BE-ja në udhëkryq: Mes përballjes me kërcënimin e radikalizmit dhe rrugës drejt islamofobisë

BE-ja në udhëkryq: Mes përballjes me kërcënimin e radikalizmit dhe rrugës drejt islamofobisë

 

***

Qëllimi në vetvete i Bashkimit Europian është krijimi i një zone të sigurtë, bazuar në liri, të drejta të barabarta dhe zhvillim për të gjithë popujt që janë pjesë e këtij bashkimi. Sulmet terroriste të ndodhura vitet e fundit e kanë thyer këtë siguri, duke krijuar panik, frikë dhe terror tek popullsia civile. Në këtë kontekst, Bashkimi Europian gjeti forma dhe mekanizma të rinj për të luftuar terrorizmin duke e parë me të drejtë si kërcënimin më të madh për kohën. Kështu u krijua “Axhenda e Sigurisë” në vitin 2015, që kishte si qëllim ruajtjen e e sigurisë dhe parandalimin me çdo kusht të sulmeve të tjera terroriste (Komisioni Europian, 2015). Një sërë masash u morën në këtë kuadër, dhe u hartuan strategji për të parandalur kërcënimin nga ekstrmezmi, terrorizmi dhe radikalizmi. Përveç vendosjes së një mënaxhimi dhe kontrolli të lartë në kufijtë e shteteve anëtare, nga ana tjeter Agjenda për Emigracionin (Komisioni Europian, 2015) do të kishte si qëllim kontrollin mbi emigrantët që duhet të bëhëj në mënyren sa më efiçente për të parandaluar përhapjen e terrorizmit dhe ekstremizmit në shtetet e Europës. Masat e marra konsistonin në gjurmimin e të dhënave me sisteme dhe programe të sofistikuara për të kontrolluar lëvizjet e çdo personi të dyshuar që do të përbënte kërcënim për Europën.

Prioriteti i Bashkimit Europian ishte që deri në vitin 2020 të arrihej siguria e mëparshme dhe të parandalohej me çdo kusht terrorizmi, që përbënte edhe sfiden më të madhe siç shprehej në raportin e vitit 2015 të hartuar nga Komisioni Europian drejtuar Parlamentit (Komisioni Europian, 2015). Megjithatë sulmet e ndodhura në Paris, Kopenhagen dhe Bruksel, nënvizuan më shumë nevojën për kundërpërgjigjen e Bashkimit Europian kundrejt terrorizmit dhe personave që dyshoheshin ose deklaroheshin si të tillë. Ndërkohë që në vitin 2020 Komisioni Europian lançoi Strategjinë për vitin 2020-2025, duke u fokusuar tek prioritet kryesore, ku terrorizmi edhe për këtë vit mban vendin kryesor të vëmendjes (Komisioni Europian, 2020).

Me të gjitha masat e ndërmarra dhe me shtrengimet në fushen e sigurisë, Europa u vu prapë në lëvizje duke hartuar ligje, strategji dhe programe specifike për të luftuar radikalizmin dhe terrorizmin, duke harruar terrorin psikologjik që po mbillnin tek popullsia civile, të cilët filluan të përndiqen nga frika, ankthi dhe pasiguria. Nga ana tjeter këto masa ndikuan tek fëmijët, gratë dhe burrat e komunitetit musliman të Europës. U targetuan si institucione që simbolizonin terrorizmin shkollat islame dhe xhamitë ku ata predikonin ritet e tyre fetare. Në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme ata zhvilluan “Islamofobinë”, duke e kategorizuar çdo musliman në Europë si radikal dhe i prirur për terrorizem.

Komuniteti Mysliman i Europës nën hijen e Islamofobisë

Komuniteti mysliman në Europë përbëhet nga një grup divers, të karakterizuar nga kultura dhe etni të ndryshme. Një pjesë e tyre janë vendosur në shtete të ndryshme të Europës para shumë vitesh, disa janë qytetarë europianë të lindur nga prindër të imigrantëve të cilët janë integruar në jeten politike dhe sociale të vendit (Vaisse, 2008), dhe së fundi kryesisht refugjatët e ardhur nga shtetet e Sirisë, Irakut dhe Libisë. Ndërkohë që Europa në dekaden e fundit është përballur me fluksin më të madh të imigrantëve, shkaktuar kjo nga konflikti që shpertheu në Siri dhe në vendet e tjera të Lindjes së Mesme. Një dyndje e tillë, ka krijuar pasiguri dhe debate në vendet e Bashkimit Europian, duke u etiketuar si përcjellës të radikalizmit dhe ekstremizmit. Sipas një studimi të realizuar nga Pew Research Center (2017), në 27 vendet e Bashkimit Europian jetojnë rreth 25.8 milion myslimanë, shifër kjo që ka gjasa të rritet akoma më shumë në vitet në vazhdim, për shkak të rritjes së numrit të azilkërkuesve si dhe numrit të përgjithshëm të popullsisë që jeton tashmë rregullisht në vendet e Bashkimit Europian. Kjo situatë ka shtyrë disa shtete të BE që të ndërmarrin politika shtrënguese dhe kufizuese në pranimin e azilkërkuesve.

Në vitin 2016, në këtë kuadër Bashkimi Europian nënshkroi një Marrëveshje me Turqinë (Këshilli i Europës, 2016), me qëllim ndalimin e qindra dhe mijëra imigrantëve që vinin nga Siria. Në këtë mënyrë për të gjithë ata imigrantë që kishin arritur të largoheshin nga tmerret e luftës dhe kishin krijuar një mundësi për të ndërtuar një jetë larg atij realiteti, kjo marrëveshje i thërrmoi përseri jetët e tyre. Qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje, reduktimi i imigrantëve u arrit, sepse në këto katër vitë më pak imigrantë janë dyndur në shtetet e Europës. Por nga ana tjeter solli një përqendrim të numrit më të madh të azilkërkuesve në vendet si Gjermania, Franca dhe Greqia.

Nësë analizojmë rrugën e krijimit të një Europe islamofobe, faktorët që kanë ndikuar në këtë përqasje, duhen rishikuar në një perspektivë të gjerë dhe disavjeçare. Në mënyrë të pashmangshme kanë ndikuar faktorët socialë, ekonomikë, historikë dhe kulturorë të thënë në tërësi, por të marrë në veçanti secili ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në këtë fenomen. Islamofobia është forma më e gjerë dhe më e shfaqur e racizmit kundrejt çdo qytetari mysliman të Europës. Por ky fenomen përveçse ka një ndikim negativ në mënyrë direkte dhe indirekte tek myslimanët që janë pjesë e Europës, duke prekur fushat më të rëndësishme të jetës së tyre si: punësimin, edukimin dhe integrimin e tyre në shoqëritë europiane, shoqëri që po i refuzojnë dhe po pengojnë rimëkëmbjen e tyre. Sipas Perocco (2018), komuniteti i myslimanëve në Bashkimin Europian janë grupi më i organizuar ndër grupet imigruese, duke sfiduar politikën jo mbështetëse, institucionet kundërshtuese dhe duke luftuar në të njëjtën kohë për të drejta të barabarta pavarësisht prejardhjes dhe besimit të tyre të ndryshëm.

Roli i shoqërisë civile në shtyrjen e shoqërive europiane drejt islamofobisë

Përveç politikës dhe institucioneve të Bashkimit Europian, dy aktorë të tjerë po aq ndikues në formimin e islamofobisë kanë pasur organizatat e shoqërisë civile dhe media. Shoqëria civile duke pasur ndikim në shoqëri dhe në opinionin publik, ka luajtur një rol vendimtar në këtë kontekst. Organizata të shoqërisë civile, fondacione, institute kërkimore me ose pa dashje kanë promovuar islamofobinë, nëpërmjet mekanizmave, aktiviteteve dhe thirrjeve të vazhdueshme për të luftuar radikalizmin dhe ekstremizmin në të gjitha fazat dhe proceset e tij (Perocco, 2018). Në mënyrë të tërthortë shoqëria civile, ka ushtruar njëfare presioni tek politika dhe vendimarrja, që ata të ndërmarrin veprime, të hartojnë strategji, të kalojnë ligje që të kenë një ndikim dhe kontroll mbi komunitetin mysliman të Europës.

Organizatat e shoqërisë civile në vend që të promovojnë vlerat e këtij grupi, të mbështesin kulturen dhe integritetin e tyre, dhe të luftojnë për të drejta dhe liri të barabarta, në fakt kanë ushtruar një rol pasiv, duke lejuar në një fare mënyrë që ky fenomen të ndodhë (Isbilir, 2013). Nevoja e komunitetit mysliman për të pasur një mbështetës në ndryshimin e opinionit publik ka qënë e madhe, por organizatat e shoqërisë civile që duhet ta ushtronin këtë rol nuk e kanë realizuar funksionin e tyre. Të drejtat dhe liritë e tyre janë lënë mënjanë dhe ky komunitet nuk ka pasur as mbështetjen e këtyre organizatave. Dy janë arsyet e mosreagimit të shoqërisë civile: së pari edhe profesionistët janë të ndikuar personalisht dhe kanë besuar fajësinë e komunitetit mysliman dhe së dyti ekziston një lidhje e pashmangshme midis organizatave të shoqërisë civile dhe politikës duke sjellë si pasojë një mosreagim ndaj islamofobisë dhe diskriminimit të komunitetit mysliman në Europë (Husain, 2020).

Ndikimi i medias në zhvillimin e islamofobisë

Thuajse të gjithë bien dakord se radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm nuk ndodhin brenda një dite. Dhe një rol të rëndësishëm në fuqizimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm luan edhe media. Gjuha e urrejtjes në media ka qënë shpesh ndikuese në zhvillimin e fenomeneve të ndryshme, dhe në fakt, as në këtë rast nuk ka bërë përjashtim. Njerëzit nga vetë natyra që kanë, tërhiqen nga titujt që serviren në media sidomos kur ato shprehin një tejkalim të kufirit të normales që duhet transmetuar dhe botuar. Në fakt edhe gjuha e urrejtjes në media, edhe radikalizmi janë fenomene që nuk kanë lindur nga asgjëja, ato janë zhvilluar për një periudhë kohore por ndikimi i këtyre fenomeneve nuk ka qënë kurrë më i pranishëm sesa dekadat e fundit, kjo për shkak të zhvillimit të teknologjisë dhe internetit në të gjithë botën (Baldauf, Ebner and Guhl, 2019).

Kur Shteti Islamik u themelua dhe filloi të shpërndante videot me akte dhe thirrje terroriste shumë media nuk i bënë dot ballë tundimit të publikimit të pamjeve. Mediat që i transmetuan videot që menjëherë u bënë kryefjala e titujve botërorë, patën ndikim të jashtëzakonshëm (Honig and Yahel 2017). Shumë nga personat që i`u bashkuan këtij grupi terrorist, ndikimin e parë dhe shumë të fuqishëm e patën nga media dhe publikimi në rrjetet sociale.

Por çfarë ndodhi me komunitetin mysliman të Europës të cilët në pamje të parë ushtronin të njëjtin besim sikurse deklaronin këta terroristë të cilët besonin? Ata duke u njësuar me anëtarët e “Shtetit Islamik” mbi bazen e gjoja besimit të njëjtë që predikonin u vunë në shenjestër të kritikave dhe u dyshuan për terrorizëm. Lidhur me këto akuza që po u bëheshin, sipas një studimi të bërë nga Debah (2016), tregoi që në 50% të përgjigjeve të marra nga pjestarë të komunitetit mysliman në Europë, deklaruan se media dhe politika kanë ndikimin më të madh në zhvillimin e islamofobisë.

Nga këto të dhëna, civilizimi i botës perendimore vihet në pikëpyetje nëse shikohet në perspektivën e veprimeve të politikës ndërkohë që media e servir atë me parime dhe vlera. Është për të ardhur keq kur masa të shumta sigurie ndërmerren në sy të fëmijëve dhe familjeve të cilat tentojnë të përjashtohen nga një shoqëri që promovon gjithpërfshirjen. Këto vlera dhe parime bien poshtë kur ndërmerren aksione sigurie të panevojshme duke sulmuar çdo qytetar të këtij komuniteti (Debah, 2016). Media duke pasur një ndikim të madh në grupet e ndryshme të shoqërisë, shpërndan në këtë kuadër, një frymë kundër qytetarëve myslimanë të Europës duke forcuar akoma më shumë islamofobinë në këto shoqëri.

Përfundime

Krijimi i “Shtetit Islamik” pati një ndikim shumë të madh për terrorin që përcolli në shoqëritë e europiane dhe mbolli tek ato ankth, urrejtje dhe zemërim për vite me rradhë. Media me anë të lajmeve, publikimit të videove shpeshherë të papërshtatshme për audiencen, për përmbajtjen e shkrimeve, titujve në shtyp dhe në portale kanë shenjestruar “islamizmin” të unifikuar me terrorizmin, dhunën, dhe ekstremizmin. Politika nga ana tjeter e prirur për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve europianë ndërmori një sërë masash ekstreme, në dëm të lirive dhe të drejtave të komunitetit mysliman duke vënë në pikëpyetje ekzistencen e këtyre lirive. Shoqëria civile si pjesë e këtij zinxhiri vazhdoi në të njëjtën rrugë, pavarsisht zërit që duhet të përcillnin. Të gjithë këta aktorë ndoshta pa dashje u shfaqen radikalë kunder komunitetit mysliman, me qëllim parandalimin e radikalizmit në vetvete.

Padyshim që sulmet e njëpasnjëshme që ndodhen në disa qytete europiane ishin vendimtare në fillimin e urrejtjes dhe përçarjes, që trazuan themelet deri atëherë të sigurta të civilizimit perendimor. Ngjarje të tilla e drejtuan Europen akoma më shumë në vendime anti-myslimane dhe anti-imigrante, duke ushqyer islamofobinë në përpjekje për të luftuar terrorizmin dhe radikalizmin. Duke qënë të vetëdijshëm që islamofobia tashmë është përhapur si fenomen në shoqëritë europiane dhe ndoshta do të jetë e pranishme për një kohë të gjatë, i mbetet politikës, shoqërisë civile dhe medias që ta pranojnë atë dhe të fillojnë që, njësoj si radikalizmin ta luftojnë për të parandaluar një dëm akoma më të madh kundrejt komunitetit mysliman të Europës.

 

Lubjana Malaj, dhjetor 2020

*Lubjana Malaj është diplomuar në degen Punë dhe Politika Sociale në Fakultetin e Shkencave Sociale, në Universitetin e Tiranës, dhe në Master Shkencor në Shërbime Sociale në Drejtësinë Penale, po në këtë Fakultet. Pas përfundimit të studimeve dhe praktikave profesionale të zhvilluara në institucione të shërbimeve sociale, ka punuar si koordinatore në projektin “Koordinimi i bashkëpunimit të shoqërisë civile dhe institucioneve publike në nivel lokal”. Jep kontributin e saj në promovimin e të drejtave dhe përfshirjes së të rinjëve në jeten demokratike dhe në vendimarrje nëpërmjet informimit, edukimit dhe mbështetjes së të rinjve me më pak mundësi. Eshtë po ashtu pjesë e nismës “Buddy Support System”.

 

371Ndjekës
5616Ndjekës
1944Ndjekës
22Abonues
Ambassade_Niva2_Engelsk
PA_logo