Sofia Moreira de Sousa në Shqipëri: Ambasadorja e re e BE-së

Sofia Moreira de Sousa në Shqipëri: Ambasadorja e re e BE-së

Rruga drejt BE-së ka arritur në një fazë vendimtare dhe një figurë e re ka ardhur për ta shoqëruar atë, veçanërisht tani, në një moment të shënjuar nga intensifikimi i bisedimeve për integrimin e Shqipërisë, e cila konsiderohet ndër vendet kryesuese, si dhe nga mbështetja e fortë e BE-së për ta përmbyllur këtë proces deri në vitin 2027. Në këtë këndvështim, ambasadori i BE-së luan një rol qendror  në përfaqësimin e BE-së dhe politikave në vend, duke mbajtur dialog me autoritetet kombëtare, shoqërinë civile dhe dhe aktorët e tjerë, dhe duke komunikuar prioritetet dhe qëndrimet e BE-së. Në një vend kandidat si Shqipëria, ky pozicion mbart gjithashtu prioritete të tjera, pasi Delegacioni i BE-së ndjek zhvillimet lidhur me procesin e anëtarësimit, mbështet zbatimin e reformave integruese, si dhe ndihmon në koordinimin e ndihmës dhe bashkëpunimit me BE-në. Në këtë kontekst, Sofia Moreira de Sousa, një diplomate portugeze, zëvendësoi ambasadorin italian Silvio Gonzato si drejtuese e delegacionit të BE-së në Tiranë. Më 2 shtator ajo prezantoi kredencialet e saj Presidentit Bajram Begaj, duke nisur kështu mandatin e saj 4-vjeçar.


Kush është ambasadorja e re?


E lindur në Porto, Moreira de Sousa ka studiuar për drejtësi në Portugali dhe mban titullin Master për “Të Drejtë Ndërkombëtare” dhe “Marrëdhënie Ndërkombëtare” nga Universiteti i Hamburgut. Prej më shumë se njëzet vitesh, ajo punon me çështjet europiane, e fokusuar kryesisht në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Karriera e saj nuk nisi me diplomacinë. Ajo ka ushtruar më herët profesionin e juristes në Porto, ka punuar për programin Galileo në Agjensinë Europiane të Hapësirës si dhe ka trajnuar gjyqtarë në Akademinë e së Drejtës Europiane me seli në Trier. Më vonë, ajo shërbeu si Zëvëndësambasadore në Afrikën e Jugut dhe si ambasadore e BE-së në Kepin e Gjelbër. Nga viti 2021 drejtoi Përfaqësinë e Komisionit Europian në Portugali, ku puna e saj përfshinte shpjegimin e politikave të BE-së për publikun. Deri në vitin 2014, ajo shërbeu gjithashtu si këshilltare e lartë e zëvëndëssekretarit të Përgjithshëm të Shërbimit Europian për Veprimin e Jashtëm. 


Çfarë ka prezantuar ajo deri më tani?


Deri më tani, ambasadorja nuk ka paraqitur një plan specifik zyrtar. Sakaq ka përcjellë një masazh të qartë dhe disa prioritete, të cilat mund të lexohen ndërmjet rreshtave të deklaratave dhe takimeve të saj të para, duke marrë në konsideratë përvojën e saj të gjatë në misone diplomatike.  Mesazhi i saj qendror është se anëtarësimi në BE nuk është thjesht dhe vetëm një proces teknik i hapjes së grupkapitujve dhe mbylljes së kapitujve, por një rrugë drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve. Koordinimi me vendet anëtare të BE-së është pjesë përbërëse e ketij mesazhi ku nën qasjen “Skuadra Europiane”, ajo ka paraqitur vizionin e saj në mbështetje të reformave dhe ka diskutuar mbi konsolidimin e reformës në drejtësi të vitit 2016. Ajo ka konfirmuar se besimi i publikut në sistemin e drejtësisë është i domosdoshëm për të ardhmen europiane të Shqipërisë, dhe se BE-ja do të vijojë të mbështesë funksionimin e SPAK si të pavarur dhe efektive, me rezultate konkrete kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ajo ka diskutuar gjithashtu deri më tani mbi llogaridhënien dhe hapat e mëtejshëm të reformës në drejtësi me Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Përgjatë fjalimeve në daljet e saj të para, ka konfirmuar se reformat mund të ecin me shpejtësi, megjithatë kjo nuk duhet të cënojë transparencën, për rrjedhojë aktet ligjore duhet të bëhen publike dhe konsultohen me qytarër para miratimit të tyre.


Nga deklaratat dhe takimet e para me institucionet kombëtare, dalin në pah katër prioritete. Pikësëpari efikasiteti i shtetit të së drejtës, me institucione të pavarura, rezultate konkrete dhe besimi i publikut tek drejtësia. Së dyti, menaxhimi i fondeve të BE-së dhe gatishmëria financiare, sepse Ministria e Financave duhet të jetë në gjendje të përgatisë vendin për detyrimet e anëtarësimit. Së treti, koordinimi me shtetet anëtare të BE-së, nën qasjen e “Skuadrës Europiane”. Dhe së fundi është “qasja e përqëndruar tek qytetari” duke nënkuptuar se anëtarësimi duhet të ndjehet në jetën e përditshme, jo vetëm ndër rreshtave të raporteve e dokumenteve strategjike.  Aktualisht, veprimtaria e ambasadores ndjek një “stukturë tripartite” që përfshin, mbështetjen e reformave, ruajtjen e një dialogu të hapur me institucionet, si dhe koodinimin e ndihmës europiane. Sa i takon koordinimit, një qasje e përbashkët me vendet anëtare mund ta bëjë mbështetjen e BE-së më koherente dhe efektive, dhe këtu përvojat e mëparshme të ambasadores kanë vlerë të shtuar. 


Megjithatë, zbatimi i reformave në kuadër të procesit të negociatave mbeten në dorë të qeverisë shqiptare. Ambasadorja mund të shoqërojë procesin, të ofrojë mbështeje, apo të evidentojë mangësitë, por suksesi i këtij procesi varet nga vullneti politik i qeverisë dhe institucioneve vendase.



Kristina Hasani, shtator 2026


*Kristina Hasani zotëron një diplomë Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci nga Instituti Ndërkombëtar në Gjenevë, Zvicër, ku tema e tezës së saj u përqendrua në procesin e anëtarësimit dhe zgjerimit të BE, me vëmendje të veçantë ndaj rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit. Ajo ka përfunduar studimet Bachelor në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Università degli Studi di Padova, ku tema e tezës së saj trajtoi pavarësinë e Kosovës. Interesat e saj përfshijnë politikën e zgjerimit të BE-së, bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dinamikat institucionale të procesit të anëtarësimit. Më parë, ajo ka marrë pjesë në WFUNA Advanced Training Programme në Gjenevë, ku janë trajtuar çështje që lidhen me qeverisjen globale dhe diplomacinë shumëpalëshe. Ajo gjithashtu ka punuar si asistente bibliotekare në Universitetin e Padovës dhe ka qenë vullnetare pranë OJQ-së Casa Gabriella në Brescia, përvoja të cilat kanë forcuar aftësitë e saj organizative dhe të koordinimit. Aktualisht ajo po ndjek praktikën profesionale pranë EMA.
1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
24Abonues
European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk