Performanca e pushtetit gjyqësor dhe të drejtave themelore në kontekstin e përmbushjes së detyrimeve të Kapitullit 23

Performanca e pushtetit gjyqësor dhe të drejtave themelore në kontekstin e përmbushjes së detyrimeve të Kapitullit 23

Nisur nga fakti se vlerat themelore të Bashkimit Europian përfshijnë konsolidimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore mund të thuhet se  Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore konsiderohet si një nga kapitujt më sfidues dhe kompleks për realitetin shqiptar, dhe jo vetem. Ai është i ndarë në katër fusha kryesore, ku secila prek thembrën e akilit në performancën demokratike në Shqipëri. Shqipëria në këto 30 vite “demokraci” ka dëshmuar se e ka tepër të vështirë të adresojë në mënyren e duhur aspiratat për:

  1. një gjyqësor të pavarur dhe me pushtet të plotë kontrollues;
  2. të ulur korrupsionin dhe rimëkëmbur integritetin, sidomos në formë institucionale dhe
  3. të garantuar dhe siguruar të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve të saj

 

Edhe pse ky kapitull ka një rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për përpjekjet e anëtarësimit të Shqipërisë, por për më tepër për të garantuar konsolidimin e demokracisë liberale dhe mirëfunksionale në vendin tonë, situata aktuale e sistemit gjyqësor dhe e të drejtave dhe lirive civile shpreh qartazi, një performancë të dobët të demokracisë shqiptare, e cila shfaqet me mangësi liberale dhe në formë deleguese. Kjo analizë është e shtrirë në një hark kohor pesë-vjecar dhe do të paraqesë rezultatet e raporteve të ndryshme ndërkombëtare që nga viti 2016. Ajo që bie në sy, është se përgjithësisht raportet kanë shfaqur ndër vite një tendencë negative. Një krahasim i thjeshtë i raporteve të ndryshme dëshmon stanjacionin apo edhe regresin në fusha të caktuara. Interesant është toni paksa më pozitiv dhe diplomatik i progres raportit të fundit të BE-së, gjithsesi duhet të theksohet se pavarësisht se progres raporti i BE-së shpreh një përmirësim të moderuar në këto fusha, raporti thekson gjithashtu edhe nevojën e përparimit, gjë e cila dëshmon se Shqipëria në kontekstin e përmbushjes së detyrimeve të kapitullit 23 është ende larg standardeve europiane (European Commission 2020).

Pavarësisht dispozitave kushtetuese dhe jurisprudencës së shprehur nga GJK-ja në lidhje me çështjet e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, në realitetin politik shqiptar, vihet re se ky pushtet përballet në mënyrë të vazhdueshme me presionet e pushteteve të tjera. Jo më kot pavarësia e gjyqësorit dhe raporti i tij me pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv është konsideruar si një ndër “problemet më të debatueshme” (Osterberg-Kaufmann, 2011). Ndikimi i jashtëm në dhënien e drejtësisë nënkupton tërthortazi mungesën e pavarësisë së pushtetit gjyqësor edhe për shkak të ndërhyrjeve nga pushtetet e tjera. Kjo është një çështje mjaft problematike pasi lidhet ngushtë me fenomenin e korrupsionit.  Progres raporti  i vitit 2016 thekson se, pavarësia e gjyqësorit është e dëmtuar për shkak të politizimit të lartë në çështjet e emërimeve të GJL-sё dhe GJK-sё, duke  nënvizuar gjithashtu se, raportohet vazhdimisht mbi ndërhyrje politike në hetime dhe raste gjyqësore. Në raportin e Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, pushteti gjyqësor përshkruhet si i ndikuar nga presionet politike dhe kjo e pengon gjyqësorin të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe efikase (United States Department of State, 2019).

Pikërisht këto elemente adresohen edhe nga progres raporti i fundit i Komisionit Europian, në të cilin edhe pse pranohet se janë bërë përparime në implementimin e acquis dhe standardeve europiane në këtë fushë, sidomos përmes reformës në gjyqësor, sa i përket funksionimit dhe efektshmërisë së pushtetit gjyqësor mbeten ende shumë hapësira për t’u adresuar. Ky raport thekson ndër të tjera, se për të përmbushur detyrimet e kapitullit 23 duhet të avancojë më tej procesi i vettingut, duhet të sigurohet funksionimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese ashtu sikurse edhe i Gjykatës së Lartë dhe për më tepër duhet të rritet efikasiteti i këtij sistemi, pasi ende rezulton një mungesë e raportimit të konsoliduar për efikasitetin e sistemit të drejtësisë (European Commission, 2020). Gjithashtu duhet të pranohet se fundi i vitit 2019 shënoi zotërimin e KLP-së në favor të partisë në pushtet dhe kjo rezultoi në mungesen e plotë të pavarësisë së institucioneve të pushtetit gjyqësor. Ndikimi i pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv në krijimin dhe zgjedhjen e kandidatëve për këto institucione hetimore shpreh vulnerabilitetin e këtyre institucioneve ndaj influencës partiake.  Pavarësia e dëmtuar e pushtetit gjyqësor që buron kryesisht nga lidhjet politike dhe korrupsionit brenda radhëve të veta vlerësohet me skepticizëm edhe nga Bertelsmann Transformation Index. Në raportin e BTI 2020 për Shqipërinë argumentohet se janë pikërisht këto arsyet kryesore që ndikojnë në vlerësimin negativ të indikatorit Rule of Law (BTI Albania Report, 2020). Edhe pse decentralizimi i pushtetit gjyqësor e bën de jure më të pavarur, de facto kemi të bejmë institucione që vuajnë nga mbipushteti i ekzekutivit dhe kjo dëshmon se ky pushtet nuk ka ende mjaftueshëm stabilitet për t’iu bërë ballë ndërhyrjeve politike.

Lufta kundër korrupsionit, ashtu sikurse përmendur dhe më lartë është element thelbësor që mund të adresojë në mënyrë efektive të gjitha këto dukuri negative në kontekstin e gjërë të aspiratave për përmbushjen e detyrimeve të kapitullit 23. “Shqipëria ka një ndër nivelet më të larta të korrupsionit të perceptuar në të gjithë rajonin” (Transparency International, 2016). Në 8 shtator 2016, lëvizja globale TI, bëri publik për herë të parë vlerësimin e plotë për rreziqet e korrupsionit në Shqipëri, përmes një konference për shtyp në Tiranë. Cornelia Abel, koordinatore e Transparency International për Europën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor në vitin 2016, vuri në dukje se: “Shqipëria nuk i plotëson kërkesat e Bashkimit Europian për luftën kundër korrupsionit dhe nëse nuk ndërmerr reforma kyçe, kjo mund mund të pengojë integrimin në BE”(Po aty, 2016).. Gjatë vitit 2016, në kuadër të reformës në drejtësi, autoritetet shtetërore ndërmorën hapa të posaçme për të zhvilluar një kuadër të plotë ligjor, mbi bazën e të cilit të luftohet korrupsioni i zyrtarëve të lartë.  Këtu bëhet fjalë për miratimin e një reforme gjithëpërfshirëse të gjyqësorit që përfshinte krijimin e institucioneve që luftojnë korrupsionin. Ligji Nr. 95/2016 Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar u miratua nga Kuvendi në gusht të vitit 2016 dhe synonte parimisht reduktimin e korrupsionit midis prokurorëve dhe gjyqtarëve. Që lufta kundër korrupsionit të jetë e suksesshme, kuadri ligjor shqiptar duhet të luajë një rol të rëndësishëm, pasi ai duhet të garantojë përmes dispozitave ligjore pavarësinë e institucioneve mbikëqyrëse nga pushteti politik, por pavarësisht se kuadri ligjor parashikon ndjekjen penale të zyrtarëve politikë për korrupsion, të dhënat e fundit të raporteve dëshmojnë se qeveria cilësohet si e “dështuar në implementim” (Transparency International, 2016), pasi nga viti 2016 e deri sot Shqipëria, jo vetëm vazhdon mos të plotësojë kërkesat e BE-së për të luftuar në menyrë efikase korrupsionin në vend, por për më tepër shfaqet me një regres të konsiderueshëm dhe me një rënie prej 23 vendesh, duke e bërë atë vendin më të korruptuar midis vendeve anëtare të BE-se dhe vendeve kandidate (Taylor, 2020).

Sa i përket të drejtave dhe lirive themelore, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i garanton të drejtat e pakicave përmes nenit 3, 18 dhe 20, dhe, megjithatë, dispozitat ligjore për mbrojtjen e pakicave cilësohen si jo të mjaftueshme. Në rradhë të parë duhet të theksohet se nuk ekziston një ligj i posaçëm për mbrojtjen e pakicave ose të minoriteteve dhe, së dyti, Shqipëria ka një numër të madh ligjesh që përmbushin standardet ndërkombëtare, por problematika qëndron që këto dispozita ligjore shndërrohen në ligje, të cilat kanë probleme në zbatim, dhe, kjo gjë çon në deficite në realitetin politik. Fatmirësisht, sot kemi të bejmë me diskriminim sistematik të minoriteve dhe pakicave kombëtare, por gjithsesi në raportin e KMD-së pranohet se një pjesë e madhe e pakicave, veçanërisht romët, vuajnë nga kushtet e mjerushme të jetesës si dhe nga përjashtimi social (Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, 2015). Mjafton të analizohen raportet e AI-së dhe del në pah që, parimet e mosdiskriminimit nuk gjejnë gjithnjë zbatim (Avokati i Popullit, 2016).  Jo vetëm që Shqipëria nuk është e aftë të mbrojë qytetarët dhe t’iu garantojë atyre zbatimin e plotë të të drejtave themelore, por në shumë raste vetë aktorët shtetërorë i shkelin këto të drejta. Që nga ndërrimi i sistemit janë shkelur shumica e parimeve të sanksionuara në Deklaratën për të Drejtat e Njeriut (Osterberg-Kaufmann, 2011) dhe fatkeqësisht edhe sot aktorët shtetërorë cënojnë rrënjësisht të drejtat e njeriut në Shqipëri (Amnesty International, 2016).  Gjithashtu edhe mohimi faktik i grupeve të caktuara të shoqerisë është një problematikë e cila e ka shoqëruar realitetin politik shqiptar ndër vite dhe ka ndikuar kështu në një paraqitje defektoze të demokracisë dhe për më tepër në mos përmbushjen e kritereve të kapitullit 23. Edhe pse de jure e drejta për proces të rregullt ligjor i garantohet kujtdo, de facto grupe të caktuara të shoqërisë shqiptare nuk e shfrytëzojnë këtë të drejtë (Osterberg-Kaufmann, 2011).

Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore është një nga kapitujt më sfidues dhe kompleks, ai është thelbësor për përpjekjet e para-anëtarësimit dhe ka rëndësi të veçantë për dinamikën dhe kohëzgjatjen e procesit të negociatave. Ky kapitull është thelbësor për transformimin demokratik dhe njëkohësisht është standardi kryesor që mund të shprehë përparimin e kërkuar drejt anëtarësimit në BE. Vlerësimi i përformancës së pushtetit gjyqësor dhe të drejtave dhe lirive politike në vend dëshmon qartazi se ka ende shumë punë për të berë, sepse jemi ende shumë larg standardeve europiane. Për të arritur rezultate pozitive në përmbushjen e detyrimeve duhet të adresohet hendeku i thellë që është krijuar midis dispozitave ligjore dhe realitetit politik. Nga adresimi i këtyre problematikave, në mënyrën e duhur dhe me seriozitetin e kërkuar, Shqipëria përfiton dy herë: del nga zona e demokracisë defektoze duke u shndërruar nga një demokraci deleguese dhe jo-liberale në një demokraci mirëfunksionale dhe të konsoliduar dhe përshpejton kështu procesin e anëtarësimit në BE.

 

Doris Malaj (Koliqi), mars 2021

*Dr. Doris Malaj nga viti 2014 është lektore dhe kërkuese shkencore në Institutin e Studimeve Europiane, ku ndër të tjera është e angazhuar në procesin mesimor si lektore e parë dhe në lëndet “Sistemet Politike në BE”, “Historia e diplomacisë”, “Politikat e Zgjerimit në BE dhe Ballkani Perendimor”. Ajo është diplomuar për Shkenca Politike dhe Drejtësi Publike në Universitetin e Trier-it dhe për studime Politike dhe Ndërkombëtare në Universita degli Studi di Macerata dhe ka marrë gradën shkencore “Doktor” në Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në BE nga Instituti i Studimeve Europiane, Universiteti i Tiranës. Ajo është autore e një sërë artikujsh shkencorë të botuar brenda dhe jashtë vendit dhe pjesmarrëse në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Fushat kryesore të studimit e kërkimit përfshijnë demokratizimin, integrimin europian, teorizimin e integrimit, sistemet qeverisëse, politikat e zgjerimit të BE-së, Ballkani Perendimor, diplomacia e BE-së.

 

 

 

Referencat

Amnesty International (2016): Amnesty Report 2016 Albanien, https://www.amnesty.de/jahresbericht/2013/albanien (04.06.2017)

Avokati i Popullit (2016): Raport Vjetor për Veprimtarinë e Avokatit të Popullit, 1 Janar – 31 Dhjetor,Tiranë.

Bertelsmann Transformation Index, (2020): Albania Country Report 2020,  https://www.bti-project.org/en/reports/country-report-ALB-2020.html#pos5 (15.11.2020)

EU Commission,  (2020): Albania 2020 Report, *albania_report_2020.pdf (europa.eu) (20.11.2020)

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (2015), Raport vjetor 2015, Tiranw,  http://kmd.al/skedaret/1487862994-Raport%20Vjetor%202015_KMD.pdf (25.11.2020)

Nations in Transit (2020): Albania. Country Profile, https://freedomhouse.org/country/albania/nations-transit/2020 (20.07.2020)

Osterberg Kaufmann, N. (2011): Erfolg und Scheitern von Demokratisierungsprozessen. Fallstudien Albanien und Kroatien, Wiesbaden.

Taylor, E. (2020): Transparency International: Albania is Europe’s Most Corrupt Country, Falls 23 Places in Three Years, in: Exit News, https://exit.al/en/2020/01/23/transparency-international-albania-is-europes-most-corrupt-country-falls-23-places-in-three-years/ (05.12.2020)

Transparency International, (2016): Survey Albania: Mungesa e pavarësise në institucionet e mbikëqyrjes në Shqipëri e le derën hapur për Korrupsionin, 8 shtator 2016, në:

https://www.transparency.org/news/pressrelease/mungesa_e_pavaresise_ne_institucionet_e_mbikeqyrjes_ne_shqiperi_e_le_deren (20.11.2020)

United States Department of State, (2019): Albania 2019 Human Rights Report, https://www.state.gov/wp-content/uploads/2020/02/ALBANIA-2019-HUMAN-RIGHTS-REPORT.pdf (28.11.2020)

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk