Politika e zgjerimit të BE-së dhe perspektiva e Ballkanit Perëndimor

Politika e zgjerimit të BE-së dhe perspektiva e Ballkanit Perëndimor

Objektivi kryesor i politikës së zgjerimit është të promovojë paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Europë duke shtrirë parimet e demokracisë, shtetit të së drejtës, respektimit të të drejtave të njeriut dhe tregut të përbashkët në një numër më të madh vendesh. Ajo gjithashtu mund të forcojë pozicionin gjeopolitik të BE-së si një aktor global.

Mbi politikën e zgjerimit të BE-së nga sukses në sfidë

Politika e zgjerimit të BE-së ka qenë një sukses i madh fal integrimit të shumë vendeve të Europës Juglindore të cilat kanë arritur të shkëputen nga komunizmi dhe ndikimet lindore. Ekzistojnë dy pikëpamje kryesore për politikën e zgjerimit. Nga njëra anë, pro-europianët që argumentojnë se zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor është i domosdoshëm, sepse sipas tyre, institucionet e Unionit janë bartës të vlerave demokratike dhe prodhues të standardeve te politike,ligjore dhe do të sjellë stabilitet dhe prosperitet në të gjithë rajonin, (Schwok, 2016). Dhe nga ana tjetër, kemi euroskeptikët të cilët besojnë se zgjerimi në vende me institucione të dobëta dhe i shoqëruar me tensione të vazhdueshme kombëtare mund të rrezikojë vlerat e vendeve të BE-së, si dhe sjell destabilizim të brendshëm të BE-së (Schwok, 2016). Rritja e skepticizmit ndaj politikës së zgjerimit dhe proceset e ngadalshëm (shpesh afatgjatë) të integrimit ka bërë që vitet e fundit kjo politikë të vihet në pikëpyetje nga vendet  kandidate.

Ndërsa sot jemi dëshmitarë të një evoluimi të procesit te integrimit  i cili është bërë më teknik, më rigoroz dhe totalisht i kushtëzuar nga respektimi i të gjitha kritereve të vendosura për këtë rajon, të cilat janë shtuar ndër vite ( Dérens, 2015). Vëmendja e kushtuar ndaj kapaciteteve "përthithëse", por edhe studiuesit e politikave të BE-së perceptojnë se diskursi ka ndryshuar në atë që ata e konsiderojnë si "rezistencë ndaj zgjerimit" (Devrim,andSchulz,2009) (ky është dobësimi i kapacitetit absorbues të BE-së në drejtim të qeverisjes, administratës dhe aspekti ekonomik), duke marrë parasysh të gjithaçështjet me të cilat përballen vendet anëtare, si rritja e populizmit, nacionalizmi i brendshëm dhe mosmarrëveshjet mbi natyrën e integrimit europian.

Rezistenca ndaj zgjerimit manifestohet përmes proceseve të fragmentimit dhe shpërbërjes, siç u dëshmua në pasojat e eurozonës dhe krizat e refugjatëve/emigracionit. Kjo rezistencë është produkt i fragmentimit dhe shpërbërjes e kufizon axhendën e zgjerimit duke paraqitur një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj formave ekzistuese të politikës në BE. Si rezultat, BE-ja nuk është politikisht e gatshme të zgjerohet, ndërsa kandidatët e mundshëm nuk janë politikisht të gatshëm për t'u anëtarësuar. (Dahrendorf Forum and Economides, 2020)

BE-ja përballet me mungesë unanimiteti në vendimmarrje në lidhje me procesin e integrimit. Sipas Schwok, “reagimet e shteteve të ndryshme anëtare ndaj politikës së zgjerimit në mënyrë të pamohueshme e dobësojnë BE-në, sepse ajo është bartëse e vlerave universale” (Schwok, 2016). Vitet e fundit, interesi i shteteve anëtare për zgjerime të mëtejshme ka rënë, dhe kjo reflektohet në një proces më të ngadalshëm, kushte më të rrepta dhe përdorimin e të drejtës së vetos (Keil, andArkan,2014), që ka sjellë bllokime të ndryshme, siç mund të shihet nga Franca, Gjermania, Holanda dhe së fundmi edhe Bullgaria. Megjithëse Komisioni ka kërkuar që çështjet dypalëshe të mos bllokojnë procesin e integrimit,  fuqia e vetos është përdorur për të bllokuar shtete të ndryshme për shkak të problemeve bilaterale. 

Gjithashtu në vendet anëtare ka një tendencë për t'i dhënë përparësi interesave kombëtare mbi interesat europiane duke pasur parasysh dallimet e brendshme të vendeve (vendimet e marra nga Gjermania dhe Hungaria në lidhje me fluksin e emigrantëve, rritjen e populizmit) (Dérens, 2015). Kjo rezulton në përhapjen e qeverive kombëtare që praktikojnë politika proteksioniste dhe në përhapjen e partive euroskeptike, madje edhe eurofobike, të cilat ndikojnë në procesin e integrimit dhe mund të rrezikojnë politikën e zgjerimit.

Vitet e fundit nuk është shënuar asnjë progres i rëndësishëm në procesin integrues të Ballkanit Perëndimor dhe më konkretisht të Shqipërisë, për shkak të bllokimeve të shumta në procesin e integrimit, të cilat janë edhe simptoma të lodhjes nga zgjerimi.

Cila është perspektiva e anëtarësimit  të Ballkanit Perëndimor në raport me politikën e zgjerimit të BE-së ?

Politika e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor ka ngritur shumë pyetje vitet e fundit, të lidhura me përthithjen e anëtarëve të rinj. Strategjia e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor, është e njohur si politika e kushtëzimit.

Nëpërmjet kësaj politike kushtëzimi, BE-ja synonte të arrinte stabilitetin, paqen, demokratizimin e rajonit dhe zhvillimin e një ekonomie të tregut të lirë.

Por për vendet e Ballkanit Perëndimor, BE-ja vendos që krahas kritereve të Kopenhagës, të shtojë edhe dy kritere të tjera, duke pasur parasysh mungesën e stabilitetit ne këtë  rajon. Këto dy kritere janë bashkëpunimi rajonal dhe respektimi i pakicave etnike, të cilat  synojnë ruajtjen e paqes dhe prosperitetit në rajon (Commission Européenne, 2020).

Megjithatë, që nga fillimi i vetë procesit të zgjerimit, ai ka ndryshuar gradualisht për shkak të punëve të brendshme të BE-së dhe sfidave me të cilat është përballur vetë Unioni, si lodhja nga zgjerimet e mëparshme, kriza ekonomike e 2008, Brexit, kriza e refugjatëve ne vitin 2014,  si edhe  pandemia COVID-19. Pas 20 vite aspirata për integrim europian, vetë procesi ka pësuar disa ndryshime.

Së fundi, vihet re se politika e zgjerimit, ashtu siç po zhvillohet dhe po zbatohet, nuk është më në gjendje të nxisë konsolidimin e demokracisë dhe të sigurojë zhvillimin shoqëror të Ballkanit Perëndimor. Rajoni duket se po përjeton një regres të zgjatur socio-ekonomik, duke çuar në dështimin e politikave të qeverisjes dhe mosfunksionimin e politikave të transformimit të vendosura nga  BE (Bonomi, 2020).Ndërsa në dinamikën e brendshme të BE-së nuk ka marrëveshje për ritmin dhe modalitetet e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky konfigurim pasqyroi nevojën për reformë të politikës së zgjerimit, të cilës Komisioni Europian iu përgjigj duke publikuar metodologjinë e re të zgjerimit, e cila ripohon në krye të angazhimit të BE-së për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Objektivi i tyre i përgjithshëm është të rrisin besueshmërinë dhe besimin e të dyja palëve dhe të japin rezultate më të mira në terren (Commission Européenne, 2020).


Arsyet që kanë nxitur lodhjen e zgjerimit janë:

1.     Mësimet e nxjerra nga zgjerimet e mëparshme, pasi vendet e reja kanë sjellë me vete problematikat e tyre, siç është rasti i Qipros, të cilat nuk ishin trajtuar efektivisht në periudhën e pranimit të tyre në BE. Këto sfida janë reflektuar në rritjen e kostove për vendet anëtare ekzistuese të BE-së.

2.     Ndikimi në kohezionin dhe burimet e BE-së, duke pasur parasysh se aderimi i anëtarëve të rinj mund të shkaktojë sfida në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve të BE-së, veçanërisht në rishpërndarjen e fondeve dhe procesin e vendimmarrjes brenda institucioneve të BE-së.

3.     Zhvillimet në vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat dallohen nga vendet e BE-së në aspekte normative, ekonomike dhe institucionale:

a.     Në fillim, këto vende karakterizohen nga një nivel i lartë i korrupsionit dhe nevojitet shumë më tepër kohë për të vendosur në mënyrë efektive sundimin e ligjit.

b.     Në të dytën, nivelet e zhvillimit ekonomik janë më të ulëta në krahasim me BE-në në tërësi.

c.     Së fundi, shqetësimet institucionale rrotullohen rreth aftësisë së BE-së për të vazhduar qeverisjen dhe funksionimin efektiv me më shumë anëtarë, dhe aftësinë e shteteve për të operuar sisteme demokratike në përputhje me politikën e BE-së duke respektuar sundimin e ligjit (Oxford Charlemagne Institute, 2024).

 

Megjithatë, në fund të fundit, elementi kryesor për të çuar përpara procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor mbetet vullneti i mirë dhe angazhimi. Barra më e madhe e demonstrimit të vullnetit dhe kapacitetit për reforma bie mbi vendet e rajonit. Por ato përfshijnë edhe vendet e BE-së, të cilat duhet të ushtrojnë kujdesin e nevojshëm për të parë rëndësinë gjeostrategjike të zgjerimit dhe për të shkuar përtej interesave të vogla për të ndihmuar ose, të paktën, për të mos krijuar pengesa artificiale në rrugëtimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në përfundim të këtij artikulli ndajmë disa rekomandime:

1.     Vendosja e disa objektivave të qarta dhe të matshme që BE-ja të përgatitet për zgjerimet e ardhshme, në momentin që vendet kandidate do të përmbushin kriteret e aderimit. Kjo do të sillte rritjen e besimit në këtë proces. Lidershipi i ri politik europian, që do të vijë pas zgjedhjeve të 2024, do të duhet të tregojë angazhim të plotë në reformimin e brendshëm në mënyrë që të jenë gati për aderimin e vendeve kandidate.

2.     Integrimi individual; duke marrë në konsideratë faktin që pjesa më e madhe e integrimit të vendeve të BE-së është bërë në grupe, e cila bie ndesh me kriteret e integrimit në bazë të meritës. Një qasje individuale do të përputhej më mirë me parimin e meritokracisë, si dhe do të evitoheshin bllokimet e padrejta nga palë të treta.

3.     Reformimi i institucioneve apo i kuadrit ligjor do të ishte i nevojshëm në mënyrë që BE-ja të funksionojë në mënyrën e duhur. Një prej problemeve që është evidentuar nga vendet kandidate në procesin e integrimit është edhe fuqia e “vetos”, e cila herë pas here ka bllokuar avancimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është e nevojshme ndryshimi i mënyrës së votimit nga “unanimiteti” në votimin me shumicë, të cilësuar “QMV”, në mënyrë që vendet anëtare të mos bllokojnë progresin e procesit të integrimit.

4.     BE-ja duhet të ofrojë më shumë ndihmë teknike dhe financiare në mënyrë që vendet pretendente për të aderuar në familjen europiane t’i përshpejtojnë reformat në demokratizimin dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendeve të tyre.

 

Lorela Alia, maj 2024

*Lorela Alia ka përfunduar studimet e larta për Shkenca Politike në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe masterin për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në “Universite De Belgium”, Belgjikë. Lorela zotëron aftësi të forta analitike, organizative dhe negociuese të cilat i ka zhvilluar duke marrë pjesë në trajnime të ndryshme kombëtare dhe nërkombëtare. Ajo është njohëse e gjuhës angleze, frënge dhe spanjolle.

Referencat

Bonomi, M. (2020).From EU enlargement fatigue to ambiguity.” Foundation for EuropeanProgressive Studies (FEPS), the Friedrich Ebert-Stiftung (FES), and the Fondation Jean Jaurès (FJJ).

Commission Européenne (2020).Renforcer le processus d'adhésion – Une perspective européennecrédiblepour lesBalkans occidentaux.Bruxelles, le5.2.2020 COM(2020)57final

 Dahrendorf Forum, and Economides, S. (2020, mars). From Fatigue to Resistance : EU Enlargementand the Western Balkans (Working Paper No. 17). London School of Economics and PoliticalScience.

Dérens,J.A.(2015),“LesBalkansoccidentauxet lafailliteduprocessusd’élargissement européen.”, Politique étrangère, Printmps(1), p. 185

Devrim,D.,andSchulz,E.(2009),“Enlargement FatigueintheEuropeanUnion: From EnlargementtoMany Unions.”, RealInstitutoElcano.

Keil,S., andArkan,Z.(2014), TheEUandMember StateBuilding, London.Routledge.p.33

Oxford Charlemagne Institute.(March 2024 ). 30+ at ’30? European Union Enlargement Report and Internal Reform: Special Report.  Retrived from https://oxfordcharlemagneinstitute.com/30-at-30-european-union-enlargement-report/

Schwok, R. (2016), La construction européenne contribue-t-elle à la paix?, Lausanne. PUPolytechnique.

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk