E drejta për peticion në Europë - si mjet i demokracisë direkte

E drejta për peticion në Europë - si mjet i demokracisë direkte

Për sa kohë ka pushtet politik, e drejta për peticion mbetet si një nevojë e domosdoshme. Duke qëndruar në kahun e atyre studiuesve që origjinën e peticioneve ia atribuojnë Magna Carta-s të vitit 1215, si dokumenti i parë që shprehimisht vuri në shkrim parimin se mbreti dhe qeveria e tij nuk ishin mbi ligjin; haptazi tregon domethënien që e drejta e peticionit mbart. Në procesin drejt konsolidimit të shtetit demokratik që rrënjët i gjen tek sundimi i shtetit të së drejtës me institucione që përfaqësojnë interesin më të lartë të qytetarëve, peticionet dukshëm luajnë një rol tejet thelbësor. Kjo e drejtë gjendet në shumicën e juridiksioneve të vendeve të BE-së e parashikuar në nivel vendor, rajonal dhe më gjerë. 


Në rrafsh europian, që me hyrjen në fuqi të Traktatit të Mastrihtit çdo qytetar i BE-së si dhe të gjithë personat fizikë të naturalizuar ose banues të ligjshëm në shtetet anëtare kanë të drejtë t’i drejtohen Parlamentit Europian me një peticion që paraqet një çështje shqetësuese. Çdo peticion që paraqitet duhet të jetë brenda kornizave të fushës së veprimtarisë së BE-së (Marzocchi, 2021).  Për më tepër, kjo e drejtë gjendet e sanksionuar edhe në nenin 44 të Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së si dhe në nenet 20, 24 dhe 227 të Traktatit të Funksionimit të BE-së, edhe pse qeveritë e ndryshme të shteteve anëtare të BE-së kanë vendosur kritere të ndryshme brenda kufijve ligjorë (European Commission, 2018). 


Mes të tjerash, këto ndryshime vërehen edhe në kriteret bazë që e bejnë këtë të drejtë efektive. Një nga këto kritere që çon në vlerësimin sesa efektiv janë sistemet e peticioneve është e drejta që ka çdo kërkues për të marrë një përgjigje formale pasi peticioni i tyre të jetë shqyrtuar. Përndryshe, kjo do të mbetej një e drejtë boshe dhe formale. Edhe pse kjo parashikohet në shumicën e sistemeve europiane të peticionit, nuk është e grantuar me ligj ose nga praktika. 


Aksesi i drejtpërdrejtë i qytetarëve ndaj peticioneve është gjithashtu kriter thelbësor dhe i lidhur ngushtësisht me qëllimin e peticionit. Shumica e sistemeve europiane të peticionit sigurojnë që qytetarët të paraqesin një peticion pa pasur nevojë për ndërmjetësim por ka vende që përbejnë përjashtim nga ky rregull pasi e zbatojnë këtë sistem ndërmjetësimi, ku një anëtar i parlamentit shërben si sponsor për një peticion të caktuar. Pavarësisht ndryshimeve që mes shteteve anëtare janë të dukshme dhe vijojnë në shumë aspekte, të dyja këto karakteristika janë të rrënjosura mirë në sistemin e peticionit të BE-së dhe Parlamentit Europian (European Parliament, 2015). 


Ajo që vërehet është që me kalimin e kohës, ky mjet i demokracisë pjesëmarrëse ka pasur nevojë për t’u rigjallëruar dhe si i tillë parlamentet dhe qeveritë e shumë vendeve të BE-së kanë vendosur procedura specifike dhe ndërmarrë veprime për ta berë më të aksesueshëm dhe sjellë më afër qytetarëve duke prezantuar kështu dhe “e-petitions” (peticionet online)


Rrugëtimi i peticioneve elektronike është i kahershëm edhe pse vitet e fundit ka fituar vëmendje të veçantë nga vendimmarrësit si dhe juristët dhe studiuesit politikë që përtej rolit thelbësor të këtij mjeti, analizojnë dhe aspektet ligjore që e shoqërojnë atë.  Nismëtar i një sistemi peticionesh të bazur në mjetet elektronike është parlamenti skocez në vitin 1999, kur filloi të afishonte në faqen e Parlamentit të gjithë peticionet e marra tradicionalisht në postë ose nëpërmjet e-mail-eve në mënyrë që procesi vendimmarrës të ishte transparent. Kjo më pas u pasua nga shumë vende të tjera europiane që pikënisjen e gjetën në shembullin skocez (European Parliament, 2015). 


Në 2014, Parlamenti Europian prezantoi portalin e ri në web dedikuar peticioneve për ta bërë më të lehtë për qytetarët që të dorëzojnë, nënshkruajnë, ndjekin përditësimet mbi ecurinë e peticionit si dhe të informohen mbi vendimet e marra mbi to. Ky portal e bën procesin më interaktiv dhe transparent dhe në tërësi më të shpejtë dhe informues, pasi të gjithë kanë të drejtë në akses në informacion përsa i përket të gjithë peticioneve të dorëzuara (AGE Platform, 2014).  Komiteti për Peticionet është autoriteti përgjegjes për vlërësimin dhe ndjekjen e peticioneve duke shërbyer kështu si një urë lidhëse mes qytetarëvë europianë dhe institucioneve të BE-së (European Parliament, 2019). Çdo qytetar që dëshiron të adresojë parlamentin duhet të jetë i regjistruar në portal duke bërë kështu edhe identifikimin e firmëtarit. Nënshkrimi i një peticioni drejtuar Parlamentit Europian duhet të përmbushë disa kërkesa bazë dhe duhet të përmbajë firmën, emrin, shtetësinë dhe adresën e përhershme të personit që firmos ose në rastin e peticionit në grup, mjafton që këto të dhëna të jepen nga përfaqësuesi i grupit (Petitions Web Portal, 2021). 


Pavarësisht aspekteve proceduriale të lartpërmendura, Traktati i Funksionimit të BE-së kushtëzon të drejtën e qytetarëve për peticion në "një çështje që prek drejtpërdrejt kërkuesin” e cila nëse interpretohet në mënyrë të ngushtë mund të limitojë këtë të drejtë. Natyra e peticioneve që mund të adresohen në Parlament i përkasin fushës private dhe asaj publike të interesit të përgjithshëm. Raportimet tregojnë që peticionet që i përkasin interesit të pergjithshëm, shpeshherë marrin një përgjigje më efektive nga parlamentet pasi në këtë fushë kanë mundësinë të përdorin funksionet e tyre legjislative. Peticionet në thelb vënë në pikëpytje veprimtarinë e vetë  qeverisë dhe pikërisht për këtë arsye Komiteti i Peticioneve i’a dërgon Komisionit Europian për të marrë një vlerësim fillestar mbi bazën ligjore të peticionit që më pas të kalojë në faza të mëtejshme të vlerësimit. Shumica e sistemeve të peticioneve nuk kanë një afat ligjor për vlerësimin dhe përgjigjen ndaj një peticioni edhe pse Komisioni Europian ka një afat indikativ prej 3 muajsh. Krahasimisht, disa nga shtetet anëtare kanë afate më të ngurta, siç është rasti i Portugalisë që parashikon një afat prej 20 ditësh për t’u përgjigjur. 


Në shumicën e sistemeve të peticioneve, në mënyrë që peticioni të cilësohet si i vlefshëm kërkon një numër të caktuar firmash, duke përmendur këtu rastin e Komitetit të Peticioneve në Gjermani që ka vendosur një kufi prej 50.000 firmash që duhet arritur në mënyrë që të zhvillohet një debat publik. Qartësisht, duke evidentuar debatet publike të nxitura nga peticionet në Gjermani, evidentohet që kjo përbën një kufizim të kësaj të drejte. Nga ana tjetër, Parlamenti Europian nuk i kushtëzon peticionet më një numër të caktuar firmash duke e forcuar më tej këtë të drejtë (European Parliament, 2015). 


Por cila është vlera që peticionet në vetvete mbartin?


Parlamenti Europian dhe institucionet e BE-së e dëshmojnë procesin e hapur dhe transparent të sistemit të peticioneve ku shumë nga peticionet debatohen në mbledhjet e komiteteve të ndryshme me pjesëmarrjen aktive të kërkuesëve të peticionit. Komiteti i Peticioneve njofton me shkrim të gjithë pjesëmarrësit në peticion duke dhënë arsyetimin dhe informacionin e nevojshëm të vendimit (Marzocchi, 2021). Rrjedhimisht, peticionet janë një mjet i demokracisë përfaqësuese ku zgjedhësit janë afër strukturave dhe institucioneve vendimmarrëse dhe eksperiencat e tyre të shprehuara nëpërmjet një firme janë të mjaftueshme për të nxitur të zgjedhurit për të adresuar, debatuar dhe marrë një vendim të përshtatshëm. Duke mbajtur parasysh që ky mjet demokratik është thjesht një kërkesë, ankesë dhe kujtesë ndaj një qeverie për një çështje që paraqet shqetësim për qytetarët, është i destinuar të jetë funksional vetëm në një shtet apo institucione ndërkombëtare që me të vërtetë e kanë demokracinë e rrënjosur mirë, bëjnë interpretime të parashikimeve ligjore në favor të publikes dhe i japin përparësi shqetësimeve të qytetarëve duke u ofruar kështu një diskutim mbi çështjen, respektim të procedurave dhe transparencë në vendimmarrje.


Gladiola Lleshi, Stafi i EuroSpeak, dhjetor 2021



Referencat: 


  1. Marzocchi (2021) The right to petition: Fact Sheets on the European Union: European Parliament. URL: https://www.europarl.europa.eu/factsheets/en/home

  2. European Commission (2018). Right to petition. European Commission. URL: https://ec.europa.eu/info/aid-development-cooperation-fundamental-rights/your-rights-eu/know-your-rights/citizens-rights/right-petition_en.

  3. European Parliament (2015). Policy Department C: Citizens’ Rights and Constitutional Affairs. URL: https://www.europarl.europa.eu/RegData/etudes/STUD/2015/519223/IPOL_STU(2015)519223_EN.pdf

  4. AGE Platform (2014). European Parliament launches new web portal for petitions. URL: https://www.age-platform.eu/other/european-parliament-launches-new-web-portal-petitions.

  5. European Parliament (2019) PETI | Committees | European Parliament. URL: https://www.europarl.europa.eu/committees/en/peti/about. 

  6. Petitions Web Portal (2021). URL: https://www.europarl.europa.eu/petitions/en/home




1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk