BE-së, në janar të këtij viti, kanë kërkuar ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta për sigurinë digjitale përkundrejt sulmeve nga Rusia dhe Kina. Ekspertë të ndryshëm kanë paralajmëruar për rrezikun e sulmeve të mundshme kibernetike në zgjedhjet që do të zhvillohen sivjet në Gjermani dhe Poloni. Megjithatë, në rastin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Shqipëri diskutimi mbi sigurinë digjitale është ende joekzistent duke qendruar kryesisht nën hijen e ‘triumfit’ të shtetit shqiptar mbi votimin për herë të parë të diasporës. Në kushtet e një shteti ku rishtazi janë hakuar serverat e sistemit bankar apo platforma e-Albania, përdorimi i një platforme digjitale për regjistrimin e votuesve rezidentë jashtë vendit, sigurisht që paraqet një shkallë të lartë risku, jo vetëm sa i takon problematikave të hershme të votimit familjar apo ruajtjes së privatësisë për regjistrimin në platformë, por mbi të gjitha të shkallës së lartë të analfabetizmit digjital sidomos te mosha e tretë. Mediat kanë raportuar se trajnimin për përdorimin e platformës te shqiptarët që jetojnë në Itali, Gjermani apo Greqi në pjesën dërrmuese po e kryejnë vetë stafi i partive politike. Nga ana tjetër, investimi në mbrojtjen kundër sulmeve kibernetike është shumë më i ulët nëse krahasohet edhe me shtete si Rumania, ku siç u evidentua më sipër, zgjedhjet e fundit shkaktuan trazira aq të mëdha saqë në fund raundi i dytë i zgjedhjeve u shpall i pavlefshëm.
Për të siguruar të ardhmen e demokracisë në epokën digjitale, politikëbërësit duhet t'i japin përparësi zhvillimit të instrumenteve dhe praktikave që adresojnë sfidat unike të sigurisë digjitale. Ndër sugjerimet e ndryshme mund të përmendim:
1. Forcimin e sigurisë kibernetike: Qeveritë duhet të investojnë në masa të avancuara të sigurisë kibernetike për të mbrojtur infrastrukturën zgjedhore nga sulmet kibernetike. Kjo përfshin auditime të rregullta të sigurisë, përdorimin e teknologjive dhe krijimin e ekipeve të reagimit të shpejtë për të adresuar shkeljet e mundshme. Mirëpo në një shoqëri politikisht të polarizuar si Shqipëria, audituesit e pavarur vështirë se mund të sigurohen, pjesëmarrja dhe monitorimi nga auditues të huaj do të ishte më efektive.
2. Transmetimi i njohurive digjitale: Fushatat për “alfabetizimin” digjital të popullsisë mund t'i fuqizojnë individët që të vlerësojnë në mënyrë kritike përmbajtjen në internet dhe të marrin vendime të informuara në një epokë ku njohuritë digjitale janë një sfidë po aq e rëndësishme sa ka qenë shkrimi dhe leximi në fillimshekullin e njëzet.
3. Sigurimi i transparencës dhe llogaridhënies: Përvetësimi i teknologjive digjitale në proceset demokratike duhet të shoqërohet me mekanizma për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie. Për shembull, përdorimi i softuerit me burim të hapur në sistemet elektronike të votimit mund të rrisë besimin te qytetarët duke lejuar verifikimin e pavarur të integritetit të sistemit, pak a shumë si modeli i Liquid Democracy që u paraqit për herë të parë në formën e një aplikacioni ku përfaqësuesit dhe të përfaqësuarit ishin pjesë e një strukture të vetme digjitale.
Lulzim Hoxha, shkurt 2025
*Lulzim Hoxha është studiues i shkencave politike, me një karrierë 10-vjeçare në mësimdhënie si pjesë e departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Europian të Tiranës dhe Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Aktualisht është i angazhuar si pedagog me kohë të pjesshme në departamentin e Shkencave Politike, Fakulteti i Shkencave Sociale pranë Universitetit të Tiranës. Në vitin 2017 është doktoruar në disiplinën e Shkencave Politike si dhe ka marrë pjesë në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Prej gjashtë vitesh shkruan për revistën “Medius” në Tiranë dhe “Shenja” në Shkup, ku ka botuar artikuj të ndryshëm që lidhen me aktualitetin politik dhe shoqëror në Shqipëri dhe rajon, problematikat e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor, analiza kritike të ligjërimit politik në Shqipëri si dhe trajtesa të ndryshme mbi teoritë e nacionalizmit dhe kombformimit në Ballkan.
Referenca
Behrens J, The Principles of LiquidFeedback, Interaktive Demokratie e. V., Berlin: 2014
The Guardian (2016), “How one woman’s app is changing politics in the digital age”, marrë nga https://www.theguardian.com/women-in-leadership/2016/feb/23/how-one-womans-app-is-changing-politics-in-the-digital-age
https://www.wired.com/2014/05/democracy-os/
https://theloop.ecpr.eu/why-digital-electoral-campaigning-needs-urgent-regulation/
Zuboff Sh, The Age of Surveillance Capitalism: The Fight for a Human Future at the new Frontier of Power, Public Affairs, New York: 2019