Që prej vitit 2004, Komisioni për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) ka ndërmarrë një proces të rregullt për vlerësimin e sistemeve të drejtësisë të të gjithë shteteve anëtare të Këshillit të Europës. I përbërë nga ekspertë të kualifikuar të 46 shteteve anëtare, CEPEJ ka hartuar një metodologji të detajuar për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave për sistemin e drejtësisë në bashkëpunim me korrespondentët kombëtarë. Në kuadër të “Horizontal Facility II (2019-2022)”, një nismë bashkëpunimi mes Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, CEPEJ publikon gjithashtu raporte individuale. Objektivi i përgjithshëm i kësaj nisme është të ndihmojë vendet pjesëmarrëse në përmbushjen e reformave të nevojshme në fushën e të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe demokracisë duke ndërmarrë hapat e duhura për të rritur cilësinë, efikasitetin dhe përgjegjshmërinë e sistemit të drejtësisë në përputhje me standardet europiane.
Veç pyetjeve të përgjithshme të vlerësimit të CEPEJ-it, këto shtete duhet t’u përgjigjen disa pyetjeve shtesë të hartuara specifikisht për to. Këtu përfshihen disa pyetje të përcaktuara së bashku me Grupin e Shteteve kundër Korrupsionit (GRECO), Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) dhe departamentin për ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ-së. Vlerësimi i sistemit të drejtësisë për Shqipërinë shpaloset në tre dokumente. Në raportin e përgjithshëm të CEPEJ, që mbulon aspeketet përkatëse të sistemit të drejtësisë si për çdo shtet të KiE-së dhe zhvillimet në Shqipëri maten kundrejt mesatares europiane (KiE). Raporti i lëshuar në kuadër të Veprimit për Ballkanin Perëndimor, krahason të dhënat e çdo shteti në Ballkanin Perëndimor me njeri-tjetrin dhe me një mesatare rajonale (BP). Ky shoqërohet gjithashtu me një dokument shpjegues për termat dhe përkufizimet e përdorura, si dhe shpjegime shtesë mbi pyetjet për të gjitha shtetet. Një analizë më e thelluar ofrohet në dohumentin e titulluar “Profili i Përfituesit”, ku secili nga komponentët e sistemit të drejtësisë së Shqipërisë krahasohet me të dhënat e viteve të mëparshme, të aryetuara dhe shoqëruaar me shpjegime më të detajuara, si dhe përfshin një analizë specifike për disa tregues të lidhur ndaj rrezikut të korrupsionit.
Me anë të këtij dokumenti, CEPEJ propozon disa masa dhe këshilla praktike për të përmirësuar efikasitetin dhe cilësinë e shërbimit të drejtësisë në dobi të përdoruesve. Në tetor të viti 2022 CEPEJ publikoi raportet e radhës që masin dhe analizojnë zhvillimet në sistemin e drejtësisë përgjatë vitit 2020 dhe vitin 2021. Në raport analizohen aspekte të tilla si: buxheti dhe se si zbatohet në sistemin e drejtësisë; sistemi i gjyqësorit dhe ndihma juridike, burimet njerëzore, përfshirë këtu barazinë gjinore, efektivitetin e gjyqësorit, trajnimet e personelit, zgjidhjet alternative të mosmarrëveshjeve dhe sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve dhe statistika të veprimtarisë së gjykatave. Sipas CEPEJ, buxheti i sistemit të drejtësisë nuk mund të krahasohet me një mesatare europiane apo rajonale, pasi për çdo shtet ka përbërje të ndryshme. Në Shqipëri, buxheti i sistemit të drejtësisë që përfshin sistemin e gjyqësorit, ndihmën juridike, sistemin e burgjeve, shërbimin e provës, Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Ministrinë e Drejtësisë etj., ka pësuar një ulje prej 24% nga viti 2019 në 2020. Raporti pasqyron një rritje të buxhetit nga viti 2019 në 2020 për sistemin e gjyqësorit dhe ndihmës juridike, por që vazhdon të mbetet shumë nën mesataren europiane.
Sipas të dhënave në raportin e profilit të përfituesit, vendi ynë kishte gjithashtu buxhetin më të ulët për banor në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në shifra, përgjatë vitit 2020, Shqipëria shpenzoi 41 359 048 € për sistemin e gjyqësorit, që përkthehet në 14,53 € për banor, shumë më pak se mesatarja europiane prej 64,5 € dhe se ajo e Ballkanit Perëndimor prej 37,8 €. Megjithatë, buxheti për sistemin e gjyqësorit dhe ndihmës juridike,në Shqipëri pësoi përsëri një rritje prej +2,6% në vitin 2021. Përgjatë vitit 2020 pjesa më e madhe e buxheti, rreth 56,9%, i takon gjykatave, ku 76,4% u shpenzua për pagat bruto të personelit. Këto shpenzime janë ndikuar pjesërisht edhe nga skema e re e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët që hyri në fuqi më 1 janar 2019, në kuadër të reformës në drejtësi. Kjo skemë gati dyfishon pagat e tyre, veçanërisht në institucionet e shkallës së parë. Gjyqtarët marrin 4 herë më shumë se paga mesatare kombëtare në fillim të karrierës ( 2 herë më shumë në Europë dhe 3 herë në BP) dhe pothuajse 5 herë më shumë se paga mesatare kombëtare në shkallën më të lartë (mesatarja europiane ishte 4,5 dhe ajo e rajonit 4,4). Megjithatë, rritja e pagës nga fillimi i karrierës krahasuar me atë në fund ishte shumë më e vogël në Shqipëri se sa në rajon dhe Europë. Ndërkohë, gjatë vitit 2021 të dhënat e raportit pasqyrojnë një ulje prej 3% në zbatimin e buxhetit për gjykatat.
Një tjetër komponent i sistemit të drejtësisë që CEPEJ ka vlerësuar është ndihma ligjore. Në vitin 2018, si pjesë e paketës ligjore për reformën në drejtësi, në Shqipëri u zbatua ligji i ri për ndihmën juridike. Ligji i ri parashikon një sistem gjithëpërfshirës të: ndihmës juridike parësore, siç është mbështetja jashtë gjykatës, e cila ofrohet nga profesionistë të trajnuar, OJF dhe klinika ligjore; ndihma juridike dytësore në formën e përfaqësimit ligjor në një proces gjyqësor nga avokatë të licencuar nga shteti dhe përjashtim nga tarifat dhe shpenzimet. Pas miratimit të ligjit të ri, buxheti për ndihmën juridike pati një rritje të konsiderueshme prej 109,8% nga viti 2019 deri në vitin 2020. Megjithatë, mbetet ende i ulët në 0,05% për banor krahasuar me 3,08% shpenzime në Europë dhe 0,2% në rajon. Për më tepër, rritja e ndjeshme e numrit të rasteve të dhëna me ndihmë juridike të regjistruara në vitin 2020 gjithashtu rezulton e vogël në krahasim me rajonin dhe Europën. Zhvillime të dukshme janë regjistruar në 2021, si viti i parë që mekanizmat e ndihmës ligjore funksionuan në kapacitet të plotë. Ndihma juridike u ofruan përgjatë vitit të fundit për 8786 çështje, një rritje e konsiderueshme për Shqipërinë, që shkaktoi edhe një zmadhim rreth 267% nga buxheti i vitit 2020. Procesi i vetingut që ka nisur në vitin 2014 si pjesë e reformës në drejtësi, ka ndikuar dukshëm në zvogëlimin e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët shënuan në vitin 2020 numra shumë më të ulët se në Europë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjyqësori ishte sistemi që ka vuajtur më shumë. Shqipëria numëron 10,8 gjyqtarë për 100 000 banorë, numër më i ulët se mesatarja europiane prej 17,6 dhe pothuajse një e treta e mesatares rajonale prej 30,4. Mungesat vihen re dukshëm në gjykatat e shkallës së tretë, ku Gjykata e Lartë ka funksionuar në vitin 2020 me 4 gjyqtarë, ndërsa në vitin 2014 ishin 17. Përveç gjyqtarëve dhe prokurorëve, përgjithësisht në Shqipëri, institucionet e sistemit të drejtësisë kanë të punësuar me pak profesionistë sesa në Europë apo se në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Më tej, raportet pasqyrojnë si pasojë të procesit të vetingut, gjithashtu edhe për shkak të pandemisë Covid-19, një përkeqësim të thelluar të efikasitetit të sistemit gjyqësor, veçanërisht për gjykatat e shkallës së dytë. CEPEJ bën një llogaritje sesa kohë duhet për përfundimin e një procesi gjyqësor duke shprehur në përqindje raportin mes rasteve të reja dhe atyre të mbyllura për një periudhë të caktuar kohore. Idealisht ky raport është në nivel 100% kur sistemi gjyqësor ka kapacitetet e nevojshme. Funksionimi nën nivelin 100% krijon vonesa dhe prapambetje në mbylljen e proceseve gjyqësore, që rrjedhimisht çon në një kohë pritjeje të zgjatur.
Më tej, CEPEJ llogarit edhe kohën e pritjes për zgjidhjen e një çështjeje gjyqësore, duke krahasuar numrin e rasteve të zgjidhura me numrin ato të pazgjidhura në fund të periudhës së vëzhguar (zakonisht përgjatë një viti). Gjatë vitit 2020 gjykatat në çdo shkallë kanë funksionuar nën nivelin 100% pasi nuk kanë mundur të përballojnë fluksin e çështjeve të ardhura. Nga të dhënat e mbledhura rezulton që për çështjet civile dhe administrative në gjykatat e shkallës së dytë koha e pritjes mund të zgjasë me vite. Megjithatë, në raportin për Shqipërinë, CEPEJ nënvizon se këto shifra janë rezultat i ritmit aktual të punës dhe se situata mund të përmirësohet nëse emërohen gjyqtarë të rinj në detyrë për të përballuar ngarkesën. Zgjidhjet Alternative të Mosmarrëveshjeve (ZAM) në Shqipëri, ashtu si në vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor nuk janë shumë të zhvilluara. Sipas kuadrit ligjor aktual në Shqipëri ZAM parashikohet si zgjidhja e mosmarrëveshjeve nëpërmjet ndërmjetësimit dhe arbitrazhit. Ndërmjetësimi, parashikohet në legjislacionin shqiptar si procedura e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve jashtë gjykatës, ku palët vullnetarisht, tentojnë të zgjidhin mosmarrëveshjen me ndihmën e një ndërmjetësi [të liçensuar]. [Mund të zbatohet në fushën e së drejtës civile, tregtare, të punës, familjare, pronësisë intelektuale, të drejtave të konsumatorëve etj.] Shqipëria përgjatë vitit 2020 ka patur një rritje të përdorimit të ZAM-ve, ku në formën e ndërmjetësimit u numëruan 992 raste, dhe nga këto u arrit marrëveshje për 979 çështje (rreth 98% të rasteve).
Një tjetër komponent i rëndësishëm që Shqipëria vlerësohet, janë çështjet prezantuar në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) dhe shkeljet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ). Është vërejtur një ulje me 8% nga viti 2019 për çështjet e paraqitura para GJEDNJ-së (nga 610 raste në vitin 2019 në 563 në 2020). Megjithatë, një përkeqësim është konstatuar për sa i përket vendimeve gjyqësore ku rezulton të paktën një shkelje e dispozitave të KEDNJ, nga 1 vendim në 2019 në 3 gjatë vitit 2020. Në kuadër të bashkëpunimit të vazhduar me shtetet anëtare për përmirësimin e sistemeve te drejtësisë si dhe mbështetjen që CEPEJ mund të ofrojë në formën e programeve të bashkëpunimit, organizohen edhe takime me autoritetet kombëtare. Më 8-9 nëntor 2022, u mblodhën në Tiranë, anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor të Shqipërisë për të diskutuar mbi sfidat e përbashkëta në lidhje me funksionimin e sistemeve të tyre përkatëse të drejtësisë. Fokusi gjatë këtij takimi ishin statistikat gjyqësore për të vlerësuar efikasitetin, cilësinë dhe reformat gjyqësore, se si mund të përmirësohen këto vlera, bazuar edhe në praktikat e mira prezantuar nga ekspertë të nivelit të lartë të CEPEJ.
Erina Troka, Staf i EuroSpeak, nëntor 2022
*Erina ka përfunduar studimet e nivelit Bachelor në Drejtësi pranë Universitetit të Tiranës dhe aktualisht është duke përfunduar programin Master në të Drejtën Europiane të Biznesit në Holandë. Gjatë studimeve, ajo ka qenë pjesë e një praktike profesionale në DLL, një kompani financiare ndërkombëtare në Holandë.Erina ishte pjesë e një grupi pune që përgatiti një raport se si rregulloret e reja të BE-së për Financat e Qëndrueshme do të ndikonin në aktivitetet e kësaj kompanie. Detyrat e saj përfshinin analizimin e legjislacionit dhe hartimin e memorandumit ligjor për palët e interesit. Fokusi i Erinës është ndikimi i zhvillimeve teknologjike në shoqërinë tonë dhe se si po përshtatet ligji, veçanërisht në BE dhe Europë. Erina flet anglisht, italisht dhe turqisht. Ajo po realizon praktikën profesionale pranë EMA që nga shtatori 2022 dhe po kontribuon në realizimin e artikujve analitikë në EuroSpeak.
Bibliografia:
1 - Raporti i përgjithshëm me profilet e shteteve: https://rm.coe.int/evaluation-report-part-2-english/16809fc059
2 - Raporti për Shqipërinë: https://rm.coe.int/albania-20210708-deliverable-2-rev/1680a5fdee
3 - Raporti për vendet e Ballkanit Perëndimor: https://rm.coe.int/20210630-wb-dashboard-deliverable-1-all-/1680a5fded