Shqipëria po përballet me një krizë të thellë të largimit të popullsisë në moshë të re, e cila duket se ka arritur përmasa alarmante vitet e fundit. Rezultatet e fundit nga Censi tregojnë një rënie dramatike të numrit të popullsisë, duke reflektuar një trend të vazhdueshëm të largimit të popullsisë.
Që nga rënia e komunizmit në fillim të viteve 1990, Shqipëria ka përjetuar një eksod masiv të popullsisë. Ky trend ka vazhduar duke marrë përmasa dhe trajta të ndryshme deri më sot, duke reflektuar tranzicionin e gjatë që Shqipëria ka kaluar gjatë këtyre dekadave. Emigrimi në masë i shqiptarëve ka vazhduar të gërryejë bazën demografike të vendit, duke krijuar sfida të mëdha për për një zhvillim të qëndrueshëm.
Të dhënat e fundit nga Censi (INSTAT, 2024, fq. 7) treguan se popullsia në vend ka pësuar një rënie prej 420 mijë personash krahasuar me censin e vitit 2011. Kjo ulje dramatike e popullsisë reflekton një trend të vazhdueshëm emigracioni që filloi në vitin 1990, kur vendi po kalonte ndryshime të mëdha politike dhe ekonomike. Ndërmjet viteve 2001-2011, rreth 500 mijë individë emigruan nga vendi, një mesatare prej 50 mijë personash në vit, dhe ky trend ka mbetur i pandryshuar (INSTAT, 2024, fq. 16). Të dhënat nga studime të ndryshme pasqyrojnë një fenomen shqetësues të “rrjedhjes së trurit”, i cili po dëmton perspektivat e zhvillimit të Shqipërisë. Rezultatet e Censit 2023 e konfirmojnë këtë realitet të hidhur, duke treguar se masat e marra deri më tani nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndaluar këtë eksod të vazhdueshëm (WFD & IDI, 2021, fq. 7).
Studiuesi Russell King (2005), në një nga artikujt e tij vite më parë, e konsideronte Shqipërinë si një laborator ideal për të studiuar fenomenin e emigrimit. Thuajse dy dekada më pas, duket se ky konstatim është më aktual se kurrë. Në ditët e sotme, referuar shifrave, fatkeqësisht Shqipëria vazhdon të mbetet hapësira sui generis ideale për të studiuar fenomenin e emigrimit, veçanërisht në moshat e reja.
Përmasat e largimit të të rinjve në formën e Braindrain (largimit të trurit)
Historikisht, emigrimi në Shqipëri është karakterizuar nga informaliteti dhe ka prekur kryesisht popullsinë me nivel të ulët arsimimi. Megjithatë, në vitet e fundit, ky fenomen ka evoluar në një trajtë më komplekse dhe shqetësuese.
Raporti i fundit i publikuar nga Vienna Institute for International Economic Studies (2021) ka ofruar një pasqyrë të thelluar mbi përmasat e këtij fenomeni përgjatë periudhës 2011-2019 në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor. Të dhënat tregojnë se në Shqipëri, emigracioni neto prek të gjitha grup-moshat, por veçanërisht të rinjtë, të cilët kanë një prirje më të lartë për të lënë vendin. Ndryshe nga rajoni, ku emigracioni është më i përhapur tek ata me arsim të mesëm dhe të ulët, në Shqipëri është më i lartë tek individët me arsim të lartë dhe kualifikim profesional të mesëm dhe të lartë, duke dëshmuar një rrjedhje të konsiderueshme të trurit (f.10).
Sipas raportit, Shqipëria ka pasur një emigrim të konsiderueshëm neto të personave me arsim të lartë, të vlerësuar në rreth 40,700 persona (f.38). Ky fenomen është veçanërisht i theksuar tek grup-mosha 20-24 vjeç, dhe deri në 29 vjeç, të cilët kanë përfunduar arsimin e lartë në Shqipëri. Gjithashtu, rrjedhja e trurit është e dukshme edhe midis individëve në të 30-at deri në fillim të të 40-tave (f.38).
Për më tepër, emigrimi i të rinjve është rritur në përmasa të konsiderueshme, duke u bërë një problem serioz për zhvillimin e vendit. Sipas të dhënave nga INSTAT (2020, fq. 23), ky fenomen është veçanërisht i dukshëm në mesin e të rinjve, duke reflektuar një hemorragji të vazhdueshme të potencialit dhe energjisë rinore.
Largimi në masë i shqiptarëve vazhdon të luajë një rol shumë të rëndësishëm në dinamikën e popullsisë, ku sipas INSTAT (2020), emigracioni përfshin një popullsi relativisht të re dhe në moshë pune, trend që vihet re për të dy gjinitë (f.25). Bazuar në flukset dalëse të popullsisë, ashtu sikurse projeksionet e popullsisë sugjerojnë, popullsia e Shqipërisë po shkon drejt procesit të plakjes, si pasojë e uljes së lindshmërisë dhe rritjes së jetëgjatësisë dhe për më tepër emigracionit, i cili vazhdon të mbetet veprues dhe që përfshin një popullsi relativisht të re (f.23, 24).
Shqipëria po përballet me një sfidë të madhe në mbajtjen e të rinjve dhe individëve të arsimuar dhe të kualifikuar brenda vendit. Largimi masiv drejt vendeve të tjera e rendit Shqipërinë ndër vendet me nivelin më të lartë të emigracionit në rajon dhe më gjerë (Gëdeshi.I., 2021, f.45).
Lokomotiva e zhvillimit ekonomik dhe social, pjesa më e mirë e kapitalit njerëzor, e cila po ikën në ritme të larta, mbart një ndikim të madh në kapacitetin prodhues në nivel kombëtar dhe vendor, duke sjellë kështu një tkurrje në aktivitetin dhe efektivitetin prodhues të vendit.
Trendi i Largimit të Grave dhe Vajzave
Historikisht, emigrimi nga Shqipëria ka qenë kryesisht i dominuar nga burrat dhe djemtë, të cilët kanë qenë më të gatshëm për të lënë vendin në krahasim me gratë dhe vajzat (INSTAT & IOM, 2014, f.58). Fenomeni i largimit të trurit (braindrain) ka nxjerrë në pah një ndryshim të rëndësishëm dhe shqetësues: tani edhe gratë dhe vajzat me arsim të lartë dhe të kualifikuar po tregojnë tendenca të forta për të emigruar. Sipas studimeve, kjo prirje është veçanërisht e theksuar në fushat e mjekësisë dhe infermierisë (Gjypi, 2018, f.68).
Largimi i grave dhe vajzave të arsimuara dhe të kualifikuara është një fenomen shqetësues që reflekton një ndryshim të thellë në peizazhin e emigracionit shqiptar. Ndërsa burrat dhe djemtë kanë qenë tradicionalisht më të prirur për të kërkuar mundësi jashtë vendit, tashmë shohim një rritje të ndjeshme të largimit të grave dhe vajzave nga sektori akademik dhe profesional.
Përveç kësaj, largimi i trurit është më i theksuar në mesin e të porsa diplomuarve nga universitetet (Leitner, 2021). Ky fenomen nuk ndikon vetëm në humbjen e kapitalit njerëzor, por gjithashtu përbën një barrë të rëndë socio-ekonomike për Shqipërinë në periudhën afatgjatë. Të rinjtë që studiojnë në fusha të tilla si mjekësia, infermieria, informatika dhe inxhinieria kanë një tendencë më të lartë për të emigruar (Gjypi, 2018, f.68, 69; King & Gëdeshi, 2020, f.66, 67).
Faktorët shtytës: Largimi i të rinjve rrjedhë e kontekstit ekonomik dhe socio-politik
Largimi i të rinjve dhe elitës intelektuale nga Shqipëria është një fenomen kompleks, thellësisht i lidhur me sfidat ekonomike, sociale dhe politike të vendit. Faktorët kryesorë që nxisin këtë largim në masë të të rinjve të arsimuar përfshijnë papunësinë e lartë, pagat e ulëta dhe varfërinë, së bashku me mungesat në mbrojtjen sociale. Studimi kombëtar "Rinia Shqiptare 2018-2019" zbulon se rreth 40 përqind e të rinjve shqiptarë dëshirojnë të jetojnë jashtë vendit, kryesisht për mundësi më të mira jetese dhe punësimi, ndërsa arsimi mbetet një motiv dytësor. Korrupsioni, nepotizmi dhe mungesa e meritokracisë janë pengesa të mëdha që shtyjnë të rinjtë drejt emigrimit, duke thelluar zhgënjimin dhe frustrimin e tyre (FES, 2019).
Papunësia e të diplomuarve dhe sfidat për të avancuar në karrierë për shkak të korrupsionit dhe nepotizmit janë probleme kritike që përkeqësojnë situatën. Kultura e lartë e tolerancës ndaj korrupsionit dhe përdorimi i njohjeve dhe favoreve për të zgjidhur çështje personale dhe për të gjetur punë ndikojnë dukshëm tek të rinjtë. Faktorët socio-strukturalë, si problemet në sistemin shëndetësor, ndotja, pasiguria fizike, mungesa e besimit në sistemin e drejtësisë dhe pakënaqësia me klasën politike, gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm në largimin e të rinjve dhe elitës intelektuale nga Shqipëria (King & Gëdeshi, 2020).
Mungesa e pasqyrimit të realitetit në shifra…
Një tjetër problematikë është se Shqipëri nuk ka shifra të sakta zyrtare, lidhur me numrin e të rinjve, studentëve, apo akademikëve që janë larguar për të studiuar, punuar dhe jetuar jashtë Shqipërisë. Nga institucionet zyrtare në Shqipëri, informacionet dhe statistikat mbi emigrimin e të rinjve dhe specifikisht në formën e largimit të trurit, janë minimale. Të dhënat janë pothuajse të papërfillshme për të vlerësuar ose për të pasqyruar përmasat e vërteta të këtij fenomeni. Pa një pamje të qartë të këtij realiteti, ndërhyrja dhe përpjekjet për të parandaluar eksodin masiv të të rinjve bëhen edhe më të vështira.
(Pa)dëshira për t’u kthyer në Shqipëri
Një tjetër aspekt i largimit të studentëve dhe të rinjve shqiptarë është mungesa e kapitalizimit të potencialit profesional të të rinjve dhe elitës intelektuale që lënë vendin. Mungojnë pikat dhe rrjetet e lidhjes mes tyre për të bashkëvepruar dhe për të kanalizuar ndikimin e tyre në Shqipëri. Gjithashtu, në një studim të kryer nga King. R dhe Gëdeshi. I. (2020) (fq.85), studentët të cilët studiojnë jashtë Shqipërisë theksojnë apatinë dhe mungesën e prezencës së misioneve diplomatike shqiptare në nxitjen e lidhjeve mes studentëve, profesionistëve të kualifikuar dhe institucioneve të vendit. Duke pasur në konsideratë se kapitali njerëzor gjithkund në diasporë është një pasuri e jashtëzakonshme dhe e pashfrytëzuar në dobi të vendit, pasja e strategjive dhe politikave tërheqëse për qarkullimin e trurit nga diaspora do të sillte përfitime të paçmueshme për Shqipërinë (Komisioni Evropian, 2021, f.99).
Mungesa e vizionit
Largimi i të rinjve dhe trurit në masë nga Shqipëria, mbetet një e vërtetë e “padëshiruar”, që jehon prej kohësh në veshët e çdo klase politike të ardhur në pushtet, që deri më sot kanë rezultuar të shurdhër ndaj përmasave të frikshme të këtij fenomeni.
Deri më sot, nuk ka pasur një narrativë të qartë nga institucionet dhe klasa politike për të adresuar këtë problematikë, nuk ka pasur politika të orientuara drejt zbehjes së këtij fenomeni apo strategji të mirëfillta e afatgjata për të ndaluar rrjedhjen e vazhdueshme të trurit.
Në rastin e Shqipërisë, ikja e të rinjve dhe e “trurit” nuk mund të konsiderohet si një rrjedhë normale e globalizimit të mobilitetit ndërkombëtar të studentëve dhe profesionistëve, kur humbja e kapitalit më të çmuar njerëzor në të gjitha nivelet e studimit, nga bachelor-i në studimet doktorale, është shumë herë më e lartë nga çfarë ndeshet nga pothuajse të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë.
Mungesa e vizionit afatgjatë dhe stabilitetit në politikëbërje, e kombinuar me karakterin konfliktual të politikës shqiptare, ka penguar zbatimin efektiv të strategjive dhe politikave në Shqipëri ndër vite. Fryma e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve ka qenë gjithmonë e pamjaftueshme, duke ndikuar negativisht në realizimin e iniciativave të rëndësishme. Një shembull i qartë është Programi Brain Gain, i nisur në vitin 2006 nga Qeveria Shqiptare me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin, që synonte angazhimin e diasporës shqiptare për të reduktuar efektet e ikjes së trurit. Për shkak të mungesës së koordinimit dhe mbështetjes institucionale, ky program nuk arriti rezultatet e dëshiruara.
Nismat e ndërmarra
Dy nisma kryesore të ndërmarra nga qeveria shqiptare ishin “Punë Të Mbarë” dhe “Gati për Shqipërinë” me qëllimin kryesor të tërheqjes së studentëve dhe profesionistëve të kualifikuar për të punuar në institucionet shqiptare. Nisma e parë, “Punë Të Mbarë”, ishte një produkt i protestës së studentëve në dhjetor të vitit 2018, si manifestimi më i madh i revoltës së studentëve në historinë e tranzicionit demokratik. Si rezultat i masivitetit, qëndrueshmërisë dhe kërkesave, studentët imponuan qeverinë duke e bërë qeverinë të nxjerrë "Paktin për Universitetin", i cili përbëhej nga disa akte nënligjore për të adresuar kërkesat e studentëve. Qeveria prezantoi www.punetembare.al, si një mekanizëm të ri që i jepte mundësinë të gjithë studentëve ekselentë, të diplomuarve të fundit, të përfitonin një vend pune në institucionet publike.
Nisma e dytë “Gati për Shqipërinë”, e prezantuar në vitin 2021, me qëllimin kryesor të tërheqjes së studentëve dhe profesionistëve të kualifikuar, të cilët përfunduan studimet me rezultate të larta, në Shqipëri ose jashtë saj, dhe të cilët ishin të gatshëm të kontribuonin me opinione, ide, projekte apo edhe të përfshiheshin drejtpërdrejt në punët e mandatit të tretë të qeverisë. Këto dy nisma të ndërmarra nga qeveria shqiptare kanë synuar të tërheqin disa nga ata studentë dhe profesionistë për të kontribuar në institucionet shqiptare.
Megjithatë, ndonëse nisma e parë erdhi si rezultat i protestës së studentëve dhe nisma e dytë mund të konsiderohet një thirrje për të rritur kthimin e trurit, mbetet e paqartë progresi i vërtetë dhe numri i individëve të përfshirë ose të kthyer në Shqipëri. Këto nisma duken të jenë lënë përgjysmë, pa një ndjekje të vazhdueshme dhe pa një reflektim të mirëfilltë mbi suksesin e tyre. Mungon një strategji afatgjatë dhe një transparencë e plotë mbi vazhdimësinë e këtyre projekteve, gjë që e bën të vështirë vlerësimin e ndikimit të tyre real.
Në një kontekst global ku shumë vende janë duke investuar në kapacitetet e tyre njerëzore dhe intelektuale për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe inovacionin, qasja e qeverisë shqiptare ndaj nismave të tilla duket të jetë e pamjaftueshme. Nismat si “Punë Të Mbarë” dhe “Gati për Shqipërinë” janë, pa dyshim, hapa në drejtimin e duhur, por mungesa e një strategjie të qartë dhe të qëndrueshme për implementimin e tyre ul ndjeshëm efektivitetin.
Mungesa e një strategjie të qartë dhe të qëndrueshme për implementimin e këtyre nismave, si dhe transparenca e kufizuar në lidhje me progresin dhe rezultatet e tyre, krijon përshtypjen se këto përpjekje janë më shumë simbolike sesa të strukturuara për të sjellë ndryshime të qëndrueshme.
Një nismë e suksesshme për kthimin e trurit duhet të përfshijë më shumë se vetëm thirrje dhe iniciativa sporadike. Kërkohet një plan afatgjatë, i mirëstrukturuar dhe i mbështetur me fonde adekuate e të qëndrueshme, që të sigurojë jo vetëm kthimin, por edhe integrimin dhe zhvillimin profesional të të kualifikuarve në vend.
Për më tepër, transparenca është kyç në ndërtimin e besimit dhe sigurimin e suksesit të këtyre nismave. Raportimi i rregullt mbi progresin, sfidat dhe sukseset është i nevojshëm për të mbajtur të informuar dhe të angazhuar të gjithë aktorët e interesuar.
Për të arritur sukses të qëndrueshëm, këto nisma kërkojnë një angazhim më të madh nga ana e qeverisë, duke përfshirë edhe një plan afatgjatë që mbështetet me burime adekuate dhe një kornizë monitorimi të rregullt. Pa këto elemente thelbësore, është e vështirë të imagjinohet që këto nisma do të arrijnë objektivat e tyre, duke lënë kështu një boshllëk në përpjekjet për të përmirësuar kapacitetet intelektuale dhe ekonomike të vendit.
Renis Meta, tetor 2024
*Renis Meta ka një histori të gjatë të kontributit dhe angazhimit të tij në shoqërinë civile dhe eksperienca e tij ndërlidhet me kontributin në advokimin e çështjeve të të rinjve dhe në jetën akademike në Shqipëri dhe rajon. Aktualisht, Renisi është i angazhuar si pedagog me kohë të pjesshme në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës. Fushat e tij të interesit përfshijnë politikat sociale, politikat e orientuara drejt të rinjve, të drejtat e njeriut, si dhe procesi i zgjerimit i Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor.
Referenca
Çela.A & Kamberi.G. (2019). Rinia Shqiptare 2018/2019.Fondacioni "Friedrich Ebert. https://library.fes.de/pdf-files/bueros/albanien/15257.pdf
European Commission Report on Albania 2021. Retrieved from: https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/system/files/2021-10/Albania-Report-2021.pdf
Gëdeshi.I. (2021). How Migration, Human Capital and The Labour Market Interact In Albania Aksesuar në: https://www.etf.europa.eu/sites/default/files/2021-09/migration_albania.pdf
Gjypi.Sh.A. (2018). Largimi i Mjekëve nga Shqipëria “Together for Life” & Friedrich Ebert Foundation. Aksesuar në: http://library.fes.de/pdf-files/bueros/albanien/14924.pdf
INSTAT. (2024). Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 në Shqipëri – Rezultatet Kryesore.
INSTAT. (2020). Diaspora e Shqipërisë në shifra. Aksesuar në: http://www.instat.gov.al/media/7848/diaspora-ne-shifra-2020.pdf
INSTAT & IOM. (2014) Return Migration and Reintegration in Albania 2013. ISBN: 978-9928-188-14-4. Aksesuar në: https://albania.iom.int/sites/albania/files/publication/15.%20Return%20Migration%20and%20Reintegration%20in%20Albania%202013.pdf
King, Russell. (2005). Albania as a Laboratory for the Study of Migration and Development. Journal of Southern Europe and the Balkans. 7. 133-155. 10.1080/14613190500132880. Retrieved from: https://www.researchgate.net/publication/249003584_Albania_as_a_Laboratory_for_the_Study_of_Migration_and_Developmen
King.R and Gëdeshi.I. (2020). The actual and potential migration of students from Albania: a putative Brain Drain? Retrieved from: http://library.fes.de/pdf-files/bueros/albanien/17258.pdf
The Vienna Institute for International Economic Studies. Leitner M. S. (2021). Net Migration and its Skill Composition in the Western Balkan Countries between 2010 and 2019: Results from a Cohort Approach Analysis. Aksesuar në: https://www.ac.at/net-migration-and-its-skill-composition-in-the-western-balkan-countries-between-2010-and-2019-results-from-acohort-approach-analysis-dlp-5695.pdf
Westminster Foundation for Democracy & Institute for Development and Innovation. (2020) The Cost of Youth Emigration in Western Balkan Countries: Regional Overview. Aksesuar në: https://www.wfd.orgwp-content/uploads/2021/08/WFD-COYE-ENG-ALL.pdf
https://kryeministria.al/newsroom/platforma-e-punesimit-te-studenteve-te-ekselences/
https://arsimi.gov.al/wp-content/uploads/2019/01/DRAFT-PAKTI-PER-UNIVERSITETIN.pdf