Kompakti Global për një Migracion të Sigurt, të Organizuar dhe të Rregullt (GCM)

Kompakti Global për një Migracion të Sigurt, të Organizuar dhe të Rregullt (GCM)


Në shtator 2016, Asambleja e Përgjithshme vendosi, nëpërmjet miratimit të Deklaratës së Nju Jorkut për Refugjatët dhe Migrantët, për të zhvilluar një Kompakt Global për Migracionin (KGM). Procesi për të zhvilluar këtë kompakt global filloi në prill 2017. Më 13 korrik 2018, Shtetet Anëtare të OKB-së finalizuan tekstin për Kompaktin Global për Migracionin e Sigurt, të Organizuar dhe të Rregullt. Më 10 dhjetor 2018, vetëm 8 ditë para ditës botërore të Migrantëve liderët dhe përfaqësuesit e lartë të 164 vendeve të mbledhura në Marrakesh, Marok dhanë pëlqimin e tyre për “Kompaktin Global për një Migracion të Sigurt, të Organizuar dhe të Rregullt”.

Kompakti Global për Migracionin është jo ligjërisht i detyrueshëm. Ai bazohet në vlerat e sovranitetit shtetëror, ndarjen e përgjegjësive, mosdiskriminimin dhe të drejtat e njeriut dhe pranon se është i nevojshëm një qasje bashkëpunimi për të maksimizuar përfitimet e përgjithshme të migrimit, duke adresuar rreziqet dhe sfidat e saj për individët dhe komunitetet në vendet e origjinës, tranzitit dhe destinacionit. Kompakti Global për Migracionin përfshin 23 objektiva për menaxhimin më të mirë të migracionit në nivel lokal, kombëtar, rajonal dhe global. Ai ndër të tjera:
• synon të përmirësojë faktorët strukturorë që pengojnë njerëzit nga ndërtimi dhe mbajtja e një jetese të qëndrueshme e të përshtatshme në vendet e tyre të origjinës;
• synon të zvogëlojë rreziqet dhe dobësitë që emigrantët përballen në fazat e ndryshme të migrimit duke respektuar e mbrojtur të drejtat e tyre dhe duke u siguruar atyre kujdes dhe ndihmë shëndetësore;
• kërkon të adresojë shqetësimet e ligjshme të shteteve dhe komuniteteve, duke pranuar që shoqëritë po përjetojnë ndryshime demografike, ekonomike, sociale dhe mjedisore në shkallë të ndryshme që mund të kenë implikime jo gjithmonë pozitive që rezultojnë nga migrimi;
• përpiqet të krijojë kushte të favorshme që u mundësojnë të gjithë migrantëve të pasurojnë shoqërinë ku jetojnë nëpërmjet kapaciteteve të tyre njerëzore, ekonomike dhe shoqërore dhe kështu të ofrojnë kontributet e tyre në zhvillimin e qëndrueshëm në nivel lokal, kombëtar, rajonal dhe global.

Gjatë gjithë këtyre javëve shume vende anëtare të OKB-së e kanë kundërshtuar këtë pakt duke u shprehur se ai cenon rendin publik dhe sovranitetin e shteteve. Përveç SHBA-ve që vazhdon ta kundërshtoj me forcë këtë pakt, janë dhe disa vende njëkohësisht të OKB dhe Bashkimit Europian që refuzojnë ta nënshkruajnë marrëveshjen. Polonia është bashkuar me Sllovakinë, Hungarinë dhe Austrinë, duke konfirmuar se do të refuzojnë të nënshkruajnë marrëveshjen. Kancelari austriak Sebastian Kurz shpjegoi se vendimi i vendit të tij për t’u tërhequr ishte për shkak të shqetësimeve serioze se shkaqet e migracionit lidheshin me punësimin dhe jo me arsyen se i rrezikohej jeta apo shëndeti në vendet e tyre. Në një deklaratë të saj qeveria polake shprehet se ky dokument do të kërcënonte të drejtën e tyre sovrane për të vendosur se kush hyn në vendin e tyre, ndërsa ministri i jashtëm hungarez Peter Szijjarto vazhdoi akoma më tej, duke e përshkruar paktin si “një kërcënim për botën”.

Në Ditën Ndërkombëtare të Migrantëve, Bashkimi Europian riafirmoi angazhimin e tij të vazhdueshëm për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe të emigrantëve, për të parandaluar udhëtimet e parregullta e të rrezikshme dhe për të siguruar mundësi për rrugë ligjore dhe të sigurta. Për këtë BE thekson se migrimi i prek të gjithë shtetet, por asnjë shtet nuk mund të përballet i vetëm me këtë fenomen. Duhen bashkëpunim global dhe ky Kompakt do ta luajë shumë mirë këtë rol.

Qasja gjithëpërfshirëse e Bashkimit Europian për migracionin është ndërtuar në të njëjtën mënyrë: duke kërkuar adresimin e drejtuesve të migracionit të parregullt; luftën kundër kontrabandimit të emigrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore; të sigurojë mbrojtje adekuate për ata në nevojë, të menaxhojë më mirë kufijtë e jashtëm të Europës, duke mundësuar kanale ligjore të migracionit.

Po çfarë saktësisht përmban ky Kompakt dhe pse shtetet e shohin si kërcënim?

Së pari, janë dy dokumente të ndara, të dyja me rreth 30 faqe, njëra që mbulon migrimin e rregullt dhe të parregullt dhe tjetri që mbulon refugjatët. Kompakti i Migrantëve bën shumë të qartë se shtetet duhet t’i trajtojnë të dy grupet në mënyrë të ndarë e dallueshme nga njëra-tjetra, në faqen e parë të saj thuhet: “Emigrantët dhe refugjatët janë grupe të dallueshme të qeverisura nga korniza të veçanta ligjore. Vetëm refugjatët kanë të drejtën e mbrojtjes specifike ndërkombëtare siç përcaktohet nga ligji ndërkombëtar i refugjatëve.”

Të dy dokumentet gjithashtu e bëjnë të qartë se këto kompakte janë ”ligjërisht jo detyruese” dhe theksojnë se është ”e drejta sovrane e shteteve për të përcaktuar politikën e tyre kombëtare të migracionit”. Kjo, përsëri, në kundërshtim me kritikën e qeverisë polake se dokumentet do t’i jepnin fund sovranitetit kombëtar.

Refugjatët dhe emigrantët shpesh janë në pozita veçanërisht të pambrojtura dhe janë më të prekur nga shfrytëzimi dhe shkelja e të drejtave të tyre. Gjatë takimit në Marok u paraqitën një sërë propozimesh të ndjeshme se si mund ta menaxhojnë më mirë lëvizjen e njerëzve në mbarë botën. Kjo përfshin angazhime për të mbrojtur punëtorët emigrantë nga shfrytëzimi ose parandalimi dhe luftimi i trafikimit të njerëzve.

Partitë e djathta në botë sot janë kundër këtij Kompakti. Këta politikanë mund të besojnë se retorika e tyre nacionaliste do të fitojë vota në shtëpi, por ky kundërshtim i multilateralizmit dëmton interesat e vendeve në mbarë botën. Pjesa më e trishtuar është se vetëm në vitet e fundit qendra e djathtë ka kthyer shpinën në këtë qasje shumëpalëshe. Krahas social demokratëve, politikanët nga qendra e djathtë në SHBA dhe Europë ishin gur themeli për ndërtimin e sistemit ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore. Shtetasit si Robert Schuman, Alcide de Gasperi dhe Konrad Adenauer panë nevojën që vendet të punojnë së bashku për të zgjidhur problemet e përbashkëta. Ata do të tmerroheshin nga pasuesit e tyre që i janë kthyer nacionalizmit, ksenofobisë dhe populizmit.

                                                                                                                      Stafi i Eurospeak, dhjetor 2018

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk