Ambasadorët e Rinj Europianë të Shqipërisë, pritshmëritë dhe objektivat

Ambasadorët e Rinj Europianë të Shqipërisë, pritshmëritë dhe objektivat

Si filloi e gjitha dhe çfarë sjell të re kjo nismë?

Nisma Ambasadorët e Rinj Europianë (YEA), është pjesë e Programit Rajonal të Komunikimit të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor (WeBalkans, 2020), nisur në fillim të këtij viti. Kjo ishte thirrja e parë për aplikime e cila mblodhi rreth 400 kandidatë nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Për t’u bërë pjesë, aplikantëve u kërkohej të ishin të grupmoshës 18-29 vjeç dhe banorë të Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut ose Serbisë. Ata duhet të ishin po ashtu qytetarë aktive në fusha të tilla si arti, dizajni, filmi, fotografia, muzika, aktivizmi, mbrojtja e mjedisit ose sportit, si edhe të shpjegonin me anë të një video 1 minutëshe se çfarë ata do të ofronin si dhe misionin e tyre nëse do të zgjidheshin si ambasadorë.

Përzgjedhja kaloi në dy faza, ku së pari ishte votimi online i cili u realiza për një periudhë 1 mujore nëpërmjet lobimit në rrjetet sociale ku kandidatët siguruan votat e nevojshme. Faza e dytë konsistoi në vlerësimin profesional të jurisë, e cila gjykoi mbi bazën e disa kritereve profesionale si: aftësia e kandidatit për të qënë folës efektiv dhe prirja e brendshme për të qenë i angazhuar dhe me synim të qartë për t’i shërbyer interesit më të lartë të atyre që përfaqëson.

Nga këto kandidatë u përzgjodhën 60 të rinj, konkretisht 5 Ambasadorë dhe 5 Atashe përkatës nga çdo vend, me një mandat 3 vjeçar.

Amasadorët dhe atashetë e përzgjedhur, do të përfshihen në aktivitete të tilla si: webinare, takime dixhitale, konferenca, ngjarje kulturore si dhe takime me personalitete të ndryshme. Ata do të përfshihen gjithashtu në projekte të ndryshme krijuese dhe me vlera shoqërore.Edhe pse Ambasadorët kanë shtetësi të ndryshme, ata i bashkon dëshira për të mësuar dhe promovuar vlerat e Bashkimit Europian, duke u lidhur dhe angazhuar me kolegët e tyre e duke u kthyer kështu në zërat e brezit të tyre. Më e rëndësishmja, ata janë të hapur për të shkëmbyer ide dhe për të frymëzuar ndryshime në komunitetet e tyre, rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në të gjithë Bashkimin Europian.

Ambasadorët dhe Atashetë Shqiptarë të YEA

Ambasadorët e zgjedhur në Shqipëri janë 5: Benard Babaj, Daniela Kortoçi, Erisa Zemzadija, Gevio Tabaku dhe Kolindo Vjerdha. Përkrah ambasadorëve janë dhe 5 atashe, të cilët janë: Emirjon Lleshi, Klajdi Kaziu, Loreta Gjoni, Megan Cungu dhe Xhuljana Muçaj.

Por çfarë do të thotë të jesh Ambasador i YEA? Në një intervistë të zhvilluar me disa nga ambasadorët dhe atashtë përkatës, ky titull mbart kuptime të ndryshme.

“Të jesh Ambasador i Ri Europian për mua ka një rëndësi të veçantë sepse Shqipëria e ka vendin në Bashkimin Europian dhe ky ka qënë një qëllim dhe një ëndërr qëkur nga zërat e protestave studentore të viteve ’90 dëgjoheshin fjalët “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Si Ambasador i Ri Europian, kam privilegjin e madh që mbi këto parime të ndërtoj një urë lidhëse midis rinisë Shqiptare dhe Bashkimit Europian. Patjeter që të arrish këtë të fundit është një sfidë më vete, jo për faktin se rinia Shqiptare nuk mbështet frymën Europiane, por për faktin se kërkohet angazhim dhe punë për t’i transformuar mendimet dhe idetë në vepra dhe nisma konkrete. Vetë ky program, të jep mundësinë të bësh pikërisht këtë të fundit. Ndaj edhe ka një rëndësi të veçantë për vendin tone. Për të rinjtë, kjo nismë sjell mundësinë që të jenë të informuar dhe të kuptojnë se sa shumë rëndësi ka për ne Integrimi Europian dhe se sa shumë Bashkimi Europian është duke bërë për vendin tonë.” është shprehur Gevio Tabaku, një nga ambasadorët e rinj europianë.

Për Benard Babaj, një tjetër ambasador, do të thotë të jesh katalizator i rrjetëzimit të të rinjve: “Ky projekt përfshin angazhimin e të rinjve duke i bashkuar ata në vizita studimore dhe evente në Europë. Fjala kyç që do të përdorja do të ishte game changers. Ne jemi përfaqësues të të rinjve, synimi është që të bëhemi sa më influencues në rrjetet sociale, të angazhojmë të rinjtë me ngritje kapacitetesh. Ne do të marrim pjesë në trajnime, vizita studimore dhe evente në Europë dhe këtë eksperiencë pastaj do ta sjellim në Shqipëri. Ne identifikojmë probleme dhe përpiqemi t’i parashtrojmë ato në konferenca apo trajnime. Ky është një program ndërkombëtar që synon gjithëpërfshirjen, pra jo vetëm ata që janë pjesë e nismës tashmë. Synimi është që të përfshihen të rinjtë në adresimin e politikave dhe problemeve që ata identifikojnë. Ne do ti përfshijmë të rinjtë nëpërmjet fushatave dhe postimeve online, do të krijojmë afrimitet, nxitje dhe kontakt me ta” është shprehur ai.

Siç u përmend më sipër, përveç 5 ambasadorëve janë përzgjedhur gjithashtu dhe 5 atashe. Po çfarë do të thotë të jesh Atashé i YEA? Në termat e përgjegjësive, hapësirave dhe mundësive? Sipas Xhuljana Muçaj, të jesh atashe i YEA më shumë sesa një titull është një përgjegjësi të cilën duhet ta përmbushësh për 3 vite radhazi, duke qënë një model aktiv në fushat që shqetësojnë sot të rinjtë shqiptarë. Kjo është një mundësi që përpos adresimit të nevojave personale, kupton nevojat e të rinjve, e në këtë mënyre ke gjithë hapësirat për të lobuar për një ndryshim që do ta shohësh të reflektuar në të gjithë komunitetin. Të jesh atashe ke mundësi trajnimi të aftësive dhe zhvillimit të dijeve, ke hapësirën për të krijuar, lobuar dhe për të qenë një model inspirues për të rinjtë e tjerë. Programi i Ambasadorëve të Rinj Europian është një mundësi e mirë për të identifikuar aftësitë e lidershipit tek të rinjtë ballkanas dhe të mbështesë idetë dhe projektet e tyre në nivel europian. Kjo platformë përbën mundësi për të gjithë ata të rinj që dëshirojnë të jenë faktor ndryshimi për gjeneratën e së ardhmes.

Klajdi Kaziu nga ana tjetër u shpreh se vetë programi ka si synim përfshirjen në politikëbërje të të rinjve në dy mënyra: nëpërmjet pajisjes me njohuri rreth BE dhe promovimit të saj, dhe nga ana tjetër mbrojtjes së interesave të të rinjve shqiptarë.

Cilat janë hapësirat që këta ambasadorë dhe atashé do të tentojnë të ndikojnë, dhe si planifikojnë ta bëjnë këtë?

Xhuljana Muçaj u shpreh: “Ndër fushat më me interes që kam zgjedhur të investohem gjatë kësaj eksperience do të përmendja: Integrimin Europian, Mjedisin dhe Të drejtat e Njeriut (Liria e Shprehjes, e Drejta për një proces të rregullt gjyqësor, Mbrojtja e të Dhënave Personale, Barazia Gjinore, Të drejtat Civile) dhe Zgjidhja Alternative e Mosmarrëveshjeve (Ndërmjetësimi dhe Arbitrazhi). Kjo do të realizohet nëpërmjet bashkëpunimit me të rinj që ndajnë interes të përbashkët mbi këto fusha, zhvillimi i aktiviteteve ndërgjegjësuese, organizimi i eventeve dhe shndërrimi i ideve në projekte.

Klajdi Kaziu do të përqendrohet tek Intergimi Europian me premisë nisjeje pragmatizmin ndaj BE. Por europragmatizmi nuk është narrativa e plotë. “BE mund të jetë më mirë, ndaj le ta përmirësojmë atë”- shprehet ai. "Këtu do të kanalizohet dhe kontributi më i madh përsa i përket pragmatizmit konstruktivist dhe ndikimit/transmetimit tek të rinjtë shqiptarë, por pa imponuar një narrativë të caktuar. Përçimi i ideve ndodh në nivel rajonal dhe europian, por duke nisur nga vetja dhe duke patur premisë bazë objektivitetin, pa lënë menjanë dhe këndvështrimin subjektiv. Një tjetër aspekt që do synohet të ndikohet është edhe ai i mundësive, mandati tre vjeçar sjell një larmishmëri nivelesh të mundësive ku së pari ndërtimi i kapaciteteve të të zgjedhurve dhe ngritja e figurës publike të secilit, marrja pjesë në aktivitete lokale për të kaluar më pas në ato rajonale e më gjerë."

Benardi do t’i përkushtohet problemeve si: braktisja e arsimit dhe karrieres me fokus diskriminimin. Ai do të organizojë fushata informimi mbi vullnetarizmin duke përfshirë dhe anëtarë nga komunitetet vulnerabël. Kjo do të realizohet nëpërmjet bashkëpunimit në rrafsh ndërkombëtar, angazhimit si ekip në të gjithë territorin dhe informimit të të rinjve për përfshirjen sa më shumë të tyre.

Cilat janë disa nga çështjet më urgjente që është e nevojshme të adresohen nga BE, sipas YEA?

Një nga problemet themelore nga të cilat po vuan BE është mungesa e një tregu të integruar financiar dhe fiskal, sipas Klajdit. "Ende nuk është krijuar fryma e nevojshme për ta bërë BE-në më të bashkuar. Tregu aktual nuk mund të prodhojë të mira më të mëdha pa patur një koordinim të mirfilltë të dy tregjeve të sipërpërmendura. Vendimet janë të avashta, gjë që dobëson kredibilitetin e perceptuar të BE-së. Integrimi politik i demosit europian përbën gjithashtu një problem, si dhe përkatësia europiane e identitetit europian dhe adresimi i çështjeve klimaterike."

Për Gevion, Bashkimi Europian është një aleat i pandarë i Shqipërisë në të gjitha sferat e saj. "BE ka qënë një ndër partnerët më të mirë të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar (duke ndihmuar për reformën në drejtësi dhe ngritjen e SPAK dhe BKH), si edhe në plotë reforma të tjera të cilat kanë gjetur mbështetje dhe janë adaptuar nga vendi ynë me asistencën e BE dhe aleatëve të tjerë. Për të zhvilluar shtetin e së drejtës, reforma në drejtësi është një ndër çështjet më urgjente që BE duhet të qëndrojë e investuar deri në fund. Padyshim që kjo reformë prek edhe të rinjtë. Problematikat e të rinjve vazhdojnë të jenë dëshira masive për t’u larguar nga vendi, mungesa e vendeve të punës si edhe pagat e ulta."

Lidhur me këtë çështje, Xhuljana u shpreh se : “Një nga sfidat që po përjeton sot Shqipëria është largimi i të rinjve jashtë vendit për shkak të një liste të gjatë arsyesh si arsimi, kushtet sociale-ekonomike, mungesa e konkurrencës, e sistemit të meritokracisë, e tregut të punës si dhe e politikave mbështetëse ndaj brezit të ri, kanë prodhuar atë që sot quhet gjendje emergjente për t'u adresuar nga Bashkimi Europian. Përgjigjja ndaj këtij enumeracioni kërkon politika afatgjata për të shmangur eskodet e radhës dhe për të ngjallur shpresë dhe energji tek gjeneratat e së ardhmes. Të rinjtë sot kanë nevojë të dëgjohen, të ndihen më të përfshirë në vendimarrje, të jenë prezent dhe të kontribuojnë në politikat që prekin interesat e tyre.”

Ndërsa për Benardin, përveç çështjeve të sipërpërmendura, përbëjnë problem migrimi dhe nacionalizmi.

Si e imagjinojnë ambasadorët dhe atashe-të Shqipërinë, Ballkanin Perëndimor dhe Europën pas 10 vitesh?

“Bashkimin Europian e shoh të qëndrueshëm si unitet, por krisje mund të ketë nga politikat e disa shteteve kryesore pasi i shoh si individualiste dhe nacionaliste. Një shkëputje tjetër e ndonjë shteti nga BE do të ishte një krisje shumë e madhe. Për shembull, gjatë zgjedhjeve në Francë, Marine Le Pen, tha se donte të bënte referendum për të parë se sa populli dëshiron akoma të jetë pjesë e BE-së, dhe kjo mua më frikëson disi”, shprehet Benardi. Ai gjithashtu është i mendimit se Shqipëria është akoma në tranzicion dhe se për 10 vitet e ardhshme do na duhet të përpiqemi shumë me zbatimin e programeve të BE, për të na sjellë më afër me Europën. “Nuk   mendoj se mund të integrohemi brenda 10 vitesh”, u shpreh, “pasi Serbia dhe Maqedonia janë para nesh.”

Xhuljana Muçaj nga ana tjetër tha se: “ Përtej imagjinatës, uroj që Shqipëria pas një dekade të bëhet një shtet më i fortë ligjor, më demokratik dhe më premtues ndaj brezit të ri. Ballkani Perëndimor duhet të krijojë mundësitë për bashkëpunim rajonal, për të forcuar stabilitetin politik dhe ekonomik, në mënyrë që të vazhdojë të ketë vëmendjen dhe interesin nga Bashkimi Europian. Ndërsa këtë të fundit, uroj ta shoh më të zgjeruar dhe të jetë i pakursyer në asistimin dhe ndikimin me sugjerime dhe politika më të mira drejtuar rajonit të Ballkanit Perëndimor.”

Gevio u shpreh se: “Më tepër se si e imagjinoj, do doja të thosha se si dua ta shoh Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor pas 10 vitesh. Dua ta shoh Shqipërinë dhe të gjithë Ballkanin Perëndimor të integruar në BE si edhe konfliktin midis Serbisë dhe Kosovës të zgjidhur njëherë e mirë. Paqja dhe fqinjësia e mirë janë dy aspekte për të cilat ne si të rinj duhet të luftojmë, duke mos harruar kurrsesi historinë, por duke ecur përpara dhe duke ndërtuar ura të cilat do të na shërbejnë për t’u zhvilluar.”

Klajdi pas 10 vitesh e shikon Shqipërinë të anëtarësuar në BE. "Roli i Shqipërisë do të jetë i rritur me një skenë politike më të hapur, qasje globaliste, jo-ideologjike, jo-populiste dhe pragmatike. Do të jetë një rajon i hapur, pa kufij. Një rajon ku nacionalitetet do të jenë të integruara, shoqëria do të tejkalojë barrierat mendore dhe ku reformat dhe kritikat e mëhershme nga BE do të jenë adresuar. Një e ardhme ku çdo i ri në Shqipëri do të mund të bashkëpunojë në një treg tjetër, prsh në Gjermani, ku advokimi është i përçarë momentalisht. Një Europë më demokratike e jo detyrimisht unanime me inkorporimin e parimeve dhe jo të etnive."

Grupit tashmë të zgjedhur prej 60 Ambasadorëve dhe Atasheve nga vendet e Ballkanit Perëndimor do t’u shtohet çdo vit një grup prej 60 të rinjsh të tjerë në po të njejtin rol. Kjo dëshmon seriozitetin, angazhimin dhe afatgjatësinë e kësaj nisme ambicioze të ndërmarrë, për të ardhmen e Shqipërisë, rajonit dhe rolit të këtyre të rinjve në Integrimin Europian.

Por sa do arrijnë këta të rinj të influencojnë? Sa i qartë është misioni dhe puna e tyre?

Këto pyetje do të marrin përgjigje përmes monitorimit të vazhdueshëm të punës së tyre, mbajtjes së premtimeve për një rajon me të rinj më të informuar dhe aktivë.

Stafi EuroSpeak, dhjetor 2020

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk