Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor: Integrimi ekonomik si strategji sigurie (Një analizë e dimensionit të sigurisë në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE)

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor: Integrimi ekonomik si strategji sigurie (Një analizë e dimensionit të sigurisë në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE)

Agresioni rus ndaj Ukrainës në shkurt 2022 shënoi një pikë kthese në politikën e zgjerimit të Bashkimit Europian. Ajo që për dy dekada kishte qenë një proces teknokratik i ngadaltë—i karakterizuar nga procedura burokratike, veto bilaterale, dhe mungesë vullneti politik—u transformua në atë që Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cilësoi si «një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet»[1]. Ky rikalibrim strategjik u konkretizua me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të prezantuar zyrtarisht më 8 nëntor 2023, i cili përfaqëson instrumentin më ambicioz financiar që BE ka ofruar për rajonin që nga fillimi i procesit të Stabilizim-Asociimit[2]. Me një buxhet prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024-2027, plani synon të sjellë përfitimet e tregut të vetëm evropian para anëtarësimit formal, duke krijuar stimuj të drejtpërdrejtë financiarë për reforma strukturore.

Ky artikull analizon Planin e Rritjes nga perspektiva e sigurisë, duke argumentuar se dimensioni ekonomik i tij është i pandashëm nga objektivat e sigurisë rajonale. Teza qendrore është se Plani përfaqëson një formë të re të «sigurizimit të zgjerimit»—konceptualizimi i integrimit ekonomik si një çështje ekzistenciale sigurie që kërkon trajtim të jashtëzakonshëm. Fokusi vendoset tek Shqipëria, e cila sipas Paketës së Zgjerimit cilësohet si «shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të zgjerimit»[3], duke arritur hapjen historike të të gjashtë klasterave dhe të 33 kapitujve të negociatave brenda vetëm 13 muajsh—performanca më e lartë e çdo kandidati në historinë e zgjerimit të BE-së. Analiza bazohet në dokumentet zyrtare të institucioneve europiane, Raportin e Komisionit 2025, dhe studimet e think-tank-eve si Carnegie Europe, BiEPAG, DGAP, dhe CEPS, duke mbuluar periudhën 2019-2025.

Faciliteti i Reformave dhe Rritjes, i krijuar nëpërmjet Rregullores (BE) 2024/1449 dhe hyrë në fuqi më 25 maj 2024, vendos një arkitekturë kushtëzimi që funksionon në tre nivele të ndërlidhura[4]. Shtresa e parë përfshin parakushtet që duhet të plotësohen vazhdimisht: ruajtja e mekanizmave demokratike, garantimi i një sistemi parlamentar shumëpartiak, sigurimi i pavarësisë gjyqësore, dhe—veçanërisht i rëndësishëm—«përparimi drejt përafrimit të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së»[5]. Shtresa e dytë vendos kushte të përgjithshme të verifikuara para çdo pagese: stabiliteti makrofinanciar, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, dhe transparenca buxhetore. Shtresa e tretë përcakton kushte specifike për Agjendën e Reformave të çdo përfituesi, duke lidhur disbursime financiare me hapa të matshëm reformash.

Alokimi për Shqipërinë arrin deri në 992.1 milionë euro—265 milionë për infrastrukturën dhe 727 milionë në hua mbështetëse buxhetore[6]. Sipas të dhënave zyrtare të konfirmuara në Samitin e Tiranës më 21 nëntor 2025, Shqipëria ka marrë gjithsej 164 milionë euro: para-financimin e parë prej 64.5 milionë eurove në mars 2025[7], të pasuar nga pagesa e parë prej 99.3 milionë eurove në tetor 2025 pasi demonstroi përfundimin e 21 nga 41 masat e reformave—shkalla më e lartë e performancës në rajon me 51%[8]. Krahasuar me Serbinë (111 milionë euro), Maqedoninë e Veriut (76 milionë euro), dhe Malin e Zi (45 milionë euro), Shqipëria udhëheq në disbursime. Kosova dhe Bosnja kanë marrë zero euro për shkak të marrëveshjeve të paratifikuara dhe Agjendës së Reformave të pamiratuar përkatësisht. Ky mekanizëm krijon stimuj të drejtpërdrejtë për performancë, por gjithashtu ngre pyetje rreth presionit për të shpallur «sukses» edhe kur reformat janë sipërfaqësore.

Ritmi i negociatave ka arritur nivele të paprecedentë. Pas nisjes së negociatave në korrik 2022 dhe përfundimit të screening-ut në nëntor 2023, Shqipëria u shkëput nga Maqedonia e Veriut në shtator 2024 dhe filloi hapjen e klasterave me shpejtësi të jashtëzakonshme. Më 15 tetor 2024 u hap Grupkapitulli 1 (Themeloret) me kapitujt 5, 18, 23, 24 dhe 32. Më 17 dhjetor 2024 u hap Grupkapitulli 6 (Marrëdhëniet e Jashtme) me kapitujt 30 dhe 31. Në 2025, ritmi u përshpejtua edhe më shumë: Grupkapitulli 2 (Tregu i Brendshëm) u hap më 14 prill me nëntë kapituj; Grupkapitulli 3 (Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse) u hap më 22 maj me tetë kapituj; Grupkapitulli 4 (Agjenda e Gjelbër dhe Lidhja e Qëndrueshme) u hap më 16 shtator me katër kapituj; dhe së fundi, Grupkapitulli 5 (Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni) u hap më 17 nëntor 2025 me pesë kapituj[9]. Kjo e bën Shqipërinë vendin e dytë në Ballkanin Perëndimor (pas Malit të Zi) që arrin hapjen e të gjitha klasterave, por me ritmin më të shpejtë në histori—vetëm 13 muaj nga hapja e Grupkapitullit të parë deri tek i fundit. Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos deklaroi: «Kur dorëzon, përparon. Ky është mesazhi që Shqipëria po dërgon»[10]. Megjithatë, asnjë kapitull nuk është mbyllur ende—Shqipëria duhet fillimisht të përmbushë standardet ndërmjetëse (interim benchmarks) për Kapitujt 23 dhe 24 para se të fillojë faza e mbylljes, e cila pritet të nisë në 2026. Objektivi i Kryeministrit Rama për mbylljen e negociatave në 2027 dhe anëtarësimin në 2030 vlerësohet nga Komisioni si «ambicioz, por i realizueshëm» me kusht që ritmi i reformave të ruhet[11].

Plani përfaqëson atë që studiuesit quajnë «sigurizimi i zgjerimit». Busulla strategjike për Sigurinë dhe Mbrojtjen e vitit 2022 trajton këtë dimension, duke deklaruar se «siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor nuk janë të garantuara, edhe për shkak të ndërhyrjeve të huaja në rritje, përfshirë fushatat e manipulimit të informacionit»[12]. Krijimi i QUAD-it të Ballkanit Perëndimor në mars 2023—që përfshin Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, dhe Maqedoninë e Veriut si vende me përafrim 100% me PPBE-në—institucionalizoi de facto një sistem me dy shpejtësi. Parlamenti Europian në janar 2023 deklaroi se kapituj të tjerë duhet të hapen për Serbinë «vetëm kur demonstron përafrim të plotë me PPBE-në»[13]. Paketa e Zgjerimit 2025 e konfirmon këtë qasje: Serbia merr vlerësimin më negativ në histori me vetëm 52% përafrim me PPBE-në, ndërsa Komisioni paralajmëron për «rreziqe të mundshme sigurie për BE-në» nga ky mospërafrim[14]. Shqipëria, në kontrast, ruan përafrim 100% me PPBE-në—duke përfshirë përafrim me të gjitha 17 paketat e sanksioneve kundër Rusisë dhe Bjellorusisë.

Deklarata e Brukselit e dhjetorit 2023 angazhoi partnerët për të luftuar Manipulimin e informacionit të huaj dhe ndërhyrjen, forcuar profesionalizmin e medias, dhe përmirësuar bashkëpunimin kibernetik me ENISA[15]. Paketa e mbështetjes për sigurinë kibernetike prej 680 milionë eurosh për Shqipërinë, Malin e Zi, dhe Maqedoninë e Veriut ofron burime konkrete për rezistencën ndaj kërcënimeve hibride—një fushë ku Shqipëria përjetoi sulmin kibernetik iranian të vitit 2022 që çoi në shkëputjen e marrëdhënieve diplomatike. Në nëntor 2024, Shqipëria nënshkroi Partneritetin e Sigurisë dhe Mbrojtjes BE-Shqipëri, duke institucionalizuar bashkëpunimin në fushën e sigurisë.

Agjenda e Reformave e Shqipërisë, e miratuar nëpërmjet VKM Nr. 621 më 10 tetor 2024, përfshin 41 masa në pesë fusha politikash[16]. Shtylla e parë trajton mjedisin e biznesit nëpërmjet Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave që synon rritje prej 2.5% të PBB-së, duke adresuar ekonominë informale që vlerësohet rreth 30-35% të ekonomisë. Shtylla e dytë fokusohet në kapitalin njerëzor, përfshirë Garancinë për Rininë—veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh se rreth 40% e popullsisë shqiptare jeton jashtë vendit. Shtylla e tretë mbulon energjinë dhe tranzicionin e gjelbër, ku Shqipëria ka avantazh unik: rreth 95% e prodhimit elektrik vjen nga burime hidroelektrike. Shtylla e katërt synon digjitalizimin me 127 milionë euro, ndërsa e pesta trajton shtetin e së drejtës nëpërmjet Strategjisë Antikorrupsion 2024-2030 dhe forcimit të SPAK-ut.

Reformat kryesore të përfunduara deri në nëntor 2025 përfshijnë miratimin e Strategjisë Antikorrupsion 2024-2030, Strategjinë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024-2030, dhe Strategjinë Ndërsektoriale të Reformës së Administratës Publike 2025-2030. Shqipëria u anëtarësua në SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro) në tetor 2025, miratoi Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në përputhje me GDPR-në në shkurt 2025, dhe zbatoi Strategjinë e Sigurisë Kibernetike 2025-2030. Reformat e mbetura përfshijnë reformën gjithëpërfshirëse zgjedhore që adreson rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, përfundimin e sistemit të integruar të menaxhimit të çështjeve gjyqësore (shtyrë deri në 2030), dhe përditësimin e Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës[17].

Raporti i Komisionit 2025 vlerëson Shqipërinë si «mesatarisht të përgatitur» në fushën e shtetit të së drejtës me «disa përparime» të arritura[18]. Procesi i vetingut gjyqësor arriti përfundimin 98% në shkallën e parë deri në nëntor 2024, me 282 shkarkime/përfundime (56%) dhe 350 konfirmime (44%) nga 636 magjistratët e shqyrtuar. 110 ankimet e mbetura janë në rrugë për të përmbushur afatin kushtetues të qershorit 2026.

Megjithatë, Komisioni shpreh shqetësim serioz për ndërhyrjen politike. Pas arrestimit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në shkurt 2025 me akuza korrupsioni, «reagime të paprecedentë publike nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ, përfshirë përpjekje për të ushtruar presion mbi SPAK-un dhe institucionet gjyqësore» u vërejtën[19]Shtatë magjistratë kërkuan mbrojtje gjatë periudhës raportuese, dhe SPAK paraqiti ankesa zyrtare për dështimet e sigurisë gjatë protestave. Problemet strukturore vazhdojnë: vetëm 65% e pozicioneve të prokurorëve (221/341) dhe 67% e pozicioneve të gjyqtarëve (272/408) janë të plotësuara. Gjykata e Apelit ka vetëm 28 gjyqtarë nga 78 pozicione.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) merr vlerësim veçanërisht pozitiv: ajo «gëzon nivel të lartë besimi publik» dhe tregon «vizion të shëndoshë strategjik dhe pavarësi» pavarësisht «presionit të shtuar politik, grupeve të krimit të organizuar dhe medias»[20]. Në 2024, Gjykata e Apelit e SPAK-ut dha 106 dënime përfundimtare, përfshirë çështje të profilit të lartë kundër ish-Ministrit, ish-Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ish-kryetarëve të bashkive, dhe ish-zyrtarëve gjyqësorë. Çështjet kryesore 2024-2025 përfshijnë arrestimin e ish-Presidentit Ilir Meta në tetor 2024 për pastrim parash, korrupsion dhe fshehje pasurie; arrestimin e Erion Veliajt në shkurt 2025 etj,. Sekuestrimet e aseteve arritën 22 milionë euro në 2024 me 10 milionë euro të konfiskuara. Që nga themelimi i SPAK-ut, mbi 200 milionë euro asete kriminale janë konfiskuar.

Rezultati i Shqipërisë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit u përmirësua në 42/100 (renditja 80 globalisht)—më i miri në pesë vjet[21]. Megjithatë, 86% e shqiptarëve ende besojnë se korrupsioni është i përhapur (krahasuar me mesataren e BE-së prej 69%), dhe Komisioni vëren se korrupsioni «mbeti i përhapur në sektorë të cenueshëm» me mekanizma parandalimi që kanë «ndikim të kufizuar».

Shqipëria ka bërë «pak përparim» në lirinë e shprehjes, me Raportin 2025 që përdor gjuhë pothuajse identike me 2024[22]. Indeksi i Lirisë së Shtypit i Reporterëve Pa Kufij u përmirësua në renditjen 80 (nga 99 në 2024), megjithëse treguesit politikë dhe ekonomikë faktikisht u përkeqësuan—përmirësimet erdhën kryesisht nga rezultatet e sigurisë dhe kornizës ligjore.

Komisioni identifikon disa shqetësime kritike. Së pari, përqendrimi i pronësisë: «Mediat më me ndikim në sektorin privat shqiptar zotërohen nga një grusht kompanish me lidhje me botën politike në sektorë të rregulluar lart si ndërtimi». Së dyti, pavarësia e transmetuesit publik: parregullsi procedurale në zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së në janar 2025, me Parlamentin që më pas shkarkoi të gjithë Këshillin Drejtues «në kundërshtim të dukshëm me legjislacionin e zbatueshëm»[23]. Së treti, siguria e gazetarëve: Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt raportoi 45 incidente në 2024—pothuajse dyfishi i 2022-2023—dhe 45 padi SLAPP të regjistruara kundër gazetarëve deri në tetor 2024. Së katërti, pezullimi i TikTok-ut në nivel kombëtar për 12 muaj në mars 2025. Shpifja mbetet vepër penale, dhe Komisioni rekomandon që Shqipëria «të shfuqizojë dispozitat penale lidhur me shpifjen dhe fyerjen».

Plani operon në një sfond të paqëndrueshëm sigurie. Ndikimi rus, ndërsa zvogëlohet ekonomikisht që nga 2014, vazhdon nëpërmjet operacioneve informative dhe kanaleve fetaro-kulturore. Instituti i Studimeve të Sigurisë të BE-së identifikon Kishën Ortodokse Serbe si «instrument kyç ndikimi»[24]. Prezenca kineze nëpërmjet nismës Brez dhe Rrugë ka përqendruar 32 miliardë euro investime rajonale që nga 2009. Parlamenti Europian paralajmëroi në 2022 se investimet kineze «krijojnë varësi, madje kurthe borxhi»[25].

Dinamika Kosovë-Serbi mbetet pika më akute. Sulmi i Banjskës në shtator 2023—ku rreth 30 militantë sulmuan Policinë e Kosovës duke vrarë një oficer—demonstroi se si mosmarrëveshjet e statusit përshkallëzohen në dhunë[26]. Stabiliteti i Bosnjë dhe Hercegovinës përballet me kërcënime nga separatizmi i Milorad Dodik-ut, i dënuar në shkurt 2025[27]. Mbështetja ruse—Putini i dha Republika Srpska-s medaljen më të lartë në janar 2023—demonstron ndërlidhjen mes mosmarrëveshjeve ballkanike dhe konkurrencës gjeopolitike.

Në Paketën e Zgjerimit 2025, Shqipëria renditet e dyta pas Malit të Zi ndër kandidatët e Ballkanit Perëndimor. Mali i Zi ka 33 kapituj të hapur dhe 13 të mbyllur provizorisht me objektiv mbylljen e të gjithëve deri në fund të 2026-s. Serbia ka vetëm 22 kapituj të hapur dhe 2 të mbyllur. Maqedonia e Veriut ka zero kapituj të hapur për shkak të kërkesës për amendamente kushtetuese. Bosnja ende nuk ka nisur negociatat, ndërsa Kosova nuk ka ende statusin e kandidatit. Komisionerja Kos identifikoi Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën si vendet me «përparim të konsiderueshëm» në 2025[28].

Tregu i Përbashkët Rajonal, i nisur në 2020, vendos shtresën e integrimit mbi të cilën varen përfitimet e Planit. Megjithatë, analistja e Bruegel-it Nina Vujanović vëren se «ka kufij se sa këto ekonomi mund të rriten brenda një tregu rajonal kaq të vogël—ai nuk mund të zëvendësojë Tregun e Vetëm të BE-së»[29]. Vendet më afër pranimit, veçanërisht Shqipëria, kanë «potencial dukshëm më të madh për t’u integruar drejtpërdrejt me tregun e BE-së».

Komisioni vlerëson se Shqipëria ka «nivel të mirë përgatitjeje» në zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale[30]. Treguesit kryesorë 2024-2025 tregojnë rritje të PBB-së prej 4.0% në 2024 me parashikim 3.6% për 2025, inflacion rreth 2.0-2.2%, dhe papunësi që ra në 8.7% në tremujorin e parë 2025 (nga 10.3% në 2024). Shkalla e punësimit (15-64 vjeç) arriti 69.5% në tremujorin e parë 2025. Investimet e Huaja të Drejtpërdrejta arritën rekord në gjysmën e parë të 2024-s me 749 milionë euro, ndërsa totali vjetor arriti 1.58 miliardë euro.

PBB për frymë mbetet rreth 35% e mesatares së BE-së në terma të fuqisë blerëse. Sektori bankar përshkruhet si «i qëndrueshëm, i mirë-kapitalizuar dhe likuid». Megjithatë, konkurrueshmëria mbetet e sfiduar nga dobësia e shtetit të së drejtës, qasja e kufizuar në financa, dhe mangësitë në qeverisjen e ndërmarrjeve shtetërore. Paga minimale do të rritet në 500 euro/muaj në janar 2026. Projeksionet e FMN-së tregojnë se konvergjenca me mesataren e BE-së kërkon mbi 50 vjet[31], ndërsa Banka Botërore vlerëson se rajoni do të ketë nevojë për dekada rritjeje të qëndrueshme[32].

Vlerësimet kritike identifikojnë kufizime strukturore. Florian Bieber i BiEPAG argumenton se «procesi i zgjerimit gjatë dhjetë viteve të fundit nuk ka sjellë transformimin e dëshiruar», duke theksuar rritjen e «stabilokracive» ku BE i dha prioritet stabilitetit mbi demokracinë[33]. CEPS kritikon mungesën e lidhjes eksplicite me metodologjinë formale, duke rekomanduar që arritjet lidhen drejtpërdrejt me përparimin në kapituj[34]. Dimitar Bechev i Carnegie Europe ngre shqetësimin themelor: «Rritja ekonomike nuk e nxit automatikisht zhvillimin demokratik»[35]. Balancimi i Serbisë midis BE-së dhe Rusisë demonstron se liderët «besojnë se ekziston rrugë e tretë» pa pranuar kërkesat e pranimit. DGAP vëren se ritmi i jashtëzakonshëm i negociatave të Shqipërisë nuk duhet të errësojë nevojën për reforma substanciale: «Shpejtësia nuk duhet të vijë në kurriz të thellësisë»[36].

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor përfaqëson një bashkim eksplicit të shtjetarisë ekonomike dhe politikës së sigurisë—duke e trajtuar integrimin si mekanizëm investimi dhe mburojë kundër ndikimit armiqësor. Për Shqipërinë, kuadri ofron përshpejtim të vërtetë drejt anëtarësimit: hapja historike e të 33 kapitujve brenda 13 muajsh, disbursimi i 164 milionë eurove, dhe cilësimi si «shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të zgjerimit» konfirmojnë pozicionin udhëheqës rajonal.

Megjithatë, tre faktorë do të përcaktojnë nëse Shqipëria arrin objektivat ambicioze 2027-2030. Së pari, përmbushja e standardeve ndërmjetëse për Kapitujt 23 dhe 24 kërkon përparim të qëndrueshëm në pavarësinë gjyqësore pavarësisht presionit politik të dokumentuar—incidentet e shkurtit 2025 rreth arrestimeve të profilit të lartë të SPAK-ut zbuluan dobësi që Komisioni i theksoi eksplicitisht. Së dyti, liria e medias mbetet fusha më e dobët me pak përmirësim vit pas viti; pa adresuar përqendrimin e pronësisë dhe dispozitat penale të shpifjes, kjo mund të bëhet çështje bllokuese. Së treti, ruajtja e përafrimit 100% me PPBE-në dhe momentumit të reformave ndërsa navigon dinamikat politike të brendshme pas fitores së katërt zgjedhore radhazi të partisë në pushtet do të testojë rezistencën institucionale.

Përafrimi i plotë me PPBE-në, anëtarësia në NATO që nga 2009, dhe performanca udhëheqëse e pozicionojnë Shqipërinë si shembull rajonal në një kohë kur zgjerimi ka marrë dimension të ri sigurie. 164 milionë eurot e disbursuara sipas Planit të Rritjes, me deri në 828 milionë euro të mbetura, ofrojnë strukturë të fuqishme stimujsh për reforma të vazhdueshme. Mbështetja publike 91% për anëtarësimin në BE—më e larta në Ballkanin Perëndimor—ofron kapital politik për reforma të vështira. Konteksti rajonal—tensionet Kosovë-Serbi, kriza në BiH, vlerësimi i ashpër i Serbisë për mospërafrim me PPBE-në—e bën integrimin e suksesshëm të Shqipërisë edhe më të rëndësishëm: Shqipëria e integruar do të sinjalizonte se zgjerimi ende funksionon. Sfida qëndron në shfrytëzimin e statusit të frontrunner-it për të adresuar deficitet e vazhdueshme—duke transformuar përparimin procedural në ndryshimin shoqëror që anëtarësia kërkon. Plani ofron arkitekturën e stimujve; Shqipëria duhet të furnizojë vullnetin politik për transformim të vërtetë.


Anisa Hysesani, prill 2026

*Dr. (proc.) Anisa Hysesani është lektore në Akademinë e Sigurisë në Tiranë dhe kandidate për doktoraturë në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës. Ajo ka ekspertizë në fushat e Integrimit Europian, Sigurisë Rajonale dhe Politikës Publike. Gjithashtu, është emëruar Ambasadore e Paqes për Rininë nga Këshilli i Europës, duke kontribuar në promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe përtej tij.




[1] European Commission. (2023, November 8). Statement by President von der Leyen on the 2023 Enlargement Package and the new Growth Plan for the Western Balkans. https://enlargement.ec.europa.eu

[2] European Commission. (2023, November 8). Commission presents a new Growth Plan for the Western Balkans including €6 billion in grants and loans. https://enlargement.ec.europa.eu

[3] European Commission. (2025, November 4). 2025 Enlargement Package shows progress towards EU membership for key enlargement partners. https://enlargement.ec.europa.eu

[4] Council of the European Union. (2024, May 7). Reform and Growth Facility for the Western Balkans adopted. Regulation (EU) 2024/1449.

[5] European Commission. (2024). Growth Plan for the Western Balkans. Enlargement and Eastern Neighbourhood.

[6] European Commission. (2025, November 21). Western Balkans Leaders’ meeting in Tirana takes stock of EU Growth Plan progress.

[7] European External Action Service. (2025, March). Albania receives pre-financing under the Growth Plan.

[8] European Commission. (2025). Albania 2025 Report. Commission Staff Working Document.

[9] Euronews. (2025, November 17). Brussels opens final negotiations cluster in Albania’s EU accession. https://www.euronews.com

[10] European Commission. (2025, November 4). Commissioner Kos statement on 2025 Enlargement Package.

[11] European Western Balkans. (2025, December 16). What are the next steps on Albania’s EU path?

[12] European Union. (2022, March). A Strategic Compass for Security and Defence. Council of the European Union.

[13] European Parliament. (2023, January). Resolution on Serbia’s progress towards EU accession.

[14] European Commission. (2025, November 4). 2025 Enlargement Package - Serbia assessment.

[15] European External Action Service. (2023, December 13). EU-Western Balkans Summit Brussels Declaration.

[16] VKM Nr. 621, 10 tetor 2024. Agjenda e Reformave e Shqipërisë.

[17] European Commission. (2025). Albania 2025 Report, Reform Agenda section.

[18] European Commission. (2025). Albania 2025 Report, Rule of Law section.

[19] European Commission. (2025). Albania 2025 Report, p. 18.

[20] European Commission. (2025). Albania 2025 Report, SPAK assessment.

[21] Transparency International. (2025). Corruption Perceptions Index 2024.

[22] European Commission. (2025). Albania 2025 Report, Freedom of Expression section.

[23] European Commission. (2025). Albania 2025 Report, Media section.

[24] European Union Institute for Security Studies. (2023). Russia’s influence in the Western Balkans. EUISS Brief.

[25] European Parliament. (2022). Resolution on China’s influence in the Western Balkans.

[26] International Crisis Group. (2024). Kosovo Tests the Limits of EU Patience. Europe Report.

[27] OSW Centre for Eastern Studies. (2025, March 6). The Dodik trial: a test of strength against Serb separatism in Bosnia and Herzegovina.

[28] European Commission. (2025, November 4). Commissioner Kos statement on 2025 Enlargement Package.

[29] Vujanović, N. (2024). The limits of regional economic integration in the Western Balkans. Bruegel Policy Brief.

[30] European Commission. (2025). Albania 2025 Report, Economic criteria section.

[31] International Monetary Fund. (2024). Albania: Staff Report for the 2024 Article IV Consultation.

[32] World Bank. (2024). Western Balkans Regular Economic Report: Growth Amid Uncertainty.

[33] Bieber, F. (2023). The crisis of democracy in the Western Balkans: An anatomy of stabilitocracy. BiEPAG Policy Brief.

[34] Centre for European Policy Studies. (2024). Enhancing the EU’s enlargement methodology. CEPS Policy Brief.

[35] Bechev, D. (2024, June). Can EU enlargement work? Carnegie Endowment for International Peace.

[36] DGAP. (2025). Albania’s EU Accession Sprint. German Council on Foreign Relations.




Referenca

Bechev, D. (2024, June). Can EU enlargement work? Carnegie Endowment for International Peace. https://carnegieendowment.org/research/2024/06/can-eu-enlargement-work

Bieber, F. (2023). The crisis of democracy in the Western Balkans: An anatomy of stabilitocracy and the limits of EU democracy promotion [Policy brief]. Balkans in Europe Policy Advisory Group. https://www.biepag.eu/wp-content/uploads/2023/12/Beyond-Stabilitocracy.-Unveiling-the-Rise-of-Autocracy-in-the-Western-Balkans.pdf

Centre for European Policy Studies. (2024). Enhancing the EU’s enlargement methodology: Recommendations for a more effective accession process [Policy brief]. CEPS.

Council of the European Union. (2024, May 7). Reform and Growth Facility for the Western Balkans adopted [Press release]. https://www.consilium.europa.eu/en/press/press-releases/2024/05/07/reform-and-growth-facility-for-the-western-balkans-adopted/

DGAP. (2025). Albania’s EU Accession Sprint. German Council on Foreign Relations. https://dgap.org/en/research/publications/albanias-eu-accession-sprint

European Commission. (2023, November 8). Commission presents a new Growth Plan for the Western Balkans including €6 billion in grants and loans. https://enlargement.ec.europa.eu/news/commission-presents-new-growth-plan-western-balkans-including-eu6-billion-grants-and-loans-2023-11-08_en

European Commission. (2023, November 8). Statement by President von der Leyen on the 2023 Enlargement Package and the new Growth Plan for the Western Balkans. https://enlargement.ec.europa.eu/news/statement-president-von-der-leyen-2023-enlargement-package-and-new-growth-plan-western-balkans-2023-11-08_en

European Commission. (2024). Growth Plan for the Western Balkans. https://enlargement.ec.europa.eu/enlargement-policy/growth-plan-western-balkans_en

European Commission. (2025, November 4). 2025 Enlargement Package shows progress towards EU membership for key enlargement partners. https://enlargement.ec.europa.eu

European Commission. (2025). Albania 2025 Report [Commission staff working document]. https://enlargement.ec.europa.eu/albania-report-2025_en

European Commission. (2025, November 21). Western Balkans Leaders’ meeting in Tirana takes stock of EU Growth Plan progress. https://enlargement.ec.europa.eu/news/western-balkans-leaders-meeting-tirana-takes-stock-eu-growth-plan-progress-two-years-after-its-2025-11-21_en

European External Action Service. (2023, December 13). EU-Western Balkans Summit Brussels Declaration. https://www.eeas.europa.eu/eeas/eu-western-balkans-summit-strengthening-security-and-stability-together_en#:~:text=Foreign%20and%20Security%20Policy%20Alignment,hybrid%20threats%20and%20foreign%20interference%22.

European Parliament. (2022). Resolution on China’s influence in the Western Balkans (2022/2026(INI)).https://www.europarl.europa.eu/RegData/etudes/BRIE/2022/733558/EPRS_BRI(2022)733558_EN.pdf

European Parliament. (2023, January). Resolution on Serbia’s progress towards EU accession (2022/2206(INI)).https://www.europarl.europa.eu/doceo/document/AFET-PR-739815_EN.pdf

 European Union. (2022, March). A Strategic Compass for Security and Defence. Council of the European Union. https://www.eeas.europa.eu/eeas/strategic-compass-security-and-defence-1_en

European Union Institute for Security Studies. (2023). Russia’s influence in the Western Balkans[Brief].EUISS.https://www.europarl.europa.eu/RegData/etudes/BRIE/2023/747096/EPRS_BRI(2023)747096_EN.pdf

European Western Balkans. (2025, November 5). Key findings on Albania. https://europeanwesternbalkans.com/2025/11/05/key-findings-on-albania/

European Western Balkans. (2025, December 16). What are the next steps on Albania’s EU path?https://europeanwesternbalkans.com/2025/12/16/what-are-the-next-steps-on-albanias-eu-path/

Euronews. (2025, November 17). Brussels opens final negotiations cluster in Albania’s EU accession.https://www.euronews.com/my-europe/2025/11/17/when-you-deliver-you-progress-eu-opens-final-negotiations-cluster-with-albania#:~:text=United%20Arab%20Emirates-,'When%20you%20deliver%2C%20you%20progress':%20EU%20opens%20final,end%20accession%20negotiations%20in%202027.

International Crisis Group. (2024). Kosovo tests the limits of EU patience (Europe Report No. 270 https://www.crisisgroup.org/cmt/europe-central-asia/kosovo/kosovo-tests-limits-eu-patience#:~:text=sidelined%20and%20insecure.-,In%20the%20national%20government%2C%20officials%20feel%20sidelined%20and%20insecure.,answer%20in%20the%20western%20Balkans.

International Monetary Fund. (2024). Albania: Staff report for the 2024 Article IV consultation. https://www.imf.org/en/news/articles/2024/11/26/pr24441-albania-staff-concluding-statement-2024-article-iv-mission

OSW Centre for Eastern Studies. (2025, March 6). The Dodik trial: A test of strength against Serb separatism in Bosnia and Herzegovina. https://www.osw.waw.pl/en/publikacje/analyses/2025-03-06/dodik-trial-a-test-strength-against-serb-separatism-bosnia-and

Transparency International. (2025). Corruption Perceptions Index 2024. https://www.transparency.org/en/cpi/2024

Vujanović, N. (2024). The limits of regional economic integration in the Western Balkans [Policy brief]. Bruegel. https://www.bruegel.org

World Bank. (2024). Western Balkans regular economic report: Growth amid uncertainty. https://openknowledge.worldbank.org/server/api/core/bitstreams/c859b43d-ed73-402a-b317-f9ce7fbad404/content



1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues
European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk