Përgjatë historisë së Europës ngjarjet që kanë shënuar ndryshime rrënjësore kanë qenë të panumërueshme. Megjithatë është e vështirë që përgjatë dekadave të fundit të gjendet një moment më kritik sesa sulmi rus mbi Ukrainë më 24 shkurt të vitit 2022. I nisur që në 2014 me aneksimin e Krimesë, ky pushtim nxiti, megjithëse me shumë vonesë, këmbanat e alarmit nëpër Europë. Sa më shumë lufta zgjaste e zgjat, aq më shumë kuptohet papërgatitshmëria e vendeve europiane të rreshtuara kah Ukrainës për të përballuar një luftë të përmasave e mbi të gjitha, intensitetit të tillë.
E teksa europianët orvateshin të nxirrnin nga magazinat mjetet e sistemet e ndryshkura të mbetura nga Lufta e Ftohtë, matanë oqeanit Atlantik një fushatë zgjedhore risolli në Shtëpinë e Bardhë një administratë krejt të painteresuar në mbijetesën e Ukrainës. Me Donald J. Trump në krye, ShBA-ja u distancua përherë e më shumë nga Ukraina dhe lufta e saj për mbijetesë, duke u fokusuar fillimisht në frontin e brendshëm e pak më vonë në ndërhyrje të ndryshme ushtarake si ajo në Venezuelë, e kombinuar me mbështetjen për konfliktet e Izraelit në Lindjen e Mesme apo fushata ajrore kundër Iranit dhe kaosi që e pasoi deri më sot. Ky ridimensionim i forcave, qoftë edhe i paefektshëm në terma afatshkurtër, kërcënon rrënjësisht sigurinë dhe integritetin e të gjithë kontinentit. Prej fundit të Luftës së Dytë Botërore, Europa mbështetej, ose më drejtpërdrejt, varej, nga Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen. Një rend botëror me ShBA-në si hegjemon në qendër dhe europianët si satelitë, ku shkëmbimet e lira dhe pa barriera, demokracia, qoftë ajo e cunguar, dhe dënimi i luftës si mjet për zgjidhjen e konflikteve ishin shtyllat e një qytetërimi, atij perëndimor. Koncepti i fundit, ai i demokracive që nuk luftojnë njëra-tjetrën, është i argumentuar qartë nga shkencëtari politik amerikan Michael W. Doyle, i cili e bën këtë duke marrë frymëzim dhe rijetëzuar punët e filozofit iluminist Immanuel Kant, më specifikisht në veprën e tij të 1795, Drejt Paqes së Përhershme.
Përpara rrezikut rus dhe ankthit të humbjes së mundshme të ombrellës amerikane në fushën e mbrojtjes në Europë, pyetja që lind është krejt natyrale; cila është pozita që Bashkimi Europian duhet të zërë për të rifituar sigurinë e cënuar? Cilat janë hapat që duhen ndërmarrë dhe sa në gjendje është Unioni t’i bëjë ata?
Bashkimi Europian, së bashku me vendet aleate në Europë e më gjerë, duhet domosdoshmërisht të rifitojë mëvetësinë. Ideja e një ushtrie europiane, nga ana tjetër, duket se është e paarritshme dhe në thelb, ndoshta e panevojshme.
Politikat aktuale të Unionit në fushën e mbrojtjes
Historikisht Bashkimi Europian nuk ka mangësi të kornizave institucionale apo mekanizmave që, së paku në letër, shtrojnë rrugën drejt bashkëpunimit dhe ndërtimit të kapaciteteve ushtarake të përbashkëta apo minimalisht një politike të ndërlidhur të mbrojtjes anembanë kontinentit, pra duke përfshirë edhe vendet aspirante, si Shqipëria.
Qysh me Traktatin e Lisbonës në vitin 2009 hidhen bazat reale të forcimit të rolit të Unionit, sidomos në misionet paqeruajtëse apo si mekanizëm reagimi dhe solidariteti në rastet e fatkeqësive natyrore, me krijimin e Politikave të Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP). Sidoqoftë, ky mekanizëm ndërshtetëror nuk është asesi në gjendje të japë përgjigje nevojës së Unionit si për unifikimin e përpjekjeve për rimilitarizim, ashtu edhe për ndihmën ndaj Ukrainës në luftë, si për shkak të mungesës së një strukture të integruar komanduese, ashtu edhe për shkak të varësisë historike nga NATO dhe, në mënyrë të veçantë, nga Shtetet e Bashkuara.
Nisma të tjera të rëndësishme janë nisma për Bashkëpunim të Strukturuar të Përhershëm (PESCO), një nismë që në vetvete nuk përfshin as të gjithë shtetet e Unionit, apo Fondi Europian i Mbrojtjes (EDF), që supozohet të shërbejë si mekanizmi financiar në mbështetje të investimeve. PESCO mbetet i kufizuar nga logjika ndërqeveritare që karakterizon gjithë politikën e mbrojtjes në BE. Projektet varen nga vullneti politik i shteteve pjesëmarrëse dhe nuk ekziston një autoritet qendror që të imponojë përmbushjen e objektivave në mënyrë të detyrueshme. Si rrjedhojë, rreziku i mbivendosjes, vonesave dhe mungesës së ambicies mbetet i pranishëm. Pjesëmarrja vullnetare, e kombinuar me interesat kombëtare, shpeshherë bëhen pengesë për vazhdimësinë e projekteve. Historikisht, Franca vendos në plan të parë zhvillimin dhe interesat e industrisë së saj të mbrojtjes edhe në dëm të zhvillimit konstruktiv e bashkëpunimit me aleatët. Mendësi të këtilla nuk bëjnë asgjë tjetër veçse të dëmtojnë orvatjen paneuropiane për zhvillimin e përbashkët të kapaciteteve mbrojtëse.
EDF, nga ana tjetër, nuk është asgjë më shumë se një instrument stimulues financiar për bashkëpunimin ndër-shtetëror. Lufta në Ukrainë dëshmoi qartazi se ky mekanizëm ishte i pamjaftueshëm për t’i bërë ballë nevojave akute për financim dhe fonde të destinuara në sisteme mbrojtëse.
Megjithatë, pas agresionit rus ndaj Ukrainës, Bashkimi Europian ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit të tij strategjik, duke u larguar gradualisht nga modeli tradicional i një aktori kryesisht normativ dhe ekonomik drejt një aktori që kërkon të ndërtojë edhe kapacitete reale të fuqisë ushtarake. Ky transformim nuk ka ndodhur përmes një ndryshimi të menjëhershëm institucional, por përmes një akumulimi masash dhe vendimesh që kanë synuar të forcojnë dimensionin e sigurisë brenda kornizës ekzistuese të Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, instrumente si ato të mësipërpërmendura janë riaktivizuar dhe forcuar, duke reflektuar një vetëdije të re politike për kufijtë e varësisë europiane nga mbrojtja e jashtme.
Në të njëjtën kohë, ky transformim është shoqëruar me një zhvendosje të qartë drejt politikave më praktike dhe të prekshme në fushën e mbrojtjes, si rritja e prodhimit të municioneve, financimi i industrisë ushtarake dhe koordinimi më i ngushtë i blerjeve dhe zhvillimit teknologjik mes shteteve anëtare. Iniciativa të reja si forcimi i kapaciteteve industriale dhe krijimi i mekanizmave të përbashkët të furnizimit tregojnë se BE po përpiqet të kalojë nga një rol kryesisht rregullator në një rol më aktiv në sigurinë ndërkombëtare. Megjithatë, ky proces mbetet gradual dhe i kufizuar nga struktura ndërqeveritare e Unionit. Prokurimet e mbrojtjes, edhe pse ngushtësisht të lidhura e të forcuara nëpërmjet instrumenteve e mekanizmave të Unionit, mbeten marrëveshje bilaterale apo polilaterale midis shteteve sovrane.
Përse europianët nuk bien dakord?
Në thelb, barriera kryesore deri në këtë pikë për inkorporimin e politikave mbrojtëse është ai që e bën Europën kaq të larmishme, aq sa edhe delikate: multipolariteti dhe interesat sovrane nacionale. Ndër shekuj, kontinenti është karakterizuar nga të njëjtat ndasi që edhe sot, mbas proceseve kolosale të integrimit dhe krijimit të një superorganizmi sui generis si Bashkimi Europian, vazhdojnë ta kufizojnë e t’i limitojnë potencialin strategjik.
Forcat ushtarake përbëjnë në vetvete instrumentin final të sovranitetit. Qartësisht, për shumicën e vendeve europiane një kompromis i tillë duket i papranueshëm edhe kur rreziqet e jashtme ndaj unitetit nuk kanë qenë kurrë kaq të forta. Integrimi ekonomik, programet e përbashkëta të prokurimit e financimit apo stimujt e Unionit nuk e kalojnë pragun e marrëveshjeve ndër-shtetërore e nuk nxisin diçka më të madhe, ëndrrën disi utopike të një ushtrie europiane. Përveç argumentit të thjeshtë se europianët e vlerësojnë thellësisht sovranitetin nacional, siç bëjnë shumica e vendeve të botës, ka edhe disa arsye të qarta që e pengojnë këtë hap.
NATO është një organizatë politiko-ushtarake që mbulon të gjitha nevojat e vendeve anëtare për siguri. Prej 1949 kjo organizatë ia ka dalë me sukses të pengojë konfliktet e armatosura ndërmjet vendeve anëtare, por edhe t’i mbrojë nëpërmjet deterrencës nga aktorë të jashtëm. Parimi i mbrojtjes së përbashkët, i konsoliduar nëpërmjet artikullit 5 të traktatit, siguron paqen e ndërsjellë dhe ishte pikërisht ky artikull dhe mungesa e një rreziku frontal, e kombinuar me mburojën amerikane, që kishte vënë në gjumë letargjik shumicën e vendeve europiane. Në realitetin e sotëm, ekzistenca e NATO-s kërcënohet në përditshmëri. Vetëm pak ditë më parë, Trump njoftoi tërheqjen e një numri trupash amerikane të vendosura në Europë, ndërsa vazhdon të kërcënojë se do të bëjë të njëjtën gjë në Itali e Spanjë, e në këtë të fundit ka kërkuar përjashtimin total të saj nga Aleanca. Edhe në këto rrethana kaq nxitëse, europianët janë të ndarë në qasjet e tyre. Në Lindje, vendet Balltike dhe Polonia e shohin rrezikun rus si të prekshëm dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara si thelbi rreth të cilit orientohen politikat e mbrojtjes. Në Europën Jugore, imigracioni i paligjshëm duket se merr më shumë vëmendje se një rrezik i perceptuar si larg kufijve nacionale, si ai i luftës në Ukrainë. Franca është më e fokusuar në autonominë e saj strategjike, aq të luftuar e aq të propaganduar, sidomos në pasigurinë e sotme të mbrojtjes amerikane, ndërsa Gjermania, kaherë e kujdesshme në shpenzimet ushtarake, duket se po tregon një qasje të drejtë duke shumëfishuar shpenzimet e mbrojtjes që prej fillimit të konfliktit në Ukrainë. Në këtë analizë kaq minimaliste është e qartë që vendet kanë në fokus jo mjaftueshëm interesin e përbashkët, por atë kombëtar, duke e bërë të vështirë bashkëpunimin konkret e domethënës.
Ushtria e përbashkët nuk është përgjigjja
Ka mjaftuar vetëm qarkullimi i idesë së një ushtrie të mundshme europiane për të nxitur mosdakordësinë e polemikat anembanë Unionit, qoftë ndërmjet shteteve e mbi të gjitha në opinionin publik që e sheh nismën si një nevojë të paplotësueshme nëse nuk shkohet përtej gjendjes aktuale institucionale në Bashkimin Europian, pra një Europë federale, nga një anë, dhe ata që e shohin si një rrezik ndaj sovranitetit kombëtar e një peshë të shtuar në buxhetet publike, nga ana tjetër. Këto dy qëndrime kanë, natyrisht, polet e tyre sa ekstreme aq edhe të moderuara.
Polemika të tilla rrezikojnë të fragmentizojnë edhe më shumë Bashkimin Europian në një epokë të re e të rrezikshme. Si për ta përkeqësuar këtë gjendje, vlen të theksohet se me të gjitha gjasat krijimi i një ushtrie të përbashkët europiane do të sillte fundin e NATO-s, duke e thelluar më tej llogoren transatlantike që tanimë ndan në gjysmë atë që njihnim si Perëndim. Nga ana tjetër, mjafton një shikim i përciptë i politikave në Union për të kuptuar se mungesa e unionit e shpeshherë vullnetit politik janë plagë që e bëjnë idenë e një ushtrie europiane radikale e, për rrjedhojë, krejt jo realiste.
Çelësi i mëvetësisë potencialisht europiane në dekadat e ardhshme gjendet megjithatë tani dhe në të njëjtat rreshta fjalimesh ku ushtria e përbashkët humbet. Unifikimi, standardizimi dhe prokurimet e përbashkëta, veçanërisht i sistemeve Made in Europe, janë thelbësore në këtë qasje. Gradualisht, Europa mund të rifitojë pozitën e saj strategjike, ama vetëm nëse kjo kombinohet me një politikë të jashtme të përbashkët. Figura të ndryshme si Kryeministri sllovak Robert Fico apo ai bullgar i sapozgjedhur Rumen Radev kërcënojnë çdo nismë që ka nevojë për votim unanim në një Europë post-Orban, ku shpejtësia dhe vendosmëria në vendimmarrje janë thelbësore.
Për rrjedhojë, edhe nëse BE-ja do të reformonte procedurat e saj, për shembull duke kaluar nga unanimiteti në shumicë të cilësuar apo duke krijuar një komandë të përbashkët ushtarake, kjo nuk do të zgjidhte automatikisht çështjen kryesore, atë të mungesës së një vullneti të përbashkët politik për të përdorur forcën. Vendimet ushtarake janë ndër më të ndjeshmet që një entitet politik mund të marrë, sepse përfshijnë rrezikimin e jetëve njerëzore dhe implikime të thella ndërkombëtare. Në këtë kuptim, shtetet anëtare vazhdojnë të mbeten aktorët kryesorë, sepse ato janë përgjegjëse përpara elektorateve të tyre dhe mbajnë barrën politike të çdo ndërhyrjeje të mundshme. Pa identitet politik të përbashkët, legjitimitet demokratik të centralizuar dhe një strukturë qeverisëse federale, një ushtri europiane do të ishte më shumë një konstrukt formal sesa një instrument real fuqie.
E vetmja rrugë e prekshme për të reaguar ndaj dilemës europiane të sigurisë është forcimi i përbashkët, aty ku interesat kombëtare e lejojnë, i mbrojtjes me kapacitete të zhvilluara e financuara nëpërmjet huave apo fondeve të disa shteteve ose edhe vetë Bashkimit Europian. Zhvillimet dhe nismat e viteve të fundit tregojnë qartazi këtë qasje. Iniciativat për ndërtimin e avionëve të gjeneratës së 6-të janë të ndara në dy fronte, Franca, Gjermania e Spanja në një anë me FCAS (Future Combat Air System) dhe Italia, Mbretëria e Bashkuar e Japonia e Azisë së largët me projektin e tyre GCAP (Global Combat Air Programme) në anën tjetër, edhe pse Franca pritet të braktisë krejtësisht projektin e saj, tregojnë se si Europa edhe kur kërkon të lëvizë drejt rimilitarizimit dhe ndërtimit të një strukture të re mbrojtëse mbetet e copëtuar. E njëjta gjë vlen edhe për iniciativën gjermane European Sky Shield, që bashkon shumë vende europiane për mbrojtje ajrore të përbashkët, ndër to edhe Shqipëria, ama jo çdo vend brenda Unionit e aq më pak në krejt kontinentin. Qeveritë franceze e italiane vazhdojnë të zhvillojnë sistemet e tyre paralele duke minuar zhvillimin reciprok.
Këto shembuj dëshmojnë se Europa është larg rrugës së një ushtrie të përbashkët, madje edhe integrimi i sistemeve mbrojtëse mbetet një temë kontradiktore ku përparimi është i vështirë. Më shumë se një ushtri, në Europë po ndërtohen ishuj bashkëpunimi industrial e ushtarak si përgjigje ndaj nevojave akute të mbrojtjes, e kombinuar thellësisht me interesat kombëtare. Sidoqoftë, diçka është përherë më mirë se asgjë, e në një epokë kaq të pasigurtë kjo diçka mund të jetë diferenca midis fitores së demokracive perëndimore dhe humbjes.
Andri Ferati, qershor 2026
*Andri Ferati është student në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Firences, Itali. Gjatë studimeve të tij, ai ka zhvilluar një interes të thellë në marrëdhëniet ndërkombëtare, me një fokus të veçantë te historia dhe politika globale. Përpara se të fillonte studimet jashtë vendit, ai ka qenë i angazhuar në disa iniciativa rinore dhe organizata vullnetare, ku vlen të përmendet Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane – USEYCA dhe Re- Debate. Një nga fushat e tij kryesore të interesit është dinamika transatlantike midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.
Referencat
Michael W. Doyle, 1983, Kant, Liberal Legacies, and Foreign Affairs, Philosophy & Public Affairs, https://www.jstor.org/stable/2265298
Biscop, S. (2023). The EU and the war in Ukraine: Strategic autonomy and the return of geopolitics. Egmont Institute. https://www.egmontinstitute.be
Fiott, D. (2022). Uncharted territory? The EU’s defence integration after Russia’s invasion of Ukraine. European Union Institute for Security Studies (EUISS). https://www.iss.europa.eu
Mearsheimer, J. J. (2019). Bound to fail: The rise and fall of the liberal international order. International Security. https://doi.org/10.1162/isec_a_00342
European Council on Foreign Relations. (2026, April 20). Bulgaria’s election and what it means for Europe. https://ecfr.eu/article/bulgarias-election-and-what-it-means-for-europe/
Preller, P. (2026). What Europe’s fighter jet programmes reveal about defence coordination. Bloomsbury Intelligence and Security Institute (BISI). https://bisi.org.uk/reports/what-europes-fighter-jet-programmes-reveal-about-defence-coordination
Monaghan, S., & Christianson, J. (2023, May 19). Making the most of the European Sky Shield Initiative. Center for Strategic and International Studies (CSIS). https://www.csis.org/analysis/making-most-european-sky-shield-initiative
Šebeň, M., & Auer, S. (2025). Are Slovaks a nation of cowards? Robert Fico’s politics of memory and the transformation of Slovak foreign policy towards Russia and Ukraine. Journal of Contemporary Central and Eastern Europe. https://doi.org/10.1080/25739638.2025.2599340
.png)
.png)
.jpg)






.jpg)



























