Menaxhimi i Integruar i Kufirit -Arritjet dhe sfidat

Menaxhimi i Integruar i Kufirit -Arritjet dhe sfidat

Vendimi  për hapjen e negociatave për Shqipërinë me Bashkimin Europian, përforcoi qëndrimin se anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet një objektiv dhe prioritet strategjik i Shqipërisë,  i cili nënkupton  arritjen e standardeve europiane  si në aspektin  politik, ekonomik, ligjor dhe institucional. Në përputhje me  këtë qëllim, lëvizja e lirë e personave dhe mallrave ndërmjet shteteve anëtare të BE-së  kërkon përafrimin dhe zbatimin e masave të caktuara me qëllim arritjen e standardeve për kontrollin e kufijve të jashtëm. Shqipëria  si vend që aspiron të jetë pjesë e familjes europiane, duhet të sigurojë angazhimin  e saj për menaxhimin e kufijve dhe për të forcuar partneritetin, stabilitetin, rritjen e ekonomisë dhe zvogëluar rreziqet e sigurisë. Ky  artikull  analizon përparimin e bërë  nga Shqiperia  në fushën  e menaxhimit të kufijve kundrejt detyrimeve të anëtarësimit në aspektet e kontrollit kufitar, si dhe adreson sfidat në këtë drejtim. 


HYRJA

Menaxhimi i Integruar i Kufirit, nënkupton sigurimin e  qarkullimit efikas  ndërkufitar  dhe adresimin e sfidave migratore, kërcënimeve të mundshme ndaj sigurisë kufitare si parandalimin dhe goditjen e krimeve të rënda me dimension ndërkufitar: trafiqet e paligjshme, kontrabandimin e migrantëve, trafikimin e qenieve njerëzore, terrorizmin, kontrabandën; parandalimin e krimeve mjedisore; parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj kërcënimeve ndërkufitare, garantimin e një niveli të lartë të sigurisë së brendshme, duke kontribuar në këtë mënyrë dhe në stabilitetin e vendeve fqinje dhe të vendeve të tjera.

Zbatimi  i menaxhimit të integruar të kufijve për Shqipërinë merr rëndësi të madhe si në aspektin politik dhe atë gjeografik. Sepse politikisht Shqipëria është vend që ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, është kandidat për anëtarësimin në BE dhe gjeografikisht, pasi ndodhet  në kufijtë e jashtëm të BE-së midis Republikës së Greqisë, shtet anëtar i BE-së, vendeve që kanë statusin e vendeve kandidate të BE (Mali i Zi, Maqedonia e Veriut) dhe Kosovës. Ky pozicion i vendos autoritetet e shtetit shqiptar para detyrimit për të miratuar standardet dhe praktikat më të mira të Bashkimit Europian në fushën e sigurisë kufitare, për shkak të marrjes së përgjegjësisë relativisht të shpejtë për kontrollin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian. 

Nga ana tjetër, migracioni si një proces i vazhdueshëm i lëvizjes së njerëzve, është në qendër të interesit të Europës, pasi Bashkimi Europian përballet me presione të vazhdueshme në rritje të migracionit. Për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike, në kryqëzimin midis Europës Lindore dhe Perëndimore dhe pjesëve jugore dhe veriore të kontinentit, Shqipëria është një lidhje natyrore ku zhvillimi ekonomik, nevojat e tregut të punës dhe veçanërisht lidhjet e transportit që kalojnë në territorin e Shqipërisë, ndikojnë në flukset e shumta të migracionit.

Menaxhimi i Integruar i Kufirit dhe siguria kufitare, kërkon angazhim në raport me legjislacionin në fuqi, situatën politike dhe sigurinë kombëtare të vendit, si dhe në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai kërkon bashkërendim dhe bashkëpunim kombëtar dhe ndërkombëtar ndërmjet të gjitha autoriteteve dhe agjencive të përfshira në sigurinë kufitare, me qëllim arritjen e qëllimit të përbashkët “Kufij të hapur, por të kontrolluar dhe të sigurt”.

Zhvillimet në fushën e menaxhimit të kufijve

Në vite,  ka pasur progres në fushën e Menaxhimit të Integruar të Kufirit, në përmirësimin e kuadrit ligjor, rritjen kapaciteteve administrative dhe profesionale të strukturave, zbatimin e Procedurave Standarde të Punës, përmirësimin e infrastrukturës dhe teknologjisë së informacionit, rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkufitar, si dhe në drejtim të goditjes së aktiviteteve të paligjshme që zhvillohen nëpërmjet kufirit shtetëror. Shqipëria ka një sistem të integruar të administrimit të kufijve në përputhje me rekomandimet e BE-së dhe praktikat e mira të BE-së. Zhvillimet kryesore në këtë fushë perfshijnë:

1. Realizimi i një Dokumenti strategjik që orienton politikat në përputhje më politikat e BE-së

Strategjia e Menaxhimit të integruar të Kufijve (2021-2027) është dokumenti kryesor që orienton politikat strategjike në fushën e Menaxhimit të Integruar të Kufirit, si vazhdim i përpjekjeve për të përmirësuar më tej menaxhimin e integruar të kufijve në përputhje me sistemin europian të mbikëqyrjes kufitare, e cila:

-Mbron sigurinë e brendshme dhe menaxhon flukset e migracionit për të parandaluar migrimin e parregullt, si dhe për të parandaluar dhe luftuar krimin ndërkufitar;

-Lehtëson lëvizjen e ligjshme të shtetasve dhe mallrave;

-Respekton plotësisht të drejtat themelore, duke përfshirë trajtimin e çdo individi me respektin e duhur për dinjitetin e tyre, dhe siguron akses në mbrojtjen ndërkombëtare për ata që kanë nevojë për të.

Strategjia Kombëtare dhe Plani i saj i Veprimit mbështeten në konceptin më të fundit të BE-së për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe Strategjinë Europiane Teknike dhe Operacionale të Menaxhimit të Integruar të Kufirit. Dokumenti strategjik është gjithashtu në përputhje me acquis për Agjencinë Europiane të Rojes Kufitare dhe Bregdetare; Kodin e Kufijve të Zonës Shengen dhe Katalogun e  përditësuar të Shengenit të BE-së; rekomandimet dhe praktikat më të mira për mbikëqyrjen e kufijve të jashtëm, kthimin dhe ripranimin, Sistemin Europian të Mbikëqyrjes së Kufijve (EUROSUR). Strategjia nga ana tjetër përmban dhe elementë shtesë kombëtarë të rëndësishëm për  të qenë funksionale, por dhe ndërvepruese me strategjine europiane.

2. Përafrimi i legjislacionit me legjislacionin e Bashkimit Europian 

Shqipëria ka një kuadër ligjor për menaxhimin e kufirit dhe bashkëpunimi ndërkufitar, i cili bazohet në Ligjin Nr. 71/2016 “Për kontrollin kufitar”; Ligjin nr.79/2021 “Për të Huajt”, Ligjin nr.108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, Kodin Penal, Ligji nr. 10/2021” Për Azilin”, Ligjin Nr. 9887/2008 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”etj. Aktet kryesore si  “Ligji për kontrollin e kufijve” dhe “Ligji për të huajt” janë pjesërisht në përputhje me acquis të BE-së. 

3. Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional mes agjencive që mbikëqyrin kufirin 

Është përmirësuar legjislacioni kombëtar në lidhje për shkëmbimin efikas të informacionit ndërmjet agjencive kufitare dhe agjencive të tjera ligjzbatuese dhe mbrojtjen e të dhënave si dhe mekanizmi i monitorimit të hapësirës detare përmes ndryshimeve ligjore  të funksionimit të Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare që synon përsosjen e koordinimit ndërinstitucional dhe kryerjen e operacioneve të përbashkëta të zbatimit të ligjit në det.

4. Standardizimi i procedurave të punës, bazuar në praktikat më të mira dhe në standardet Schengen

Procedurat standarde të punës nga agjencitë e përfshira në MIK si ato të Policisë së Shtetit, për të gjithë strukturat e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare, kanë njohur përmirësime,  bazuar në konceptin  e detyrimeve që rrjedhin nga Schengen dhe e Rregullores së Agjencisë për Kufirin Europian dhe Rojen Bregdetare.

5. Forcimi i kapaciteteve logjistike /pajisjeve për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit në përputhje me standardet e parashikuara nga katalogu Schengen  dhe Informatizimi   me pajisje bashkëkohore për kontrollin e kufirit 

Është kryer informatizimi i të gjitha shërbimeve të kufirit dhe pajisja e strukturave me mjete komunikimi, si dhe manuale dhe procedura që lehtësojnë shkëmbimin e informacionit. Të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar të Republikës se Shqipërisë janë të lidhura online me sistemin TIMS, një sistem ku policia kufitare evidenton hyrje/daljet në kufirin shtetëror dhe të gjithë problematikën që lind në kufi. Aksesimi i TIMS dhe nga shërbime të tjera si nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave siguron shkëmbimin e informacionit në kohë reale. Në realizim të objektivit për përmirësimin e infrastrukturës për akomodimin e migrantëve dhe azilkërkuesve, në bashkëpunim me agjencitë e përfshira në këtë proces, janë hapur gjithashtu Qendra të Përkohshme Pritjeje  në disa  qytete si Gjirokastër, Kakavijë, Ersekë. 

6. Forcimi i bashkëpunimit me BE dhe vendet fqinje reflektuar në numrin në rritje të marrëveshjeve dhe protokolleve në fushën e bashkëpunimit ndërkufitar dhe në numrin e patrullimeve dhe operacioneve të përbashkëta 

Së fundmi është nënshkruar Marrëveshja e re me Shqipërinë dhe Agjencinë Europiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex), e cila përfshin organizimin e operacioneve të përbashkëta dhe vendosjen e ekipeve të menaxhimit të kufirit të Frontex në Shqipëri, për të ndihmuar në menaxhimin e flukseve migratore, luftimin e imigracionit të paligjshëm dhe trajtimin e krimit ndërkufitar. Marrëveshja zëvendëson marrëveshjen ndërmjet Shqipërisë dhe Frontex, hyrë në fuqi në vitin 2019 (përpara hyrjes në fuqi të rregullores së re të Agjencisë Europiane të të Rojës Kufitare dhe Bregdetare).

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar me vendet fqinje, janë nënshkruar dhe zbatohen marrëveshjet me Republikën e Kosovës, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Janë nënshkruar gjithashtu Marrëveshje dhe Protokolle për patrullimin e përbashkët përgjatë kufirit shtetëror, mbi shfrytëzimin e përbashkët të pajisjeve për kontrollin e kufirit, për ngritjen e Pikave të Përbashkëta të Kalimit Kufitar dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar, për krijimin dhe funksionimin e qendrave të përbashkëta të bashkëpunimit policor, etj. Në zbatim të këtyre marrëveshjeve, deri më tani janë hapur Pika të Përbashkëta të Kalimit Kufitar me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, si dhe janë funksionale 4 Qendra të Përbashkëta të Bashkëpunimit Policor: Qendra e Përbashkët e Bashkëpunimit Policor trepalëshe (Shqipëri-Kosovë-Mali i  Zi), Qendra e Përbashkët e Bashkëpunimit Policor me Maqedoninë e Veriut, Qendra e Përbashkët e Bashkëpunimit Policor me Kosovën dhe Qendra e Përbashkët e Shkëmbimit të Informacionit me Greqinë.

7. Përqasja me standardet e organizimit strukturor të Policisë Kufitare dhe Migracionit sipas praktikave më të mira të vendeve të BE-së

Policia Kufitare dhe e Migracionit, është pjesë e policisë së shtetit dhe është përgjegjëse për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror si dhe për trajtimin e shtetasve të huaj në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo strukturë është e organizuar në nivel qendror dhe vendor, me njësi të analizës së riskut në qendër dhe zyrat rajonale. Mbështetur dhe në rekomandimet e Komisionit Europian,  me ndryshimet e fundit në strukturën e Policisë së Shtetit, janë krijuar  dhe strukturat e hetimit ndërkufitar në Policinë Kufitare.


Përfundime dhe rekomandime

Siç  dhe u prezantua më sipër, është bërë progres në komponentët përbërës të  menaxhimit të integruar të kufirit, progres i  pranuar dhe nga Komisioni Europian, përmes progres raporteve vjetore të cilat vlerësojnë përparimin e vendit që aspiron anëtarësimin në BE. Komisioni Europian në Progres Raportin e fundit  të vitit 2023, vlerëson se Strategjia e Menaxhimit të Integruar të Kufirit 2021-2027 dhe Plani i Veprimit 2021-2023 janë në përputhje të gjerë me standartet e BE-së, ndërkohë që  ndër të tjera evidenton se “ Kuadri legjislativ për menaxhimin e kufijve të jashtëm të Shqipërisë nuk është ende plotësisht në përputhje me standardet e BE-së.  Ligji për Kontrollin Kufitar që prezanton Informacionin Paraprak të Pasagjerëve dhe Regjistrimin e Emrit të Pasagjerëve (PNR) në legjislacionin shqiptar nuk është në përputhje me acquis e BE-së.”.

Adresimi i rekomandimeve të Bashkimit Europian, veçanërisht në këtë stad të ri ku ka hyrë marrëdhënia me Bashkimin Europian, pas takimeve bilaterale dhe prezantimit të Screening Report, por dhe sfidave të reja për MIK në Shqipëri, kërkojnë përmirësime të mëtejshme të kuadrit ligjor rregullator, bashkëpunimin brenda agjencive të kufirit dhe  atë ndërkombëtar. Adresimi i sfidave  të mësipërme do të kërkojë vazhdimin e punës për përafrimin e plotë të legjislacionit me acquis dhe procedurat standarde të funksionimit të punës me praktikat më të mira, të cilat do të kërkojnë inciativa të reja, ndër të cilat, përmirësime në Ligjin Nr. 71/2016 “Për kontrollin kufitar”, i ndryshuar; krijimin e një Qendre Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në përputhje me Rregulloren EUROSUR, forcimin e mëtejshëm të autonomisë operacionale dhe menaxheriale të Policisë Kufitare dhe Migracionit, si dhe  rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ndërkufitar me vendet fqinje dhe ato të BE-së.

Gentiana Bektashi, janar 2024

*Gentiana Bektashi  mban pozicionin e përgjegjëses së  Drejtorisë së Integrimit, Koordiminit, Marrëveshjeve dhe Asistencës pranë Ministrisë së Brendshme. Bektashi ka një eksperiencë 17 vjeçare pune pranë Ministrisë së Brendshme, e përfshirë në procesin e integrimit europian të vendit dhe më konkretisht rreth Kapitulli 24. Ajo mban Gradën Doktor i Shkencave në Studime Europiane.


Referencat

Strategjia ndërsektoriale e Menaxhimit të integruar të Kufirit  2021 – 2027

Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë, 2023 https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/albania-report-2023_en

Ligji nr.71/2016 “Për Kontrollin Kufitar“

Ligj Nr. 22/2020 “Për disa shtesa në Ligjin Nr. 71/2016 “Për kontrollin kufitar”

Ligji nr.79/2021 “Për të Huajt“

https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/PDF/?uri=CELEX:32013R1052

https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=celex%3A32016R0399

https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/screening-report-albania_en




1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk