Një vit nga hapja e negociatave me BE - Zhvillimet pozitive dhe sfidat e hasura

Një vit nga hapja e negociatave me BE - Zhvillimet pozitive dhe sfidat e hasura

Rrugëtimi drejt integrimit europian ka nisur që në vitin 1991 kur janë vendosur marrëdhëniet e para diplomatike midis BE-së dhe Shqipërisë. Që nga ajo periudhë e deri në ditët e sotme vendi ynë ka kaluar disa etapa në këtë proces, ku mund të përmendim nënshkrimin e Marrëveshjes së Tregtisë dhe Bashkëpunimit në 1992, liberalizimin e regjimit të vizave në 2010 dhe marrjen e statusit të vendit kandidat në 2014, çeljen e negociatave dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) respektivisht në 1999 dhe 2006.

Edhe pse Shqipëria ka tejkaluar shumë sfida, ende nuk ka arritur anëtarësimin, por ka arritur të çelë negociatat për anëtarësim dhe në këtë kuadër vendi kandidat zotohet për përafrimin e plotë të legjislacionit me atë të Bashkimit Europian si dhe për zbatimin e reformave të tjera ligjore, politike, ekonomike, administrative, etj.

Në qendër të këtij artikulli trajtohet rrugëtimi që ka ndjekur vendi që nga hapja e negociatave e deri më sot, dokumentet e përgatitur në kuadër të këtij procesi madhor, zhvillimet pozitive dhe sfidat e hasura përgjatë rrugëtimit.

Shqipëria si pjesë gjeografike, historike por dhe kulturore e Europës, nëpërmjet këtij procesi ka si qëllim të jetë pjesë e familjes Europiane si në aspektin politik po ashtu edhe në atë institucional. Bashkimi Europian është një familje rregullash dhe ligjesh, kriteresh të detyrueshme dhe gjatë këtij procesi Shqipëria do të duhet të rrisë standardet e saj politike, demokratike, ekonomike dhe të zbatojë në mënyrën më të lartë respektimin dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore.

Integrimi në Bashkimin Europian është një ndër proceset më të rëndësishme në të cilin është përfshirë vendi ynë, i cili mori deri diku shpërblim korrikun e vitit 2022, me Konferencën e Parë Ndër-Qeveritare, në të cilën shënohet një fazë e re e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, ajo e fillimit të çeljes së negociatave të anëtarësimit. Në këtë konferencë, Bashkimi Europian dhe Shqipëria prezantuan pritshmëritë e tyre në lidhje me negociatat bazuar në Kuadrin e tyre të Përgjithshëm Negociator.

Metodologjia e zgjerimit e BE -së tashmë ka ndryshuar dhe bazohet në katër elementë shumë të rëndësishëm si më poshtë:

·       Besueshmëria: Vendet kandidate duhet të plotësojnë standardet përmes avancimit të procesit të reformave, por edhe BE nga ana tjetër duhet të njohë progresin nëse vërehet përparim

·       Angazhim i nivelit të lartë: BE dhe vendet kandidate duhet të zhvillojnë diskutime të nivelit të lartë përmes samiteve dhe takimeve. Gjithashtu, Shtetet Anëtare do të duhen të përfshihen më shumë në këtë proces.

·       Parashikueshmëria: Përcaktim më i qartë i kushteve të negocimit për vendet anëtare për një proces bazuar në merita.

·       Procesi i kthyeshëm: Regresi ose mbetja në vend në fushën e shtetit të së drejtës është përcaktues.

 

Pas Konferencës së parë Ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë në korrik 2022, Komisioni nisi menjëherë procesin screening, proces i cili bazohet në metodologjinë e miratuar në vitin 2020. Metodologjia organizon kapitujt e negociatave në grupe tematike për të krijuar dinamizëm në procesin e negociatave, dhe për të nxitur ndërthurjen e përpjekjeve përtej kapitujve individualë. Këto grupe tematike bashkojnë kapitujt/fushat sipas temave më të gjera dhe lejojnë një fokus më të madh në sektorët bazë. Brenda çdo grupi individualisht, shqyrtimi kryhet nëpërmjet takimeve kapitull pas kapitulli. Thelbi i këtyre grupimeve dhe kapitujve pasqyron kërkesat për anëtarësim që rrjedhin nga kriteret e Kopenhagenit.

Sipas kësaj ndarjeje të re, të 33 kapitujt (së bashku me Kriterin Politik dhe atë Ekonomik) janë grupuar së bashku në 6 grup-kapituj.

Metodologjia e re e zgjerimit e vendos grupin Themelor, i cili përbëhet nga Kapitulli 23, Kapitulli 24, Kriteri Politik, Kriteri Ekonomik, Kapitulli 5, Kapitulli 32 dhe Kapitulli 18, në qendër të negociatave të anëtarësimit, siç pasqyrohet në Kuadrin e Negociatave me Shqipërinë. Prandaj, Shqipëria do të duhet të përqafojë dhe zbatojë plotësisht reformat në fushat themelore të shtetit të së drejtës, në veçanti reformën gjyqësore, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat themelore, forcimin e institucioneve demokratike dhe reformën e administratës publike, si dhe kriterin ekonomik.

Këta elementë janë baza për një shtet të qëndrueshëm, demokratik, modern dhe mirëfunksionues.

Funksionimi i institucioneve demokratike siguron që pushteti të rrjedhë nga populli përmes një sistemi përfaqësues, me zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Reforma e administratës publike, përfshirë financat publike, duhet të sigurojë efikasitet, profesionalizëm të paanshëm dhe përgjegjshmëri dhe ti shërbejë interesave të qytetarëve dhe biznesit. Vlerat themeluese të BE-së përfshijnë sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut, një sistem gjyqësor efektiv (i pavarur, cilësor dhe efikas) si dhe një luftë efektive kundër korrupsionit e cila është thelbësore bashkë me respektimin e të drejtave themelore, ligjërisht dhe në praktikë. Këto janë elementet që përbëjnë Kapitullin 23.

Për sa i përket Kapitullit 24, BE ka rregulla të përbashkëta për kontrollin e kufijve, vizat, lejet e qëndrimit dhe të punës, migrimit dhe azilit. Shtetet Anëtare të BE-së gjithashtu bashkëpunojnë në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, dhe në çështjet gjyqësore, policore dhe doganore dhe mbështeten nga Agjencitë e Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme të BE-së.

Në përputhje me përfundimet e Këshillit Europian në qershor 1993, anëtarësimi në BE kërkon ekzistencën e një ekonomie tregu funksionale dhe kapacitetin për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda Bashkimit Europian, të referuara si Kriteret Ekonomike.

Rregullat e BE-së, sipas Kapitullit 5acquis, sigurojnë që prokurimi publik i mallrave,  shërbimeve dhe punëve në çdo shtet anëtar të jenë transparente dhe të hapura për të gjitha kompanitë e BE-së mbi bazën e mosdiskriminimit dhe trajtimit të barabartë.

Rregullat e BE-së kërkojnë, sipas Kapitullit 18acquis, që Shtetet Anëtare të jenë në gjendje të prodhojnë statistika të bazuara në pavarësinë profesionale, paanshmërinë, besueshmërinë, transparencën dhe konfidencialitetin, ku janë parashikuar rregulla të përbashkëta për metodologjinë, prodhimin dhe shpërndarjen e informacionit statistikor.

BE-ja promovon reformën e sistemeve kombëtare të qeverisjes për të përmirësuar llogaridhënien menaxheriale, menaxhimin e shëndoshë financiar të të ardhurave dhe shpenzimeve dhe auditimin e jashtëm të fondeve publike. Rregullat e kontrollit financiar të Kapitullit 32 mbrojnë më tej interesat financiare të BE-së kundër mashtrimit në menaxhimin e fondeve të BE-së.

Pas vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit, një nga angazhimet e menjëhershme të Shqipërisë, ishte përgatitja e palës shqiptare për takimet dypalëshe screening. Gjatë këtyre takimeve, përfaqësuesit e institucioneve kombëtare kontribuese për kapitujt përkatës, përmes prezantimeve në power-point duhet të prezantonin: nivelin e përafrimit të legjislacionit kombëtar me aktet specifike të acquis së BE-së sipas fushave përkatëse; kuadrin ligjor, politik dhe institucional; nivelin e implementimit dhe stadin e forcimit të kapaciteteve; track records për 5 vitet e fundit; si dhe planet e sfidat e së ardhmes.

Si një fazë paraprake për përgatitjen e këtyre takimeve, Komisioni Europian zhvilloi disa takime shpjeguese në  vitin 2018 dhe në vitin 2022, në të cilat u shpjegua në formë të qartë çfarë kërkohej nga pala shqiptare gjatë takimeve dypalëshe. Takimet u zhvilluan për të gjithë kapitujt me radhë ku pala shqiptare u informua mbi procesin dhe kërkesat e BE-së. Pas takimeve shpjeguese duke filluar nga nëntori i vitit 2022, filluan takimet dypalëshe të cilat u hapën zyrtarisht me Kapitullin 24 dhe 23 ku u prezantua shkalla e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së dhe sfidat dhe angazhimet e së ardhmes të cilat më pas do të duhet të përkthehen në masa konkrete.

 

Pas përfundimit të takimeve dypalëshe, Komisioni u njoh gjerësisht me situatën në vend dhe pas shqyrtimit të të gjithë prezantimeve më 24 korrik 2023 publikoi Raportin Screening ku në mënyrë të detajuar parashtrohen të gjitha çështjet që duhen adresuar për GrupKapitullin 1. Për të adresuar rekomandimet e Komisionit Europian të dala nga ky raport, shteti shqiptar duhet të përgatisë 3 udhërrëfyes të cilët duhet të parashikojnë masa konkrete dhe të matshme që do të duhet të marrin institucionet për realizimin e tyre. Përkatësisht Udhërrëfyesit janë për 1. Shtetin e së Drejtës;  2. Funksionimin e Institucioneve Demokratike; 3. Reformën në Administratën Publike. Paralelisht me udhërrëfyesit shteti shqiptar duhet të përgatisë edhe Pozicionin e saj Negociues, dokument i cili duhet të jetë aq sa teknik dhe i vetëmjaftueshëm konciz për të gjithë Grupkapitullin 1.

Përpos gjithë këtij rrugëtimi, mbushur me dokumentacione, raportime, prezantime takime teknike shumë të shpeshta dhe periodike, shteti shqiptar është angazhuar dhe ka ndërmarrë nisma të rëndësishme përsa i përket ndryshimeve të nevojshme ligjore për të përafruar legjislacionin e saj me atë të Bashkimit Europian.

Këtu mund të përmendim Strategjinë e re Anti-Korrupsion për vitet 2023-2030, miratimin e Hartës së re Gjyqësore në korrik 2022 për sa i përket efikasitetit të gjyqësorit, e cila synon të rishpërndajë ngarkesën e punës midis gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë më të drejtë duke rialokuar gjykatat në funksion të diferencave të grumbulluara. Harta e re synon të optimizojë burimet njerëzore dhe financiare, të rrisë efikasitetin e gjykatave dhe të zbusë ndikimin e procesit të vetingut.

Gjithashtu, Shqipëria ka nisur punën për hartimin e një Kodi të ri Penal, i cili lind si domosdoshmëri me qëllim përshtatjen e tij me të gjithë aktet ndërkombëtare ku Shqipëria ka aderuar ndër vite, standardet e të cilave kërkohet të reflektohen në legjislacionin penal.

Shqipëria ka nisur tashmë një rrugëtim pa kthim drejt anëtarësimit në BE, e në këtë kontekst, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përqasjes së legjislacionit penal me legjislacionin e Bashkimit Europian. Procesi i verifikimit është në vazhdim, nën mbikëqyrjen e jashtme të pavarur të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të vendosur nga Komisioni Europian dhe Departamenti i Shtetit dhe i Drejtësisë në SHBA ndërkohë që buxheti i dedikuar për institucionet e vetingut është rritur ndjeshëm.

E përpos këtyre ndryshimeve të mëdha pozitive, Shqipëria ka ende shumë rrugë për të bërë.

Pas miratimit të hartës së re gjyqësore kërkohen ende përpjekje për t’a vendosur atë në praktikë, si dhe për të përmirësuar sistemin e menaxhimit të çështjeve dhe sistemin e trajnimit për magjistratët. Edhe pse vetingu i anëtarëve të sistemit të drejtësisë është një proces administrativ, ai vazhdon të sjellë rezultate në luftën kundër korrupsionit brenda gjyqësorit, megjithatë, në përgjithësi, pavarësisht disa përparimeve, korrupsioni mbetet një fushë serioze shqetësimi. Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm. Sektorët që janë më të rrezikuar nga korrupsioni kërkojnë vlerësim të synuar të rrezikut dhe masa të dedikuara.

Nevojiten përpjekje të shtuara për të konsoliduar të drejtat pronësore përmes regjistrimit dhe digjitalizimit të të dhënave kadastrale pasi sektori mbetet i prirur ndaj korrupsionit, ndërkohë që procesi i kompensimit ka ngecur. Për mbrojtjen e pakicave kombëtare, Shqipëria ka miratuar një legjislacion të ri zbatues që krijon një fond për projektet e shoqërisë civile në mbështetje të të drejtave të pakicave. Megjithatë, miratimi i legjislacionit të mbetur, duke përfshirë lirinë për t'u vetëidentifikuar si anëtar i një pakice kombëtare dhe përdorimin e gjuhëve të pakicave, është ende në pritje.

Është me rëndësi të vazhdohet dialogu me shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesuara, me synim sigurimin e mbështetjes së qytetarëve në procesin e anëtarësimit në BE. Shqipëria pritet që në mënyrë strategjike t'i komunikojë qytetarëve të saj përfitimet dhe detyrimet e procesit të anëtarësimit. Gjithashtu, është me tepër rëndësi konfigurimi i qasjeve dhe mbi të gjitha i institucioneve si në nivel qendror dhe vendor. Strategjia Ndërsektorale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore 2023-2030, është miratuar tashmë, por zbatimi i saj si dhe i të gjitha strategjive të miratuara për fushat dhe sektorët përkatës duhet të kenë një vëmendje të veçantë në zbatimin e tyre me masa konkrete, buxhet të miratuar dhe ekspertizë të mirëfilltë. Nga ana tjetër duhet theksuar se fuqizimi dhe rritja e kapaciteteve në nivel vendor është kyç, pasi 70% e  legjislacionit të BE-së do të duhet të zbatohet në nivel vendor, prandaj kërkohet vëmendje e shtuar, e cila kërkon përmirësim të bashkërendimit midis qeverisjes qendrore dhe asaj vendore drejt axhendës së përbashkët të integrimit europian dhe forcim të kapaciteteve të tyre në përthithjen e sa më shumë fondeve të BE-së.

Nga ana tjetër disa pengesa të cilat mund të ngadalësojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit, janë konfliktet e gjata politike mes qeverisë së Shqipërisë dhe opozitës dhe mungesa e besimit tek institucionet e drejtësisë e cila ndikon negativisht në krijimin e një imazhi për Shqipërinë si një demokraci jo- e konsoliduar dhe funksionale. Mangësitë e gjyqësorit dhe një media jo tërësisht transparente dhe e pavarur dëmton nivelin e besimit tek publiku në lidhje me transparencën dhe llogaridhënien. Ndër të tjera, ekonomia shqiptare nuk është ende modeli i një ekonomie konkurruese e aftë për tu përballur me tregjet e hapura të BE-së. Forcimi i kapaciteteve administrative në nivel qendror dhe vendor është i domosdoshëm dhe lufta ndaj korrupsionit në shkallë të gjerë përbën një tjetër sfidë të rëndësishme dhe kërkon një vullnet të fort politik dhe strategjik. Shqipëria ka nevojë për të forcuar rolin e shoqërisë civile në jetën politike të vendit si një parakusht për një demokraci të shëndetshme.

Marsida Grami dhe Anxhela Kenaj, tetor 2023


*Marsida mban pozicionin e përgjegjëses së Drejtorisë së Integrimit Europian  dhe Negociatave pranë Ministrisë së Drejtësisë. Ajo ka një eksperiencë rreth 10 vjeçare pune pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Turizmit, ku momentalisht është e përfshirë drejtpërdrejt në procesin e integrimit europian të vendit me fokus Kapitullin 23 dhe Kriterin Politik. Ajo mban gradën Doktor i Shkencave në Ligjin Penal dhe të Drejtën e BE,  ku fusha e saj e ekspertizës përfshin drejtësinë për të mitur.  Marsida është njohëse mjaft e mirë e gjuhës angleze, italiane, spanjolle dhe asaj turke.

*Anxhela është një eksperte e integrimit të BE dhe procesit të negociatave në fushën e gjyqësorit, të drejtave themelore dhe kulturës me rreth 8 vite eksperiencë pune. Ajo momentalisht punon si specialiste e integrimit europian pranë Ministrisë së Drejtësisë, me fokus kontributin dhe realizimin e dokumenteve në kuadër të negociatave për Kapitullin 23. Për më shumë se 6 vite ajo ka punuar si specialiste pranë Ministrisë së Kulturës në drejtorinë e integrimit europian, koordinimit, marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ndihmës së BE-së. 


Bibliografia

Ministria e Drejtësisë - https://www.drejtesia.gov.al/  


Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2022 - https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/albania-report-2022_en


Screening Report for Albania – Cluster 1 - https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/screening-report-albania_en


Këshilli i Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri


Faqja zyrtare e Komisionit Europian - https://commission.europa.eu/index_en



1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk