Axhenda e integrimit dhe rifillimi i aktiviteteve shtetërore pas verës së nxehtë ka rezultuar aktive dhe me intensitet të lartë. Mjafton të përmendim tri ngjarje të rëndësishme që lidhen me: 1– Nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për hapjen e kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë, si një nga tre kampuset, pas Bruges në Belgjikë dhe Natolin në Poloni. 2 – Realizimi i takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Berlinit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe shteteve të tjera pjesëmarrëse në këtë proces. 3 – Rinisja dhe organizimi i Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë si i pari Samit që mbahet jashtë BE-së. Të tre këto ngjarje ndodhin për herë të parë dhe njëkohësisht ndikojnë dhe për rritjen pozitive të imazhit të vendit në rajon dhe më gjerë. Rigjallërimi i Procesit të Berlinit i vendos të gjithë vendet e Ballkanit bashkë në një tryezë dhe në një nismë që prodhon besim për të gjitha palët. Po pse është i rëndësishëm rikthimi tek Procesi i Berlinit? A ndikoi iniciativa “Open Ballkan” si një matës për mungesën e besimit të bashkëpunimit në mes shteteve të Ballkanit dhe a ndikoi në rikthimin e BE-së me vijimin e nismave rajonale si i vetmi aktor i besueshëm? Si do të ndikojë zhvillimi i këtij procesi në rivendosjen e ekuilibrave mes vendeve të rajonit? Çfarë pritet të jenë hapat e përbashkëta që lidhen me integrimin e rajonit në “Tregun e Vetëm dhe Përmirësimi i Konvergjencës me BE”?
Një panoramë e zhvillimeve kryesore në Ballkanin Perëndimor
Historiku i proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian ka qenë i gjatë dhe ka kaluar në disa etapa. Që nga fillimi i Procesit të Stabilizim-Asociimit në vitin 1999, bashkëpunimi rajonal është pjesë e rëndësishme dhe e patjetërsueshme e zhvillimit demokratik dhe arritjeve në rrugën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Vizioni për të sinkronizuar një qasje ku të përfshihej si integrimi i rajonit në BE dhe integrimi i rajonit brenda vetvetes do të hidhte bazat për një qëndrueshmëri solide të zhvillimit dhe stabilitetit afatgjatë të kësaj pjese të Europës. Bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është konsideruar si një mekanizëm, proces dhe politikë shumë e rëndësishme që do të çonte në pajtim, stabilizim dhe integrim.
Me pranimin e Kroacisë në Bashkimin Europian në vitin 2013 dhe konsiderimit të kësaj ngjarjeje si një pohim i perspektivës europiane kundrejt rajonit, do të pasonte një fazë tjetër, faza e “ngrirjes” së zgjerimit të mëtejshëm të unionit të paktën nën presidencën e udhëhequr nga Presidenti Juncker. Një qëndrim më i tërhequr kundrejt politikës së zgjerimit do të shoqërohej me argumentin se “BE-ja ka nevojë të konsolidohet së brendshmi”, si dhe në adresimin e krizave të saj
Në harkun e 9 viteve, Procesi i Berlinit, njohu ulje-ngritjet e tij në arritjen e synimeve dhe përmbushjen e objektivave të tij. Gjithashtu dhe zhvillimet brenda vetë Bashkimit Europian dhe qasja ndaj rajonit të Ballkanit kanë ripërcaktuar Strategjinë e Re të Zgjerimit të Komisionit Europian (2018) dhe si detyra kryesore për të gjashtë vendet e rajonit, të cilat kanë të bëjnë me forcimin e shtetit ligjor, konkurrueshmëria, si dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe
Rigjallërimi i Procesit të Berlinit një “must (domosdoshmëri)” për rajonin e Ballkanit Perëndimor
Duhet thënë se “Procesi i Berlinit” ka pasur sukses të kufizuar në fushën e politikave të bashkëpunimit rajonal dhe mosmarrëveshjeve dypalëshe
Nën drejtimin e kancelarit Olaf Scholz, Procesi i Berlinit mori një impuls të ri. Mbështetja e vazhdueshme e Gjermanisë kundrejt rajonit si politikisht dhe financiarisht ku në terma afatmesëm arrin në grante deri në 1 miliardë euro (për të mbështetur transformimin e sektorit energjetik deri në vitin 2030) janë thelbësore për zhvillimin e tij. Duhet pranuar se angazhimi i ripërtërirë gjerman në Ballkanin Perëndimor përmes “Procesit të Berlinit” është një shtyllë e një rëndësie të madhe jo vetëm për përparimin e procesit të integrimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor, por dhe për sheshimin e krizave “ballkanike”. Pas eksperimenteve në kuadër të nismës “Open Balkan” për bashkëpunim të vetë vendeve të rajonit dhe dështimin e mospjesëmarrjes nga gjysma e vendeve të rajonit e bën rikthimin edhe njëherë tek “Procesi i Berlinit” një proces jetik, të mirëpranuar dhe që e njohin të gjithë.
Në dallim nga nisma të tjera, “Procesi i Berlinit” mbetet e vetmja platformë e bashkëpunimit rajonal me pjesëmarrjen e të gjitha vendeve të rajonit dhe vendeve kyçe të BE-së. Në Samitin e Procesit të Berlinit të mbajtur në nëntor të vitit 2022 dhe nënshkrimi i tri marrëveshjeve nga të gjitha vendet e rajonit rindezi projektet e lëna pezull. Në kuadër të forcimit dhe thellimit të bashkëpunimit rajonal në këtë Samit u nënshkrua Marrëveshja mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor; Marrëveshja mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor dhe Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Europën Qendrore
Përfundime
Rigjallërimi i Procesit të Berlinit dhe arritja e objektivave të vendosura për nxitjen e bashkëpunimit inkurajon një të ardhme më premtuese për përshpejtimin e reformave dhe integrimin e rajonit mes vetes dhe me BE-në. Fokusi i procesit është tek bashkëpunimi rajonal ekonomik, ku krahas strukturës klasike vertikale të procesit të zgjerimit është plotësuar dhe me elemente horizontalë, me çështje të tilla si tregu i përbashkët rajonal, transporti, energjia dhe zona ekonomike rajonale, duke krijuar kështu kushtet për zhvillim të qëndrueshëm dhe marrëdhëniet ndërmjet agjentëve të ndryshëm shoqërorë”
Elda Zotaj, dhjetor 2023
*Dr. Elda Zotaj është lektore në Departamentin e Shkencave Politike, në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike, në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës. Studimet Master dhe ato doktorale i ka në fushën e Studimeve Europiane. Elda mban gradën Doktor Shkencash në “Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare të BE-së, Universiteti i Tiranës. Prej 15 vitesh ajo lektoron lëndët si: Integrimit Europian, Organizata Ndërkombëtare, Politika e zgjerimit e BE-së drejtë vendeve të EJL dhe BP, në programe Bachelor apo Master. Gjatë periudhës 2016 – 2020, Dr. Zotaj ka mbajtur pozicionin e Përgjegjëses së Departamentit të Shkencave Politike në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike. Dr. Zotaj është anëtare e Bordit Shkencor dhe recensuese shkencore në Revistën "Vjetari i Integrimit Evropian" - "Rocznik Integracji Europejskiej"; Universiteti Adam Mickiewicz në Poloni si dhe anëtare e Bordit Redaktues të Revistës "Horizons Legal", Universiteti Sumy State, Ukrainë. Fusha e kërkimit të saj lidhet ngushtë me proceset integruese Europiane të vendit dhe rajonit. Ajo është autore e më shumë se dhjetëra publikimeve në revista shkencore në konferenca rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e Shkencave Politike.
Referenca:
BalkanWeb. (2018). Strategjia e re e KE për Ballkanin Perëndimor, tre detyra kryesore për vendet e rajonit.
Bonomi, M et al. (2020, Tetor). ZGJERIMI I BE-SË.
BPRG. (2021, Janar). Regional Cooperation in the Western Balkans. Regional Economic Area, the “Mini-Schengen” and the Common Regional Market.
Bushati, D. (2022, Nëntor). Ripërtëritja e Procesit të Berlinit. FES .
Kryeministria. (2022, Nëntor 3). Samiti i Procesit të Berlinit 2022, nënshkruhen marrëveshjet rajonale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
MEPJ. (n.d.).
Mërkuri, V. (2023, Dhjetor). Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor: Lidhja e fortë ndërmjet integrimit ekonomik dhe realizimit të reformave të sundimit të ligjit.
Nechev, Z et al. (2017). The Berlin Process. What worked and what did not work? And why?
Ruçi, A. (2023, Tetor 16). Tiranë: Nis punimet Samiti i Procesit të Berlinit. DW .
Shuka, A. (2022, Nëntor 4). Procesi i Berlinit, arritjet dhe sfidat. DW .
VOA. (2023, Shtator 28). Procesi i Berlinit dhe sfidat e integrimit në BE të vendeve të Ballkanit.