Rezultatet surprizë të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë: Kush është presidenti i ardhshëm i Ukrainës?

Rezultatet surprizë të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë: Kush është presidenti i ardhshëm i Ukrainës?

Zelensky: Komediani që u bë president

Pse ukrainasit i besuan kaq bindshëm Zelenskyt dhe çfarë duhet të presin prej tij?

Zgjedhjet presidenciale shënuan disa rekorde. Komisioni zgjedhor i vendit publikoi një ditë pas zgjedhjeve, më 22 prill 2019 se Zelensky fitoi 75% të votave, kundrejt 25% të rivalit Poroshenko. Një rezultat i tillë nuk ishte parë që prej 30 vitesh, kur Ukraina shpalli pavarësinë. Gjithashtu, ecuria e tij në fitoren e zgjedhjeve ishte shumë e shpejtë: në raundin e parë, vetëm 3 muaj pasi shpalli kandidaturën fitoi 30% të votave dhe pas 3 javësh arriti të dyfishonte rezultatin në raundin e dytë, raporton “Deutsche Welle”.

Çelësi i suksesit të fitores së Zelenskyt?

Si arriti të fitonte një besim kaq të madh një 41 vjeçar pa përvojë politike, pa një program të qartë dhe thuajse pa fushatë? Analistët thonë se kjo fitore e papritur erdhi si rezultat i pakënaqësisë së popullit ndaj kastës politike. Ata kishin nevojë për frymë të re politike.

Në një sondazh të kryer në 2018 nga Instituti Ndërkombëtar i Kievit për Sociologjinë, Zelensky ishte kryesues në listën e 30 personave më të dashur nga publiku. Gjithashtu kjo fitore erdhi dhe nga zhgënjimi dhe zemërimi për paraardhësin e tij. Në një debat të hapur të mbajtur në stadiumin e Kievit, Zelensky do i drejtohej presidentit aktual dhe rivalit të tij, Poroshenko, me fjalët: “Unë nuk jam kundërshtari juaj, unë jam dënimi juaj” dhe ngriti pyetjen se si ishte e mundur që Ukraina momentalisht ishte ndër shtetet më të varfra në botë me një ndër presidentët më të pasur në histori, shkruan “CNN”.

Për më tepër që ukrainasit nuk u japin një shans të dytë krerëve të shtetit: Në 5 presidentët e pas pavarësisë, vetëm Leonid Kuchma arriti të merrte një mandat të dytë në 1999.  Tek qytetarët ukrainas rritej pakënaqësia për politikat aktuale të vendit. Fushata e sforcuar kulturore pro ukrainase që erdhi si rrjedhojë e aneksimit të Krimesë nga Rusia solli ndryshimin e emrave të rrugëve, qyteteve apo rajoneve që përmbanin elementë rusë. Rritja e çmimit të gazit dhe akuzat e korrupsionit në kampin e Poroshenkos ishin gjithashtu ndikuese në zgjedhje. Zelensky në dallim nga kundërshtari i tij shmangu intervistat dhe i dha përparësi rrjeteve sociale, metodë e cila rezultoi e suksesshme, raporton NewYorker.

Sfidat e pas fitores për Zelensky

Ecuria në politikëbërje e Zelenskyt do të varet dhe nga rezultatet e zgjedhjeve parlamentare ku atij do i duhet shumica e votave në parlament. Deri tani, partia e tij po kryeson sondazhet megjithëse do të jenë të rëndësishëm muajt e parë të presidencës. Një tjetër sfidë do të jetë gjetja e ekuilibrit mes dy kampeve kryesore, atij pro rus dhe pro perëndimor. Nga ana tjetër, influenca në rritje e oligarkëve në politikën ukrainase përbën rrezik për interesat e popullit. Për Zelenskyn ka shumë pritshmëri dhe mbi të gjitha ai ka deklaruar se do të kandidojë vetëm për një mandat, shkruan “Deutsche Welle”.

Zelensky para politikës...

Zelensky lindi në qytetin Kryviy Rih më 25 janar 1978. Për katër vjet ai jetoi në qytetin Erdenet të Mongolisë ku kreu dhe shkollën fillore. Pas kësaj, familja e tij u kthye në Kryviy Rih ku ai studioi në një shkollë me programe intensive në anglisht. Në vitin 1995, ai hyri në Institutin Ekonomik të Kryviy Rih, i cili është pjesë e Universitetit Ekonomik Kombëtar të Kievit.

Volodimir Zelensky u bë i famshëm në vitet 1990 në sajë të një shfaqjeje televizive me karakter “stand up komedi”. Në vitet në vazhdim ai zhvilloi projekte të ndryshme televizive të cilat ishin të suksesshme dhe me audiencë të lartë. Në 2008, 2010 dhe 2013 ai pati rol kryesor në triologjinë e filmit “Dashuri në qytetin e madh”. Ai pati disa role të tjera kryesore në filmat vendas derisa roli i tij i fundit shënoi një pikë kthese në karrierën e tij. Në serialin “Shërbëtori i popullit” ai luan rolin e një mësuesi i cili me anë të një fushate anti korrupsion të shpërndarë masivisht në rrjetet sociale bëhet papritur president. Arti pasqyroi realitetin pasi Zelensky bëri shpalljen e kandidaturës gjatë natës së ndërrimit të viteve në kanalin ku jepej seriali në të cilin ai personifikoi personazhin e tij artistik, raporton “The Economist”.

Komediani është i martuar me Olena Kiyashko, me të cilën ka studiuar në të njëjtën shkollë në të njëjtin vit. Pas një bashkëjetese 7 vjeçare, ata u martuan më 2013 dhe kanë sot 2 fëmijë.

Reagimet e para pas fitores

Pasi u publikua rezultati i zgjedhjeve, Zelensky falenderoi fillimisht familjen, më pas stafin e tij dhe në fund të gjithë popullin ukrainas. Ai i falenderoi për zgjedhjen ndryshe që votuesit bënë dhe premtoi se nuk do braktiste askënd nga qytetarët e vendit të tij.

Kush ishte presidenti në largim Petro Poroshenko?

Petro Poroshenko ka qenë president i Ukrainës nga viti 2014 deri më tani. Ai u lind në 1965 në një qytet të vogël në Ukrainën jugperëndimore dhe është shkolluar në Kiev, në Universitetin Kombëtar Taras Shevçenko, për drejtësi dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Poroshenko hyri në botën e biznesit, dhe më 1993 u bë CEO i “Ukprominvest”, një kompani ndërkombëtare në fushën e industrisë. Karriera politike e Poroshenko filloi në vitin 1998, kur u zgjodh si deputet në parlamentin ukrainas. Poroshenko themeloi Partinë Solidare në vitin 2000, por ndërroi parti pas një viti duke u anëtarësuar të Partia “Ukraina Jonë”.

Në kohën kur Yushchenco ishte president, në vitin 2005 Poroshenko u emërua sekretar i Sigurisë Kombëtare. Pas vetëm shtatë muajsh, Yushchenco riorganizoi kabinetin e tij dhe Poroshenko kryesoi komitetin e financave (2006-2007), ndërsa në vitet 2009-2010 shërbeu si Ministër i Jashtëm. Në nëntor 2013, Yushchenco prishi një marrëveshje të planifikuar të asociimit me BE, duke shkaktuar një valë protestash popullore që u bënë të njohura si lëvizja Euromaidan. Në shkurt të vitit 2014, pasi dhjetëra protestues u vranë nga forcat qeveritare të sigurisë në Kiev dhe parlamenti e fajësoi Yushchencon ai u largua nga vendi, duke e lënë vendin e presidentit vakant.

Ukraina mbajti zgjedhje presidenciale të parakohshme më 25 maj 2014 dhe Petro Poroshenko fitoi, duke pasur edhe mbështetjen e partnerëve perëndimorë ndërkombëtarë. Poroshenko me reformat e tij u përpoq që të zbuste korrupsionin në Ukrainë dhe gjithashtu të reformonte administratën publike. Me gjithë përpjekjet e tij të mëdha, besueshmëria e Poroshenkos u zvogëlua ndjeshëm në prill 2016, kur “Panama Papers” publikoi dokumente konfidenciale ku paraqitej së kompania e Poroshenkos pas bërjes president nuk ishte mbyllur dhe akset e saj financiare ishin transferuar ne Ishujt e Virgjër Britanikë, raporton “New York Times”.

Sidoqoftë, siç vetë Poroshenko pranoi në ditët e mbylljes së fushatës zgjedhore, dështimi i tij kryesor ishte caktimi i shumë miqve politikë në pozitat kyçe të administratës shtetërore. Ai nuk arriti të transformonte qeverisjen klienteliste dhe nepotike në një qeverisje moderne ligjore dhe racionale, të cilën qytetarët e kërkonin pas Revolucionit të Dinjitetit në vitin 2014, shkruan “Atlantic Council”.

***
Ajo çka kuptuam nga këto zgjedhje është se një frymë e re politike po vjen, larg figurave të vjetra që kanë zhgënjyer popujt e tyre për vite me radhë. Në mediet prestigjoze po qarkullon një analogji mes fitores së Trump dhe të Zelenskyt, duke parë si të përbashkëta natyrën e tyre sarkastike, karrierën televizive dhe debutimin me fitore në politikë. Gjërat priten të bëhen më interesante. Miliona votues zgjodhën dhe investuan te një komedian 41 vjeçar pa përvojë politike me shpresën për të zhdukur korrupsionin dhe për bërë të mundur deoligarkizimin.

                                                                                                                          Stafi i EuroSpeak, prill 2019

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk