Kushtëzimi (conditionality) i BE në Ballkanin Perëndimor: A po dëshmon i suksesshëm në procesin e demokratizimit?

Kushtëzimi (conditionality) i BE në Ballkanin Perëndimor: A po dëshmon i suksesshëm në procesin e demokratizimit?

Në fillim të vitit 2020 Bashkimi Europian (BE) prezantoi metodologjinë e re të zgjerimit, e cila në plan të parë riafirmon angazhimin e BE për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë, nga ana tjetër në rajon vihet re një rritje e numrit të nismave paralele rajonale, duke përdorur dhe arsyetimin e integrimit rajonal ekonomik si rrugë drejt integrimit europian. Nga ana tjetër, bazuar në qasjen racionaliste të studimeve europiane, kushtëzimi është mjeti më i fuqishëm që Unioni përdor për demokratizimin e vendeve. Në këtë kuadër dhe përqafimi i nismave të ndryshme nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP6)** zhvillohet sipas logjikës së ‘shkopinjve dhe karrotave (sticks and carrots). Megjithatë, gjatë 2020 një seri refuzimesh sidomos për rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut rrezikojnë rritjen e ‘eurofatigue’ në këto vende si dhe besueshmërinë.

Kushtëzimi si koncept dhe aplikimi i tij në vendet e BP6

Kushtëzimi si koncept rrjedh nga qasja racionaliste e studiuesve të zgjerimit dhe integrimit europian. Sipas këtij grupi studiuesish, Bashkimi Europian transferon rregullat e tij në vendet kandidate përmes shpërblimeve (Moravcsik, A., & Vachudova, M. A., 2003), të cilat do të alokohen në rast të përputhshmërisë me acquis communauttaire***. Sidoqoftë, kërkesat ndryshojnë me kalimin e kohës bazuar në progresin e vendit, si dhe mësimet e nxjerra nga zgjerimet e mëparshme. Së fundmi, problemet e brendshme të Unionit si Covid-19, Brexit, kriza e refugjatëve kanë vendosur procesin e zgjerimit të BE-së në pikëpyetje. Ndikimi (leverage) dhe ndërlidhjet (linkages) e BE-së në Ballkanin Perëndimor janë të larta dhe asimetrike. Leverage si koncept merret me ndikimin që Bashkimi Europian ka në qeveritë dhe kryesisht merret me aspektin e varërisë së këtyre qeverive ndaj BE-së. Unë përdor konceptet e prezantuara nga Way dhe Levitsky (Way, L.A. and Levitsky, S., 2007) për ndikimin perëndimor, por e ngushtoj atë në marrëdhëniet midis BE-së dhe shteteve individuale të Ballkanit Perëndimor. Linkages i referohet ndërlidhjeve dhe rrjeteve ndërmjet BE-së dhe BP6.

Qasja konstruktiviste përqendrohet më shumë në vlerat dhe mekanizmat kognjitiv. Vendet që aspirojnë të aderojnë kanë një përshtatje më të shpejtë me kërkesat e BE-së sepse normat e përqafuara nga popullsia janë të njëjta me ato që unioni ka. Gjithashtu, kjo qasje merret më shumë me procesin e të mësuarit shoqëror. Ky grup teoricienësh nuk e mohon rolin e kushtëzimit (si faktori kryesor i konsideruar nga racionalistët), por ata pretendojnë se përputhja e normave ndërkombëtare dhe atyre lokale luan rolin më të rëndësishëm në proces. Normat e BE-së dhe normat e elitës lokale gjatë procesit të integrimit në BE operojnë duke u bazuar në "logjikën e përshtatshmërisë" (Pollack, M., 2008). Në rastin e Ballkanit Perëndimor, mozaiku i kulturave dhe qëndrimeve ofron një panoramë të ndryshme për secilin prej tyre. Pavarësisht normave dhe qëndrimeve të ndryshme ndaj BE, të gjitha vendet janë në rrugën e tyre drejt integrimit, sigurisht në faza të ndryshme. Por, si kanë ndikuar nismat rajonale në efektshmërinë e kushtëzimit si instrument?

Nismat paralele: Çfarë nuk po funksionon me kushtëzimin?

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e një sërë nismash paralele. Përpos nismave të ndërmarra nga BE, një sërë nismash rajonale janë ndërmarrë në këto vitet e fundit. Rajoni i Ballkanit Perëndimor është prej vitesh i angazhuar në procesin e integrimit në BE, por Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk arritën të marrin një dritë jeshile në hapjen e negociatave. Nga ana tjetër, Procesi i Berlinit është aktualisht iniciativa më aktive e promovuar nga disa shtete anëtare të BE-së, si një alternative e dukshme për t’i mbajtur vendet të përfshira me narrativën pro BE-së, ndërkohë që në të vërtetë janë lënë në pritje lidhur me hapat konkrete për t’u anëtarësuar. Nga ana tjetër, ekzistojnë një sërë nismash të ndërmarra nga shoqëria civile në rajon, për të nxitur frymën e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin në BE. Kohët e fundit, “mini-Schengen” është nisma më e re ndër-qeveritare, e prezantuar nga 3 liderët e vetëm 3 nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Shtysa dhe nismëtarët më të mëdhenj të bashkëpunimit rajonal kanë qenë vendet e Bashkimit Europian. Kjo, si kusht për t’u anëtarësuar në BE, si dhe plotësuese e kushteve kombëtare që secili vend duhet të plotësojë. Pavarësisht kësaj, ekziston një kakofoni nismash paralele, të cilat në fakt rrezikojnë ‘kushtëzimin dhe besueshmërinë’. Procesi i Berlinit u pa nga kritikët dhe studiuesit si një nismë që ‘fitoi kohë’ ndërkohë që BE nuk po zgjerohej dhe që në fakt mbante gjallë shpresën dhe besimin në procesin e zgjerimit.

Ndërkohë, në lidhje me nismat e tjera si mini-Schengen në ndryshim nga sektori i OShC-ve (i cili gjithashtu ka të metat e tij) qeveritë duhet të pranojnë se iniciativat paralele dhe jo të ndërlidhura, në Ballkanin Perëndimor, nuk ndihmojnë aspak as bashkëpunimin e tij, as edhe integrimin e rajonit në BE. Asnjë nga iniciativat nuk ka një ndjekje dhe vazhdimësi konkrete përsa i përket teknikaliteteve të zbatimit apo planeve të veprimit. Bashkëpunimi rajonal dhe integrimi në BE kanë nevojë për një qasje të strukturuar nga të dyja palët, si nga ana e BE-së edhe nga qeveritë e rajonit. Nevoja për reforma të thella, të strukturara është imediate.

Ndërkohë, së fundmi në Mars u prezantua dhe metodologjia e re e zgjerimit, e cila si kryefjalë të sajën pati ‘besueshmërinë’ dhe ri-vendosjen e perspektivës së integrimit, sidomos për rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut****. Një analizë e deklaratave të Këshillit dhe Komisionit nxjerr në pah se në fakt rivendosja e besueshmërisë dhe krijimi i mekanizmave të rinj të kushtëzimit, si grupimi në clusters të kapitujve, apo logjika e hapjes konsekutive, tregon se deri tani mekanizmi i ‘kushtëzimit’ ka qenë jo-efektiv. Pra, unioni e ka parë të arsyeshme rivendosjen e një perspektive dypalëshe. Megjithatë, pavarësisht kësaj, hapja e negociatave për të dy vendet e cila pritej në dhjetor 2020, është shtyrë për 2021 (EWB, 2020). Në rastin e Maqedonisë së Veriut, kur vendi është përballur me një ndryshim identitar sa i takon emrit, një vendim i tillë rrezikon të rrisë euro-skepticizmin në vend (DW, 2020).

Kushtëzimi funksionon kur përfitimet dhe ndëshkimet janë të qarta si dhe ndikimi dhe lidhjet midis BE dhe BP6 janë funksionale. Në një rajon ku ka një kakofoni nismash, është e nevojshme që metodologjia e re e zgjerimit të zbatohet nga të dy palët. Së fundmi, me refuzimet e shumta nga ana e BE-së duket sikur ‘karrotat’ po mungojnë dhe një qasje e tillë nxit më tej populizmin në vend. Ndërkohë, nga ana tjetër vendet e BP6 si dhe qeveritë e tyre duhet të qëndrojnë të angazhuar në proces. Është përmes angazhimit real nga të dy palët dhe besueshmërisë në proces, që kushtëzimi funksionon. Të gjitha nismat e ndërmarra si nga qeveritë dhe BE, në emër të integrimit, duhet të krijojnë sinergji dhe jo përsëritje, nëse vertetë perspektiva e zgjerimit është reale.

Lutjona Lula, shkurt 2021

*Lutjona Lula eshte aktiviste rinore dhe kërkuese me përvojë të demonstruar në fushën e rinisë, bashkëpunimin rajonal, ciklit të menaxhimit të projekteve dhe temat e integrimit në BE. Lutjona ka ndjekur studimet e saj master në ‘Shkenca Politike-Studime Rajonale’ Universitetin e Beogradit, Serbi dhe Universitetin Karl Franzens të Graz, Austri. Në vitin 2012 asaj iu akordua një Bursë e plotë Kërkimore në Georgia Southern University, SHBA.  Znj Lula ka qenë e përfshirë në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit, si dhe Forumet Rinore Rajonale. Sa i takon fushës së kërkimit, Lutjona ka ofruar konsulencën e saj si kërkuese pranë OSBE, Thomson Foundation, Westminster Foundation for Democracy, SCiDEV; si dhe është kontributore në mediumet www.fomoso.org dhe www.institutegreatereurope.com

 

**Ballkani Perëndimor është një term politik që i referohet vendeve të Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë. Samiti i Selanikut në 2003 vendosi për herë të parë perspektivën dhe angazhimin e qartë të BE-së drejt zgjerimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

*** Acquis communautaire është termi juridik për të drejtën e Bashkimit Evropian. Ai përfaqëson tërë trupën e ligjeve të shkruara dhe të pashkruara të BE-së, qëllimet politike të BE-së dhe detyrimet, të drejtat si dhe mjetet juridike që Shtetet Anëtare ndajnë dhe duhet t'u përmbahen në lidhje me BE-në.

**** Për më shumë mbi ndikimin:

https://euronews.al/al/pikepamje/2020/05/04/metodologjia-e-re-e-zgjerimit-te-bashkimit-europian-ndikimet-ne-procesin-e-integrimit-per-shqiperine-dhe-maqedonine-e-veriut

 

Referenca

Moravcsik, A., & Vachudova, M. A. (2003). National interests, state power, and EU enlargement. East European Politics and Societies, 17(1), 42-57

Way, L.A. and Levitsky, S. (2007) “Linkage, Leverage and the Post-communist divide), East European Politics & Societies, Vol.21, No.48, pp. 48-66

Pollack, Mark. (2008). The New Institutionalisms and European Integration

https://europeanwesternbalkans.com/2020/12/01/eu-ambassadors-agree-to-delay-eu-talks-with-albania-and-north-macedonia/

https://www.dw.com/sr/pro%C5%A1irenje-eu-u-%C4%87orsokaku/a-55880028

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk