Covid-19, pandemia që shkundi “mirëqenien ekzistuese” dhe riktheu vëmendjen tek shëndeti mendor

Covid-19, pandemia që shkundi “mirëqenien ekzistuese” dhe riktheu vëmendjen tek shëndeti mendor

 

***

Shëndeti mendor është një ndër dimensionet më të prekura në këtë pandemi, i cili vlen për t’u theksuar që edhe më përpara pandemisë nuk ka marrë vëmendjen, investimet dhe shërbimet e duhura (OBSH, 2020). Karantina, një ndër masat e marra, që përkufizohet si “veçimi dhe kufizimi i lëvizjës së personave që potencialisht kanë qenë të ekspozuar ndaj një sëmundjeje ngjitëse, për të parë nëse ata do të sëmuren” (CDC, 2020), ka përkeqësuar gjendjen e shëndetit mendor tek personat që kanë pasur probleme ekzistuese, por edhe ka ngjallur probleme tek personat që nuk i kanë pasur ato. Kjo ngase karantina është një përvojë jo e këndshme për ata/o që e përjetojnë, për disa arsye qartësisht të kuptueshme. Ndarja nga familjarët, humbja e lirisë, frika nga e panjohura, frika nga vdekja, pasiguria mbi vendin e punës, pasiguria mbi statusin e sëmundjes, vetmia dhe mërzia mund të lënë pasoja dramatike tek njerëzit. Raportime të vetëvrasjeve gjatë këtyre muajve nuk kanë munguar, po ashtu as raste të depresionit, ankthit dhe vetë-zolimit. Përfitimet e karantinës, në këtë rast, do ishte e udhës të peshoheshin me kostot psikologjike që ajo sjell dhe të gjendej një e mesme e artë për të minimizuar sa të ishte e mundur ndikimin negativ të saj (në terma afatshkurtër dhe afatgjatë).

Në një studim të kryer nga Brooks et al. (2020) mbi ndikimin psikologjik të karantinës, theksohet se faktorët stresues gjatë karantinës kanë të bëjnë me kohëzgjatjen e karantinës, frikën e infektimit, frustrimin dhe mërzitjen, furnizimet e pamjaftueshme, si edhe informacionin e cunguar. Në mënyrë të veçantë në rastin e covid-19 që u trajtua si një virus i ri, i panjohur për shkencën dhe mjekësinë e deritanishme, pjesa e informacionit të munguar u zëvendësua shpeshherë me informacionin e gabuar duke shtuar më shumë ankthin dhe frikën tek njerëzit. Në mënyrë të natyrshme njeriu ka tendencën që kur përballet me ndryshime përjeton ndjenjën e ankthit dhe të pasigurisë. Po kështu ndjesia e frikës është një reagim i zakonshëm në raste të shpërthimit të pandemive dhe menaxhimi i saj varion nga një person në tjetrin. Megjithatë frika dhe ankthi mund të manifestohen në formën e hipervigjilencës, e cila në rastet më të rënda mund të kalojë në Çrregullime të Strestit Post Traumatik dhe/ose depresion (IJMHN, 2020).

Ndonëse problemet e shëndetit mendor janë shqetësim thuajse në të gjithë botën, sektori i shëndetit mendor nuk ka qenë ndonjëherë prioritet për investim. Para pandemisë vendet shpenzonin më pak se 2% të buxhetit shëndetësor për shëndetin mendor duke mos iu përgjigjur kështu nevojave të popullatës për shërbime në këtë sektor, shifër kjo që nuk justifikohet nga prevalenca e problemeve të shëndetit mendor (OBSH, 2020). Në mungesë të të dhënave të përditësuara për prevalencën e shëndetit mendor në nivel global (gjë që tregon rëndësinë që i jepet këtij sektori të shëndetësisë), do t’ju referohemi të dhënave të vitit 2017. Sipas këtyre të dhënave, në nivel global 792 milion persona kanë pasur një çrregullim të shëndetit mendor (Ritchie, H.,Roser, M. 2018) që e shprehur më thjeshtë na tregon se 1 në 10 persona ka një diagnozë. Megjithatë, jashtë kësaj shifre mbeten personat që nuk kanë një diagnozë të mirëfilltë, nuk janë paraqitur për të marrë një shërbim të shëndetit mendor, apo ata që kanë gjendje të lehta të çrregullimit të shëndetit mendor që nuk klasifikohen si “çrregullime”. Nëse do të kishim statistika sistematike dhe të përditësuara, numri do të ishte shumë herë më i lartë, sidomos duke marrë parasysh pandeminë aktuale që vazhdon të ndikojë çdo aspekt të jetës njerëzore, duke shkatërruar tërësisht baraspeshën mes dimensioneve shëndetësore.

Studimi më i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (2020) realizuar në 130 vende, nxjerr si përfundim se shërbimet e shëndetit mendor kanë pasur një mosfunksionim në shkallë të gjerë, veçanërisht në ofrimin e shërbimeve bazike të shëndetit mendor. Më specifikisht, mbi 60% e vendeve kanë raportuar mosfunksionim të shërbimeve të shëndetit mendor për grupet vulnerable, përfshirë këtu fëmijët dhe adoleshentët (72%), të rriturit (70%) dhe gratë që kishin nevojë për shërbime para lindjes dhe pas lindjes (61%). Kjo e dhënë globale është mjaft shqëtesuese veçanërisht në rrethanat e pazakonta të krijuara nga situata pandemike, ku grupet më të ndjeshme dukshëm përballen me një pandemi të dyfishtë, ndoshta edhe më të rëndë sesa ajo e virusit të ri. Fëmijët dhe adoleshentët ndonëse janë përmendur si grupmoshat më pak të rrezikuara për t’u infektuar nga COVID-19, këtë imunitet nuk e kanë kur bëhet fjalë për nevoja të shëndetit mendor; përkundrazi janë lehtësisht të prekshëm dhe shfaqin nevoja emocionale dhe psikologjike që është dashur të adresohen, por mesa duket kjo nuk ka ndodhur. Këto nevoja mund të lindin si pasojë e ndryshimit të rutinës së tyre, përshtatjes me të mësuarit online, ndërprerjen e aktiviteteve që kryenin jashtë shtëpisë dhe mungesën e sigurisë që nuk arrijnë të gjejnë më as brenda “parasjës së sigurt”. Nga ana tjetër, nuk duhet të lëmë pa përmendur edhe fëmijët dhe adoleshentët me nevoja të veçanta (kryesisht intelektuale dhe mendore) tek të cilët mungesa e ofrimit të shërbimeve të shëndetit mendor ka qenë goditje më vete që mund të ketë përkeqësuar situatën e tyre. Fakti që në 78 shtete shërbimet e shëndetit mendor nuk kanë funksionuar gjatë pandemisë nuk është tregues që ky shërbim ka qenë funksional para saj. Megjithatë, mosfunksionimi i tyre gjatë kësaj kohe ka kufizuar mundësitë e individëve për të kërkuar ndihmë dhe për të pasur sisteme mbështetëse shtesë, gjë që mund të ketë ndikim negativ në gjendjen e tyre emocionale-psikologjike dhe thekson tërheqjen e mbylljen në vetvete.

Po sipas të njëjtit studim, 67% kanë pasur mosfunksionim të shërbimit këshillues dhe psikoterapisë; 65% të shërbimit për reduktimin e dëmit fatal dhe 45% për pjesën e trajtimit të varësisë nga opioidi. Shërbimi këshillues (afatshkurtër) dhe ai psikoterapik (afatgjatë) janë dy shërbime bazike që në kushte normale funksionojnë si procese dhe ndërprerja e tyre në rrethana të tilla nuk është aspak ndihmuese për personat që janë të përfshira në të. Dështimi i vendeve për të ofruar shërbime për reduktimin e dëmit fatal dhe trajtimit të varësive ndikon në shtimin e rasteve të personave që dëmtojnë veten e tyre duke shkuar deri në aktin final të vetëvrasjes. Shqetësues është paraqitur po ashtu edhe ofrimi i shërbimimeve të shëndetit mendor në shkolla dhe në vendin e punës ku respektivisht 78% dhe 75% raportojnë se kanë pasur probleme. Shërbimet e emergjencës nuk kanë qenë përjashtim, pasi 35% e vendeve kanë raportuar probleme në ndërhyrjet e emergjecës, si për shembull krizat e zgjatura, abuzimi me substancat në nivele të larta, sindromën e tërheqjes dhe delirin. Aksesi në mjekimet për çrregullimet e shëndetit mendor, neurologjik dhe përdorimin e substancave ka qenë një sfidë për 30% të vendeve pjesëmarrëse në këtë studim. Ajo çfarë na paraqesin këto shifra është një krizë e sektorit të shërbimeve të shëndetit mendor në nivel global, saqë pa rezerva mund të quhet një pandemi e shëndetit mendor. Çuditërisht shëndeti mendor ka qenë dhe mbetet tejet i nënvlerësuar krahasuar me shëndetin fizik dhe atë ekonomik, kjo ngase perceptohet si i paprekshëm dhe i padukshëm, por në fakt është ai në sajë të të cilit çdo gjë tjetër (keq/mirë)funksionon.

Situata nuk paraqitet më optimiste në vendin tonë, përkundrazi, por mungesa e të dhënave të sakta në këtë sektor nuk e ndihmon aspak situatën. Të dhënat e vetme që mund të gjenden lehtësisht janë ato të shërbimit spitalor të specializuar për shëndetin mendor ku sipas INSTAT (2019) numri i shtretërve për këtë shërbim është 635, numër ky që nuk ka ndryshuar që prej vitit 2015. Bazuar në po këto të dhëna vërehet që numri i mjekëve psikiatër nga viti 2015 deri në 2018 është ulur nga 27 në 25 të tillë. Ndryshim i ngadaltë, por pozitiv brenda harkut kohor 5-vjeçar vihet re vetëm tek shtimi i dy psikologëve duke e çuar kështu numrin e tyre në 16 të tillë (krahasuar me 14 në vitin 2015). Shërbimi psikologjik në spitale është i rëndësishëm si për pacientët ashtu edhe familjarët e tyre. Prej disa vitesh në vendin tonë ky shërbim është pjesë e disa njësive spitalore publike, por ende nuk është i konsoliduar pasi konsiderohet një shërbim i dorës së dytë dhe nuk merr vëmendjen dhe promovimin e duhur. Sa i përket shërbimeve të tjera, prevalencës së problemeve të shëndetit mendor sipas kategorive përkatëse, buxhetit publik që i dedikohet shëndetit mendor nuk ka të dhëna të aksesueshme publikisht dhe ky është një aspekt që duhet përmirësuar. Çfarë nuk mund të mbështetet me të dhëna empirike, megjithëse është e prekshme, veçanërisht nga profesionistët e shërbimeve psiko-sociale (psikologë, punonjës socialë, psikoterapistë) është që gjatë pandemisë, ka pasur shtim të rasteve të personave që kanë përjetuar shqetësime të shëndetit mendor (ankthi, sulme paniku, gjendje stresi, etj.), gjithashtu edhe raste të personave që kanë kryer akte vetflijuese në mjediset spitalore ku kanë qenë të shtruar për t’u kuruar nga Covid-19. Të dhënat ekzistuese të INSTAT (2019) tregojnë që më shumë se 219 prej vdekjeve të ndodhura gjatë vitit 2019 kanë qenë për shkaqe të vetëvrasjes. Shifër kjo mjaftueshëm e lartë që së paku duhet të na ndikojë për të reflektuar për praninë shqetësuese të këtij fenomeni në shoqërinë tonë. Çdo muaj përafërsisht 18 persona kryejnë vetëvrasje, mirëpo përgjithësisht para se të bëjnë aktin final personat japin shenja paralajmëruese, thirrje të dëshpëruara për ndihmë që nesë dëgjohen në momentin e duhur mund të shpëtojnë jetë. Por që të ndodhë kjo, së paku duhet të krijohet një nivel edukimi lidhur me shëndetin mendor, që njerëzit të dinë ku të drejtohen dhe të këtë shërbime të aksesueshme.

Sektori i shërbimeve të shëndetit mendor në Shqipëri është i lënë pas dore nga ana e investimeve dhe këtu duhet përqendruar vëmendja, por megjithatë probleme të tjera që lidhen me këtë sektor përfshijnë edhe mungesën e burimeve njerëzore të specializuara, mungesën e ofrimit të shërbimeve të specializuara dhe ndërgjegjësimin e ulët të njerëzve sa i përket çështjeve të shëndetit mendor. Problemet e shëndetit mendor në vendin tonë ende konsiderohen tabu, po ashtu edhe marrja e shërbimeve përkatëse, gjë që bëhet shkak për bulizëm, etiketime të papërshtatshme, diskriminim dhe përjashtim shoqëror të kujtdo që përballet me probleme të tilla. Ky qëndrim shoqëror negativ dhe jombështetës përkundrejt problemeve të shëndetit mendor vetëm sa e përkeqëson situatën dhe ndikon në mostrajtimin në kohë të problemeve, shpeshherë duke çuar në përkeqësim të tyre.

Të dhënat e mësipërme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar janë shqetësuese dhe shërbejnë si një flamur i kuq sa i përket mirëqënies së individëve dhe shteteve, pasi pasojat e mosparandalimit dhe mostrajtimit të shëndetit mendor kanë edhe një ndikim mbi ekonominë globale që shkon deri në 1 trilion dollarë humbje në vit për shkak të depresionit dhe ankthit (UN, 2020). Po ashtu, edhe në nivel europian kostot e mos-investimit në këtë sektor janë jashtëzakonisht të larta, specifikisht ato janë matur se shkojnë deri në 600 miliard Euro, ose 4% e PBB-së në të 28-të vendet e Bashkimit Europian (OECD, 2018). Mbase mund të tingëllojë e tepërt që të tregojmë rëndësinë e një sektori duke e lidhur me humbjet apo përfitimet në një sektor tjetër, por duke ditur si përcaktohen prioritetet për investime nga ana e politikëbërësve dhe mënyrës si funksionon ekonomia, atëherë kjo gjë bëhet e domosdoshme. Vetëm duke folur në gjuhën e ekonomisë dhe kostot që sjell mos-investimi në shëndetin mendor mund të reflektohet për të bërë investime (ulur kostot) në këtë drejtim. Një pjesë e madhe e këtyre kostove të përmendura lidhen me nivelet e ulëta të punësimit dhe produktivitetit të njerëzve me probleme të shëndetit mendor (1.6% të PBB-së ose 260 miliardë euro) dhe shpenzimeve më të mëdha për programet e sigurimeve shoqërore (1.2% të PBB-së ose 170 miliardë euro), ndërkohë që pjesa tjetër është shpenzim i drejtpërdrejtë për kujdesin shëndetësor (1.3% të PBB-së ose 190 miliard euro). Parimi se parandalimi është kurdoherë më i mirë sesa trajtimi vlen edhe për pjesën e shërbimeve të shëndetit mendor. Programet e ofrimit të shërbimit mendor mund të krijojnë mundësi që kostot të reduktohen duke përmirësuar kështu përformancën ekonomike dhe rritur mirëqënien në të gjitha vendet. Pasojat e ndikimit të pandemisë në shëndetin mendor do të ndihen në vitet e ardhshme, pasi kjo ishte veçanërisht një pandemi e shëndetit mendor dhe shërbimeve (in)ekzistente.

COVID-19 përkeqësoi strukturat dhe shërbimet ekzistuese në çdo fushë, por nga ana tjetër pati një ndikim pozitiv (për sa mund të quhet i tillë) në sektorin e shëndetit mendor pasi nxori në dritë domosdoshmërinë për të investuar në këtë sektor. Kombet e Bashkuara dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë ndërmarrë nismën për të kthyer vëmendjen e shteteve drejt investimeve në këtë sektor, megjithatë mbetet për t’u parë çfarë do të bëhet konkretisht dhe kur. Ndonëse e gjykoj si veprim tejet të vonuar, në këtë rast vlen shprehja “më mirë vonë sesa kurrë”. Pandemia dhe masat e marra shkundën mirëqënien ekzistuese të njerëzve dhe vendeve, por risollën në vëmendje rëndësinë e shëndetit mendor dhe kujdesin që duhet treguar për të, sot më shumë se kurrë më parë.

 

Dorentina Hysa, janar 2021

 

*MSc. Dorentina Hysa prej tri vitesh është pjesë e stafit akademik me kohë të pjesshmë pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës. Ajo është diplomuar në Universitetin e Haifa-s (Izrael) për “Psikologji Zhvillimi”, dhe në Universitetin e Tiranës për “Komunikimin për Ndryshim Social dhe të Sjelles”. Aktualisht është Anëtare Komiteti pranë Bashkëpunimit Europian në Shkencë dhe Teknologji, si edhe pjesëmarrëse në edicionin 2020-2021 në Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave. Ka përvojë me institucionet publike, akademike dhe organizata të shoqërisë civile. Interesat saj përfshijnë kërkimin për zhvillim, politikat sociale dhe mirëqënia sociale, komunikimi për ndryshim social dhe menaxhimi i projekteve. 

 

Referenca:

Brooks, S., Webster, R., et at (2020). The psychological impact of quarantine and how to reduce it: rapid review of the evidence. Department of Psychological Medicine, Kings College, London, UK.

World Health Organnization (2020). The impact of COVID-19 on mental, neurological and substance use services: results of a rapid assessment. WHO.

International Journal of Mental Health Nursing (2020). The COVID-19 pandemic and mental health impacts. Australian College of Mental Health Nurses Inc.

Pierce, M., Hope, H., et at (2020). Mental health before and during the COVID-19 pandemic: a longitudinal probability sample survey of the UK population. Elsevier, Ltd.

Eurostat (2020). Mental Health and related issues statistics. Statistics Explained

Schafer, S., Sopp, R., (2020). Impact of covid-19 on Public Mental Health and the buffering effect of a sense of coherence. S.Karger, AG, Basel.

United Nations (2020). Policy Brief: COVID-19 and the need for action on mental health.

Ritchie, H., Roser, M. (2018). Mental Health.Published online at OurWorldInData.org. Retrieved from: 'https://ourworldindata.org/mental-health' [Online Resource]

https://www.oecd.org/newsroom/mental-health-problems-costing-europe-heavily.htm

https://civio.es/medicamentalia/2020/12/03/mental-health-coronavirus-covid-19/

https://www.who.int/news/item/05-10-2020-covid-19-disrupting-mental-health-services-in-most-countries-who-survey

http://www.instat.gov.al/media/6116/treguesit-e-shendetit-publik-2018.pdf

http://www.instat.gov.al/media/7134/shkaqet-e-vdekjeve-2019___.pdf

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk