Pasojat ekonomike të luftës në Ukrainë dhe ndikimi në axhendën e integrimit të Shqipërisë në BE

Pasojat ekonomike të luftës në Ukrainë dhe ndikimi në axhendën e integrimit të Shqipërisë në BE

Hyrje

Vendimi i marrë prej vendit tonë për të qenë pjesë e familjes europiane, na obligon të përmbushim një mori detyrimesh të cilat janë të materializuara në një tërësi normash, rregullash ligjesh dhe konventash ndërkombëtare, dhe që duhen përafruar rigorozisht me legjislacionin europian. Duke parë zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe duke mbajtur në konsideratë objektivin e saj drejt integrimit, mund të themi se ka ende pengesa të qenësishme deri në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian.

Por pavarësisht këtyre pengesave të Shqipërisë në përmbushjen e kësaj axhende i shtohen së fundmi dhe pasojat e gjendjes së luftës në Ukrainë.

Shqipëria, si pjesë strategjike e Ballkanit Perëndimor nuk është e imunizuar nga influencat e ngjarjeve që ndodhin brenda ose përreth këtij rajoni, përkundrazi, çdo fenomen shtrin ndikimet e tij drejtpërsëdrejti dhe në zhvillimet brenda vendit tonë. Po ashtu është faktike se vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë të pashmangshme ndikohen nga ndryshimet e përsëritura të pushtetit dhe konkurrencës midis dy fronteve, atij të Perëndimit dhe Lindjes.

Lufta që aktualisht po vazhdon midis Rusisë dhe Ukrainës konsiderohet absolutisht si rrezik dhe cenim i rendit juridik europian, por që shtrin efektet e saj akoma dhe më gjerë. Si pasojë e saj, ndryshime të rëndësishme,kryesisht të theksuara në aspektin ekonomik janë bërë prezente këto kohë dhe në vendin tonë.

Por duke patur parasysh progresin dhe aspiratën për të arritur anëtarësimin e shumëdëshiruar në Bashkimin Europian, cilat janë efektet që sjellin për Shqipërinë, në axhendën e saj të integrimit pasojat e gjendjes së Luftës në Ukrainë?


Pasojat kryesore globale të gjendjes së luftës

Efektet goditëse të krizës në luftën e nisur ndaj Ukrainës, duket se do të jenë gjithçka tjetër, përveçse kalimtare. Konflikti dramatik në Ukrainë, tani po rëndon negativisht  kushtet e tregut ekonomik global duke e bërë pasigurinë më të madhe për çdo vend.

Para luftës, Ukraina ishte shporta e bukës në botë duke eksportuar 4.5 milionë ton prodhime bujqësore në muaj përmes porteve të saj: 12% të grurit të planetit, 15% të misrit dhe gjysmës së vajit të lulediellit (Evropaelirë). Çmimet e grurit kanë arritur në nivelet më të larta që nga mesi i vitit 2008, ndërsa tregjet u përpoqën të vlerësonin pasojat në furnizimet me drithëra nga konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës, dy nga eksportuesit më të mëdhenj në botë.

Pesha e Ukrainës në furnizimin me ushqime të Europës është shumë e lartë. Për këtë arsye, zgjatja e konfliktit po sjell vështirësi në tregjet europiane, dhe po sjell ndikim të drejtpërdrejt tek konsumatori me rritjen e çmimeve të artikujve bazë të shportës. Po ashtu, një rritje e çmimeve globale të naftës po bën që familjet dhe bizneset të përjetojnë një situatë të rënduar ekonomike, duke i çuar ato në uljen e shpenzimeve.

SHBA-ve dhe shumë ekonomive të tjera të përparuara botërore po u mbarojnë “municionet” fiskale, pasi kanë zbatuar të gjitha ndalesat në përgjigje të pandemisë COVID-19. Qeveritë kanë grumbulluar deficite gjithnjë e më të paqëndrueshme dhe shërbimi i këtyre borxheve do të bëhet shumë më i shtrenjtë në një mjedis me norma interesi më të larta (Atlax)


Situata aktuale në Shqipëri

Ekonomia e Shqipërisë po pëson sulme nga situata e agresionit rus kundër Ukrainës. Shqipëria ka varësi të lartë nga importi i lëndëve jetike, si drithërat dhe nafta nga Rusia. Nga Rusia dhe Ukraina, Shqipëria importon 50% të sasisë vjetore të drithërave dhe vetëm nga Rusia, 12% të naftës. Në vitin 2021, vendi ynë importoi 12% të sasisë të naftës nga Rusia. Në vitin 2021, importet e lëndëve djegëse dhe mineraleve (nafta, gazi) arritën në rreth 1 milion tonë, por gati 70% e sasisë dominohet nga nafta (Monitor)Shqipëria, së fundmi, shkatërroi dhe të vetmen rafineri të përpunimit të naftës në vend, e cila më gjithë problematikën që kishte mund të amortizonte deri diku gjendjen akute.

Duke qenë se jemi në prag sezoni turistik, një nga sektorët që preket nga situata e luftës është turizmi. Ky sektor po ndjen peshën e mungesës së turistëve nga Ukraina dhe Rusia. Sipas të dhënave të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, turistët nga Ukraina përbënin vitin e kaluar 22% dhe kanë qenë grupi i dytë më i madh pas polakëve (DW,2022) Vazhdimi i luftës në Ukrainë mendohet të këtë pasoja në të gjithë tregjet turistike të Shqipërisë. Anulimi i prenotimeve, dhe mungesa e të ardhurave nga strukturat akomoduese të hotelerisë do të kenë pasoja negative në ekonominë shqiptare.


Axhenda e procesit të integrimit të Shqipërisë: Si po ndikon gjendja e luftës?

Komisioni Europian publikoi në tetor të vitit të kaluar Raportin për Shqipërinë, ku konfirmoi ecurinë e qëndrueshme dhe përmbushjen e detyrave të procesit të anëtarësimit. Vendi ynë ka treguar angazhim ndaj reformave dhe ka arritur rezultate të prekshme në disa fusha kryesore. Por janë ende sërish disa fusha thelbësore si: lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në administratën publike, drejtësia dhe liria e shprehjes ku Shqipërisë i nevojitet ende punë për të arritur rezultate bindëse (European Comission, 2021) Kohët e fundit në procesin e reformave drejt integrimit po vihet re dhe ndikimi i efekteve që po sjell lufta në Ukrainë.

Siҫ dihet, rritja ekonomike është një nga faktorët që duhet dhënë përparësi pasi është kyç në demonstrimin e aftësisë së një vendi për të përballuar konkurrencën europiane. Raporti 2021 i Komisionit Europian konstaton që Shqipëria ka bërë progres dhe është "pak a shumë"e përgatitur për zhvillimin e një ekonomie funksionale tregu. Por, duke marrë në konsideratë efektet që po sjell trysnia e gjendjes së luftës: siç janë ulja e volumit tregtar dhe situata e pasigurt që po krijohet në klimën e investimeve, kjo po ndikon aktualisht në mënyrë negative tek treguesit e rritjes ekonomike të vendit tonë.

Sipas deklaratës së ekipit të FMN në Shqipëri gjatë vizitës së tyre gjatë muajit qershor, ekonomia e Shqipërisë po përballet me presionet që vijnë si pasojë e luftës në Ukrainë, përmes rritjes së menjëhershme të çmimeve dhe shtrëngimit të mëtejshëm të kushteve financiare globale. Sipas tyre, sektori publik do të përballet me kosto më të larta të financimit të huaj për një kohë të gjatë.Rritja e theksuar e çmimit të energjisë dhe ushqimeve si edhe rritja e kostove të financimit të jashtëm për shkak të luftës në Ukrainë, përfaqësojnë goditjen e tretë për ekonominë e Shqipërisë në vitet e fundit.

Gjithashtu rritja e çmimeve të produkteve po bën që të kemi një rritje të shkallës së informalitetit kohët e fundit, gjë e cila ka rezultat të drejtpërdrejt në ekonomi dhe nivelin e konkurrueshmërisë së Shqipërisë. Rrjedhimisht ky fakt bie në kundërshtim me reformat ekonomike që janë pjesë e procesit të integrimit dhe ndalon përparimin në këtë fushë duke i bërë hapat më të ngadaltë drejt integrimit.

Nga trysnia e vazhdueshme e gjendjes së luftës, pritet që inflacioni të mbetet në nivele të larta edhe përgjatë muajve në vijim nxitur kjo dhe nga çmimet e importit. Duke pasur parasysh objektivat tona europiane duhet të jetë prioritet marrja e masave për ta mbajtur nën kontroll këtë situatë si dhe nevojitet po ashtu rritje e mëtejshme e normës bazë të interesit.

Shqipëria, e ndodhur në këto rrethana gjeopolitike dhe nën efektet e kësaj situate  duhet të vijojë me thellimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve të vendosura nga Bashkimi Europian.


Rekomandime dhe sugjerime

Lidhur me gjendjen aktuale të kësaj krize në Shqipëri, disa nga rekomandimet dhe sugjerimet që mund të merren në konsideratë për përballimin e kësaj situate janë:

*Sa i përket shtrenjtimit të mëtejshëm të çmimit të bukës duhet të konsiderohet në këtë moment marrja e masave mbështetëse shtetërore. Një ndër to mund të ishte ulja e tatimit mbi vlerën e shtuar të miellit dhe bukës të paktën për këtë periudhë kur çmimi i grurit është në nivele të larta,

*Çmimi i naftës për fabrikat e miellit dhe furrat e bukës të subvencionohet nga shteti dhe tarifa e energjisë elektrike për fabrikat e prodhimit të miellit dhe furrave të bukës të mbetet e pandryshuar.

*Është e nevojshme të jepet më shumë mbështetje  e orientuar për shtresat në nevojë dhe për ata që janë më të ekspozuar ndaj rritjes çmimeve për t’i mbrojtur nga inflacioni.

*Politika monetare e vendit duhet të reformohet në kohë, për të frenuar trysnitë inflacioniste dhe për të orientuar sërish pritshmëritë për inflacionin brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë dhe duke iu përshtatur standardeve europiane.


Si përfundim, gjendja e luftës në Ukrainë po rrit pasigurinë në nivele të paprecedenta, kështu që është e udhës që prioriteti i vendit tonë të jetë mbrojtja e funksionimit të tregut dhe ruajtja e besimit te sektori financiar. Që ekonomia shqiptare të mund t’i shmangë këto rreziqe dhe të ecë në një rrugë të qëndrueshme, një rol thelbësor ka dhe politika dhe reagimi i saj. Në një situatë të tillë, çdo masë e gabuar e politikës mund ta shtyjë ekonominë në rrugën e gabuar dhe të rrezikojë atë që kemi arritur deri tanidhe kjo më pas mund të  çojë në hapa pas të procesit të integrimit në BE.

Herlina Muça, qershor 2022


Herlina Muça ka studiuar Drejtësi në Universitetin e Tiranës dhe ka përfunduar Masterin Shkencor në të Drejtë Publike pranë po të njëjtit fakultet. Ajo ushton profesionin si juriste në fushën e prokurimeve publike pranë një kompanie private në Tiranë. Interesat e saj përfshijnë punën kërkimore me fokus tematikat e drejtësisë, integrimit europian, shtetit të së drejtës dhe formave të demokracisë.



Referenca:

https:// www.evropaelirë.org Kriza globale ushqimore

https://atlax.al  Efektet ekonomike të luftës në Ukrainë: Rrathët e ndikimit drejt Shqipërisë dhe botës

https://www.monitor.al  Lufta Rusi-Ukrainë 4 frontet ku goditet ekonomia shqiptare

http://www.dw.comLufta në Ukrainë dhe efekti i mundshëm në ekonomi DW | 06.03.2022

Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë 2021 versioni përfundimtar Strasbourg 19.10.2021 

Press release PR22/161: Ekipi i FMN-së përmbyll vizitën në Shqipëri faqe 1

 

 

 

 


667Ndjekës
5968Ndjekës
1982Ndjekës
23Abonues
Ambassade_Niva2_Engelsk
PA_logo