Zona Shengen “Rreth Europës për 90 ditë”

Zona Shengen “Rreth Europës për 90 ditë”

Më 14 qershor 1985, Republika Federale e Gjermanisë, Franca dhe tre vendet e Beneluksit vendosën t’i japin jetë një ideje e cila u përkthye në një marrëveshje që solli heqjen graduale të kontrolleve në kufijtë e përbashkët të tyre. Konsiderohet si një nga arritjet më të mëdha të realizuara mes shteteve europiane nisur nga një histori dhe e kaluar me më shumë ndasi se përbashkim mes tyre. Një hapësirë ku dikur të gjithë lakmonin zgjerimin e kufijve territorialë, shndërrohet sot në një hapësirë ku kufijtë ekzistojnë vetëm në hartë. 

Marrëveshja ka marrë emrin e qytetit të vogël në Luksemburg Shengen, ku dhe u nënshkrua. Me kalimin e kohës kjo nismë u mbështet dhe u përqafua nga shumë vende të tjera europiane të cilat e kuptuan se përfshirja në të sillte më shumë përfitime sesa humbje. Sot janë plot 27 vende europiane pjesë e saj, me anëtarin më të ri që u bashkua në janar 2023, Kroacinë. Shfuqizimi i kufijve të brendshëm nënkupton lëvizjen e lirë dhe të pakufizuar për më shumë se 400 milionë shtetas të BE-së pavarësisht kombësisë, për të udhëtuar, punuar dhe jetuar në një vend tjetër anëtar pa formalitete të posaçme. Pra, secili mund të kalojë kufijtë e brendshëm pa qenë subjekt i kontrolleve doganore. Megjithatë, autoritetet kompetente kombëtare mund të kryejnë disa kontrolle policore sipas ligjit kombëtar të secilit vend kryesisht kontrolle të identitetit. Nga ana tjetër, kjo politikë e përbashkët siguroi rregulla më strikte dhe efektive në kufijtë e jashtëm duke rritur kështu nivelin e sigurisë përgjatë pikave hyrëse në BE.

Ndërkohë për personat që vijnë nga shtetet jo-anëtare por që kanë liberalizuar vizat me vendet e zonës Shengen, numri i ditëve të lejuara për të qëndruar në një nga vendet e zonës Shengen është 90 ditë çdo gjysëm viti, pa marrë parasysh arsyet e udhëtimit. Në rastet kur qëndrimi e kalon këtë periudhë kohore duhet të aplikohet për vizë dhe të bëhet e qartë arsyeja në bazë të së cilës bëhet ky aplikim në konsullatën e vendit përkatës.

Bashkëpunimi Shengen fillimisht ishte i bazuar vetëm në një marrëveshje ndërkombëtare por më vonë u përbrendësua në të drejtën e BE-së. Kjo zonë mbështetet në rregullat që mbulojnë  harmonizimin e kushteve të hyrjes dhe të vizave të qëndrimit, bashkëpunimin ndërkufitar dhe bashkëpunimin e fortë gjyqësor. Bashkimi me zonën pa viza nuk është thjesht një vendim politik i një shteti. Vendet duhet të plotësojnë një sërë para-kushtesh si: aplikimi i rregullave të Acquis në lidhje me kontrollet e kufijve tokësorë, detarë dhe ajrorë, lëshimin e vizave uniformë, mbrojtjen e të dhënave personale, përgjegjësinë për kontrollin e kufijve të jashtëm, bashkëpunimin policor me agjencitë përkatëse për të ruajtur një nivel të lartë sigurie si dhe përdorimin e Sistemit Informativ Shengen. Të jesh vend anëtar i Bashkimit Europian, nuk do të thotë që bëhesh menjëherë anëtar i zonës Shengen. Vendet që dëshirojnë të bashkohen në të duhet t’i nënshtrohen paraprakisht një sërë vlerësimesh për të konfirmuar nëse përmbushin parametrat e nevojshme për zbatimin e Acquis së Shengenit. Pasi vlerësimi konfirmon gadishmërinë e shtetit për tu bashkuar me zonën, kërkohet një miratim unanim nga të gjitha shtetet e tjera anëtare.

Bullgaria dhe Rumania përfunduan me sukses procesin e vlerësimit të Shengenit në vitin 2011. Këshilli njohu përfundimin e procesit por nuk u mor asnjë vendim i tij mbi heqjen e kufijve. Shtetasit bullgar dhe rumun kanë pritur që një vendim i tillë të finalizohet për më shumë se 11 vite tanimë. Ndërkohë procesi i vlerësimit për Kroacinë u zhvillua nga viti 2016 deri në vitin 2020. Në dhjetor 2021, Këshilli konfirmoi se Kroacia kishte përmbushur kushtet e kërkuara për t'u bashkuar me zonën Shengen pa kontrolle të brendshme kufitare, por vendimi për hapjen e kufjve u la për më vonë. Një vit më pas në nëntor 2022, Komisioni i bëri thirrje Këshillit Europian të marrë vendimin për të lejuar këto vende të bëhen pjesë në zonën pa viza, dhe ndërkohë që Kroacia mori mbështetje unanime nga 26 vende anëtare të Shengenit,  procesi mbeti përsëri pezull për Bullgarinë dhe Rumaninë.

Ishin pikërisht Austria dhe Hollanda ato që votuan kundër me arsyetimin se nuk duhet të ketë zgjerim për sa kohë që kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian nuk janë të mbrojtur efektivisht, dhe si pasojë këto dy vende u bënë subjekt i shumë kritikave nga autoritetet e vendeve përkatëse që aspironin anëtarësimin dhe gjithashtu nga autoritetet e vendeve të tjera anëtare. 

Dekada e fundit ka sjell sfida të reja për Shengenin si pasojë e krizave të tilla si pandemia, kërcënimet kibernetike dhe flukset migratore të parregullta. Këto kriza nxorën në pah disa problematika që lidhen me një mungesë koordinimi ndërmjet shteteve anëtare në menaxhimin e tyre. Mangësitë kanë të bëjnë me boshllëqet në kuadrin ligjor, siguria e kufijve të jashtëm dhe kontrolli i përkohshëm i kufijve të brendshëm, dhe vlerësimin e drejtimin strategjik bazuar në rregullat e Shengenit. Mbështetur në ndodhitë e fundit u pa i nevojshëm një reformim i Kodit të Shengenit nga Komisioni Europian i cili e solli këtë propozim në tryezën e përbashkët të vendeve anëtare në dhjetor të 2021. Propozimi kishte tre objektiva kryesore të cilat lidheshin me ofrimin e një zgjidhjeje për të siguruar që kontrollet e brendshme të mbeten një masë e fundit e përdorur nga shtetet anëtare dhe të ofrohej fleksibilitet ndaj përdorimit të masave të tjera alternative, përmirësimin e bazuar mbi mësimet e nxjerra nga pandemia dhe përgjigje ndaj sfidave në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian.

Si rrjedhojë, Komisioni organizoi dy forume qëllimi i të cilave ishte kuptimi më mirë i nevojave të secilit vend anëtar lidhur me gjendjen së brendshmi. Forumet krijuan bazën për strategjinë drejt një zone Shengen plotësisht funksionale dhe elastike, e cila mori parasysh përparimin e bërë në shtyllat bazë dhe masa të tjera që mbështesin fushën e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë.  

Bleona Bejleri, staf i EuroSpeak janar 2023

Bleona Bejleri ka përfunduar studimet e larta me bursë të plotë për “Shkenca Politike” dhe aktualisht po ndjek masterin shkencor për “Studime Rajonale Politike”, në Universitetin e Tiranës. Gjatë studimeve, ajo ka marrë pjesë në shkolla verore, trajnime dhe aktivitete të cilat lidhen më së shumti me fushën e politikat e BE-së dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Këto eksperienca kanë kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të aftësive të saj teorike dhe praktike. Bashkimi Europian ka qenë gjithmonë një ndër interesat kryesore të Bleonës dhe kjo është dhe një ndër arsyet kryesore që e shtyu atë për qenë pjesë e praktikës. Ajo është e apasionuar pas mësimit të gjuhëve të huaja dhe zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe ka njohuritë bazë të: italishtes, spanjishtes, turqishtes, dhe gjuhës koreane.  

Referencat:

https://home-affairs.ec.europa.eu/policies/schengen-borders-and-visa/schengen-area_en

https://www.auswaertiges-amt.de/en/visa-service/-/231202

https://www.euronews.com/travel/2022/12/08/passports-currency-and-borders-what-changes-when-croatia-joins-the-schengen-zone-in-2023

https://home-affairs.ec.europa.eu/system/files_en?file=2020-09/schengen_brochure_dr3111126_en.pdf





1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk