Garancia Rinore Europiane: Mundësitë për të rinjtë në Shqipëri

Garancia Rinore Europiane: Mundësitë për të rinjtë në Shqipëri

Abstrakt

Papunësia strukturore mbetet ndër problemet kryesore në Shqipëri dhe të rinjtë mbeten shtresa më e prekur nga ky fenomen. Problemet kronike nga të cilat vuan tregu i punës ndikojnë në numrin e ulët të të rinjve të angazhuar në tregun e punës, në arsim apo trajnim formal apo joformal, si dhe krijojnë stimuj për emigrim në masë të të rinjve. Ky artikull do të trajtojë implementimin për herë të parë në Shqipëri të Skemës së Garancisë Rinore Europiane, një mekanizëm për të mbështetur të rinjtë që nuk janë në punësim, arsim apo aftësim. Të rinjtë e grupmoshës 15-29 vjeç, të cilët nuk janë të punësuar, apo nuk ndjekin shkollën apo ndonjë formim profesional, përbëjnë 1/4 e të rinjve të vendit. Duke u mbështetur në dy shtyllat kryesore të skemës së GR si, punësimi i të rinjve, arsimi dhe trajnimi e aftësimi, artikulli do të hedhë dritë mbi mënyrën se si implementimi i Skemës së Garancisë Rinore mund të ndikojë në riintegrimin e këtyre të rinjve dhe zbehjen e këtij fenomeni.

*** 

Papunësia kronike dhe “rrjedhja e trurit” në mesin e të rinjve po redukton ndjeshëm kapitalin njerëzor të Shqipërisë, ndërkohë që politikat e programet ekzistuese nuk po arrijnë të zhvillojnë kapitalin njerëzor të atyre që mbeten prapa.  Problemet kronike nga të cilat vuan tregu i punës dhe niveli i ulët i stimujve për të rinjtë në Shqipëri kanë ndikuar në numrin e ulët të të rinjve të angazhuar në tregun e punës, në edukim apo trajnim, si dhe kanë krijuar stimuj për emigrimin nga Shqipëria, duke vënë në pikëpyetje cilësinë, vlefshmërinë dhe përputhshmërinë e sistemit arsimor me tregun e punës në Shqipëri.

Shqetësues mbetet numri i lartë i të rinjve shqiptarë që nuk janë të punësuar dhe as të përfshirë në forma të tjera trajnimi apo edukimi (NEET), pothuajse dyfishi i mesatares së BE-së (të dhënat e vitit 2020 nga Komisioni Europian). Në vitin 2021, të rinjtë e grupmoshës 15-29 vjeç, të cilët nuk ishin të punësuar, nuk ndiqnin shkollën apo trajnime, përbënin 26.1 % të të rinjve në total. Sipas INSTAT (2022) në këtë grup, 37.3 % e të rinjve janë të papunë dhe pjesa tjetër janë jashtë tregut të punës për arsye se janë të dekurajuar(15.4 %), si dhe pjesa e mbetur (47.3 %) për arsye familjare apo të tjera. Papunësia e kombinuar me qasjen e kufizuar në arsim dhe trajnim mund të ketë një efekt të rëndë në terma afatgjatë, duke rritur rrezikun e papunësisë në të ardhmen dhe duke shtyrë të rinjtë drejt varfërisë. Të rinjtë shqiptarë as në punësim, as në arsim apo trajnim (NEET) rrezikojnë të humbin plotësisht lidhjen me tregun e punës, duke kufizuar mundësitë e tyre për të dalë nga varfëria dhe për të kontribuar efektivisht në zhvillimin ekonomik të vendit.

Papunësia e të rinjve dhe mosangazhimi i tyre në edukim apo trajnime profesionale do të vështirësojë situatën ku gjenden të rinjtë, si dhe do të përkeqësojë mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, veçanërisht në sektorë kyç të ekonomisë. Një politikë gjithëpërfshirëse, e ndërlidhur me politikat e punësimit dhe arsimit profesional, integrimin e të rinjve në tregun e punës si dhe e dedikuar për aftësimin e tyre profesional, ka munguar në Shqipëri.

Pikërisht, këtu del në pah rëndësia e Skemës së Garancisë Rinore Europiane, një mekanizëm që synon të mundësojë integrim gjithëpërfshirës të fuqisë së re punëtore, të aftë dhe të përshtatur me kërkesat e tregut të punës.    

 

Çfarë është më konkretisht Skema e Garancisë Rinore Europiane?

Garancia Rinore është një mekanizëm i krijuar për të mbështetur dhe siguruar që të gjithë të rinjtë e moshës 15 deri në 29 vjeç të marrin një ofertë cilësore të punësimit, arsimit të vazhdueshëm, praktikës ose trajnimit profesional brenda një periudhe 4-mujore pasi mbeten të papunë, kanë lënë arsimin formal, apo nuk janë të angazhuar në praktikë/trajnim.

Garancia Rinore është një shtyllë e rëndësishme e Planit Ekonomik dhe Investimeve 2021-2027, e nisur nga Komisioni Europian, Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe Fondacioni Europian i Trajnimeve (ETF), për mbështetjen e Ballkanit Perëndimor dhe institucioneve përgjegjëse në rajon për të shtyrë përpara politikat e punësimit dhe angazhimit të të rinjve.

Garancia Rinore është një politikë e miratuar nga të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së në vitin 2013 në formën e një rekomandimi të Këshillit. Po ashtu, GR është reformë strukturore dhe një sinjal i ambicies së qartë politike nga BE-ja për t'u marrë me papunësinë e të rinjve si pasojë e rëndë e krizës ekonomike të cilës iu nënshtrua BE në gjysmën e parë të vitit 2010, dhe për të arritur përmirësim të qëndrueshëm për një afat më të gjatë.


GR është një e drejtë e përfshirë në Shtyllën Europiane të të Drejtave Sociale, e shpallur nga BE në samitin e Gothenburg-ut në nëntor 2018. Shtylla e të Drejtave Sociale konfirmon Garancinë e Rinisë si një element thelbësor të Modelit Social Europian, për tu respektuar edhe në procesin e integrimit europian për vitet në vijim.[1]

 

Cilët janë aktorët e përfshirë?

GR është një skemë që përfshin një numër aktorësh në sektorët publikë, privatë dhe jofitimprurës, duke përfshirë ministritë qeveritare, shërbimet publike të punësimit, shkollat dhe ofruesit e trajnimeve, bashkitë, bizneset dhe shoqatat e tyre, sindikatat, organizatat rinore dhe OJQ të tjera.

GR parashikon një sërë masash dhe ndërhyrjesh të koordinuara – duke përfshirë trajnimin, këshillimin për kërkimin e punës, grantet e praktikës ose edukimit, subvencionet e rekrutimit ose mbështetjen e sipërmarrjes – që synojnë të rrisin aftësinë e të rinjve për punë (ofertën e punës), të forcojnë kërkesën e punëdhënësve për punën e tyre si dhe të përmirësojnë procesin e përputhjes së të rinjve me mundësitë e disponueshme.

Bazuar në objektivin e përgjithshëm dhe masat e saj, skema e Garancisë Rinore ka dy karakteristika atipike që e dallojnë atë nga politikat e tjera aktive të punësimit. I pari është koncepti i "garancisë" – pra, angazhimi i shteteve për t'u ofruar të rinjve të papunë një mundësi pune ose trajnimi. Në të vërtetë, sipas këtij programi, shtetet dhe institucionet e tyre angazhohen të mobilizojnë të gjitha burimet në dispozicion për të siguruar që asnjë i ri i papunë të mos mbetet pas. Si pjesë e Iniciativës për Punësimin e të Rinjve, shtetet anëtare të BE-së dhe vendet në proces të anëtarësimit, me shkallë të lartë të papunësisë për të rinjtë marrin mbështetje financiare nga fondet e BE-së në mënyrë që të mund të financojnë zbatimin e Garancisë Rinore.[2]

Sa i takon pjesës së financimit të Skemës së Garancisë Rinore, në rastin e Shqipërisë, Bashkimi Europian do të japë dhe sponsorizojë në formën e financimit rreth 85% të buxhetit të GR, dhe shteti shqiptar do të plotësojë me rreth 15% pjesën e mbetur të saj. 

Implementimi i suksesshëm i Skemës së Garancisë Rinore, mund të sjellë një ndryshim domethënës në numrin e të rinjve shqiptarë që janë jashtë tregut të punës dhe edukimit formal apo joformal. Skema e Garancisë Rinore ka provuar të jetë e suksesshme në disa nga vendet e Bashkimit Europian, ndërkohë që vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë, janë zotuar të hartojnë dhe miratojnë planet e zbatimit të Garancisë Rinore.

Shembulli më i afërt i suksesit që ka pasur implementimi i Garancisë Rinore vjen nga Maqedonia e Veriut, vendi i parë i rajonit që ka implementuar Skemën prej vitit 2018 dhe ka njohur sukses në uljen e papunësisë afatgjatë të të rinjve me 8.9% ndërmjet viteve 2017 dhe 2019. Pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit Perëndimor përfshirë Shqipërinë, janë në hapat e parë të implementimit dhe ngritjes së mekanizmave institucionalë të nevojshëm për implementimin e Skemës së Garancisë Rinore.

Një prej faktorëve kryesorë që ka ndikuar në suksesin që ka pasur Skema e Garancisë Rinore në Maqedoninë e Veriut ka qenë përfshirja e strukturave rinore në fazat e para të hartimit dhe po ashtu gjatë implementimit. Shqipëria po ndjek shembullin pozitiv të Maqedonisë së Veriut kur bëhet fjalë për përfshirjen e një game të gjerë të aktorëve të përfshirë në proces gjatë konsultimeve të para me shoqërinë civile. Duhet të mbahet në konsideratë përfshirja dhe pjesëmarrja aktive e të rinjve si në hartimin ashtu edhe në implementimin e skemës si një nga ‘përbërësit’ kyç për të pasur rezultate nga implementimi i skemës “Garancia Rinore”.

Andaj, është thelbësore që institucionet të sigurohen që të rinjtë dhe organizatat rinore të angazhuara në punën me të rinjtë dhe në shoqërinë civile të kenë një vend në tryezë gjatë gjithë procesit për të shtyrë përpara implementimin e Garancisë Rinore.

 

Çfarë pritet të sjellë konkretisht Skema e Garancisë Rinore për të rinjtë?

Tranzicioni i të rinjve nga arsimi në tregun e punës në vitet e fundit është kthyer në një problem shqetësues, ndaj Garancia Rinore mund të bëjë ndryshimin, duke siguruar një ofertë të mirë cilësore punësimi, trajnimi/praktike ose edukimi për të gjithë të rinjtë.

Programi Operacional i Garancisë Rinore është i organizuar në dy fusha kryesore të mbështetjes për të rinjtë. Fusha e parë e mbështetjes është “Punësimi i të Rinjve” dhe fusha e dytë e mbështetjes është “Arsimi dhe trajnimi i të rinjve”. Një tjetër formë e mbështetjes vjen në formën e asistencës teknike për institucionet e vendit që përfshin aktivitete që lidhen me mbështetjen e Autoritetit Menaxhues të Skemës, si dhe zbatimin dhe përafrimin me Acquis e BE.

Nëse do të analizojmë mënyrën se si GR do të zhvillohet në fushat e saj të mbështetjes mund të konstatojmë se GR implementohet përmes asistencës direkte për të rinjtë e grupmoshës 16-29 vjeç duke i ndërmjetësuar ata në punësim apo trajnim, fuqizimit të kapaciteteve institucionale, si dhe përmes dhënies së granteve për organizatat e shoqërisë civile që kanë qasje tek të rinjtë dhe mund të mundësojnë ofrimin e shërbimeve për ta.

Garancia Rinore është një nga politikat më inovative të tregut të punës në dekadat e fundit dhe ka marrë mbështetje të fortë nga të gjithë aktorët, përfshirë qeveritë, partnerë në fushën e sipërmarrjes dhe shoqërinë civile.  Për tu implementuar me sukses, Garancia Rinore nuk është thjesht përshtatje ndaj politikave aktive të tregut të punës, por zbatimi i duhur i saj shpesh kërkon reformimin e sistemeve të formimit profesional, sistemeve arsimore dhe shërbimeve publike të punësimit.[3]

 

Dimensioni i parë i mbështetjes “Punësimi i të rinjve”

Në dimensionin e parë të mbështetjes atë të “Punësimit të të rinjve”, disa prej rezultateve kryesore që pritet të sjellë Garancia Rinore janë përmirësimi i funksionimit dhe efektivitetit të sistemit të identifikimit të të rinjve jo në arsim, punësim ose trajnim (NEET), si dhe rritja dhe përmirësimi i bashkëpunimit ndërmjet aktorëve kryesorë me qëllim riintegrimin e tyre në punësim, arsim apo trajnim.

Fillimisht, Skema e GR do të mundësojë zgjerimin e portofolit të ofertës në programet e nxitjes së punësimit në partneritet me punëdhënësit. Gjithashtu, Garancia Rinore do të mundësojë zhvillimin dhe përshtatjen e programeve për nxitjen e punësimit dhe trajnimit siç janë programet specifike që mbështesin punësimin, programe që ofrojnë arsim të mesëm profesional, pas atij të mesëm dhe arsim me kohë të pjesshme dhe programe për trajnim të vazhduar dhe praktika profesionale për zhvillimin e aftësive bazë dhe atyre profesionale.

Për më tepër, Skema do të synojë përmirësimin e shërbimeve dhe programeve të Shërbimit Publik të Punësimit për të arritur një mbulim më të mirë të nevojave të të rinjve NEET, si dhe për të lehtësuar pjesëmarrjen në tregun e punës për ta. Gjithashtu, përmes Skemës së Garancisë Rinore do të zhvillohen instrumente të reja regjistrimi në portalin e AKPA-s (Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive).

Përmes mekanizmit të Garancisë Rinore do të mundësohet transformimi i Zyrave të punësimit në mjedise më miqësore për të rinjtë, ku të rinjtë NEET ndërgjegjësohen, regjistrohen dhe marrin shërbime punësimi, këshillimi, orientimi, ndërmjetësimi, aftësi të buta dhe do të përgatiten për t’u integruar në tregun e punës,

 

Dimensioni i dytë i mbështetjes “Arsimimi dhe trajnimi i të rinjve”

Në dimensionin e dytë të mbështetjes, atë të “Arsimimit dhe trajnimit të të rinjve”, rezultatet kryesore që pritet të sjellë Skema, lidhen me gjenerimin e një oferte më të gjerë dhe të larmishme nga Agjencia e Formimit Profesional (AFP) për të rinjtë NEET.

Skema e GR do të mundësojë përditësimin dhe zgjerimin e gamës së kurseve të trajnimit profesional për zhvillimin e aftësive të gjelbra (green skills) dhe dixhitale në sektorët ekonomikë prioritarë si turizmi, bujqësia, TIK, në bashkëpunim të ngushtë me ofruesit publike dhe privatë të AFP-së

Për më tepër, Garancia Rinore pritet të sjellë një përditësim të programeve ekzistuese të arsimit profesional në përgjigje ndaj kërkesave në sektorët ekonomikë prioritarë, në partneritet me sektorin privat, si dhe do të mundësojë rritjen e ndërgjegjësimit të nxënësve, prindërve, punëdhënësve mbi rëndësinë e arsimit profesional.

Përpos trajnimeve të ofruara për NEET me kontributin e ofruesve publikë dhe privatë të AFP-së, Skema do të mundësojë zhvillimin e një kuadri të konsoliduar të orientimit dhe këshillimit në karrierë, me kapacitete të përmirësuara të profesionistëve dhe një sistem të përforcuar të shërbimit të këshillimit në karrierë brenda institucioneve arsimore.

Në hapat e para të implementimit të Skemës së Garancisë Rinore do të ngrihet një sistem monitorimi për braktisjen e hershme të shkollës. Skema do të targetojë studentët në rrezik të braktisjes së arsimit, ku përpos ofrimit të programeve mësimore që synojnë të ndihmojnë këta të rinj, do të synohet zgjerimi i Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm për të parandaluar braktisjen e arsimit nga të rinjtë.

Gjithashtu, Skema e GR do të mundësojë ofrimin e bursave të veçanta të studimit për nxënës nga grupet vulnerabël, një aspekt i rëndësishëm i skemës që do të synojë të targetojë nëngrupet më të pafavorizuara të NEET.

 

Rekomandime

Këto rekomandime janë të rëndësishme për të adresuar sfidat e punësimit dhe trajnimit të të rinjve në Shqipëri dhe për të përmirësuar përgjegjësinë e institucioneve në këtë fushë dhe për të shtyrë përpara zbatimin e Garancisë Rinore në Shqipëri.

Investime në Politikat Aktive të Tregut të Punës: Qeveria duhet të përqendrohet në rritjen e investimeve në politikat aktive të tregut të punës për të mbështetur të rinjtë që nuk janë në punë, shkollim ose aftësim profesional. Kjo përfshin zhvillimin e programeve të trajnimit, programet e mentorimit dhe krijimin e mundësive për vetëpunësim, aspekte këto, thelbësore të Garancisë Rinore.

Regjistrimi i të Rinjve të Papunësuar: Është e rëndësishme që institucionet të krijojnë një regjistër të të rinjve të papunësuar dhe të jenë në dijeni të situatës së tyre. Kjo do të ndihmojë në identifikimin e nevojave të tyre dhe në hartimin e politikave specifike për ti mbështetur ata. Implementimi i suksesshëm i GR do të kërkojë një numër të saktë të të rinjve të papërfshirë në punësim, shkollim apo aftësim profesional.

Përmirësimi i Arsimit Profesional: Investimet në arsimin profesional duhet të intensifikohen. Kjo përfshin rritjen e resurseve për shkollat profesionale dhe bashkëpunimin me sektorin privat për të siguruar që shkollat të ofrojnë kurse dhe trajnime të përshtatshme për tregun e punës.

Përfshirja e të Rinjve dhe Organizatave Rinore: Të rinjtë dhe organizatat rinore duhet të jenë pjesë aktive në hartimin dhe implementimin e politikave të punësimit dhe trajnimit që vijnë si pjesë e procesit të implementimit të GR. Kjo përfshin konsultimin e tyre në proceset vendimmarrëse dhe krijimin e mundësive për përfshirje aktive në këto programe.

Monitorimi dhe Vlerësimi i Efektivitetit: Është e rëndësishme që të monitorohet dhe vlerësohet efektiviteti i ndërhyrjeve që do të ndërmerren në kuadër të implementimit të GR. Kjo do të ndihmojë në identifikimin e suksesit dhe nevojave për përmirësim.

Implementimi i suksesshëm i këtyre rekomandimeve do të kërkojë bashkëpunim të ngushtë midis qeverisë, sektorit privat, organizatave të shoqërisë civile dhe të rinjve vetë.

 

Renis Meta, tetor 2023

*Renisi ka një histori të gjatë të kontributit dhe angazhimit të tij në shoqërinë civile dhe eksperienca e tij ndërlidhet me kontributin në advokimin e çështjeve të të rinjve dhe në jetën akademike. Aktualisht, Renisi punon si pedagog me kohë të pjesshme në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave Sociale dhe është i angazhuar në sektorin e shoqërisë civile. Fushat e tij të interesit përfshijnë politikat sociale, politikat e orientuara drejt të rinjve, të drejtat e njeriut, si dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor.

 

 

Referenca

 

INSTAT. (2023). Anketa Tremujore e Forcave të Punës.
Aksesuar në:
https://www.instat.gov.al/media/11736/anketa-tremujore-e-forcave-t%C3%AB-pun%C3%ABs-t1-2023.pdf

Connecting Youth. (2022). Youth Guarantee Deployment in the WB6. Institutional set-up and a perspective from youth organizations.
Aksesuar në:
https://www.vijecemladih.ba/wp-content/uploads/2022/06/YouthGuarantee-Deployment-in-the-WB6.pdf

Regional Cooperation Council (RCC). (2021). Youth Guarantee in Western Balkans.
Aksesuar në:
https://www.rcc.int/docs/575/leaflet-youth-guarantee-in-westernbalkans

INSTAT. (2022). Tregu i punës.
Aksesuar në:
http://www.instat.gov.al/al/publikime/librat/2022/tregu-ipun%C3%ABs-2021/

OECD. (2022). LABOUR MIGRATION IN THE WESTERN BALKANS: MAPPING PATTERNS, ADDRESSING CHALLENGES AND REAPING BENEFITS.
Aksesuar në:
https://www.oecd.org/south-east-europe/programme/LabourMigration-report.pdf

European Training Foundation. (2021). Youth Disengagement and Skills Mismatch in the Wetern Balkans. Aksesuar në: https://www.etf.europa.eu/sites/default/files/2021- 11/02_youth_western_balkans_final.pdf 

Faqja Online e Agjensisë Telegrafike Shqiptare.

Aksesuar në:. https://ata.gov.al/2022/11/01/ibrahimajskema-e-garancise-rinore-integrim-ne-tregun-e-punes/

Faqja zyrtare online e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Aksesuar në: https://financa.gov.al/denaj-netakimin-e-ministrave-te-ballkanit-te-krijojme-nje-treg-pune-te-qendrueshem-dhegjitheperfshires/

European Commission. (2022). Albania 2022 Report. Aksesuar në: https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/albaniareport-2022_en

European Commission. (2022). 2022 Economic Reform Programmes of Albania, Montenegro, North Macedonia, Serbia, Turkey, Bosnia and Herzegovina and Kosovo*. The Commission’s Overview & Country Assessments.

Aksesuar në: https://ec.europa.eu/info/sites/default/files/economyfinance/ip180_en_0.pdf

Escudero.V & and Mourelo. E. L . (2015). The Youth Guarantee programme in Europe: Features, implementation and challenges. Faqe 1. Aksesuar në:https://www.ilo.org/global/research/publications/WCMS_393024/lang--en/index.htm

Andor.L & Veselý.L. The EU’s Youth Guarantee: a broadly accepted reform in need of full implementation. Aksesuar në: https://www.researchgate.net/publication/322739014_The_EU's_Youth_Guarantee_a_broadly_accepted_reform_in_need_of_full_implementation


[1] Andor.L & Veselý.L. The EU’s Youth Guarantee: a broadly accepted reform in need of full implementation.

[2] Escudero.V & and Mourelo. E. L . (2015). The Youth Guarantee programme in Europe: Features, implementation and challenges.

[3] Escudero.V & and Mourelo. E. L . (2015). The Youth Guarantee programme in Europe: Features, implementation and challenges. Faqe 1.

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk