Presidenca Çeke në Këshillin e BE-së - prioritetet për fuqizimin dhe zhvillim përballë sfidave

Presidenca Çeke në Këshillin e BE-së - prioritetet për fuqizimin dhe zhvillim përballë sfidave



Presidenca e Këshillit të BE-së është përgjegjësi e të gjithë shteteve anëtare të BE ku secili shtet ka radhën e tij për të qenë në krye të Këshillit apo siç njihet ndryshe të marrë Presidencën e Këshillit. Ndërrimi i Presidencës ndodh një herë në 6 muaj në bazë të parimit të barazisë, veçanërisht në status, të drejta ose mundësi dhe rotacionit, pra në një rend të përsëritur rregullisht dhe është e përcaktuar kohë më parë. Gjatë periudhës së Presidencës shteti përkatës përcakton axhendën dhe prioritetet e Këshillit t​​ë BE-së, si dhe promovon interesat e shteteve anëtare. Presidenca e BE-së përfaqëson një detyrim që lidhet me një përgjegjësi të konsiderueshme, pra ku secili shtet merr presidencën ata duhet të kenë aftësinë dhe potencialin për të ndikuar tek shtetet e tjera në procesin vendimmarrës dhe politika që duhet të jenë prioritare. Në përgjithësi, presidenca është përgjegjëse që të mbikëqyrë dhe të ndërhyjë në rast se nevojitet për pothuajse 195 grupe pune të Këshillit të BE-së, duke përfshirë Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper) i përbërë nga një përfaqësues nga çdo shtet anëtar, i cili përgatit punën e 6 konfigurimeve të Këshillit: bujqësia dhe peshkimi; konkurrueshmëria; arsimi, rinia, kultura dhe sporti; punësimi, politika sociale, shëndetësia dhe çështjet e konsumatorit; mjedisi; transporti, telekomunikacioni dhe energjia (consilium.eu, 2022).

 

Presidenca për periudhën korrik-dhjetor 2022 i takon Republikës Çeke, por kjo nuk është hera e parë që ky shtet mban presidencën e Këshillit. Republika Çeke e ka marrë Presidencën për herë të parë në periudhën janar-qershor të vitit 2009. Për Presidencën e periudhës korrik-dhjetor të vitit 2022 përgatitjet i ka filluar që në datë 10 korrik 2018. (Faqja zyrtare e Presidencës Çeke, 2022). Presidenca po kalon nga Franca në Çeki gjë që është me shumë rëndësi për të dyja shtetet pasi janë në trio sëbashku me Suedinë. Franca pati nje 6-mujorsh tepër të vështirë pasi lufta që shpalli Rusia ndaj Ukrainës iu shtua përgjegjësive dhe sfidave të tjera që po haste Franca gjatë presidencës së saj. 

 

Slogani i presidencës çeke për 2022 është i njëjti me atë që përdori presidenti i saj, Václav Havel në vitin 1996 kur mendoi për të ardhmen e Europës si kontinent dhe gjatë fjalimit të tij në ceremonialin e Çmimit të Karlit të Madh, të titulluar “Europa si një detyrë”, ai theksoi se detyra e parë e Europës është kujdesi përmes reflektimit të thelluar.

"Europa si detyrë: Rimendo, rindërto, rifuqizo" (Faqja zyrtare e Presidencës Çeke, 2022). Emblema homogjene është një objekt simbolik si një simbol dallues i një kombi me strukturë uniforme e përbërë nga disa elemente  pasqyron moton e Bashkimit Europian “Të bashkuar në diversitet”.

 

Prioritetet e Presidencës Çeke përfshijnë disa fusha dhe çështje, lidhur me sigurinë dhe menaxhimin e krizave, te axhenda e gjelbër, demokracia dhe rimëkëmbja post-Covid. Më konkretisht programi i Presidencës Çeke përfshin këto prioritete:

     Menaxhimi i krizës së refugjatëve dhe rimëkëmbja e Ukrainës pas luftës dhe agresionit ushtarak të Rusisë - Presidenca Çeke do të mbështesë përpjekjet e BE-së për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës duke përdorur të gjitha instrumentet dhe programet e ofruara nga BE-ja, duke përfshirë forcimin e sanksioneve kundër Rusisë.

     Siguria energjetike - BE-ja nuk mund të jetë e varur në mënyrë jetike nga vendet që kërcënojnë drejtpërdrejt sigurinë e saj dhe për këtë arsye duhet të thyejë varësinë e saj nga gazi, nafta dhe qymyri rus. Presidenca çeke është e gatshme të punojë për zbatimin e rregullimit të rezervave të gazit, të promovojë blerjet e përbashkëta vullnetare, në mënyrë që BE-ja të përdorë influencën e saj për të tejkaluar këtë krizë, në mënyrë të ngjashme me blerjen e vaksinave.

     Duke pasur parasysh paqëndrueshmërinë globale në rritje, Presidenca çeke do të fokusohet në forcimin e aftësive të sigurisë dhe mbrojtjes, veçanërisht në partneritet me NATO-n. Ajo do të punojë në mënyrë specifike në mbështetjen e zbatimit të çështjeve kryesore, veçanërisht në kuadër të Kompasit Strategjik.

     Pandemia e COVID-19 dhe agresioni rus ndaj Ukrainës kanë ndikuar në një goditje inflacioni, rritje të pasigurisë së tregut dhe kanë ekspozuar brishtësinë e zinxhirëve të furnizimit global. Për të forcuar qëndrueshmërinë strategjike, mbështetja e synuar për konkurrencën teknologjike bazuar në kapacitetet e veta prodhuese, së bashku me thellimin e tregtisë së lirë me kombet demokratike në botë, është thelbësore.

     Presidenca Çeke do të fokusohet në forcimin e qëndrueshmërisë së institucioneve që kanë një ndikim të madh në ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në BE. Këto përfshijnë, për shembull, financimin transparent të partive politike, pavarësinë e masmedias dhe një dialog të hapur me qytetarët.

 

Përsa i përkon pjesës së zgjerimit dhe integrimit të vendeve aspirante në BE t (Programi Presidencës Çeke, 2022), CZ PRES do të fokusohet në fuqizimin e marrëdhënieve të BE-së me Ballkanin Perëndimor. CZ PRES do të përpiqet për koordinimin maksimal të aktiviteteve të BE-së në marrëdhëniet e jashtme, veçanërisht ato të Përfaqësuesit të Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm dhe Komisionit. Gjithashtu në programin 6-mujor që është parashikuar ka disa aktivitete për BP që do të realizohen nga Presidenca Çeke  si Tryeza e Rrumbullakët me Shoqërinë Civile nga Ballkani Perëndimor mbi Sfidat e Integrimit Europian parashikuar  si dhe Tirana Connectivity Forum 2022. Gjithashtu, Çekia e filloi Presidencën me një zhvillim mjaft pozitiv për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut - Zhvillimi i Konferencës së Parë NdërQeveritare (ICG) e realizuar më 19 korrik 2022 që nënkupton fillimin zyrtar të negociatave. Kjo erdhi dhe si pasojë e angazhimit dhe punës së bërë nga Presidenca paraardhëse ajo franceze, ku duket që propozimi francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes Bullgari - Maqedoni e Veriut, zhbllokoi rrugën për të dyja vendet që ishin në pritje prej më shumë se tre vitesh. 

 

Kryeministri i Republikës Çeke Petr Fiala, prezantoi programin në Parlamentin Europian, gjatë një seance plenare . Në fjalën e tij, ai nënvizoi prioritetet e Presidencës Çeke të Këshillit të BE-së dhe planet e mëtejshme se si ta drejtojë Bashkimin Europian përmes krizave aktuale. Kryeministri vuri në dukje takimin me Presidentin e Ukrainës duke u shprehur se  “Kur vizitova Presidentin Zelenskyy në Kiev më 15 mars, së bashku me kryeministrat e Polonisë dhe Sllovenisë, pashë me sytë e mi heroizmin e ukrainasve që kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë për të drejtën e tyre për të ekzistuar dhe për të drejtën për t'i përkasin Qytetërimi tonë perëndimor. Kjo më kujtoi edhe një herë se vlerat tona nuk janë të vetëkuptueshme dhe duhen mbrojtur çdo ditë.”

 

Përfaqësimi i Përhershëm i Çekisë në BE po organizon një garë miqësie. Për të përkujtuar atletin çek, Emil Zátopek dhe atë francez, Alan Mimoun të cilët dominuan çdo garë vrapimi të kohës së tyre në  1948. Ata ishin rivalë, por dhe miq të mirë. Gara është një dorëzim simbolik i presidencës nga Franca te Çekia, duke dhënë mesazhin që bashkëpunimi është i nevojshëm për të pasur sukses jo vetëm në sport, por edhe në politikë.

Ana Bojaxhi, Staf i EuroSpeak, korrik 2022

Bio

Ana Bojaxhi aktualisht është duke përfunduar studimet bachelor për Artet Liberale në Kolegjin St. Ajo ka punuar si nëpunëse për librarinë e saj të kolegjit dhe në një nga kafenetë më të mira në botë, Starbucks. Kështu ajo ka shumë përvojë në shërbimin ndaj klientit dhe në përballjen me situata të komplikuara ose të pakëndshme. Para se të shkonte në kolegj, ajo punoi gjithashtu për një restorant në pronësi të familjes dhe më pas vendosi të merrte pjesë në diçka më praktike duke iu bashkuar një partie të re politike të quajtur Sfida, ku ajo ndihmoi në zhvillimin e fushatës dhe ishte një nga palët përgjegjëse. për reklama në rrjetet sociale. Znj. Bojaxhi është e gatshme për të mësuar dhe e etur për të marrë pjesë në çdo mënyrë të nevojshme. Ajo ka dy gjuhë të para, shqip dhe anglisht.

Bibliografia

Official webpage of the Government of the Czech Republic: https://cutt.ly/1L0mrEB

Czech Presidency of the Council of the European Union: https://cutt.ly/uL0msOI

Speech by Czech Prime Minister Petr Fiala at the European Parliament, 2022: https://cutt.ly/DL0Uis8

Programme of the Czech Presidency of the Council of the European Union: https://cutt.ly/9L0RiyR

The Czech Republic to take over the presidency at charity race in honour of Zátopek: https://cutt.ly/zL0U74G

Events of Czech Presidency of the Council of the European Union: https://cutt.ly/6L0AkIS

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk