Reforma dixhitale për dhënien e shërbimeve publike, derregullimi

Reforma dixhitale për dhënien e shërbimeve publike, derregullimi

Në kuadër të procesit të mirëqeverisjes dhe përmirësimit të cilësisë së shërbimeve, qeveria shqiptare hodhi themelet e një nisme që kishte të bënte pikërisht me lehtësitë në marrjen e shërbimeve publike. Derregullimi i nënkuptuar në terma si administrata publike online, shërbimet online ose dixhitalizimi konsiderohet si një ndër reformat më të mëdha të ndërmarra nga qeveria shqiptare. Në qendër të saj janë qytetarët apo bizneset që marrin shërbime publike në kohë, pa burokraci dhe duke shmangur korrupsionin dhe radhët e gjata në sportele.

Derregullimi solli përgjysmimin e dokumenteve të kërkuara për shërbimet e ofruara nga administrata, shkrirjen e dy ose më shumë agjencive/institucioneve në një të vetëm si dhe marrjen e shërbimeve online përmes portalit të dedikuar e-albania. Objektivi kryesor i kësaj reforme ishte përmirësimi i ofrimit të shërbimeve qeveritare ndaj sipërmarrjeve e qytetarëve, rritja e formalitetit në të gjithë sektorët si dhe pagesa e taksave nëpërmjet eliminimit të pengesave procedurale.

Në këtë artikull do të trajtohen shkurtimisht vështirësitë e kësaj nisme dhe raste konkrete të mënyrës sesi kjo reformë ka ndikuar në marrjen e shërbimeve publike bazuar në dokumentin e rekomandimeve për këtë çështje. Materiali gjithashtu përmban një intervistë të shkurtër me Flavio Barçi, Drejtor i Administrimit të Qendrave (ADISA)  mbi rolin e kësaj agjencie në këtë proces, si dhe një koment nga Ardit Xhafaj, Kryefinancier pranë Kompanisë “VIP Security” lidhur me ndikimin e kësaj reforme në shërbimet e marra nga biznesi.


Reforma e shërbimeve publike

Që prej vitit 2013, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një prej sfidave më të mëdha në sektorin publik, atë të ofrimit të shërbimeve publike online. Në atë kohë një pjesë e bizneseve, veçanërisht bankat e nivelit të dytë, por edhe të tjerë kishin filluar të ofronin shërbime bazike online. Sektori privat po bënte progres në këtë drejtim, ndërsa marrja e shërbimeve publike dhe kryerja e pagesave utilitare vazhdonin të zvarrisnin qytetarë e biznese. Rëndom shihje individë në radhë të gjata që endeshin nga një zyrë në tjetrën duke pritur për marrjen e lejeve apo licensave duke humbur kohë dhe duke stimuluar korrupsionin.

Të gjitha këto, si dhe zhvillimet e shpejta të teknologjisë bënë që qeveria shqiptare në bashkëpunim me partnerët europianë të ndërmerrnin iniciativën e dixhitalizimit të shërbimeve publike. Faktikisht mund të konsiderohet një reformë e mirëfilltë që kishte si qëllim plotësimin e pritshmërive të bizneseve dhe qytetarëve për të marrë shërbime të shpejta, në kohë dhe pa burokraci. Por, ky ishte një proces që duhet të zbatohej në disa faza duke mbajtur parasysh mungesën e përvojës së qytetarëve dhe ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme për zhvillime të tilla teknologjike.

Në programin e qeverisë shqiptare të vitit 2013-2017, në ndjekje të politikave të Bashkimit Europian një pjesë shumë të rëndësishme në këtë dokument zinin edhe zhvillimet e teknologjisë së informacionit dhe shërbimet dixhitale, të cilat shiheshin të lidhura ngushtësisht me zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Për këtë prioritet u punua në tre drejtime kryesore: atë të shtimit dhe promovimit të shërbimeve dixhitale për qytetarët, biznesin dhe administratën; përdorimin e teknologjisë së informacionit në zhvillimin e kapaciteteve të qytetarëve me në fokus rininë;  si dhe konsolidimin e infrastrukturës dixhitale.


Derregullimi

Derregullimi është procesi i heqjes ose rregullimit te procedurave shtetërore dhe administrative duke eleminuar plotësisht një rregullore ose ndryshimin e një rregulloreje ekzistuese për të zvogëluar ndikimin e saj.

Në vitin 2018 u përmbyll faza e parë e derregullimit që lidhej konkretisht me minimizimin dhe automatizimin e procedurave të brendshme të institucioneve, pra, reduktimin e lejeve, licensave apo autorizimeve të ndryshme. Ndërsa, faza e dytë konsistoi në ofrimin e shërbimeve publike në një periudhë më të përshpejtuar dhe minimizimin e dokumenteve të kërkuara. Në fazën e dytë, u ndërmor edhe nisma e shkrirjes së institucioneve për të funksionuar si një ent i vetëm me qëllim pakësimin e sporteleve ku përfaqësuesit e bizneseve janë të detyruar të paraqiten për të marrë autorizime apo shërbime të ndryshme. Që nga nisja e këtij procesi numërohen rreth 37 agjenci dhe institucione të administratës shtetërore të cilat janë riorganizuar. Ky riorganzim u krye në nivel institucionesh dhe rajonesh ku mund të përmendim shkrirjen e QKR dhe QKL në atë që sot quhet QKB (Qendra Kombëtare e Biznesit); shkrirjen në një të vetme të Agjencisë së Pronave, ALUIZNI-t dhe Hipotekës; krijimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile; shkrirjen e drejtorive të bujqësisë, atyre të arsimit dhe shumë e shumë të tjerave.

Po ashtu, ADISA (Agjencia për Ofrimin e Shërbimeve të Integruara) u krijua në vitin 2014, si pjesë e reformës së shërbimeve publike. Deri në fund të muajit prill 2022, kjo agjenci ofroi shërbime publike të integruara, nga një sportel i vetëm duke thjeshtuar procedurat për publikun, si dhe shmangur korrupsionin. Por, pas datës 1 Maj 2022 të gjitha sportelet u mbyllën dhe shërbimet u ofruan vetëm online për qytetarët dhe bizneset. ADISA është ende funksionale, pasi kur themi mbyllje do të thotë se qytetarët apo bizneset nuk do të kenë mundësi të marrin shërbime në sportel, por puna e stafit online do të vazhdojë për të garantuar mbarëvajtjen e procesit pa probleme.

Lidhur me këtë çështje Flavio Barçi, Drejtor i Administrimit të Qendrave, ADISA sqaron se në procesin e dixhitalizimit ADISA ka pasur rol në ri-inxhinierimin e shërbimeve dhe përgatitjen e kartelave informative. Ai sqaron se ri-inxhinierimi është ulja e numrit të dokumenteve shoqëruese për ofrimin e çdo shërbimi, për të ulur burokracinë dhe kursyer kohën. Ndërsa për sa i përket kartelave informative, ai shpjegon se janë në çdo shërbim të portalit e-albania dhe kanë për qëllim të informojnë qytetarët lidhur me mënyrën se si ofrohet shërbimi, si dhe cilat janë afatet e dokumentet e nevojshme.

Faza e tretë përfundimtare ishte dixhitalizimi i shërbimeve, konkretisht nëpërmjet portalit e-albania. Kjo ishte një reformë afatgjatë për t’i dhënë fund një herë e mirë kalvarit të pritjeve, zvarritjeve, burokracive, kostove të larta, si dhe për të minimizuar korrupsionin dhe nxitur investimet.


Dixhitalizimi dhe e-shëbimet

Në vitin 2007 daton krijimi i AKSHI (Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit) një agjenci jo vetëm për zhvillimin e promovimin e teknologjive të reja, por edhe e specializuar për e-qeverisjen dhe teknologjinë e informacionit. Në nëntor të vitit 2012, kemi prezantimin e parë të portalit e-albania, që do të ofronte shërbime online. Deri në këtë vit, ai ofronte vetëm 14 shërbime online dhe sipas drejtuesve të AKSHI-t nuk ishte lehtësisht i përdorshëm dhe mungonte payment gateway. Në 2015 kemi një ripromovim të këtij portali, të ridizenjuar për të qenë më praktik duke ofruar më shumë shërbime, rritje të ndërveprimit mes institucioneve, kryerjen e pagesave utilitare, si dhe pagesave të ndryshme për qytetarët apo bizneset.

Ky portal nëpërmjet ndërveprimit me platformën qeveritare shkëmben të dhëna në kohë reale duke ofruar kështu shërbime nga një pikë e vetme. Të gjithë qytetarët, bizneset dhe administrata ndërveprojnë në këtë portal për të shkëmbyer të dhëna. Deri në vitin 2015 ofroheshin mbi 150 shërbime, 21 institucione që ndërvepronin në të, si dhe mbi 600 shërbime informuese ku qytetarët dhe biznesi merrnin informacion lidhur me procedurat, dokumentacionin dhe vendndodhjen e marrjes së shërbimit. Ndërsa në vitin 2016 kishim 239 shërbime dhe 32 institucione që ndërvepronin në portal. Por, ky ishte vetëm fillimi i një procesi të gjatë reformues të shërbimeve dixhitale, pasi qeveria synonte ofrimin e mbi 400 shërbimeve online deri në fund të vitit 2016 nëpërmjet portalit e-albania dhe duke vazhduar më tej në dixhitalizimin e të gjitha shërbimeve publike.

Në një intervistë të shkurtër Ardit Xhafaj, kryefinanciar pranë VIP Security deklaron se shërbimet online dhe derregullimi i proceseve kanë lehtësuar biznesin, fillimisht në shmangien e radhëve të gjata, duke i kursyer atyre kohë nga një sportel në tjetrin për marrjen e shërbimeve, njëjtë ka reduktuar kohën e marrjes së përgjigjes, pasi afatet janë të përcaktuara në portal duke mos qenë më të varur nga zvarritjet e mundshme të punonjësve. Xhafaj sqaron se një element tjetër pozitiv është shmangia e dokumenteve të shumta, pra në rast se kryen një aplikim pjesa më e madhe e dokumenteve gjenerohen nëpërmjet portalit e-albania. Po ashtu, risia e vulës dhe firmës elektronike janë një tjetër lehtësim i ardhur nga dixhitalizimi i shërbimeve publike duke sjellë edhe rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore në kompani të ndryshme, pasi kanë zhvilluar trajnime për njohjen e këtyre procedurave online, si dhe përdorimin e sistemeve elektronike. Në këtë prizëm ai theksoi edhe hyrjen e konceptit paperless.

Për sa i përket sugjerimeve për përmirësimin e shërbimit, Xhafaj rekomandon integrimin e një kanali komunikimi të drejtpërdrejtë virtual brenda portalit e-albania, në formën e një operatori online apo chat virtual, veçanërisht për trajtimin e çështjeve të refuzimit të një aplikimi të caktuar. Kjo me qëllim që orientimi apo sugjerimet të jenë më të shpejta për plotësimin me saktësi të të dhënave specifike. Në fund të fjalës së tij, ai sugjeron që në rastet kur aplikimet vlerësohen si të plotësuara me gabime apo kanë mungesa,  të mos lindë nevoja për një aplikim te ri, por të punohet mbi po të njëjtin aplikim.

Numri i shërbimeve publike të ofruara sot në e-albania është më shumë se 1225, pra 95% e të gjitha shërbimeve publike dhe duke e krahasuar me vitin 2014 kemi 94% shërbime online më shumë. Vihet re qartë një progres i jashtëzakonshëm duke i dhënë frymë standardizimit të shërbimeve publike, minimizimit të kostove të mirëmbajtjes, si dhe rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

Prej 3 korrikut të këtij viti, kadastra shqiptare, një prej institucioneve që ka sjellë pafund orvatje dhe probleme për qytetarët, tashmë do të aksesohet vetëm online nëpërmjet portalit e-albania. Një proces tejet sfidues dhe i vështirë, por që i shtohet shërbimeve publike të ofruara online. Po ashtu, përparësi është bërë dhe në sektorin e shëndetësisë ku recetat, karta e shëndetit, raportet, rimbursimet e barnave, rekomandimet etj. gjenerohen online dhe të dhënat tranferohen online nga qendra shëndetësore apo mjeku i familjes tek mjeku ekzaminues apo institucioni përkatës. Më tej, edhe në sektorin arsimor ka pasur zhvillime të mëdha, tashmë dëftesat mund të merren online, regjistrimet në shkolla kryhen online dhe shumë shërbime të tjera merren përmes portalit e-albania.

Në sektorin e drejtësisë ka pasur thjeshtim procedurash, përmendim këtu vërtetimin për gjendjen gjyqësore, apo vërtetimet e tjera të marra pranë përmbarimit. Jo vetëm shëndetësia, arsimi, financat, punët e jashtme dhe drejtësia, por çdo institucion ka thjeshtuar procedurat dhe aksesohet online.  Madje gjatë pandemisë janë dhënë një sërë shërbimesh online nëpërmjet portalit e-albania, si certifikata e vaksinimit online, rimbursimet e barnave, certifikata personale e familjare, kryerja e aplikimeve të ndryshme konsullore, aplikimet për fondin e ekselencës, pagesa e taksave, paga e luftës dhe një sërë shërbimesh të tjera duke e kthyer kështu e-albanian gjatë pandemisë në një portë të hapur shërbimi për bizneset dhe qytetarët edhe pse bota ishte duke u përballur me mbyllje totale.

Dixhitalizimi i shërbimeve është absolutisht një nga arritjet më të suksesshme të shtetit shqiptar dhe adaministratës publike shqiptare duke e radhitur vendin tonë si një prej vendeve që ka bërë më shumë përparim në këtë fushë. Në raportin e Kombeve të Bashkuara, Shqipëria renditet e 8-ta në Europë dhe e 19-ta në botë për shërbimet publike online.


Shumë vende të botës në periudha të ndryshme i janë nënshtruar procesit të derregullimit, përmendim këtu Gjeorgjinë, Zelandën e Re, Irlandën, Kanadanë, Britaninë e Madhe, Rusinë, SHBA-të etj. SHBA e kanë nisur këtë proces rreth viteve 1980 për problematika të ndryshme si ajo e gazit natyror, energjisë elektrike apo shërbimit bankar. Një problem madhor që inkurajoi derregullimin në këto shtete ishte mënyra me të cilën industritë kontrollonin agjencitë ligjzbatuese për të forcuar interesat e tyre.

Një tjetër shembull është edhe Kanadaja ku në Ontario për shkak të votimit të qytetarëvë për paqëndrueshmërinë e çmimeve nuk arritën të kryenin me sukses procesin e derregullimit për furnizimin me energji elektrike në vitin 2002. Ndryshe nga Alberta, e cila arriti me sukses procesin e derregullimit të energjisë duke i dhënë mundësi banorëve të regjistrohen për ta marrë këtë shërbim lirshëm me kompaninë që ata dëshironin.

Për Shqipërinë, procesi i derregullimit të shërbimeve publike ishte tejet sfidues, moskoordinimi ndërmjet insititucioneve ishte sfida e parë me të cilën ky proces u përball. Një pengesë tjetër ishte aksesi i limituar që ofrojnë bankat për kryerjen e pagesave online, praktikisht vetëm një bankë e nivelit të dytë jepte akses për kryerjen e tyre. Një problematikë tjetër e hasur ishte edhe mbulimi me internet në zonat e largëta, njëkohësisht edhe adaptimi i brezave më të vjetër me teknologjinë, Qeveria shqiptare u përball me sulmet kibernetike dhe rrjedhjen e të dhënave që bëri që të gjitha shërbimet në e-albania të bllokoheshin. Kjo bëri që të riktheheshin disa sportele fizike, të cilat ishin funksionale deri në normalizimin e situatës.

Pavarësisht të gjitha efekteve pozitive të trajtuara edhe më sipër, dixhitalizimi na njohu me forma të reja të krimit, pasi sulmet kibernetike sjellin cenim të sigurisë kombëtare, ulje të cilësisë së shërbimit, rrjedhje të të dhënave etj. Ndaj fokusi maksimal duhet të jetë tek parandalimi, forcimi i legjislacionit, rritja e kapaciteteve të ekspertëve të fushës, si dhe ndërtimi i praktikave më të mira parandaluese dhe zhvilluese. Ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim dhe shumë sfida për të përballuar.


Valeria Bardhaj, shtator 2023 

Valeria Bardhaj ka përfunduar studimet e larta për Menaxhim Marketingu në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, dhe po këtu ka vijuar ato të nivelit master për Administrim Publik. Gjithashtu, ajo ka kryer master profesional mbi Sigurinë dhe Rendin Publik tek “Kolegji Universitar Luarasi”. Valeria është autore e disa artikujve akademikë dhe ka një jetë publike aktive si drejtuese e emisioneve televizive, me fokus të rinjtë. Ajo ka shërbyer përgjithësisht në administratën publike në pozicionet specialiste, menaxhere dhe koordinatore eventesh.  Valeria ka dhënë mësim si pedagoge pranë Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit. Ajo është njohëse e gjuhës angleze, italiane, spanjolle dhe gjermane.


BURIMET:

https://ata.gov.al/2023/01/25/epoka-digjitale-dhe-mbrojtja-e-te-dhenave-personale-ne-sektorin-bankar/

https://www.idp.al/2023/01/24/epoka-digjitale-dhe-mbrojtja-e-te-dhenave-personale-ne-sektorin-bankar/

https://www.monitor.al/derregullimi-sfida-e-vertete-e-liberalizimit-te-sektorit-te-energjise-2/

https://www.gazetatema.net/2017/08/28/projekti-i-qeverise-se-re-shkrin-37-institucione-shteterore-dhe-agjenci-si-do-funksionojne-pronat-doganat-tatimet-arsimi

https://a2news.com/2023/03/10/nga-pagesa-cash-te-siguria-e-te-dhenave-problemet-e-digjitalizimit-te-ekonomise-shqiptare/

https://regulatorystudies.columbian.gwu.edu/brief-history-regulation-and-deregulation

https://pmcg-i.com/project/improving-deregulation-and-fiscal-efficiency-in-albania/

Ligje, dokumente, raporte të tjera:

http://www.asp.al/pdf/Ndikimi_i_digjitalizimit_ne_sherbimet_publike.pdf

https://www.adisa.gov.al/wp-content/uploads/2021/04/Raport-i-Monitorimit-te-Strategjise-ADISA-2020-v7.pdf

https://www.adisa.gov.al/wp-content/uploads/2021/03/20190124_Raporti-vjetor-ADISA-2018_updated-version-final.pdf

https://akshi.gov.al/wp-content/uploads/2022/06/vendim-2022-06-01-370.pdf

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk