Ndryshimet ligjore mbi abortin në Poloni, zhvillimet globale të lidhura me të dhe regresi i të drejtave të grave

Ndryshimet ligjore mbi abortin në Poloni, zhvillimet globale të lidhura me të dhe regresi i të drejtave të grave

 

***

Polonia ka një prej ligjeve më kufizuese në Europë (Center for Productive Rights, 2020) për sa i përket abortit, duke e lejuar atë vetëm në tre raste: Kur është rezultat i një krimi (përdhunimi, incesti), kur sjell rrezik për shëndetin apo jetën e gruas dhe për shkak të defekteve fetale. Megjithatë, një prej këtyre përjashtimeve të pakta në ligj, ra me 22 tetor 2020 kur Gjykata Kushtetuese Polake e shpalli antikushtetues (Tribunali Kushtetues Polak, 2020) abortin për shkak të defekteve të rënda dhe të pakthyeshme të fetusit ose sëmundjeve të pashërueshme që kërcënojnë jetën e fetusit. Sipas të dhënave zyrtare, 96% e aborteve në Poloni kryhen për këtë shkak dhe rrjedhimisht, me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, aborti i ligjshëm në Poloni do të bëhet pothuajse i pamundur për tu aksesuar. Në vendimin e gjykatës argumentohet se lejimi i aborteve në rastet e anomalive të fetusit legjitimon praktika eugjenetike në lidhje me një fëmijë të palindur, duke i mohuar kështu respektimin dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, duke e diskriminuar fetusin për shkak të gjendjes shëndetësore dhe duke i mohuar të drejtën e jetës të cilën sipas gjykatës, fetusi e gëzon që në momentin e konceptimit. Sipas Kushtetutës Polake, vendimi i Gjykatës Kushtetuese hyn në fuqi në momentin e publikimit zyrtar dhe nuk ka mundësi të tjera apelimi. Megjithatë publikimi i këtij vendimi në Fletoren e Ligjeve nuk është bërë akoma (Gajcy, 2020).

Ky vendim shumë i kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar i të drejtave të njeriut, erdhi pasi një grup parlamentarësh i ishin drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për të vlerësuar kushtetutshmërinë e disa neneve të Aktit për Planifikimin Familjar 1993 dhe pas disa tentativave rradhazi përgjatë viteve të fundit për të kufizuar/ndaluar abortin. Për më tepër, në korrik të 2020, qeveria polake shpalli (Buyuk, Inotai, Stojkovski, Sirotnikova, Vladisavljevic and Watson, 2020; BIRN, 2020) që ka filluar procedurat për tu tërhequr nga Konventa e Këshillit të Europës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Drave dhe Dhunës në Familje, e njohur ndryshe si Konventa e Stambollit (Këshilli Europës, 2011). Gjithashtu, qeveria polake ka pranuar që po investohet edhe jashtë kufinjve për nxitjen e braktisjes së kësaj Konvente nga shtete të tjera dhe angazhimin në një Konventë të re për “të drejtat e familjes”. Nëse materializohet ky plan, kjo Konventë do të jetë pa dyshim një kërcënim i shtuar ndaj të drejtave të grave dhe personave LGBTI+, ashtu si nismat e tjera të ngjashme të qeverisë aktuale polake.

Me 26 nëntor 2020, Parlamenti Europian nxorri një rezulotë kundër ndalimit de facto të abortit në Poloni dhe i bëri thirrje Polonisë të ndalojë tentativat e mëtejshme për kufizimin e të drejtave të grave në lidhje me shëndetin seksual dhe riprodhues. Rezoluta vuri në dukje se vendimi polak vë në rrezik shëndetin dhe jetën e grave dhe dështon në mbrojtjen e dinjitetit të qenësishëm dhe të patjetërsueshëm të grave. Reagimi i Bashkimit Europian kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese Polake vjen pas disa procedurash të Komisionit (Wanat, 2020) kundër shkeljeve të Polonisë, me fokus kërcënimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe në veçanti të vetë Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet zgjerimit të pushteteve të ekzekutivit mbi gjyqësorin. Është për tu theksuar që 14 nga 15 anëtarët aktualë të Gjykatës Kushtetuese janë të emëruar nga partia në pushtet PiS, e cila prej kohësh ka në axhendën e saj ndalimin e abortit (Pronczuk, 2020).

Revolta ndaj sulmeve të njëpasnjëshme mbi të drejtat e grave, kulmoi pas vendimit të tetorit 2020 të Gjykatës Kushtetuese dhe solli një nga protestat më masive (Davies, 2020) dhe frymëzuese për të drejtat e grave që ka parë historia botërore, edhe pse në kushtet e një pandemie globale. Pas protestave, vendimi nuk është publikuar ende, siç kërkohet për hyrjen në fuqi të tij (Shotter, 2020). Mijëra gra polake kanë reaguar fuqishëm me greva dhe marshime edhe më herët, në 2016 (Davies, 2016), kur u tentua ndalimi absolut i abortit dhe kriminalizimi i tij – ai projektligj nuk kaloi, por nuk ishte tentativa e fundit.

Nëse ky vendim i gjykatës do të hyjë në fuqi, grave në Poloni do tu mohohet de facto aksesi në një shërbim shëndetësor esencial. Studimet tregojnë që ndalimi apo kriminalizimi i abortit nuk rezulton në reduktimin e numrit të aborteve, por përkundrazi, në rritjen e rasteve të aborteve të pasigurta. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (Amnesty International), abortet e pasigurta ose kryhen nga persona që nuk kanë aftësitë e nevojshme ose kryhen në një mjedis që nuk plotëson standardet minimale mjekësore, ose të dyja. Rreth 25 milionë aborte të tilla kryhen çdo vit në botë dhe pasojat e tyre mund të jenë fatale për jetën dhe shëndetin e grave, duke sjellë rreth 47,000 vdekje në vit (Guttmacher Institute, 2011). Për më tepër, studimet tregojnë se bartja një shtatëzanie të padëshiruar mund të rezultojë më e rrezikshme për shëndetin e një gruaje sesa vetë aborti, pasi ndikon negativisht në mirëqenien dhe shëndetin mendor, i vendos gratë rrezik për çrregullime të stresit post-traumatik, depresionit, vetëvlerësimit të ulët ose ankthit etj (Bixby Center for Global Reproductive Health, 2016).

Gratë që do të zgjedhin ta përfundojnë shtatëzaninë e tyre, do të munden të marrin shërbimin shëndetësor të abortit nëse udhëtojnë jashtë Polonisë. Kjo do të shoqërohet minimalisht me kosto financiare shtesë dhe vonesa në marrjen e shërbimit. Në pamundësi për ta bërë këtë, shumë gra mund të përfundojnë duke kryer aborte të pasigurta. Pra, vendimi për ndalimin e aborteve, nuk pritet të sjellë reduktim të ndjeshëm të numrit të aborteve, por përkundrazi do të sjellë barrë dhe kosto të shtuar për gratë që do të kenë nevojë për këtë shërbim shëndetësor ose do t’i ekspozojë ato ndaj rrezikut për jetën dhe shëndetin e tyre. Kjo situatë do të jetë veçanërisht sfiduese për gratë e komuniteteve të marxhinalizuara, për shkak se do të ndërthuret edhe me pasojat e pandemisë Covid-19, aksesin e kufizuar në shërbime, kufizimet në lëvizje, vështirësitë ekonomike dhe rritjen e rasteve të dhunës në familje.

Regresi dhe vënia në pikëpyetje e të drejtave bazike të gave, fatkeqësisht po ndodh në të gjithë botën. Ironikisht, në të njëjtën ditë me vendimin e gjykatës polake, 30 shtete firmosën Deklaratën e Gjenevës për Konsensus për Promovimin e Shëndetit të Grave dhe Forcimin e Familjes(Deklarata e Gjenevës për Konsensus për Promovimin e Shëndetit të Grave dhe Forcimin e Familjes, 2020), një angazhim ndërkombëtar ‘’anti-abort’’, ndër to SHBA-ja, dy shtete anëtare të Bashkimit Europian: Polonia dhe Hungaria, si dhe Brazili, Uguanda, Arabia Saudite etj. Shumica e shteteve firmëtare njihen për tendencat e tyre autoritare dhe konservatore si dhe listohen në 20 vendet më të këqija në botë për të qënë grua, sipas indeksit botëror Women, Peace and Security (Women, Peace and Security,2019).Ndër të tjera në këtë deklaratë, këto shtete angazhohen të promovojnë ‘’vlerat e familjes tradicionale’’ dhe të drejtat e grave, por jo të drejtën e abortit. Pra lehtësisht mund të thuhet që në të njëjtën ditë, ranë dy këmbana alarmi në Poloni dhe në botë, për rrezikun që u kanoset të drejtave që gratë i kanë fituar prej dekadash tashmë.

Ndërkohë që qeveria polake advokon për zëvendësimin e Konventës së Stambollit më një konventë ‘’Për Familjen’’, edhe në Turqi, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) po kërkon tërheqjen e vendit nga Konventa e Stambollit (International Justice Resource Center, 2020). Sipas BIRN (Ciobanu, 2020) të paktën 4 qeveri në rajon, Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia dhe Kroacia janë ftuar të bashkohen me Poloninë në përpjekjet e saj për të krijuar një konventë alternative ndaj Konventës së Stambollit. Nga ana tjetër, këtë vit pati edhe një tentativë për kufizimin e aborteve në Sllovaki. Projektligji problematik u rrëzua nga Parlamenti Sllovak në tetor të 2020, por nëse do të kishte kaluar do të kishte shtuar barrë burokratike për pacientët për marrjen e autorizimit për të kryer abort për arsye mjekësore, do të kërkonte që ata të deklaronin arsyet e tyre për kryerjen e abortit si dhe informacione të tjera private, si dhe do të ndalonte ‘’reklamimin’’ e abortit gjë që do të kufizonte mundësinë e mjekëve për të dhënë informacion të bazuar në prova mbi abortin dhe informacion mbi mundësitë për të aksesuar shërbimin e abortit (Center for Reproductive Rights, 2020).

Një tjetër zhvillim i tetorit 2020 ishte zëvendësimi i shpejtë i ikonës liberale të Gjykatës Supreme të SHBA-ve Ruth Bader Ginsburg, pasi ajo ndërroi jetë. Në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe në një klimë të polarizuar, në vend të saj u emërua konservatorja origjinaliste Amy Coney Barrett. Ky emërim është me rëndësi për shkak të implikimeve që mund të ketë mbi të drejtën e abortit dhe mbi çështjen gjyqësore historike të vitit 1973, Roe kundër Wade (Gjykata Supreme Amerikane, 1973), e cila e bëri abortin të ligjshëm në të gjithë SHBA-në. Rrëzimi i kësaj çështje tashmë është i mundur pasi Gjykata Supreme ka në përbërje një shumicë konservatore (6-3) (Chalabi, 2020). Aktualisht 18 çështje të lidhura me abortin janë vetëm një hap larg për të mbërritur në Gjykatën Supreme, ndërsa dy çështjet e fundit për kufizimet e abortit u vendosën me vetëm një votë ndërsa Ginsburg ishte ende gjallë (Everett, 2020).

Tendenca për të bërë hapa prapa në lidhje me të drejtat e grave është e pranishme kudo në botë dhe siç bëhet e dukshme në këtë artikull, as vende me traditë të konsoliduar demokratike si SHBA-të apo vende anëtare të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës, nuk kanë imunitet në këtë aspekt. Demokracitë vazhdojnë të dëshmojë që janë të brishta në çdo anë të globit dhe mund të devijojnë sa herë ka zhvillime politike të rëndësishme. Ndërkohë që progresi i të drejtave të njeriut zakonisht është i ngadaltë, regresi mund të ndodhë shpejt. Prandaj është e nevojshme që të drejtat bazike të fituara tashmë prej dekadash të mos merren asnjëherë të mirëqena, por të mbrohen aktivisht.

 

Megi Reçi, dhjetor 2020

*Megi Reçi është juriste me formim të fortë në të drejtat e njeriut dhe punon për organizatën ndërkombëtare Civil Rights Defenders. Ajo ka një Master Shkencor në të Drejtën Publike nga UT dhe ka përfunduar kurse ndërkombëtare në universitete si ai i Malmos, Wake Forest dhe Beogradit. Përvojat e saj të mëparshme konsistojnë në OJF, zyra avokatie, misione monitorimi të gjykatave dhe praktika në institucione publike. Fushat e saj të punës dhe kërkimit janë sundimi i ligjit, anti-diskriminimi, lirina e shprehjes dhe medias, Ballkani Perëndimor etj. Ajo aktualisht është pjesë e një grupi ekspertësh të pavarur që po hartojnë një raport vlerësimi mbi situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri gjatë kryesimit të Shqipërisë në OSBE dhe është kontribuese vjetore në raportin global Women Bussiness and the Law të Bankës Botërore i cili synon të identifikojë ligje diskriminuese dhe të tregojë se si ligji prek gratë në botë në faza të ndryshme të jetës së tyre.

Referenca:

Raporti i Freedom House (2020) Kombe në transit.https://freedomhouse.org/sites/default/files/2020-04/05062020_FH_NIT2020_vfinal.pdf

Harta botërore e ligjeve të abortit https://reproductiverights.org/worldabortionlaws?country=POL

Vendimi K1/2020, (22.10.2020), Tribunali Kushtetues Polak

Kushtetuta e Polonisë https://www.constituteproject.org/constitution/Poland_1997.pdf

Gajcy. A (26.11.2020) Vendimi i Gjykatës për abortit duhet korrigjuar. Rule of Law Poland https://ruleoflaw.pl/tribunals-ruling-on-abortion-to-be-corrected-pis-politicians-to-the-judges-give-us-some-leeway/

Buyuk, Inotai, Stojkovski, Sirotnikova, Vladisavljevic and Watson (4.8.2020) Konventa kundër dhunës në familje bie viktimë e kokëfortësisë politike. BIRN https://balkaninsight.com/2020/08/04/istanbul-treaty-falling-victim-to-political-obtuseness/

Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (2011) https://rm.coe.int/168046031c

Ciobanu, C (2020) Polonia fillon të nxisë rajonin për të zëvendësuar Konventën e Stambollit me Konventën për ‘’Të drejtat e Familjes’’. Varshavë: BIRN https://balkaninsight.com/2020/10/06/family-rights-treaty/

Rezoluta e Parlamentit Europian (2020) Të drejtat e abortit në Poloni.https://www.europarl.europa.eu/doceo/document/TA-9-2020-0336_EN.pdf

Wanat, Z (2020) Komisioni fillon procedurën e katërt të shkeljes për shtetin e së drejtës në Poloni. Politico https://www.politico.eu/article/brussels-launches-4th-infringement-procedure-over-polands-rule-of-law/

Pronczuk, M (2020) Vendimi i Gjykatës Polake ndalon efektivisht abortin, The New York Times https://www.nytimes.com/2020/10/22/world/europe/poland-tribunal-abortions.html

Davies, Ch (2020) Mbështetësit pro-zgjedhjes mbajnë protestën më të madhe kundër qeverisë polake. Varshavë: The Guardianhttps://www.theguardian.com/world/2020/oct/30/pro-choice-supporters-hold-biggest-ever-protest-against-polish-government?fbclid=IwAR06feRvCYu-0-yNp3DwoxVQYvyHcNwlQI6q90KqtlTfJ9oDjxYLyOxuKi0

Shotter, J (2020) Polonia vonon kufizimet e abortit në mes të protestave. Varshavë: Financial Times https://www.ft.com/content/38b749e5-88ca-4c25-aa63-dcb6be1f7c68

Davies, Ch (2016) Gratë në grevë në Poloni për të protestuar ligjin e abortit . Varshavë: The Guardianhttps://www.theguardian.com/world/2016/oct/02/women-to-go-on-strike-in-poland-abortion-law

Amnesty International Fakte bazë mbi abortinhttps://www.amnesty.org/en/what-we-do/sexual-and-reproductive-rights/abortion-facts/

Organizata Botërore e Shëndetësisë https://www.who.int/news-room/fact-sheets/detail/preventing-unsafe-abortion

Guttmacher Institute (2011) Fakte mbi abortin e detyruar në të gjithë botën https://youthsextion.files.wordpress.com/2011/05/2011facts-iaw.pdf

Bixby Center for Global Reproductive Health (2016) Kufizimet e abortit vendosin shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e grave në rrezik https://bixbycenter.ucsf.edu/sites/bixbycenter.ucsf.edu/files/Abortion%20restrictions%20risk%20women%27s%20health.pdf

Deklarata e Gjenevës për Konsensus për Promovimin e Shëndetit të Grave dhe Forcimin e Familjes (2020) https://www.hhs.gov/sites/default/files/geneva-consensus-declaration-english-11-10-2020.pdf

Georgetown University’s Institute for Women, Peace and Security (2019) Indeksi Gratë, Paqja dhe Siguria. Washington https://giwps.georgetown.edu/wp-content/uploads/2019/12/WPS-Index-2019-20-Report.pdf

International Justice Resource Center (2020) Turqia dhe Polonia konsiderojnë daljen nga Konventa e Stambollit kundër dhunës ndaj grave https://ijrcenter.org/2020/08/06/turkey-poland-consider-leaving-istanbul-convention-on-violence-against-women/

Ciobanu, C (2020) Polonia fillon të nxisë rajonin për të zëvendësuar Konventën e Stambollit me Konventën për ‘’Të drejtat e Familjes’’. Varshavë: BIRN https://balkaninsight.com/2020/10/06/family-rights-treaty/

Center for Reproductive Rights (2020) E drejta e abortit në rrezik në Poloni dhe Sllovaki https://reproductiverights.org/story/europe-update-abortion-rights-risk-poland-and-slovakia

Roe kundër Wade(1973) Vendim i Gjykatës Supreme Amerikane https://supreme.justia.com/cases/federal/us/410/113/

Chalabi, M (2020) Ja sa konservatore mund të bëhet Gjykata Supreme me Amy Coney Barrett. The Guardian https://www.theguardian.com/news/datablog/2020/oct/26/us-supreme-court-amy-coney-barrett-conservative-majority

Everett, A (2020) 18 mënyrat që Gjykata Supreme e SHBA mund të çmontojë ose përmbysë Roe. https://www.plannedparenthoodaction.org/pressroom/interested-parties-memo-the-17-ways-scotus-could-dismantle-or-overturn-roe

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk