Menaxhimi qeveritar i pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 në Durrës

Menaxhimi qeveritar i pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 në Durrës

Shqipëria është një vend i rrezikuar nga fatkeqësi natyrore si: tërmetet, përmbytjet apo përhapja e epidemive. Tërmeti me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter, në 26 nëntor 2019, goditi Durrësin, Shijakun, Tiranën, Krujën (Thumanë), Kamzën, Kavajën, Kurbinin dhe Lezhën, duke rezultuar në 51 humbje jete dhe 913 të plagosur si dhe dëme të mëdha materiale. Në këto kushte, qeveria aktuale ka ndërmarrë politikën publike të rindërtimit dhe të strehimit, për rimundësimin e kushteve normale të jetesës për familjet e prekura nga tërmeti. Kjo politikë është  shoqëruar dhe nga vështirësitë e problematikat nga përhapja e pandemisë së Covid-19, edhe në vendin tonë.  Pas më shumë se një viti, elementët dhe instrumentet e politikës së rindërtimit, po shoqërohen me debate lidhur me efiçencën dhe efektshmërinë e tyre, trajtimin e ndryshëm të qytetarëve, masën e ndihmave si dhe shpejtësinë e procesit të rindërtimit për strehimin e qytetarëve, të vështirësuar nga përhapja e pandemisë Covid 19 në vend.

Politika e Rindërtimit dhe Strategjitë e qeverisë për përballimin e krizës.

Politika e rindërtimit është ndërmarrë nga Ministria e Rindërtimit (rindertimi.gov.al), për drejtimin e gjithë procesit, me në krye Arben Ahmetaj, si dhe me Komisionin Shqiptar të Rindërtimit, KSHR (Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore, 2019 & Për përbërjen, organizimin e veprimtarive dhe rregullat e funksionimit të KShR, 2019), si organ kolegjial. Aktorët e tjerë për rindërtimin dhe rivitalizimin e zonave të prekura nga tërmeti janë Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Bashkitë, si dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit si njësi zbatuese për rindërtimin e shtëpive individuale; grupimin e rindërtimin e shtëpive individuale në zonat rurale, bashkë me ndërtimin e infrastrukturës mbështetëse; si dhe ndërtimin e lagjeve të reja urbane. Për këtë, qeverisja ka ndërmarrë rol kryesor për përballimin e pasojave post-fatkeqësi, përkundër një qasjeje nga poshtë-lart e cila sheh si thelbësor rolin e aktorëve në komunitet.

Fillimisht u inspektuan dhe u vlerësuan dëmet strukturore nga ekspertët shqiptarë, me mbështetjen edhe të ekspertëve të huaj, që përcaktuan dhe kategorizuan 5080 ndërtesa (apartamente, shtëpi private, shkolla, hotele, etj) si DS4 e DS5, që u konsideruan të pabanueshme. Në Vlerësimin e Nevojave Post Fatkeqësi, një numër total prej 11,490 njësive të strehimit janë klasifikuar si të shkatërruara tërësisht ose për tu shembur (IFRC, 2020).

Buxhetimi në raste fatkeqësish natyrore dhe fondet për politikën e rindërtimit

Për përballimin e fatkeqësive natyrore është përfshirë në ligjin organik të buxhetit, neni 4/4a (Ligj Organik i Buxhetit, 2016) për buxhetimin në rrethana të jashtëzakonshme: kur ndodhin katastrofa ose fatkeqësi natyrore, aksidente teknologjike apo situata të tjera, të paparashikueshme dhe jashtë kontrollit të qeverisë, që rrezikojnë jetën e shëndetin e shtetasve shqiptarë. Pra qeveria angazhohet për të financuar nga buxheti i shtetit, përveç burimeve të tjera të financimit, për menaxhimin e pasojave të fatkeqësive natyrore si tërmetet. Edhe në ligjin për buxhetin e vitit 2020, neni 7, parashikohet fondi i rindërtimit 20 miliardë lekë, për përballimin e pasojave të tërmetit. Fondi përbëhet nga ( Ligji për Buxhetin, 2020): grante, 7 miliardë lekë dhe nga shpenzime të buxhetit të shtetit, 13 miliardë lekë. Në treguesit fiskalë të buxhetit të konsoliduar të 2018-2023, në shpenzimet kapitale, përcaktohet fondi për 2021: 28 000 milionë lekë, ose 1.7 % e PBB-së, dhe në 2022 me 6 000 milionë lekë.

Treguesit fiskalë të buxhetit të konsoliduar 2020, në milionë lekë:                                                

Fondi i Rindërtimit, nga të cilat:

34,000

2.2%

Grante

3,000

0.2%

Shpenzime

31,000

 

 

Roli i qeverisë në përballimin e pasojave të tërmetit dhe politika e rindërtimit

Qeverisja në përgjigjen dhe rindërtimin post-fatkeqësi, duhet të përcaktojë  agjencitë përkatëse, si dhe fondet në dispozicion, ndihmat nga agjenci apo institucione të tjera si dhe personelin e trajnuar për përballimin e krizave, ose kapitalin human. Sipas autores Laura E. Grube, qeveria duhet të jetë në gjendje që të përcaktojë rregulla loje të qarta dhe të njohura që në fillim; rregullat e mbrojtjes së pronës private; si dhe rregullat që i ndihmojnë aktorët lokalë që të përfshihen në procesin e përballimit të krizës (Grube, 2020).

Mbështetur në Aktin Normativ “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, programi i rindërtimit e nënprogramet përkatëse, përcaktohen në nenin 18 (Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore, 2019): zhvillimi i objekteve të reja e i zonave të reja për zhvillim, përfshirë infrastrukturën publike, si dhe rikonstruksioni i ndërtesave ekzistuese të dëmtuara e të infrastrukturës publike nga autoritetet shtetërore; nga autoritetet shtetërore dhe nga donatorët; rindërtimi i ndërtesave të shembura nga fatkeqësia natyrore në të njëjtin truall; programi i bashkëpunimit për ndërtime me sektorin privat. Programi i krijimit të fondit të banesave: i blerjes së banesave të reja në treg dhe i banesave të dhuruara nga privatët. Programi i granteve të rindërtimit: për rindërtimin ose rikonstruksionin e banesave të dëmtuara; pagesa e qirasë për familjet e pastreha nga tërmeti; kompensimi i shpenzimeve të sektorit privat që ofrojnë struktura akomoduese. Programi i masave të rimëkëmbjes sociale dhe ekonomike: kompensimi i dëmeve nga fatkeqësia; masat për rimëkëmbjen sociale; masat për rimëkëmbjen ekonomike si dhe masat rikuperuese dhe parandaluese.

Rasti i Qarkut Durrës (Bashkia Durrës, 2020): Aktualisht, 15 muaj pas tërmetit, referuar Vendimeve të Këshillit Bashkiak Durrës (Këshilli Bashkiak Durrës, 2020), janë miratuar që nga 29.05.2020 - 24.02.2021, 13661 subjekte përfituese të grantit të rindërtimit, në masat 100 mijë lekë për ndërtesat DS1, 250 mijë lekë për DS2 dhe 500 mijë lekë për DS3. Pra, procesi i rindërtimit përfshin riparimin e banesave nga familjet që kanë përfituar nga granti për rikonstruksion si dhe riparimin e ambienteve të përbashkëta të pallateve nga shteti.

DS, DR

LISTAI

LII

LIII

LIV

LV

LVI

LVII

LVIII

LIX

LX

DS1

1081

237

122

590

70

30

16

13

 

 

DS2

2223

440

185

964

121

73

44

17

 

 

DS3

2953

515

157

752

100

84

68

104

 

 

TOTAL

6257

1192

464

2306

291

187

128

134

806

1896

 

Sipas Kryetares së Bashkisë Durrës, një vit pas tërmetit, 9700 familje përfituan grantin e rikonstruksionit, 4800 familje bonus qiraje, 31 shkolla e kopshte të reja, 30 pallate do rindërtohen në truallin e mëparshëm (2 kanë nisur nga puna), 123 pallate DS4 janë në fazën e hartimit të projekteve të detajuara, 904 banesa individuale, 615 pallate po rikonstruktohen në hapësirat e përbashkëta (shkallë, ashensorë e fasada) si dhe 2 lagje të reja me standarde bashkëkohore do të ndërtohen në Spitallë dhe Manëz (Durrës Lajm, 2020).

Pavarësisht numrit aktual të subjekteve përfituese të grantit, ka patur mjaft diskutime në lidhje me procedurat e institucioneve përgjegjëse, që nga njoftimet dhe deri tek afatet dy-tre ditore për kryerjen e aplikimeve që nuk mjaftuan për qytetarët (pa harruar edhe emigrantët) e grumbulluar nën kërcënimin e pandemisë Covid-19. Madje një numër i madh aplikimesh presin momentin tjetër të rihapjes së sistemit. Vështirësi kishte edhe në sigurimin e ekspertizave të ndërtesave, për plotësimin e dokumentacionit për aplikim.

Përballimi i pasojave të tërmeteve në Kroaci dhe roli i BE-së

Më 29 dhjetor 2020, në orën lokale 12:19, një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.2 goditi Kroacinë, në Petrinja, që u pasua nga shumë pas-goditje. Tërmeti shkaktoi 7 humbje jete dhe shumë të plagosur. Bashkimi për Mbrojtjen Civile u vendos në krye të situatës për përballimin e pasojave. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic ka theksuar ndihmën e madhe nga vende të Europës (si vend anëtar i BE-së) dhe jashtë saj, si dhe përdorimin e fondit prej 683 milion euro nga Fondi Europian i Solidaritetit, për pasojat e tërmetit të marsit 2020 në Zagreb si dhe angazhimin e Presidentit të Komisionit Europian për të ndihmuar edhe për tërmetin e 29 dhjetorit. Ministria e Zhvillimit Rajonal e Fondeve të BE-së do të koordinojë punën për vlerësimin e dëmeve dhe aplikimin për fonde nga Fondi i Solidaritetit (Goverment of Republic of Croatia, 2020). Po ashtu, qeveria kroate aprovoi 120 milionë kuna (Goverment of Republic of Croatia, 2020) dhe shteti do të mbulojë të gjitha kostot e rindërtimit në zonat e prekura në Zagreb, edhe zonat e Sisek-Moslavinës e Karlovacit. Shteti do të mbulojë 60% të kostove të rindërtimit, 20% do të mbulohen nga autoritetet rajonale ose nga shteti, si dhe 20% nga pronarët, apo shteti, që do të vendosë një barrë hipotekore mbi pronat. Aktualisht në zonat e Sisek-Moslavinës ka 36617 aplikime për inspektimin e ndërtesave, janë realizuar 20370 dhe 2575 janë përcaktuar të pabanueshme, e 4212 përkohësisht të pabanueshme, ndërsa në Karlovac 804 ndërtesa të pabanueshme (Goverment of Republic of Croatia, 2020).

 

Konkluzione dhe rekomandime

Nisur nga mënyra në të cilën po realizohet politika e rindërtimit në Shqipëri, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, edhe në qarkun e Durrësit, mund të dilet në përfundimin se ky proces ka qenë relativisht i ngadaltë, me paqartësi dhe me vonesa të cilat kanë ndikuar në jetesën dhe mirëqënien e qytetarëve. Qeveria shqiptare, ashtu si në Kroaci ka marrë rolin kryesor në rindërtim. Megjithë rolin e qeverisë në sigurimin e fondeve dhe të burimeve të tjera, janë hasur një sërë problematikash të lidhura me efiçencën dhe efektivitetin e procesit, si: ekspertizat e ndryshme, afatet kohore, paqartësi dhe mungesë informacioni për subjektet, masat e ndihmës, disbursimin e fondeve për bonuset e qerave apo edhe për përfituesit e granteve, problemet në lidhje me ndërtesat e klasifikuara DS4, etj. Rindërtimi dhe rikthimi në normalitet duhet të përfshinte rregulla të qarta dhe të njohura për qytetarët, më shumë transparencë përsa i përket dëmeve strukturore të konstatuara në ndërtesat e inspektuara, trajtimeve me bonuse qiraje si dhe grantet e rindërtimit, në lidhje me: afatet e aplikimit, kriteret, ekspertizat e thelluara, zonat e reja të zhvillimit dhe të drejtat mbi pronësinë, si dhe lehtësirat apo ndihmat e tjera të parashikuara, nga burime të ndryshme. Për më tepër, ka mjaft paqartësi akoma edhe sot, pas 15 muajsh, në lidhje me rikonstruktimin apo konsiderimin për prishje të detyruar të ndërtesave të klasifikuara DS4, për shkak të diferencave në akt-ekspertizat apo problematika të tjera, duke ndikuar në perceptimet e masave si gjysmake e të pamjaftueshme dhe të lidhura me përfitime elektorale, për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021. Në kushtet kur qeverisja ka rolin kryesor në menaxhimin e pasojave post-fatkeqësi dhe rindërtimin, duhet të kishte koordinim më të mirë mes institucioneve, duke mbështetur aktorët lokalë, bizneset dhe qytetarët, që në një kohë më të shkurtër, ti riktheheshin jetës normale, edhe në situatën e vështirë të përhapjes së pandemisë Covid-19.

Marsida Ismaili, mars, 2021

 

*Dr. Marsida Ismaili është lektore pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, në të cilin zhvillon lëndë të fushës së Shkencave Politike dhe të Administrimit Publik, si: “Politika Buxhetore, “Politika Publike”, “Administrim Publik”, “Hyrje në Shkenca Politike”. Marsida ka përfunduar studimet e doktoraturës në profilin “Administrim publik”, Shkenca Ekonomike, në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës. Gjithashtu, ajo ka përfunduar studimet pasuniversitare në programin Master i Nivelit të Dytë, në “Administrim Publik”, në Fakultetin e Ekonomisë, në Universitetin e Tiranës. Studimet universitare pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, në degën “Shkenca Politike”, në Universitetin e Tiranës, i ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera, duke u vlerësuar me çmimin “Student i Shkëlqyer”. Ajo gjithashtu ka realizuar mjaft publikime dhe është pjesëmarrëse në shumë konferenca kombëtare e ndërkombëtare.

 

Bibliografia

Akt Normativ nr.9, dt. 16.12.2019, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”

Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 878, datë 24.12.2019, “Për përbërjen, organizimin e veprimtarive dhe rregullat e funksionimit të KShR”

Government of the Republic of Croatia - Government approves 120 million HRK aid for areas hit by earthquakes, 30.12.2020

Government of the Republic of Croatia - January 2 declared a national day of mourning, state treasury earthquake relief account opened, 30.12.2020

Government of the Republic of Croatia - Plenkovic says gov't will do its best to help earthquake victims, 30.12.2020

Grantet e Rindërtimit të Banesës, 14/02/2020

Grube, E. Laura, “The rules of game and post-disaster rebuilding and recovery”, në Government Responses to Crises, edts. Haeffele. Stefanie, Storr. Henry Virgil, Mercatus Studies in Political and Social Economy, Palgrave Macmillan, 2020

https://durreslajm.al/aktualitet/nje-vit-nga-termeti-cpo-ndodh-ne-durres-me-rindertimin-sako-6-muaj-do-perfundojne?fbclid=IwAR35e92IYR0Toh75KP_zDpFncpL-2zAU_ejsjoYh0fsEPNkhMri9k5OGsWw

https://reliefweb.int/report/albania/albania-earthquake-revised-emergency-appeal-n-mdral008

https://reliefweb.int/report/turkey/greece-turkey-earthquake-update-gdacs-gscp-afad-echo-daily-flash-06-november-2020

https://reliefweb.int/report/turkey/turkey-55-m-earthquake-dg-echo-media-echo-daily-flash-28-december-2020

https://rindertimi.gov.al/grantet-e-rindertimit/

https://www.durres.gov.al/bashkia/zyra-e-shtypit/1356-fillon-rikonstruksioni-i-ambienteve-teperbashketaper-pallatet-e-demtuara-nga-termeti-kryebashkiakja-sako-inspekton-punimet

Ligj nr.45/ 2019, Për Mbrojtjen Civile, 30.7.2019

Ligj Organik i Buxhetit, nr.57, 02.06.2016

Ligj për Buxhetin e vitit 2020, nr.88, dt. 18.12.2019

Vendimet e Këshillit Bashkiak Durrës, nr. 55, 64, 70, 81, 88, 100, 115, 129, Lista IX, Lista X.

312 Ndjekës
5598 Ndjekës
1932 Ndjekës
18 Abonues