Presidentja e sapozgjedhur e Parlamentit Europian, Roberta Metsola - një figurë shumëanëshe

Presidentja e sapozgjedhur e Parlamentit Europian, Roberta Metsola - një figurë shumëanëshe

Më 18 janar 2022, Roberta Metsola, anëtarja e Parlamentit Europian nga Malta që deri më tani mbante pozicionin e zëvendës Presidentes, u zgjodh presidente e këtij institucioni. Këto zgjedhje erdhën direkt pas ndarjes nga jeta të presidentit David Sassoli më herët në fillim të këtij viti si shkak i disa problemeve shëndetësore. Metsola, është pjesë e  ‘Partisë Nacionaliste së Maltës’ e cila i përket bllokut europarlamentar më të madh, European People’s Party (EPP). Ajo kryesoi në garën kundrejt tre kandidatëve të tjerë: Sira Rego(E majta), Kosma Zlotowski (Konservatorët dhe Reformistët Europianë)dhe Alice Bah Kuhnke (Të Gjelbërit). Zlotowski u tërhoq nga gara para se të niste votimi duke bërë që Metsola të merrte mbështetjen e partive qëndrore dhe atyre konservatore duke u votuar me 448 vota në raundin e parë të votimeve. Ndërkohë Bah Kuhnke dhe Rego arritën të marrin respektivisht  101 dhe 57 vota në favor (Euronews, 2022). 


Kush është Metsola? 


Metsola është gruaja e tretë që kryeson Parlamentin Europian pas 20 vitesh,  dhe e para anëtare e Parlamentit nga Malta që është në këtë rol. Paraardhëset e saj janë Simone Veil e cila e ka mbajtur këtë post në vitin 1997 dhe Nicole Fontaine në vitin 2002. Gjatë fjalimit në konferencën zyrtare të zgjedhjes së saj, Metsola u shpreh “ Parlamenti Europian duhet të jetë një parlament që fuqizon, që është i larmishëm. Nuk do të kalojnë dy dekada derisa gruaja tjetër të qëndrojë këtu”. 


Metsola është zgjedhur anëtare e PE (MEP) në vitin 2013 nën petkun e anëtares së Partisë Nacionaliste të Qendrës së Djathtë të Maltës. Metsola është diplomuar në universitetin e Maltës dhe Kolegjin e Europës në Bruges dhe është e specializuar në të Drejtën dhe Politikat Europiane. Përgjatë viteve të saj studentore ajo ka qënë aktive në disa organizata si dhe mes viteve 2002-2003, ka mbajtur pozicionin e Sekretares së Përgjithshme të organizatës së Studentëve Europianë Demokratë. Gjatë këtyreve viteve ajo ka lobuar në mënyrë aktive për anëtarësimin e Maltës në BE (Deutsche Welle, 2022).

Përfshirja në Bashkimin Europian 


Eksperiencat profesionale ajo i nisi në nivel europian duke filluar nga viti 2004, ku Metsola vetëm 26 vjeç shërbeu në Përfaqësinë e Përhershme të Maltës në Bashkimin Europian deri në vitin 2012 si Atashe e Maltës për Bashkëpunimin Ligjor dhe Gjyqësor dhe drejtuese e Njësisë së Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme. Rrugëtimi i saj në institucionet e BE-së vijoi kur iu bashkua ekipit të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Politikat e Jashtme dhe Sigurinë, Catherine Ashton duke kryer funksionin e këshillëtares ligjore. Në momentin që kishte një vend vakant pas largimit të liderit të Partisë Nacionaliste, Simon Busuttil si eurodeputet, Metsola e la pozicionin e saj si këshillëtares ligjore dhe kandidoi si eurodeputete, ku si e tillë arriti të zgjidhej vetëm në kandidimin e saj të tretë. Në vitin 2020 ajo u zgjodh si zëvendës presidente e Parlamentit Europian (EPP Group, 2022). Metsola tërhoqi vëmendjen vitin e kaluar gjatë pjesëmarrjeve në eventet e profilit të lartë duke zëvendësuar, presidentin Sassoli, i cili shpeshherë e kishte të pamundur pjesëmarrjen për shkak të shëndetit të tij të rënduar.


Qëndrimet dhe pikëpamjet e Presidentes së sapozgjedhur 


Gjatë periudhës së saj si figurë publike, Metsola është përballur me kritika përsa i përket qëndrimit të saj kundër abortit. Në një vend katolik si Malta, aborti mbetet i jashtëligjshëm. Metsola e cila cilësohet si një progresiste pro-LGBTQ, në qershor të vitit të kaluar votoi kundër një raporti që u bënte thirrje shteteve anëtare të BE “të sigurojnë qasje universale ndaj abortit të sigurt dhe të ligjshëm” duke argumentuar që kufizonte të drejtën e Maltës për të vendosur në mënyrë autonome mbi çështjen. Megjithatë, ajo është shprehur që “Si presidente e Parlamentit detyra ime është të përfaqësoj pikëpamjet e Parlamentit dhe nëse zgjidhem si e tillë, do të bëj detyrën time siç kam bërë gjithmonë” duke theksuar që pozicioni i Parlamentit Europian mbi të drejtat e shëndetit seksual dhe riprodhues janë të qarta. 


Pëtej pikëpamjeve të saj mbi abortin, Metsola është një mbështetese aktive e të drejtave të grave dhe atyre të komunitetit LGBTQ si dhe ka qënë e përfshirë thellësisht në çështjet e migrimit duke marrë parasysh dhe faktin që vjen nga një shtet bregdetar si Malta. Si pjesë e bllokut parlamentar EPP, Metsola ka shërbyer si koordinatore dhe pikë referimi për çështjet e migrimit. Në disa raste ajo i ka bërë thirrje BE-së për një qasje holistike ndaj problematikave që shoqërojnë çështjet e migrimit. Në këtë aspekt, Metsola ka kontribuar në mbikëqyrjen e punës së PE në zgjerimin e agjencisë kufitare të BE-së Frontex, si dhe ka marrë pjesë në hetimin mbi agjencinë kur u ngritën akuzat për largimin e paligjshëm të imigrantëve në kufijtë e bllokut. Qëndrimet e saj mbi migrimin nuk janë përqafuar nga anëtarët më konservativë të bllokut parlamentar të cilit Metsola i përket (EU Debates, 2022). 


Gjithashtu, Metsola ka qënë vokale dhe ka mbajtur qëndrim të fortë në disa çështje kundër korrupsionit në Maltëdhe ka shprehur qëndrimet e saj në favor të forcimit të shtetit të së drejtës. Megjithatë, vërehet që ajo ka mbajtur një pozicion më të butë ndaj raportimeve të problematikave në lidhje me sundimin e shtetit të së drejtës në vende të tjera europiane, dhe është kritikuar për këtë qasje selektive ndaj çështjeve të tilla thelbësore. Dukshëm, Metsola është një figurë dinamike dhe pse ndonjëherë kontradiktore me qëndrime që shpesh kanë trazuar ujërat (Politico, 2022). 


Detyra e saj si Presidente e Parlamentit Europian


Parlamenti Europian është një institucion që përfaqëson qytetarët e Europës duke formuar kështu bazën demokratike të Bashkimit Europian. Parlamenti përbëhet nga 705 anëtarë (MEPs) të cilët zgjidhen çdo 5 vite ku qytetarët europianë votojnë në mënyrë direkte. Praktikat e votimit ndryshojnë nga njëri shtet anëtar në tjetrin, por qëndrojnë brenda kornizave të vendosura nga e drejta europiane (Citizens Information, 2022). Parlamenti ushtron funksione legjislative, mbikëqyrëse dhe buxhetore. Ai vepron si bashkë-ligjvënës, duke ndarë me Këshillin kompetencën për të miratuar dhe ndryshuar propozimet legjislative (EU Commission, 2022). 


Si presidente e Parlamentit Europian, me një mandat 2 vite e gjysmë, ajo do të ushtrojë funksionet e saj deri në vitin 2024. Presidentja do të përfaqësojë Parlamentin Europian me institucionet e tjera të BE-së dhe ato jashtë BE-së. Metsola do të mbikqyrë punën e Parlamentit ashtu si dhe debatet në seancë plenare duke parashtruar rendin e ditës dhe shqetësimet kryesore, si dhe siguron respektimin e Rregullores së Punës së Parlamentit. Në lidhje me funksionet buxhetore dhe legjislative të parlamentit, Metsola ashtu siç parashikojnë kompetencat e presidentes, do të nënshkruajë buxhetin dhe të gjitha aktet legjislative të miratuara nga PE duke i bërë ato funksionale (European Parliament, 2022). Qasja e saj duket që nuk lë pas referencat e vazhdueshme ndaj ‘projektit Europian’ për ndërtimin e një Europe me një të ardhme të qëndrueshme. “Nëse duam ta ngremë Europën në nivelet e premtuara për brezin e ardhshëm, tani duhet të krijojmë diçka edhe më të fortë, diçka në harmoni me kohën që motivon një audiencë më të re dhe më skeptike të besojë në Europë” u shpreh Metsola. Kjo tregon padyshim vendosmërinë e saj për ta forcuar këtë institucion dhe për të sjellë një frymë të re. Mbetet për t’u parë sesi qasjet e saj do të përkthehen gjatë mandatit të saj. 


Gladiola Lleshi, Staf i EuroSpeak, janar 2022



Referencat:


  1. Euronews. (2022). Roberta Metsola vows to 'stand up' for EU after election win. https://www.euronews.com/2022/01/18/anti-abortion-mep-roberta-metsola-favourite-for-european-parliament-presidency

  2. Deutsche Welle. (2022). European Parliament elects conservative Roberta Metsola as president | DW | 18.01.2022. https://www.dw.com/en/european-parliament-elects-conservative-roberta-metsola-as-president/a-60458380

  3. EPP Group. (2022). Roberta METSOLA - MEP | EPP Group in the European Parliament. https://www.eppgroup.eu/about-us/members/roberta-metsola/biography

  4. EU Debates. 2022. Roberta Metsola becomes third Woman, Youngest to head European Parliament. https://eudebates.tv/

  5. POLITICO. (2022). Roberta Metsola cements rise to European Parliament presidency. https://www.politico.eu/article/roberta-metsola-european-parliament-president/

  6. Citizens Information. (2022). European elections. https://www.citizensinformation.ie/en/government_in_ireland/elections_and_referend

  7. EU Commission. (2022). https://european-union.europa.eu/institutions-law-budget/institutions-and-bodies/institutions-and-bodies-profiles/european-parliament_en

  8. European Parliament. (2022). The President. https://www.europarl.europa.eu/about-parliament/en/organisation-and-rules/organisation/the-president

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk