Intervistë me Ministrin e Jashtëm Sllovak, Korčok: Sllovakia partnere e ngushtë për integrimin e Shqipërisë në BE

Intervistë me Ministrin e Jashtëm Sllovak, Korčok: Sllovakia partnere e ngushtë për integrimin e Shqipërisë në BE

Ministri sllovak i Punëve të Jashtme dhe Europës, Ivan Korčok, është një prej figurave më aktive prej disa dhjetëvjeçarësh në arenën politike sllovake, dhe jo vetëm. Karriera e tij politike i ka fillesat në vitin 1992, si pjesë e Ministrisë së Jashtme të Sllovakisë, institucion në të cilin është zhvilluar dhe pjesa më e madhe e karrierës së tij,  së fundmi edhe si Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme të Sllovakisë. Përgjatë dekadave Korčok ka dëshmuar angazhimin, gatishmërinë dhe vullnetin e tij për të kontribuar për një Europë të bashkuar.

Në shkurt të këtij viti Korčok vizitoi vendet e Ballkanit Perëndimor, ndër to edhe Shqipërinë. Kjo vizitë kishte fokus marrëdhëniet dypalëshe me vendet rajonit, si edhe rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Gjatë kësaj vizite Ministri i Jashtëm sllovak dha edhe ndihmën e akorduar për këto vende në kuadër të rimëkëmbjes prej krizës së shkaktuar prej pandemisë.

Një ndër proceset më të rëndësishme në të cilat Korčok është përfshirë, ka qenë Konventa Kombëtare e Integrimit Europian, një platformë konsultimesh publike e zbatuar për herë të parë në Sllovaki. Pas rezultateve tepër pozitive të zhvillimit të këtij partneriteti në Sllovaki, ky model është huazuar nga disa vende të tjera, ndër to edhe në Shqipëri e cila po zbatohet prej disa vitesh nga Lëvizja Europiane në Shqipëri. Në këtë kontekst, pas vizitës së tij në disa vende të rajonit, stafi i EuroSpeak realizoi me të një intervistë të shkruar.

Cilat janë disa nga eksperiencat e nxjerra prej rrugëtimit të Sllovakisë drejt BE-së, në këndvështrimin tuaj, prej të cilave vendet e Ballkanit Perëndimor mund të mësojnë?

Miqtë tanë të Ballkanit Perëndimor nuk kanë pse ‘të mësojnë’ nga ne. Ne nuk jemi mësues, jemi miq. Ne ofrojmë historinë tonë. Në fund të viteve 1990, Sllovakia ishte një vrimë e zezë në Europë, siç na etiketoi Sekretarja e atëhershme e Shtetit, etiketim në të cilin rezultoi se kishte të drejtë. Çfarë kemi bërë ne? Ne ramë dakord që integrimi në BE ishte e një përparësie kryesore. Kjo është edhe arsyeja pse referendumi i mbajtur në këtë kontekst rezultoi  i suksesshëm. Dhe në fakt, ky ishte referendumi i vetëm i suksesshëm, sepse kishte të bënte me anëtarësimin tonë në BE. Ne kemi formuar një partneritet unik me fqinjët tanë të Visegradit (V4), i cili nuk është një bllok politik, por një bllok interesi, sepse është më mirë të shkojmë në BE me fqinjët sesa pa ata. Sigurisht, ne jemi gjithmonë të lumtur të ofrojmë një dorë ndihmuese, qoftë në formën e projekteve apo edhe të mbështetjes financiare specifike, siç e realizova gjatë vizitës sime të fundit në Shqipëri. Sa do të merrni nga projektet ose sa mirë do e përdorni ndihmën financiare varet nga ju. Projekti i Konventës Kombëtare për Integrimin në BE në vendin tuaj është i konceptuar gjithashtu në këtë frymë.

Përgjatë vizitës suaj në Ballkanin Perëndimor patët mundësinë të shihnit nga afër nivelin e përgatitjes për anëtarësim në BE të këtyre vendeve. Cilat vlerësoni si pikat e forta dhe të dobëta të Shqipërisë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor lidhur me integrimin në Bashkimin Europian?

Vizita ime në Ballkanin Perëndimor u zhvillua gjatë kohës së pandemisë, dhe në këto rrethana nuk kishte vend për krahasime. Doja të takoja partnerë dhe kolegë. Nëse pyesni në mënyrë të drejtpërdrejtë, forca e Shqipërisë janë njerëz si ju dhe kolegët tuaj, por unë duhet të pranoj që i gjithë Ballkani Perëndimor, pavarësisht nga kombësia dhe nuancat etnike, ka njerëz që mund ta lëvizin rajonin më përpara. Edhe pse Sllovakia nuk ka fqinj të drejtpërdrejtë ndonjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ju jeni fqinjët tanë. Ne kemi disa projekte në rajon që e mbështesin bashkëpunimin ndërkufitar. Nëse flasim mbi pikat e forta dhe të dobëta të Shqipërisë – ne i qëndrojmë vlerësimit të bërë prej Komisionit Europian.

Lidhur me Konventën Kombëtare të Integrimit Europian (aktualisht duke u zbatuar nga EMA me mbështetjen e Slovak Aid), keni sugjerime bazuar në eksperiencën e Sllovakisë të cilat mund të jetë të vlefshme  në rastin e Shqipërisë?

Ndoshta do të jem subjektiv, por kam qenë aktivisht mjaft i përfshirë në zbatimin e projektit të Konventës Kombëtare për Integrimin në Sllovaki. Ajo që ju po bëni në Shqipëri, ose ajo që është bërë në vende të tjera, është shumë e dobishme. Në këtë drejtim SLOVAKAID është shumë mbështetës. Më vjen mirë që po e bëni këtë. Nuk do t'ju jap këshilla as rekomandime, historia e suksesit të Sllovakisë qëndronte ne faktin se arritëm konsensusin e përmendur. Në këtë pikë Konventa luajti një rol kyç.

Vizita e Ministrit të Jashtëm sllovak rikonfirmon mbështetjen e Sllovakisë për integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE. Kjo mbështetje është me vlerë jo vetëm pse vjen në një moment të vështirë, siç është kriza pandemike, por edhe sepse prej procesit të para dhe pas anëtarësimit të këtij vendi Shqipëria, dhe vendet e rajonit po ashtu, mund të nxjerrin mësime të vlefshme. Për më tepër, kjo mbështetje edhe njëherë rikonfimon idenë e një Europe të bashkuar.

 

Stafi i EuroSpeak, prill 2021

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk