Bashkimi Europian është krijuar nën parimet e promovimit të dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë dhe respektit për shtetin ligjor e të drejtat e njeriut. Këto parime janë të përbashkëta për të gjitha vendet anëtare dhe duhet të zbatohen nga vendet kandidate. Politikat e BE-së për gjyqësorin dhe liritë themelore që bëjnë pjesë në “Kapitullin 23”, kanë për qëllim të mbajnë dhe të zhvillojnë më tej Unionin si një zonë të lirë, të sigurt dhe ku zbatohet drejtësia. Ky artikull synon të zhvillojë një analizë të situatës në vendin tonë për sa i përket mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave themelore dhe trajtimit sa më human të personave me liri të kufizuar (të paraburgosurve dhe të dënuarve). Shkrimi ka një fokus të shtuar në mënyrën se si respektimi i të drejtave të dënuarve dhe aplikimi i programeve të rehabilitimit dhe riintegrimit të të dënuarve në shoqëri ndikon në mirëfunksionimin e drejtësisë dhe si rrjedhojë në përmbushjen me sukses të kapitullit 23.
Sistemi i drejtësisë penale në Shqipërinë e para viteve `90
Para se të komentohet situata aktuale e të drejtave të personave me liri të kufizuar, do të zhvillohet një analizë e shkurtër e kuadrit social dhe kulturor të të drejtave të personave me liri të kufizuar në periudha të ndryshme në vendin tonë. Nëse fillojmë të analizojmë periudhën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe deri në periudhën komuniste, sistemi i të drejtave dhe kryesisht mënyra se si trajtoheshin të dënuarit ka qenë e ndikuar nga faktorë të ndryshëm historikë, politikë dhe socialë. Megjithatë bazuar në të dhënat që vijnë nga ajo periudhë, në dokumentet historikë dhe arkivorë, flitej për disa të drejta dhe kushte bazike që u siguroheshin të burgosurve[1].
Gjatë periudhës komuniste, sistemi i drejtësisë u drejtua nga parimet e ndëshkimit dhe shtypjes së lirive dhe të drejtave themelore të njeriut[2]. Sistemi i drejtësisë penale ishte mjeti me anë të të cilit pushteti komunist do të zbatonte të gjitha reformat ekonomike, social-kulturore dhe politike. Nuk është e sigurt nëse gjatë kësaj periudhe mund të flasim për respektim të të drejtave të dënuarve ose paraburgosurve dhe për sigurim të kushteve bazë, sepse metodat e përdorura për sigurimin e pushtetit ishin të ashpra nga organet e drejtësisë penale.
Pas vitit 1991, me rënien e sistemit komunist u krijua shteti demokratik. Pavarësisht vështirësive dhe sfidave që u përball shteti dhe populli shqiptar pas ndryshimit të sistemit u ndërmorën reforma të thella për sa i takon shërbimit të burgjeve dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore. Ndryshimet e ndodhura vazhdojnë deri në ditët e sotme duke u përpjekur që të përafrohen me standardet europiane, në përmirësimin e kushteve, në trajnimin dhe përgatitjen e stafit si dhe në ofrimin e programeve të rehabilitimit dhe riintegrimit të të dënuarve[3].
Megjithatë edhe pse u ndërmorën një sërë reformash për përmirësimin e kushteve, përsëri ekzistojnë raste në të cilat respektimi i të drejtave të të dënuarve mbetet formalitet dhe nuk është zbatuar. Vlen të theksohet që të burgosurit dhe të paraburgosurit kanë më shumë informacion dhe mund të ngrenë zërin në rast se të drejtat e tyre cenohen nga administrata e burgut ose nga persona të tjerë.
Situata aktuale e respektimit të të drejtave të personave me liri të kufizuar në Shqipëri
Dekadat e fundit, Shqipëria u përball me ndryshime të jashtëzakonshme politike, sociale, ekonomike dhe ideologjike. Në një periudhë të tillë tranzicioni të gjatë që kaloi shteti ynë, institucionet nuk janë të rrënjosura për shkak të mungesës së ndërlidhjes nëpërmjet normave ligjore, sociale dhe kulturore dhe për shkak të ndryshimeve të shpejta që kanë ndodhur në institucionet ligjore, ekonomike dhe sociale.
Vitet e fundit është hartuar dhe miratuar Ligji Nr. 81 dt.25.06.2020[4]Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve. Qëllimi i këtij ligji është të sigurojë, garantimin e kushteve për trajtimin me dinjitet të të paraburgosurve dhe të dënuarve me burgim, respektimin e të drejtave dhe të lirive themelore të tyre dhe parandalimin e sjelljeve ose trajtimit mizor, çnjerëzor, poshtërues apo degradues. Po ky ligj parashikon ndër të tjera në nenin 12 të tij rehabilitimin social dhe riintegrimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve. Programet e rehabilitimit dhe riintegrimit janë shumë të rëndësishme për përmirësimin e jetës së të dënuarve me burgim. Po ashtu, ky ligj parashikon parapërgatitjen për riintegrim që fillon që në paraburgim, vazhdon gjatë kryerjes së dënimit dhe pas lirimit nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Pavarësisht se ligji i parashikon programet e rehabilitimit dhe riintegrimit, hasen vështirësi sidomos në procesin e riintegrimit në shoqëri pasi mungojnë mekanizmat kryesorë të monitorimit dhe ndjekjes së rasteve pas përfundimit të dënimit.
Në raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2022, theksohet se sistemi i drejtësisë penale dhe i burgjeve mbetet një çështje shqetësuese. Kjo vjen si rezultat i ndërhyrjeve politike që vazhdojnë të ndikojnë sistemin e drejtësisë, korrupsionit në të gjitha nivelet, menaxhimit të dobët të sistemit, infrastrukturës jo të duhur në burgje dhe mungesës së sigurisë[5]. Nga ana tjetër Komisioni Europian veçon si çështje që kanë nevojë të adresohen, rëndësinë e inspektimeve në sistemin e burgjeve dhe funksionimin e programeve të rehabilitimit në sistemin e drejtësisë penale.
Një ndër organizatat që në mënyrë të vazhdueshme raporton në lidhje me respektimin e të drejtave të personave me liri të kufizuar është Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Në një raport të vitit 2022[6], gjatë vizitave monitoruese, ekspertët kanë verifikuar me kujdes respektimin e të drejtave kushtetuese, konventore dhe ligjore që gëzojnë këta shtetas, por veçanërisht janë ndalur tek njoftimi i shtetasve për shkaqet e kufizimit të lirisë; respektimi i të drejtës për t’u ankuar ndaj këtij kufizimi; verifikimi i pasqyrimit saktësisht të momentit të kufizimit të lirisë në dokumentacionin përkatës; njoftimi i të drejtave të personave të ndaluar dhe të arrestuar, veçanërisht të drejtës për t’u mbrojtur me avokat; respektimi i të drejtës për ajrim, i të drejtës për kërkesë dhe ankesë; i të drejtës për të përfituar nga lejet shpërblyese; i të drejtës për shërbim në komisariatet e policisë së shtetit, në institucionet e paraburgimit dhe të ekzekutimit të vendimeve penale dhe në spitalet psikiatrike shëndetësore falas; i të drejtës për të mbajtur komunikim me familjarët dhe miqtë personal pa pasur kontroll në komunikimet me ta, etj.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit raporton se për shumicën e rasteve, rekomandimet e adresuara veçanërsisht ndaj Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimit Penal (IEVP-ve) nuk kanë sjellë ndryshimin e situatës së referuar nëpërmjet ankesës, si dhe nuk rezulton (referuar përmbajtjes së shkresës) të jenë kryer verifikime të plota dhe objektive për shqetësimet e përcjella nga shtetasit e privuar nga liria. Ankesat më të shumta që vijnë nga të dënuarit/paraburgosurit i korrespondojnë pretendimeve për mosrespektim të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, në cenim të nenit 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Problematike vazhdojnë të jenë vonesat dhe tejzgjatja e proceseve gjyqësore.
Në një tjetër raport-monitorim të përvitshëm që bën Avokati i Popullit për respektimin e të drejtave të njeriut, vlen të përmendet puna e kryer në kuadër të respektimit të të drejtave të personave me liri të kufizuar. Në raportin e vitit 2022[7], theksohet se ka një sërë problematikash që i janë adresuar Avokatit të Popullit nga të dënuar dhe të paraburgosur që kanë kryesisht karakter përgjithësues, por që lidhen me ankesat e tyre mbi procedurën e transferimit në vendin tonë të shtetasve shqiptarë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit të dhënë nga një gjykatë e huaj, garantimin efektiv të së drejtës së punësimit të të burgosurve me qëllim jo vetëm fitimin dhe zhvillimin e aftësive për punë dhe njohurive profesionale, por edhe shpërblimin me para për punën e kryer. Nga ana tjetër janë shqyrtuar ankesa që kanë të bëjnë me trajtimin shëndetësor të të burgosurve. Sipas ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve[8]”, personeli mjekësor duhet të kontrollojë periodikisht të gjithë të burgosurit sipas një grafiku të hartuar nga drejtoria e institucionit dhe të burgosurit me sëmundje kronike përfitojnë shërbime të kujdesit shëndetësor sipas standardeve që zbatohen për këto kategori pranë institucioneve të specializuara jashtë sistemit të burgjeve.
Kufizime të tilla dhe problematika të hasura në sistemin e burgjeve, ndikojnë në cilësinë e jetës dhe shëndetit të të dënuarve. Po ashtu, mungesa e akteve nënligjore që duhet të ishin nxjerrë pas miratimit të ligjit Nr.81/2020, për disa aspekte të veçanta si garantimi i arsimit të lartë dhe të mesëm gjë që e parashikon ky ligj, krijojnë pengesa për garantimin e të drejtave të personave me liri të kufizuar.
Nga monitorimi, intervistimi i të dënuarve/paraburgosurve dhe vëzhgimi në ambientet e brendshme të regjimit në disa nga paraburgimet dhe burgjet e vendit, u identifikuan një sërë problematikash. Ndër problematikat më të hasura dhe të raportuara mbetet mbipopullimi në sistemin penitenciar, ankesa që vijnë nga të dënuar për shkak se vendosen në institucione të vuajtjes së dënimit jashtë qyteteve/rretheve të tyre duke krijuar në këtë mënyrë mungesë të plotësimit të kushteve bazë, mohimin e të drejtës së takimit me familjarët për shkak të largësisë, kryesisht në qytete të mëdha. Një tjetër problematikë është trajtimi i të dënuarve me probleme të shëndetit mendor. Ndërkohë që ka edhe shumë raste të cilat janë trajtuar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Mund të përmendim çështjen “Strazimiri kundër Shqipërisë” që u paraqit në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. GJEDNJ[9] konstatoi cenim të neneve 3 (ndalimi për t’ju nënshtruar torturës, dënimit a trajtimit çnjerëzor ose degradues) dhe neneve 5 § 1 dhe 5 § 4 (e drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ. GJEDNJ njohu të drejtën e kërkuesit për dëmshpërblim të drejtë, në përputhje me nenin 41 të Konventës. Në këtë rast, GJEDNJ aplikoi edhe nenin 46 të Konventës, duke vendosur Shqipërinë para detyrimit për zbatimin e masave të një karakteri të përgjithshëm, në mënyrë të menjëhershme, për të siguruar kushtet e duhura të jetesës dhe shërbimet e kujdesit të duhur shëndetësor për personat e sëmurë mendërisht, të cilët janë të privuar nga liria në kushtet e mjekimit të detyruar me vendim gjykate.
Kapitulli 23 për anëtarësimin e Shqipërisë në BE
Shqipëria paraqiti kërkesën zyrtare për anëtarësimin në BE në prill të vitit 2009. Në tetor të vitit 2012, Komisioni Europian rekomandoi që Shqipërisë t'i jepej statusi i vendit kandidat, me kusht plotësimin e masave kyçe që kishin të bënin me reformën në drejtësi, administratën publike, si dhe rishikimin e rregulloreve parlamentare. Në qershor të vitit 2014, Shqipërisë iu dha statusi i vendit kandidat[10]. Në korrik të vitit 2022 Shqipëria dhe Bashkimi Europian mbajtën Konferencën e Parë Ndërqeveritare në Bruksel, që shënon hapjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian. Kapitulli 23, “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, ndahet në katër fusha kryesore dhe të ndërlidhura: i) gjyqësori, ii) lufta kundër korrupsionit, iii) të drejtat themelore të njeriut si dhe iv) të drejtat e qytetarëve të BE-së, të cilat në vetvete ndahen më tej në një numër nën-fushash.
Komisioni Europian në kuadër të raportit zyrtar për vitin 2022[11] për Shqipërinë, thekson se është bërë progres për sa i takon zbatimit të reformës në drejtësi, por duhet të zbatohen edhe rekomandimet e dhëna në kuadër të përmirësimit dhe garantimit të lirive dhe të drejtave të gjitha grupeve në shoqëri. Respektimi i të drejtave të personave me liri të kufizuar është një nga parimet e shtetit të së drejtës. Shteti ynë i cili aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian, ka ndërtuar një sërë mekanizmash për të orientuar sistemin e drejtësisë me legjislacionin e vendeve të Europës Perëndimore. Nga të dhënat e sistemeve penitenciare dhe monitorimet që janë bërë në IEVP-të [12] nga organizma të ndryshëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë, raportojnë për një rritje dhe përmirësim të shërbimeve të burgjeve, në respektimin e të drejtave themelore të njeriut, bashkëpunim me shoqërinë civile, në zgjerimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e standardeve të trajtimit.
Shteti shqiptar ka ratifikuar Konventën “Kundër Torturës dhe Trajtimeve a Dënimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Poshtëruese”, “Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, etj. Nëpërmjet ratifikimit të këtyre akteve ndërkombëtare ai angazhohet të marrë të gjitha masat për parandalimin e torturës dhe keqtrajtimeve a dënimeve mizore e poshtëruese, si dhe ndëshkimin e shkelësve në rast se konstatohet kryerja e kësaj vepre penale[13].
Përfundime
Burgjet janë institucione të mbyllura, por ato janë së pari institucione publike dhe në këtë këndvështrim i shërbejnë shoqërisë për ta mbrojtur, por edhe për t’i rikthyer asaj individë më të përgjegjshëm pasi ata kanë kryer dënimin e tyre. Jeta në sistemin e drejtësisë penale duhet rregulluar e tillë që të jetë sa më pranë jetës normale, në kushtet ku individëve u respektohen të drejtat e tyre të garantuara në ligj dhe nga ana tjetër, sistemi i burgjeve duhet të ketë një mënyrë efektive të dhënies së llogarisë lidhur me sa dhe si respektohen të drejtat e personave që ka nën kujdes tek organet e ndryshme shtetërore dhe jo-shtetërore, brenda dhe jashtë vendit. Programet e rehabilitimit dhe riintegrimit duhet të jenë funksionalë dhe në përputhje me nevojat e secilit individ që ka kryer një vepër penale.
Bashkimi Europian bazohet dhe zhvillohet mbi një angazhim real për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Garantimi i të drejtave themelore është një nga parimet bazë të sistemit të Komunitetit Europian, prandaj edhe vendi ynë për gjatë gjithë këtyre viteve ka filluar të përmirësojë kuadrin ligjor, të garantojë dhe të sigurojë respektimin e të drejtave të njeriut dhe në veçanti garantimin e të drejtave të personave me liri të kufizuar dhe të luftojë korrupsionin. Pavarësisht përmirësimit të dukshëm që është bërë në këtë kuadër, përsëri hasen problematika dhe janë regjistruar shkelje. Raportet e organizatave të shoqërisë civile por edhe të institucioneve shtetërore që kanë si funksion monitorimin kanë identifikuar mjaft raste që tregojnë për moszbatim të të drejtave të tyre.
Megjithatë është e rëndësishme të theksohet që janë bërë përmirësime në drejtësinë penale, në drejtësinë për të mitur, në kuadrin ligjor, në përmirësimin dhe funksionimin e programeve të rehabilitimit dhe riintegrimit.
Lubjana Malaj, shtator 2023
Lubjana Malaj ka përfunduar studimet e larta në degën Punë Sociale dhe masterin shkencor për Shërbime Sociale në Drejtësinë Penale pranë Fakultetit të Shkencave Sociale. Lubjana është në pozicionin e drejtoreshës ekzekutive në Center for Education and Social Advancement dhe koordinatore e Programit European Solodarity Corps. Ajo, gjithashtu vepron si Asistent Pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale. Lubjana ka zhvilluar trajnime të ndryshme që kanë pasur në fokus të rinjtë dhe gratë. Ajo është njohëse e gjuhës angleze dhe asaj spanjolle.
[1] Sufaj. F (2014)“Sistemi i ndëshkimeve në Shqipëri gjatë regjimit komunist”, Dita 2000, Tiranë.
[2] Po aty, fq 57
[3] Duriçi. B (2018) Rënia e Komunizmit dhe Fillimi i Demokracisë Shqipëria përgjatë viteve 1985-1997, Desertacion, Tiranë, Politikë dhe Qeverisje në BE.
[4]Ligji Nr. 81 dt.25.06.2020 Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve, Neni 2
[5]European Commission (2022) Communication from the Commission to the European Parliament, the Council, the European Economic and Social Committee and the Committee of the Regions 2022 Communication on EU Enlargement policy. Albania Report, Brussels.
[6] Komiteti Shqiptar i Helsinkit (2022) Të drejtat dhe liritë e njeriut gjatë vitit 2021
[7] Raporti Vjetor Për veprimtarinë e institucionit të Avokatit të Popullit Viti 2022
[8]Ligji Nr. 81 dt.25.06.2020 Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve, Neni 41
[9]Kërkesa nr. 34602/16, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Dytë), në çështjen Strazimiri kundër Shqipërisë.http://www.gjykataelarte.gov.al/web/Ceshtja_strazimiri_kunder_shqiperise_2020_3739.pdf
[10] Malaj.A et,.al (2016) “Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian Fondacioni”, Friedrich Ebert-Zyra për Shqipërinëdhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.
[11]European Commission (2022) Communication from the Commission to the European Parliament, the Council, the European Economic and Social Committee and the Committee of the Regions 2022 Communication on EU Enlargement policy. Albania Report, Brussels.
[12]Bllaca., E & Como,.A (2016) Building free of torture and impunity societies in Western Balkans An EU‐funded project. Monitorimi i vendeve të vuajtjes së dënimit në Shqipëri. Podgorice.
[13]https://ahc.org.al/wp-content/uploads/2016/12/raport-te-drejtat-e-njeriut.pdf