Sondazhet dhe kalkulimet ishin goxha pranë të vërtetës. Ashtu si dhe ishte parashikuar zgjedhjet nxorën fitues kryeministrin aktual Mark Rutte me 21,3% , por me më pak peshë me vetëm 33 vende në parlament, nga 150 vende që ka Parlamenti gjithsej dhe në pritje të koalicioneve që do i bashkohen të njëjtës frymë qeverisëse. Ata ndiqen nga PPV me 13,1% të votave thënë ndryshe me 20 vende në parlament. Partia e Gjelbër nga ana tjetër e shumëfishoi numrin e vendeve në Parlament duke arritur në 14 vende nga 4 deputetë që kishte mandatin e shkuar, duke shkruar kështu historinë.
Por cilët ishin aktorët politikë që shenjuan këto zgjedhje parlamentare ?
Zgjedhja e provuar Mark Rutte
Mark Rutte ka lindur në Hagë, më 14 Shkurt 1967 dhe ka studiuar histori në Universitetin e Leidenit e më pas hyri në botën e biznesit, duke punuar për Unilever. U bashkua me VVD kur ishte ende një student, dhe ka qenë anëtar i Bordit Kombëtar të Partisë gjatë periudhës 1993 derinë 1997. Emërohet Ministër për Çështjet Sociale dhe të Punësimit, në vitin 2002 dhe katër vite më vonë, në moshë 39 vjeçare bëhet lider i partisë. Mark Rutte qe nga 2010 mban detyrën e kryeministrit të vendit.
Ai në këto zgjedhje luftoi për më shumë demokraci në mënyrë që të ndalojë përmbysjen me efekt dominoje mbi llojin e gabuar të populizmit. Edhe pse fushata e tij u turbullua nga Wilders dhe kundërshtimet e tij mbi një temë mjaft të diskutuar si ajo e emigrantëve , ndikuar dhe nga debati i nxehtë me Turqinë, ai do të ishte në vëmendjen e medias kombëtare dhe asaj europiane.
Gjatë qeverisjes së tij si Kryeministër ai kishte me çfarë të mbrohej, ku një nga pikat më të rëndësishme të vlerësuara pozitivisht ishte dhe rimëkëmbja ekonomike, dhe papunësia e ulët që e ndihmoi të ngjiste më lehtë shkallët drejt fitores, si një shembull i sigurt i provuar nga populli që ndjen të nevojshëm stabilitetin. I ardhur me parimet e drejta pro-refugjatë dhe pro-europiane, ndryshe nga Wilders që do ta nxjerrë Holandën jashtë Bashkimit Europian, ai u paraqit nga sondazhet si fitues i këtyre zgjedhjeve, por me një mbështetje më të ulët se ajo para katër vitesh. Rutte ka një histori të fortë të ndërtimit të koalicionit pasi që kur ai mori kryeministrinë në vitin 2010, ka arritur të mbajë një koalicion qeverisës të qëndrueshëm përgjatë dy mandateve. Edhe pse politikat e refugjatëve dhe emigracionit për Rutte nuk janë aq ekstreme sa të Wilders, ai nuk është edhe aq progresiv në këtë aspekt. Rutte u shpreh në një letër të hapur në janar se ata që "ngacmojnë homoseksualët, apo i etiketojnë holandezët e zakonshëm si racistë "duhet" të sillen normalisht, ose të largohen." Nga ana tjetër ai shton se gjithsesi zgjidhja për të mbrojtur vlerat holandeze nuk është "ti vendosim të gjithë në një thes, apo fyerja apo dëbimi i grupeve të tëra". Zgjedhjen e votës pro tij, Rutte e justifikonte dhe me mesazhin që do i përcillet Europës nga një vendim i tillë pasi do të mund të ndikojë në frenimin e frymës populiste të krijuar në vendet e tjera të BE-së.
Ekstremisti Wilders: Frikë dhe Zhgënjim
I lindur në qytetin Limburg të Venlo në shtator të 1963, Geert Wilders erdhi nga një e shkuar e besimit katolik edhe pse është shprehur që nuk është fetar. I biri i një drejtori ndërmarrjeje shtypi, ai filloi një karrierë në sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Nga viti 1981 deri 1983 ai ka jetuar në Izrael dhe udhëtoi në të gjithë Lindjen e Mesme. Gjatë vizitave të tij në vendet myslimane të rajonit, Wilders filloi formulimin e pikëpamjeve anti-islame që do të karakterizonin karrierën e tij politike. Falë rritjes së valës anti-islam në Holandë ai gjeti një platformë për të mbështetur pikëpamjet e tij anti-islamike dhe anti-emigracion. Ai ka propozuar që Kur'ani të ndalohet në Holandë. I është refuzuar hyrja në Britaninë e Madhe për shkak se zyrtarët britanikë thanë se vizita e tij do të kërcënonte rendin publik (ndalimi u anulua) dhe një gjykatë holandeze e kishte akuzuar atë për nxitje të urrejtjes ndaj myslimanëve. Manifestimi i tij zgjedhor premton kryesisht masat anti-myslimane siç janë mbyllja e xhamive dhe shkollave islame, ndalimi i shpërndarjes së Kur'anit dhe bllokimi i emigrantëve myslimanë.
Wilders është një lider rebel politik, të cilin ish-kolegët e përshkruajnë si një politikan 24/7 pa kohë për interesa të tjera, ndërsa nga ana tjetër në botën myslimane krahasohet me Adolf Hitlerin për shkak të thirrjeve anti-islamike shpeshherë me urrejtje që ai bën. Mbetet për tu shënuar që edhe pse nën dritën e këtyre çështjeve, Wilders dhe partia e tij u paraqitën mirë në votime. Edhe pse çështjet ekonomike kanë dominuar fushatën, retorika anti-emigracion i PVV arriti një akord me votuesit, dhe suksesi i partisë i dha Wilders një mundësi për të luajtur një rol kyç në qeveri. Ai u zotua të tërhiqte Holandën nga BE, të mbyllë kufijtë holandeze, dhe të shpenzojë më shumë në siguri dhe mbrojtje dhe më pak në investimet energjetike apo ndihmën financiare- disa propozime këto që shkelin ligjin ndërkombëtar dhe kushtetutën holandeze.
I njohur për flokët platin, që i kanë dhënë atij pseudonimin "Mozart", ai është një lider karizmatik që është shprehur se me politikën e tij nuk do të nxisë dhunë, por dëshiron vetëm të nxisë debat. "Unë besoj se ne kemi qenë shumë tolerant dhe jo-tolerant," - u shpreh për BBC. -"Ne duhet të mësojnë të bëhemi jo-tolerant dhe jo-tolerant."
Supriza e të gjelbërve Jesse Klaver
Pasioni, aftësia dhe vizioni shprehen ndryshe me figurën e Jesse Klaver, përfaqësues i Partisë së Gjelbër, i cili bëri fushatë për barazi sociale dhe ndryshime radikale mjedisore në Holandë. I lindur në 1 maj 1986 në Roosendaal, Brabant me nënë me origjinë nga Indonezia dhe me një baba maroken, ai ka studiuar punë sociale dhe shkenca politike në Universitetin e Amsterdamit. Viti 2009 e bëri atë anëtarin më të ri të Këshillit Ekonomik dhe Social të BE-së dhe në periudhën 2010-2012 ka qenë i nominuar nga shtypi parlamentar si politikani talent i vitit. Si lider i Partisë së Gjelbër është që prej vitit 2015, në moshën 29 vjeç dhe duket se suksesi i ka trokitur në derë pasi në këto zgjedhje parlamentare “The Greens” morën 14 vende në parlament vetëm falë fushatës drejtuese.
I krahasuar me presidentin kanadez Justin Trudeau nga flokët kaçurrelë kafe, mimika dhe mënyra e të sjellurit, Klaver ka qenë një zë i rrallë pozitiv në një Europë të rrethuar nga retorika e ekstremit të djathtë. "Ne do ndalim populizmin këtu në Holandë," ka thënë Lideri i Partisë së Gjelbër për CNN, "dhe ky është një lajm i mirë, për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në Francë dhe Gjermani." Mënyra që Klaver mendon për të rrahur populizmin ksenofobik është rregullimi i problemeve sociale dhe ekonomike. Ai shprehet se "kur flas me popullin, biseda gjithmonë fillon me Islamin, apo migrimin e refugjatët, por në disa minuta biseda do të kthehet në lidhje me shtëpitë, me pabarazinë e të ardhurave, dhe në lidhje me projektligjin e kujdesit shëndetësor që ata nuk mund të përballojnë. "
Ai së bashku me Partinë e Gjelbër ofroi programin e tij - një kontrast për vizionin e së djathtës, të mbushur me frikë dhe zemërim, por me shpresë, ndjeshmëri, dhe besim të vërtetë në të ardhmen. "Kjo është rruga për të shkuar përpara për palët e krahut të majtë në Europë,"- është shprehur Klaver,- "Ne jemi pro-europianë. Ne jemi pro-refugjatë." Programi i tij elektoral është mjaft ambicioz dhe i krahasuar herë-herë si një demokrat amerikan duke lëkundur traditën elektorale holandeze, e duke krijuar një lëvizje masive të frymëzuar nga një personalitet udhëheqës i ngjashëm me atë të përdorur nga Barack Obama. Klaver është shprehur që në fillimet e fushatës së tij që nuk do të pranonte një koalicion me qeverinë e Rutte. Përpos nga aftësitë e dukshme për punë, mbiemri i tij - që do të thotë tërfil, një simbol i fatit – u bë motiv për fushatën e modeluar sipas demokratëve të SHBA-së.
Klaver përdori takimet e drejtpërdrejta për të folur për vizionin e tij të gjerë politik, duke folur për "shpresë" "optimizëm" dhe "ndryshim". Politika e tij ishte ndalimi i populizmit dhe një qeverisje sa më e drejtë e veshur me pasionin për ndryshim. Debatet televizive të 30-vjeçarit janë konsideruar gjerësisht si triumfe. "Vlerat që Holanda ka - për shumë, shumë dekada,-lirinë e saj, tolerancën, ndjeshmërinë e saj ... [populistët] i kanë shkatërruar," -tha ai në një interviste gjatë fushatës. "Është e tmerrshme kur njerëzit dhe pse të lindur në Holandë kanë ndjenjën se ata nuk janë pjesë e kësaj shoqërie dhe kjo nuk është diçka për të qenë krenarë, por diçka për t'u turpëruar. Dhe unë dua ta ndryshoj atë. "
Klaver bëri historinë për partinë e tij duke i dhuruar një rol mjaft të rëndësishëm në parlament. Edhe pse jo kryeministër i vendit, politika dhe karizma e tij duket se bëjnë gol sa herë paraqiten.
Zgjedhet përfunduan por s’ka akoma qeveri...
Partisë së Mark Rutte i duhen 76 vende për të formuar koalicionin qeverisës, por deri tani negociatat me Klaver dhe Wilders kanë qenë pa rezultat. Pritet që koalicionit qeverisës t’i bashkohet Partia Progresiste Demokratike (D66) dhe Partia Kristian Demokrate (CDA) që së bashku kanë 19 vende në parlament. Kjo qeveri e zgjedhur qetëson ndjeshëm vendet e tjera europiane ku forcat populiste kanë fituar mjaft terren, specifikisht vendet si Gjermania dhe Franca, të cilat së shpejti do të përballen me zgjedhje.
Stafi i EuroSpeak, mars 2017