2018 nis me një valë protestash në vendet e Bashkimit Europian

2018 nis me një valë protestash në vendet e Bashkimit Europian

Belgjikë: Qytetarët belg në mbrojtje të të drejtave të refugjatëve

Më shumë se 2 000 njerëz po protestojnë në Parkun Maximilien të Brukselit, që është dhe kampi më i madh i emigrantëve në qytet, ndaj arrestimeve të planifikuara të emigranteve të cilësuar të ‘parregullt’ nga policia federale belge dhe trajtimit aspak dinjitoz që po i bëhet emigrantëve dhe refugjatëve nga qeveria belge. Vullnetarët nga Platforma e Qytetarëve për Mbështetjen e Refugjatëve, me moton “Solidariteti nuk është krim”, u koordinuan për të mirëpritur rreth 200 njerëz të cilët në të kundërt do të kishin fjetur në park. Rreth 300 të tjerë u morën nga familje pritëse.

Protestë ka ardhur dhe nga policia lokale në komunat e Schaerbeek dhe Bruxelles-Capitale, e cila refuzoi të marrë pjesë në operacionin e arrestimeve nga policia federale belge. Protestuesit shprehen se do të ndihmojnë refugjatët dhe nuk do të lejojnë që qeveria belge ti arrestojë dhe ti kthejë mbrapsht ata në vendet aspak të sigurta ku u rrezikohet jeta dhe siguria.

Poloni: Protesta në mbarë vendin kundër kufizimeve të mëtejshme ndaj së drejtës për abort

Më 11 janar, dhoma e ulët e Parlamentit polak votoi për një ndryshim të ri legjislativ që do të kufizonte mundësinë për abort. Ligji polak propozon rastet e dëmtimeve të rënda ose fatale të fetusit si të vetmet raste ku mund të lejohet aborti. Kufizimi i mëtejshëm i kësaj të drejte do t'i detyronte gratë në Poloni që të kishin shtatëzani të padëshiruara, të rrezikonin shëndetin e tyre fizik dhe mendor dhe të detyrohen të lindin fëmijë të cilët nuk do të kenë mundësi për mbijetesë.

Gratë nëpër Poloni po dalin përsëri në rrugë, duke qëndruar së bashku kundër propozimeve që do t'i heqin ato nga të drejtat e tyre dhe do të rrezikojnë shëndetin e tyre. Demonstrimet vijnë më shumë se një vit pas mobilizimit në shkallë të gjerë e njohur si ‘Protesta e Zezë’, që e detyroi qeverinë në një kthesë historike në një ndalim të propozuar të abortit.

Polonia tashmë ka një nga ligjet më kufizuese ndaj së drejtës për abort në Europë dhe kufizimet e mëtejshme do të ishin një hap i rrezikshëm prapa. ‘Vendimet për trupat e grave dhe shëndetin e tyre duhet të bëhen nga vetë gratë dhe jo nga politikanët’ - duket se është motoja që do të ndjekë këtë protestë.

Rumani: Dhjetëra mijëra qytetarë protestojnë kundër korrupsionit

Rreth 50 mijë rumunë marshuan në Bukuresht ndërsa mijëra më shumë demonstruan në qytete në të gjithë Rumaninë në protestë kundër ligjeve të propozuara që ekspertët thonë se do ta bëjnë më të vështirë ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë në vend, i cili ndër të tjera parashikon që regjistrimet audio apo video të mos cilësohen si provë gjatë hetimeve për raste të tilla të korrupsionit. Me pankarta, bilbilë dhe thirrje kundër këtij legjislacioni protestuesit kërkojnë mos kalimin e ligjit që do të çonte në dobësimin e gjyqësorit dhe sistemit të drejtësisë.

Një përpjekje nga Social Demokratët në pushtet për të dekriminalizuar disa vepra të korrupsionit në fillim të vitit 2017 shkaktoi protestat më të mëdha në Rumani që nga rënia e komunizmit në 1989, dhe duket se këtë herë janë të bindur ta kalojnë ligjin e kundërshtuar dhe nga institucionet e BE. Transparency International ka renditur Rumaninë midis shteteve më të korruptuara të BE për vitin 2017.

Bullgari: Mijëra bullgarë mblidhen në qendër të Sofjes për të protestuar për ndërtimin e mëtejshëm të resortit të skive në Parkun Nacional Pirin

Ndërkohë që 1 janari shënoi marrjen e presidencës së BE nga Bullgaria, në Sofje kjo datë u prit me protesta të shumta. Ambientalistët janë bashkuar për të demonstruar kundër vendimit të qeverisë për të lejuar zgjerimin e zonës së skive në Parkun Nacional Pirin të mbrojtur nga UNESCO. Zona përfshin peizazhe të ndryshme të maleve gëlqerore me liqene akullnajore, ujëvara, shpella dhe pyje kryesisht halore. Protestuesit thanë se masa do të shkelte ligjet e mbrojtjes së natyrës, do të shkatërronin pemë pishe njëqindvjeçare dhe më pas do të rrezikonin kafshë të egra lokale.

Demonstruesit këndonin "Save Pirin", "Mafia" dhe "Ne duam natyrën, jo betonin" ndërsa ata marshuan dhe mbanin pankarta duke thërritur: "Bullgari, zgjohu dhe lufto" dhe "Qytetarët kundër mafies". Ata gjithashtu kërkuan dorëheqjen e Neno Dimov, ministrit të mjedisit të Bullgarisë. Ministria e mjedisit nga ana tjetër ka deklaruar se ka miratuar ndërtimin në vetëm 2% të Parkut Kombëtar Pirin, në të cilën ndodhet edhe shtëpia e njohur e pushimit Bansko, për të nxitur turizmin dimëror.

Greqi: Grekët protestojnë rreth përdorimit të emrit Maqedoni nga shteti i tyre fqinj

Rreth 90 mijë njerëz u mblodhën në Selanik, për të protestuar për përfshirjen e fjalës "Maqedoni" në emrin e republikës fqinje ish-Jugosllave. Tubimi ishte protesta e parë e madhe pasi Greqia dhe Republika e Maqedonisë ranë dakord të bashkohen me bisedimet e ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara të filluara gjatë muajit janar 2018 për të zgjidhur mosmarrëveshjen 25-vjeçare. Organizatorët thonë se janë planifikuar mitingje të mëtejshme gjatë javëve të fundit të janarit. Shumë grekë argumentojnë se emri ‘Maqedonia’ nënkupton një pretendim territorial për një rajon në veri të Greqisë me të njëjtin emër dhe Selaniku është kryeqyteti i saj. Gjatë protestës, shumë demonstrues ishin veshur dhe si Aleksandri i Madh duke treguar që ai është një luftëtar grek, dhe jo maqedonas. Greqia ka bllokuar përpjekjet e Maqedonisë për t'u anëtarësuar në NATO dhe Bashkimin Europian, ndërkohë që negociatat priten të përmbyllen me sukses në mënyrë që t’i hapet rruga shtetit maqedonas për aderimin në familjen euroatlantike.

                                                                                                                         Stafi i EuroSpeak, janar 2018

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk